Blog

Si ta mbyllni këtë vit me motivim të lartë!

Si ta mbyllni këtë vit me motivim të lartë!

Edhe pothuajse dy javë dhe mbyllim zyrtarisht vitin 2017. Këto ditë do të kalojnë aq shpejt, sa shumë prej jush nuk do ta kuptojnë momentin, kur kalendari do të shënojë 2018, e ata ende do të vazhdojnë të shkruajnë datën me vitin 2017. E megjithatë, në këto dy javë do të duhen edhe përpjekjet e fundit për të shfrytëzuar minutat e për të arritur ato objektiva që janë drejt realizimit. Kjo nënkupton një angazhim më intensiv dhe shfrytëzim maksimal të energjive dhe burimeve, e që pashmangshmërisht do të sjellin edhe tejlodhje. Për t'ju ardhur në ndihmë gjatë rikuperimit tuaj, po ju sjellim këshillat e Arvind Devalia - në artikullin më poshtë, në mënyrë që të filloni me sa shumë energji dhe frymëzim Vitin e Ri. Lexim të këndshëm e Gëzuar Festat!

* * * * *

A po e prisni Vitin e Ri apo jeni të lodhur me detyrat e papërfunduara nga ky vit? Pa marrë parasysh se si ka qenë viti që po mbyllet, ju ende keni mundësi t'a përfundoni këtë vit me rezultate të larta dhe t'a filloni Vitin e Ri me nota pozitive.

Jam i sigurt se ju keni pasur një numër suksesesh gjatë 12 muajve të fundit dhe është e rëndësishme t'i pranoni ato. Në të njëjtën kohë, ju mund të mësoni nga ato gjëra, që nuk kanë shkuar siç keni shpresuar.

Po ndajmë me ju disa mënyra të thjeshta për t'a përfunduar sa më mirë vitin.

  1. Rishikoni vitin që po përfundon. Shkruani disa nga pikat kryesore të të gjitha gjërave të mira që ju kanë ndodhur. Ju do të habiteni se sa mirësi dhe lumturi keni pasur në të vërtetë këtë vit. Shkruani të gjitha arritjet tuaja, si psh: "Kam bërë më shumë stërvitje", "Hoqa dorë nga mënyra e keqe e të ushqyerit" ose, "Kam shkruar një libër".
  2. Ndani dhe festoni sukseset tuaja këtë vit me familjen dhe miqtë tuaj. Ky vetëdeklarim dhe vlerësim do të jetë një platformë e mrekullueshme për Vitin e Ri. Ti e meriton. Si zakonisht, të jesh mirënjohës për të mirat që tashmë janë në jetën tënde, bën të mundur që të merrni edhe më shumë. Festimi i sukseseve tuaja është gjithashtu një hap i rëndësishëm për të pasur besim të ndërmerrni sfida të reja gjatë Vitit të Ri.
  3. Dërgoni kartolina vlerësimi dhe falënderimi për ata njerëz që ju kanë ndihmuar këtë vit. Përdorni kartolinat e zakonshme të Krishtlindjeve, ose më mirë akoma, që të jeni ekonomik por dhe miqësor me mjedisin, përdorni postën dhe kartolinat elektronike. Shprehni mirënjohje për bashkëpunimet tuaja në të kaluarën dhe në të njëjtën kohë, krijoni miqësi të forta në të ardhmen.
  4. Rishikoni listën aktuale të punëve tuaja. Jini të pamëshirshëm dhe eliminoni sa më shumë detyra që mundeni, pa i bërë ato. Pastaj zgjidhni vetëm një detyrë dhe mbarojeni atë, para fundit të vitit. Së fundi, hidheni listën tuaj të punëve të papërfunduara dhe mos shkruani një tjetër deri vitin e ardhshëm. Do të habiteni se sa mirë do të ndjeheni kur të mos keni një listë gjërash për të bërë.
  5. Mbaroni çdo çështje të pazgjidhur. Shikoni plotësimin e ndonjë pune të vogël të papërfunduar në shtëpi, si vajisja e menteshave të dyerve që bëjnë zhurmë dhe sigurohuni që këto lloj gjërash të mos ngelen në mendjen tuaj deri në fillimin e Vitit të Ri.
  6. Pastroni rrëmujën. Kontrolloni shtëpinë dhomë më dhomë, grumbulloni ato gjëra që nuk ju duhen dhe hidhini ose dhurojini. Mbajeni hapësirën tuaj të pastër, në mënyrë që Viti i Ri të fillojë t'ju sjellë begati më të madhe. Jini të pamëshirshëm dhe mos prisni deri në pranverë për të pastruar gjërat tuaja të padëshiruara.
  7. Kontrolloni dokumentat tuaja më të rëndësishme dhe rifreskojini sa më shumë që të jetë e mundur. Ju nuk doni që të filloni Vitin e Ri duke u shqetësuar për detyrat e zakonshme të administratës. Nëse përdorni kompjuter, atëherë fshini çdo dosje të vjetër dhe  dhe çdo email të panevojshëm.
  8. Rishikoni se si e keni shpenzuar kohën këtë vit, dhe identifikoni ato gjëra që ju kanë marrë pjesën më të madhe të energjive. Bëni një plan për të eliminuar ato marrëdhënie që nuk funksionojnë më për ju. Kërkoni për mënyra më të zgjuara për t'a shpenzuar kohën tuaj. Filloni të thoni JO këtë vit për gjërat që nuk dëshironi t’i bëni. Ç’regjistrohuni nga gazetat, revistat, grupet e email-it, në mënyrë që koha juaj të mos jetë e mbushur edhe gjatë Vitit të Ri.
  9. Ndryshoni dhe bëni diçka të re. Para fundit të vitit, bëni diçka që nuk e keni bërë më parë. Për shembull, shkoni dhe shihni një shfaqje apo film vetëm me veten tuaj, bëni një shëtitje turistike në qytet, ose hani në një nga restorantet që nuk i keni menduar se do t'a provonit ndonjëherë. Përfundojeni vitin në një udhëtim të ri zbulimi dhe me një kuriozitet prej fëmije.
  10. Filloni të ecni çdo ditë për të paktën 20 minuta derisa të fillojë Viti i Ri. Jo vetëm do të ndiheni mirë, por do të shmangni problemet e shtimit në peshë, aq të zakonshme gjatë sezonit të festave. Gjithashtu, mund të kënaqeni aq shumë duke ecur, sa që mund t’ju bëhet një zakon i mirë për Vitin e Ri.
  11. Pushoni dhe relaksohuni. Edhe pse do të jeni të zënë me disa nga sugjerimet e mësipërme, gjithashtu është e rëndësishme që t’i merrni lehtë ato, dhe, për një ose dy ditë mos bëni asgjë. Flini gjatë gjithë ditës, ose thjesht argëtohuni para televizorit.

Ripërtërijeni veten përpara se të fillojë Viti i Ri.

Pa marrë parasysh se si përfundon viti për ju, mos harroni se ka qenë një vit i mirë. Dhe vitin e ardhshëm mund ta bëni edhe më të mirë.