Si të rrisni motivimin dhe produktivitetin e punonjësve në punë
Nisur nga eksperiencat e fundit, në takimet me punonjës të disa prej kompanive ku jemi të angazhuar, u nxitëm përsëri të sjellim në vëmendje motivimin e punonjësve, nëpërmjet këtij artikulli. Nuk mendojmë se është një problem vetëm në kompanitë e vendit tonë, pasi sipas një sondazhi të APA (Shoqata Amerikane e Psikologjisë), më shumë se 25% e punonjësve nuk i besonin punëdhënësit e tyre. Këtu nuk kemi ndonjë studim të tillë, por ne kemi parë punonjësit që bëjnë sa më pak të mundin, gabojnë shpesh dhe tejkalojnë afatet e realizimit të detyrave, dhe në çfarëdo që bëjnë, kanë nevojë për mbikëqyrje dhe korrigjime të vazhdueshme. Këta nuk janë gjë tjetër, përveçse punonjës të demotivuar, të cilët "tërheqin këmbët zvarrë" dhe dëmtojnë produktivitetin. Punonjësit gjithnjë kanë nevojë për motivim, e kush mund t'i motivojë ata më shumë se ju? Lexim të këndshëm!
* * * * *
Motivimi i punonjësve është i rëndësishëm nëse doni të merrni më të mirën prej tyre, dhe, nëse doni të mbani punonjësit më të mirë, që të gjithë i kërkojnë. Është e sigurt se punonjësit do të ndryshojnë vendin e punës, nëse motivimi i tyre është i ulët. Nuk është e thënë se do të kushtojë më shumë parà, që të përmirësoni motivimin e punonjësve, për sa kohë që jeni të hapur ndaj sugjerimeve të reja dhe të gatshëm për të menduar në mënyrë krijuese. Gjithkush ka një pikë KU përjeton një rënie të motivimit, dhe mbajtja lart e motivimit të punonjësve vazhdimisht mund të jetë një sfidë. Kjo është arsyeja që kemi sugjeruar disa këshilla shumë të mira e të garantuara nga ekspertët, për të mbajtur lartë nivelin e motivimit të punonjësve, në vendin tuaj të punës. Këto këshilla nuk janë specifike për një industri të caktuar, dhe, kërkojnë pak ose aspak kosto. Ato mund të aplikohen për bizneset, pavarësisht madhësisë së tyre - nga të sapo themeluarat e deri tek më të mëdhatë në botë.
Shpërbleni punën e mirë: Një nga metodat më të rëndësishme, të rritjes së motivimit të punonjësve, është të njohësh punën e tyre të vështirë. Për aq kohë sa një punonjës bën përpjekje shtesë, për të dhënë apo arritur rezultate të jashtëzakonshme, dhe përpjekjet e tilla nuk i njihen dhe nuk i vlerësohen, atëherë si mbikëqyrësi i tij, mos prisni që këto përpjekje të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Mënyra se si ja njihni atij përpjekjet është po aq e rëndësishme për motivimin e tij, sa fakti që ju ja njihni apo nuk ja njihni fare përpjekjet. Paraja është e shumë e përshtatshme, por nuk është motivuesi i vetëm - ose më efektivi. Trajtojini punonjësit si anëtarë të vlerësuar të ekipit, jo si numra.
Krijoni konkurrencë: Një metodë e provuar, e cila rrit motivimin e punonjësve dhe i bën njerëzit të bëjnë punë më produktive, është që t'i bëni ata të konkurrojnë me njëri-tjetrin. Kur bëhet siç duhet, konkurrenca e shëndetshme do të rrisë motivimin e punonjësve dhe do t’i bëjë ata më produktivë, pasi ata konkurrojnë për të drejtën e të marrit të lavdërimeve, dhe natyrisht, edhe të shpërblimit për fitimtarin. Thjesht sigurohuni që lloji i konkurrencës që krijoni nuk shkakton zemërim mes punonjësve, ose t’i bëjë ata të përpiqen ta sabotojnë punën e njëri-tjetrit. Nëse ndodh kështu, ndërpriteni garën menjëherë.
Qëndroni pozitiv: Kur kujtoni vazhdimisht performancën e dobët të së kaluarës, ju dëmtoni produktivitetin dhe vrisni motivimin e punonjësve. Edhe pse nuk mund të ndodhë, që gjithmonë të presim që gjërat të shkojnë normalisht, të gjithë kemi një kufi për tolerancën tonë ndaj negativitetit. Një ilaç për këtë, është se do të jetë më e lehtë të drejtoni përmes mjeteve pozitive, sesa të tregosh dështimet dhe çfarë shkoi keq. Me sa duket, lumturia dhe pozitiviteti luajnë një rol më të madh në suksesin e biznesit, se sa mund t’a keni menduar ndonjëherë. Zhvendoseni paragjykimin tuaj, nga negativ drejt pozitivitetit dhe lumturisë, dhe shihni ndikimin e menjëhershëm, që do të ketë jo vetëm mbi përvojën tuaj të punës dhe motivimin e punonjësve, por edhe në marrëdhëniet tuaja dhe jetën personale.
Vendosni objektiva afatshkurtra, të cilat mund t’i masni: Kur punoni në një projekt, i cili kërkon kohë, dhe përfundimi nuk duket qartë, ju dhe ekipi juaj mund të demoralizoheni shpejt. Kur i tregoni qartë ekipit tuaj për progresin që bëhet, jo vetëm që të gjithë do të ndihen mirë, por kjo do të tregojë se puna juaj dhe progresi që po bëni, po sjellin ndryshim. Vendosja e objektivave të qarta afatshkurtra i jep një nxitje motivimit të punonjësve, sa herë që arrihen. Festimi i këtyre arritjeve do ta zmadhojë këtë efekt. Ndjekja e përparimit në këtë mënyrë, gjithashtu tregon përparimin tuaj gjatë kohës, kështu që kur të ktheni kokën mbrapa, do e keni të lehtë të shihni se sa keni ecur.
Rrisni përgjegjësinë: Punonjësit që kanë përgjegjësi më të madhe në një vend pune do të ndjehen më shumë si pjesë e biznesit, se sa ata që janë të përfshirë vetëm në nivelin bazë. Punonjës të tillë, padyshim do të bëjnë më shumë përpjekje për të arritur më shumë, sepse ata do e lidhin edhe personalisht, suksesin e biznesit. Një mënyrë tjetër, për të rritur motivimin e punonjësve, është, t’i lejoni punonjësit tuaj të marrin më shumë përgjegjësi, për rezultatin e projekteve. Ju gjithashtu, mund t'u ofroni atyre mundësi për trajnime, për të përmirësuar aftësitë e tyre.
Lejoni autonominë: Një mënyrë, për të përmirësuar efikasitetin dhe për të rritur motivimin e punonjësve, është t’i lejoni punonjësit të zgjedhin kur dhe si do e kryejnë punën e tyre. Autonomia mund të jetë një motivues i fortë, siç thotë Roberta Chinsky, - "Tregojuni punonjësve tuaj se çfarë duhet bërë, dhe në çfarë afati, dhe lejojini ata që të vendosin kur do ta bëjnë punën e tyre”. Për disa, kjo mund të nënkuptojë se duhet të vijnë në punë më herët, dhe për të tjerët mund të nënkuptojë të punojnë në fundjavë. "Çelsi është t'i jepni punonjësve lirinë për të punuar në një projekt, kur motivimi është më i fortë dhe jo vetëm kur ata janë në vendin e punës. Kjo liri do të bëjë gjëra të mahnitshme për motivimin e punonjësve, sepse kur punonjësit kanë më shumë kontroll mbi punën e tyre, gjithashtu ndihmon në eliminimin e një armiku të motivimit në vendin e punës – mikromenaxhimit”.
Promovoni punën ekipore: Një nga motivuesit më të fuqishëm është puna ekipore. Të punoni së bashku dhe të shohësh rezultatin e përpjekjeve kolektive është një ndjenjë e mrekullueshme. Ekipet ndihmojnë që individi të qëndrojë i motivuar, kur morali është i ulët. Bashkëpunëtorët janë përbërësi numër një për motivimin e punonjësve, dhe frymëzim që ata të bëjnë përpjekje shtesë. A e inkurajon ambienti juaj i punën në ekip, apo e mbyt motivimin? A u jep mundësi ambjenti punonjësve që të punojnë në mënyrë kohezive? Nëse jo, motivimi i punonjësve tuaj do të jetë i ulët dhe ju, duhet të përmirësoni strukturën tuaj të punës.
Ofroni një ndjenje sigurie: Kjo ka të bëjë më shumë me sigurinë ndaj punës, se sa me sigurinë fizike. Punonjësit tuaj kanë nevojë për një ndjenjë vazhdimësie, që ta dinë se ata ende do të kenë një vend për të punuar, në të ardhmen e afërt. Ofrimi i një atmosfere pasigurie është një mënyrë për të mbytur motivimin e punonjësve, dhe për rrjedhojë, produktivitetin. Psikologjia tregon, se në hierarkinë e nevojave themelore të kërkuara nga njerëzit, për të arritur potencialin e plotë, siguria vjen pas nevojave themelore të mbijetesës si ushqimi dhe uji. Kur ka një ndjenjë sigurie në vendin e punës, motivimi i punonjësve rritet, dhe punonjësit janë më të motivuar për të arritur potencialin e plotë.
Jini transparent: Transparenca është një nga mënyrat më të mira për të inkurajuar një atmosferë besimi dhe për të rritur motivimin e punonjësve të ekipit tuaj. Çdo marrëdhënie, duke përfshirë edhe ato në punë, bëhen më mirë kur ndërtohen mbi besimin. Një përfitim tjetër i transparencës, përveç besimit, është se ajo siguron që të gjithë të kenë të njëjtin informacion, me të cilin punojnë. Ky mund të jetë një përfitim i jashtëzakonshëm për ekipin tuaj. Është e rëndësishme të komunikoni me përgjegjësi dhe në mënyrë efektive, me çdo informacion dhe me të gjithë informacionin, që punonjësve ju nevojitet të punojnë në mënyrë më efikase.
Kënaquni: Nuk po themi këtu që ambienti i punës të bëhet çdo ditë, si një park lojrash, por ekipi juaj nuk duhet të ndjehet sikur puna është gjtihmonë e mërzitshme. Nuk ju duhet të keni një playstation në cdo zyrë për t’a bërë punën argëtuese, por ju mund të gjeni pak argëtim në aktivitetet e zakonshme e të përditshme, dhe ta bëni këtë si një traditë. Ju do të habiteni me shkallën e motivimit, që mund të nxisë edhe sadopak argëtim tek punonjësit tuaj.
Ju mund të përmirësoni motivimin e punonjësve në vendin tuaj të punës, duke vënë në zbatim ndonjë prej sugjerimeve të mësipërme. Zhvilloni mjetet tuaja të motivimit të punonjësve dhe provoni se sa efektive janë ato.