Përgjegjësitë e Menaxherit të shitjes: Udhëzuesi për t'u bërë një udhëheqës shitjesh
A mendoni se menaxherët e shitjeve kanë ndonjë përgjegjësi për këto statistika, që paraqiten në foton shoqëruese të artikullit? Natyrisht që kur flitet për shitjet, shifrat janë ato që flasin vetë, por ndërkohë përmirësimi i tyre, është në dorë të menaxherëve të shitjes, më shumë se kushdo tjetër. Lee Iacocca na mëson se: “Në fund të gjitha operacionet e biznesit mund të reduktohet në tre fjalë: njerëz, produkte dhe fitime. Nëse nuk keni një ekip të mirë, nuk mund të bëni shumë për dy të tjerat!”Kështu pra, para se të fokusohemi tek shifrat, e rëndësishme është të fokusohemi tek njerëzit. Pikërisht, këtë na propozon edhe edhe ky artikull i Emily Murray, me disa këshilla praktike për menaxherët e shitjes në ndërtimin e ekipeve të suksesshme, që ju ftojmë të ndiqni më poshtë. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Si menaxher shitje, keni një mundësi të pabesueshme për të ndikuar mbi ekipin tuaj. Megjithatë, përgjegjësitë e menaxherit të shitjes ndonjëherë janë të paqarta. Ju jeni në pozicionin ideal për të fuqizuar dhe motivuar vërtet, njerëzit e shitjes dhe të arrini objektivat tuaja të shitjeve. Për fat të keq, ju keni gjithashtu mundësinë për të bërë ekzaktësisht edhe të kundërtën.
Suksesi apo dështimi i tyre, bie kryesisht mbi ju.
Nuk duhet asgjë tjetër, veçse një presion i vogël, apo jo?
Fatmirësisht, natyra konkuruese dhe aftësitë e lidershipit janë ato që ju sollën në krye të shitjeve. Por si mund t'ja dilni, në ato ditë, kur email-i vazhdon t’ju mbushet dhe telefoni t’ju bjerë pa pushim?
Në të njëjtën mënyrë, që po i kërkoni anëtarëve të ekipit tuaj për të vazhduar dhe për të përmirësuar veten, po ashtu duhet të vendosni të njëjtin theks mbi përmirësimin e aftësive tuaja menaxhuese. Përdoreni natyrën tuaj konkurruese për të konkuruar me veten!
Gabimi më i madh, që bëjnë shumica e menaxherëve, është që ose e mbi-udhëheqin ose e nën-udhëheqin ekipin. Gjejeni vetë, me kujdes, balancën tuaj.
Ju duhet të bëni çdo ditë përpjekje, për të qenë edhe më efektive se sa një ditë më parë.
Mos u mbingarkoni.
Mos lejoni t'ju kapë paniku.
Merrni frymë thellë dhe ndiqni këto 12 këshilla, për t'u bërë një menaxher shumë i mirë shitjesh.
1. Qëndroni të hapur për reagime dhe informacione
Të gjithë mund të kemi pasur, në jetën tonë, një menaxher që e mbajmë mend. Jo sepse ai/ajo ishte komunikues i mirë ose një mentor frymëzues ... por sepse ai/ajo ishte bastard.
Një nga mënyrat më të mira, për të mos qenë një bastard, është që të jeni gjithmonë, të hapur për reagime dhe informacione.
Mënyra më e shpejtë, për t’a dobësuar ekipin tuaj, është që të mos krijoni një mjedis të hapur, dhe të mos lejoni reagime apo opinione, mbi objektivat që keni vendosur, afatet kohore që keni krijuar dhe fushat e procesit të shitjes, që kanë nevojë për përmirësim.
Kurdoherë që i prezantoni ekipit tuaj, këto tema, sigurohuni që në mënyrë të veçantë, të nxisni reagime, opinione apo përshtypje. Duket si mjaft bazike, por frika, nga ofendimi ose zemërimi i një menaxheri, është një nga arsyet kryesore që punonjësit irritohen, vuajnë në heshtje dhe përfundimisht largohen nga puna.
Zakonisht një punonjës largohet nga një pozicion për shkak të ndërveprimeve (ose mungesës se tyre) me menaxherët, më tepër se sa për shkak të problemeve me vetë punën.
2. Njihni përpjekjet e jashtëzakonshme
Një rrahje shpatullash vlen shumë.
Qofshim 5 ose 50 vjeç, ne na pëlqen t’a dëgjojmë një fjalë të mirë, kur kemi bërë diçka mirë. Le ta pranojmë, ne jetojmë për njohjen e meritave.
Ushqejeni këtë nevojë nëse është e mundur, por sigurisht mos jepni lëvdata të pamerituara.
Një mënyrë tjetër, për të dëmtuar vërtet dinamikën e ekipit, është dhënia më shumë se sa duhet, e "rrahjes së shpatullave".
Sigurisht, ju duhet t’i njihni arritjet dhe momentet e përpjekjeve të jashtëzakonshme, por duhet të jeni të sigurt, që t’i rezervoni lëvdatat për momentet më të përshtatshme.
3. Implementoni teknologjitë e reja, kur është e mundur
Një tjetër aspekt, shpeshherë i pashfrytëzuar i të qenit menaxher shitjesh, është nevoja për të mbajtur sytë hapur, për teknologjitë e reja, të cilat mund të përmirësojnë procesin e përditshëm të shitjes. Kjo do të thotë, të qëndroni i informuar mbi programet e reja kompjuterike, të cilat mund të bëjnë më të lehtë procesin, që nga drejtimi e deri tek mbajtja e marrëdhënieve me klientët. Ju e keni dëgjuar fjalën e urtë "Punoni më me zgjuarsi, jo më shumë", apo jo? Të keni mjetet e duhura për ekipin tuaj, bën pikërisht këtë gjë. Kurrë mos i ndalni përpjekjet, për të gjetur mënyra të përmirësoni performancën.
4. Fokusohuni në Procesin e shitjes ... jo vetëm tek Objektivat
Mos u verboni nga objektivat tuaja, mbajini ato parasysh, ndërkohë që fokusoheni në procesin e shitjes. Ka kaq shumë gjëra që nuk mund t’i kontrollojmë çdo ditë. Merrni kontrollin e faktorëve që ju mund t’i kontrolloni. Punoni për të përsosur çdo hap të procesit të shitjes, jo vetëm për një numur, që doni të arrini.
5. Jini transparent
Është plotësisht e pranueshme, të vendosni vetë kufijtë tuaj, dhe, të mos transmetoni çdo vendim që merrni, por kur është fjala për objektivat tuaj, dhe ato të anëtarëve të ekipit tuaj, ju duhet të jeni transparent. Jeni duke udhëhequr me shembullin tuaj, në fund të fundit vendosni objektivat tuaja dhe tregojeni se ku jeni, duke i matur ato.
Drejtimi i një ekipi, tërësisht me transparencë, është një mënyrë e shkëlqyer për t’i nxitur më shumë, njerëzit tuaj të shitjeve. Ata përqëndrohen jo vetëm në arritjen e objektivave të tyre, por kur e shohin se si janë arritjet e bashkëpunëtorëve, kjo do të ndikojë edhe më shumë në rritjen e performancës së tyre.
6. Zhvilloni një metodë për matjen e suksesit
Si mund t’a kuptoni nëse ekipi juaj është duke arritur qëllimet ose duke bërë më shumë takime shitje, nëse ju nuk keni një bazë për të filluar, dhe një metodë të besueshme për matjen e suksesit?
Është e pamundur.
Si mund t'a dini nëse objektivat tuaja janë më të të larta për ekipin tuaj, pa i matur?
Ju nuk do të mundeni.
Në rregull, tani e kapët idenë - matja është e rëndësishme.
Domethënë me të vërtetë e rëndësishme.
Ky është rasti kur një program i mirë shitjesh, mund të vijë vërtet në ndihmë. Të keni një mënyrë për të matur apo ndjekur në vazhdimësi suksesin dhe pas-suksesin, nuk i le gjërat në dorë të supozimeve.
7. Nëse bëni një gabim, pranojeni atë
Pjesë e të qenit një menaxher i mirë është të jesh i përulur. Drejtoni me shembullin personal. Askush nuk ka ndonjë kënaqësi të veçantë, nëse pranon se ka bërë një gabim, por ky është çelësi për të treguar se ju jeni një udhëheqës i mirë.
Le të ndalemi pak këtu. A i respektoni ata njerëz, që kanë pasur të bëjnë me ju gjatë jetës, dhe që kurrë nuk e kanë pranuar që kanë bërë ndonjë gabim?
Sigurisht që jo.
T’i dalësh për zot një gabimi, tregon se ju jeni njerëzor. Njerëzit ju respektojnë dhe ju besojnë ju si menaxher, kur me pranimin, ju tregoni se gabimet ndodhin, dhe se mund të keni një mundësi për të mësuar.
Një përfitim tjetër, i pranimit të gabimeve tuaja, është, që ka gjasa që punonjësit tuaj të mos përpiqen t'i fshehin gabimet e tyre nga ju. Pasi të mund të identifikoni se ekziston një problem, ju mund t'i ndihmoni të zhvillojnë një plan për ta riparuar atë. Përdoreni këtë si një mundësi për të fituar respekt, dhe për të lënë hapur dyert e komunikimit.
8. Qëndroni të organizuar
Puna mund të bëhet e papërballueshme, kur i lini gjërat të bëhen kaotike.
Detajet do të kalojnë nëpër të çarat e sistemit, dhe do t’a humbni kontrollin plotësisht, përpara se të arrini t’a kuptoni.
Një nga gjërat më të rëndësishme, për t’u organizuar, është koha juaj. Nëse keni tendencë të gjendeni të bllokuar në atë që po bëni dhe të humbni sensin e kohës, provoni të përdorni aplikacionet në telefonin tuaj, për çdo detyrë që duhet të bëni gjatë ditës.
Është shumë e lehtë që të përcaktoni 45 minuta për të kontrolluar dhe përgjigjur email-it, ose një orë për takimin javor me ekipin. Njëherë që e detyroni veten të jeni i organizuar, ju do të jeni një hap më afër të qenit ideues dhe menaxhues i shitjeve!
9. Fitoni besimin e ekipit tuaj
Është gjë e lehtë që thjesht t'ju këshillojmë për të fituar besimin, apo jo? Por si dreqin mund t’a arrini këtë? E pra, disa mënyra i kemi diskutuar tashmë, siç është drejtimi me shembull personal dhe pranimi i gabimeve tuaja kur ato ndodhin, por ka edhe të tjera, që do t'ju marrin pak më shumë kohë. Besimi është diçka që ju nuk mund t’a fitoni brenda natës. Jini konseguent në gjithçka që bëni dhe drejtoni me shembullin tuaj.
Kurrë mos i nënvlerësoni punonjësit tuaj, ata janë duke ju vëzhguar, po aq sa (ndoshta më shumë) se sa ju jeni duke i vëzhguar ata. Mbajeni parasysh këtë, në të gjitha gjërat që bëni. Kaloni kohë me çdonjërin prej punonjësve tuaj. Kjo është një nga mënyrat më të mira për të fituar besimin.
10. Jini trajner
Pas çdo ekipi fitues në kampionat, është një trajner i madh. Pas çdo ekipi të shkëlqyer shitjesh, është një menaxher i madh. Trajnimi i ekipit tuaj, jo vetëm që mund t'ju ndihmojë t'i drejtoni ata drejt suksesit, por gjithashtu do t’ju ofrojë një mundësi për të ushqyer marrëdhëniet dhe për të ndërtuar besimin.
11. Drejtoni, por mos mikromenaxhoni
Stili më i keq i menaxhimit është mikromenaxhimi. Ai apo ajo, ju kontrollon disa herë në ditë, ju tregon se si të planifikoni çdo sekondë të kohës tuaj, dhe, në qoftë se kalon një ditë pa ju folur, atëherë kjo është një mrekulli?
Mos u bëni mikromenaxher.
Ofroni mbështetje, ofroni ndihmë, por mos i ktheni punonjësit tuaj në robotë.
Duke i dhënë mbështetje ekipit, por gjithashtu duke i lejuar ata t’i provojnë gjërat vetë, kjo është një mënyrë e shkëlqyer për t'i ndihmuar të rriten, të mësojnë aftësitë e menaxhimit të kohës dhe se si të arrijnë objektivat e të tyre.
12. Mos kini frikë të “flakni” një punonjës me performancë të dobët
Kjo është një nga gjërat që shumë menaxherë i qëndrojnë larg. Menaxherët e mëdhenj e kuptojnë, se ndonjëherë më e mira është që duhet ta lenë të largohet cilindo punonjës.
Nëse po lejoni, që performuesit e dobët të kenë të njëjtat përfitime si punonjësit tuaj më të mirë, punonjësit më të mirë do të t'ju lenë juve, shumë shpejt.
Ashtu si doni të shpërbleni sjelljen e mirë, po ashtu doni të "shtypni" qëndrimet e këqija dhe punën e dobët. Kjo gjë mund të infektojë vërtet ekipin, si një sëmundje epidemike. Flakja e një punonjësi nuk është një gjë zbavitëse, nuk do t'ju bëjë që të ndjiheni një person i mirë, por në shumë situata, kjo është një e keqe e domosdoshme.
Përfundimi është, se ju duhet të menaxhoni në të njëjtën mënyrë, që ju dëshironi t'ju menaxhojnë. Jini të drejtë, të besueshëm, të përulur dhe një shembull i madh për ekipin tuaj, dhe jo vetëm që ata do t'ju duan, por do të punojnë më shumë, edhe për ju, gjithashtu.