4 Ide për motivimin e ekipit të shitjes, gjatë verës
Natyrisht, jo të gjitha kompanitë apo punonjësit e vuajnë shqetësimin e rënies së ritmit të shitjes në periudhën e verës (për shkak të sezonalitetit), por është e vërtetë se të gjithë e mendojnë këtë periudhë si kohën më të përshtatshme për pushimet e tyre vjetore. E për shkak se një pjesë e rënies së shitjeve mund të vijë nga shpërqëndrimi i vëmendjes, ne menduam t'ju sjellim këtë artikull nga Laura Lloyd, që trajton pikërisht këtë temë. Aty do të gjeni disa ide të sajat, lidhur me atë se si mund t'a mbani ekipin në punë dhe të motivuar, dhe të zbusni efektet negative të kësaj periudhe në nivelin e shitjeve. Ju urojmë një verë të mbarë e sa më të suksesshme!
* * * * *
Vera zyrtarisht ka ardhur. Moti i ngrohtë dhe fëmijët jashtë shkollës, do të thotë se është koha e pushimeve për klientët tuaj - dhe për fat të keq - ngadalësim i rritjes së shitjeve për ekipin tuaj.
Vera mund të sjellë ulje të shitjeve në shumë industri, por ngadalësimi i ritmit të bizneseve nuk do të thotë që ekipi juaj i shitjes nuk mund të jetë produktiv. Gjallërimi i motivimit të ekipit të shitjeve, në verë, është po aq i rëndësishëm (ose më shumë), sa në çdo periudhë tjetër të vitit.
Përdorni këto ide për të motivuar dhe për të mbajtur të angazhuar ekipin tuaj të shitjes dhe për të ecur përpara gjatë sezonit të pushimeve.
1. Planifikoni një garë/konkurs shitjesh
Ashtu si klientët tuaj ndoshta edhe punonjësit tuaj të shitjeve janë duke shpenzuar një copë të ditës së tyre duke ëndërruar për një plazh me diell apo një largim. Pse të mos e ktheni atë vegim në motivim duke i ofruar një konkurs për të fituar pushime në fund të verës?
Afati kohor do t'ju sjellë përfitim në dy mënyra:
- Përfaqësuesit tuaj do të jenë të motivuar për të punuar fort gjatë muajve shpërqëndrues të verës, me syrin drejt çmimit të fundverës, dhe ...
- Ju mund të gjeni çmime më të mira për hotelet dhe fluturimin, gjatë pjesës së fundit të sezonit (mendoni, në fund të gushtit deri në fillim të shtatorit).
Nëse një pushim është jashtë buxhetit tuaj, merrni parasysh dhënien e çmimeve më të vogla - ditë pushimi ekstra ose bileta për një ngjarje emocionuese për shembull.
2. Jepni shpërblime të vogla
Punonjësit tuaj thjesht nuk mund t'u shesin klientëve që nuk janë në punë. Pra, nëse muajt e verës i bëjnë kuotat e rritura joreale, përqëndrohuni në festimin dhe shpërblimin e arritjeve të vogla.
Vendosni objektiva afatshkurtra për ekipin tuaj të shitjeve gjatë verës, duke gjetur diçka mbi të cilën ekipi juaj duhet të punojë dhe të fokusohet në të. Ndoshta mund të jetë e lidhur me rritjen e aktiviteteve sociale rreth shitjes ose shtrirjes lokale. Çfarëdo qoftë ajo, kohët kur puna bie janë një mundësi e mirë për të zhvilluar zona të zbrazëta, dhe shpërblimet e vogla do të ndihmojnë në mbajtjen e punonjësve tuaj të angazhuar.
Ata do të ndihen të motivuar dhe të vlerësuar me një shpërblim të bukur – qoftë ky një çmim i vogël për një shëtitje në fundjavë apo një ngjarje në natyrë e organizuar nga kompania.
3. Investoni në Trajnime
Shitësit (dhe menaxherët e tyre) duket se kurrë nuk kanë kohë të mjaftueshme gjatë ditës, për të bërë gjithçka. Pra, kur ka një topitje të biznesit, për shkak të sezonit të pushimeve, pse të mos e përdorin atë si një mundësi për të punuar me zhvillimin e aftësive të shitjes?
Të gjithë e dimë se të mësuarit për t’a bërë punën tonë më mirë është një ide e mirë, problemi është se gjithmonë duket se ka çështje me prioritet më të lartë, të cilat kanë përparësi. Identifikimi i zonave ku ekipi juaj i shitjeve duhet të përmirësohet, dhe shfrytëzimi kësaj kohe për zhvillimin e tyre do të ketë një ndikim të pabesueshëm në performancën dhe të ardhurat, sapo klientët tuaj të kthehen në punë.
Temat mund të jenë të lidhura me aftësitë negociuese, strategjitë e shitjes konsultative ose thjesht rafinimi i një procesi të fortë shitje. Përqendrohuni në disa fusha specifike, ku ekipi juaj mund të përmirësohet dhe t’a realizojë atë!
4. Zvogëloje/ Fragmentizoje objektivin
Një objektiv i lartë shitjesh mund të duket dekurajues; sidomos kur të gjithë punonjësit tuaj të shitjeve marrin përgjigjen "Nuk jam në zyrë". Ndihmoni që qëllimi të duket më i menaxhueshëm duke e ndarë atë në copëza/fragmente më të vogla.
Pasi t’i keni ndarë shifrat, punoni individualisht me punonjësit tuaj të shitjes, për të krijuar plane biznesi që i ndihmojnë ata t’i afroheni më shumë qëllimit. Plani duhet të përfshijë aktivitete me fitim të lartë, që shitësit duhet të bëjnë në baza ditore, javore dhe mujore. Do të duhet t’i takoni rregullisht për të kontrolluar progresin e tyre dhe për të festuar sukseset dhe dështimet.
Nëse kjo është një praktikë e re për ekipin tuaj, vera është një kohë e mirë për t’a zbatuar atë. Kjo do t'i mbajë të motivuar dhe të angazhuar, dhe do t'i lejojë që t’a bëjnë procesin si zakon, për periudhën kur biznesi të fillojë të marrë veten përsëri, pas sezonit të pushimeve.
Konkluzioni
Vera duhet të mbushet me kohë emocionuese dhe me kujtime të lumtura, prandaj mos e lejoni frikën e ngadalësimit të biznesit t’ju turbullojë. Bëjeni këtë verë produktive dhe motivuese, duke zbatuar disa nga idetë e mësipërme dhe drejtoni ekipin tuaj të shitjes në rrugën e duhur.