Blog

Përfitimet e punës ekipore në vendin e punës

Përfitimet e punës ekipore në vendin e punës

Në përgatitjen e dy kurseve “SHITJA ME PAKICË - Si të kthejmë Vizitorët në Blerës” dhe “Ekipet efektive dhe ndërtimi i tyre”, të cilat i kemi publikuar në rrjetet sociale dhe fillojnë së shpejti, rasti e solli që të punonim edhe me artikullin më poshtë, i cili trajton ndërthurjen e të dy temave.  Ka disa mënyra për të përkufizuar punën në grup. Një nga këto është ajo që do të thotë: ndjenjë uniteti, entusiazmi për interesa dhe përgjegjësi të përbashkëta, e zhvilluar në mesin e një grupi personash të lidhur ngushtë në një detyrë, çështje, arsye, organizatë, etj. Autori Dave Matson, na paraqet shkurt dhe thjesht përfitimet nga puna në ekip, si për punonjësit e shitjes ashtu edhe për punëdhënësin. Jemi në pritje të ideve tuaja. Lexim të këndshëm!

* * * * *

 "Dy mendje janë më mirë se një". Të gjithë e keni dëgjuar këtë fjalë të urtë e cila inkurajon punën në grup. Por çfarë përfitimesh ka në të vërtetë të punuarit së bashku? Shitësit në dyqane zhvillohen nga konkurrenca e shëndetshme, por ndonjëherë përdorimi i punës ekipore në vendin e punës është një përgjigje e mirë për të fituar shitje. Këtu janë gjashtë mënyra që tregojnë se puna ekipore sjell përfitime në vendin e punës.

1. Nxit kreativitetin dhe të mësuarit

Kreativiteti zhvillohet kur njerëzit punojnë së bashku në një ekip. Dhënia e mendimeve dhe  ideve si grup parandalon këndvështrimet "bajate" që vijnë shpesh nga të punuarit vetëm. Kombinimi i perspektivave të veçanta nga çdo anëtar i grupit krijon zgjidhje më efektive të shitjes.

Çfarë keni mësuar nga përvojat individuale është krejtësisht e ndryshme nga bashkëpunëtorët tuaj. Kështu, puna ekipore maksimizon njohuritë e përbashkëta në vendin e punës dhe ju ndihmon të mësoni aftësi të reja të cilat mund t’i përdorni për pjesën tjetër të karrierës tuaj.

Bashkëpunimi në një projekt krijon entusiazmin për të mësuar, ndryshe nga puna e vetmuar ku zakonisht kjo mungon. Të jesh i gatshëm për të ndarë zbulimet e tua me pjesën tjetër të ekipit, i nxit punonjësit dhe kultivon njohuri individuale dhe ekipore.

2. Kombinon dhe plotëson pikat e forta

Të punuarit së bashku ju mundëson punonjësve të mbështeten mbi talentet e shokëve të ekipit. Ndërsa fuqia juaj mund të jetë mendimi krijues, një koleg mund të shkëlqejë në organizim dhe planifikim. Mos hezitoni të ndani aftësitë tuaja me ekipin.

Shpesh, një ekip punon mirë së bashku, sepse anëtarët e ekipit mbështeten në njëri-tjetrin për të sjellë talentet individuale në tryezë. Duke e vëzhguar procesin që qëndron pas këtyre aftësive, ju mund të mësoni se si të kombinoni dhuntitë tuaja dhe të bëheni një ekip më i fortë.

Sa herë që i shihni kolegët tuaj që përdorin një qasje ndryshe në shitje, ju keni një shans për të rregulluar ose për të përmirësuar metodat tuaja.

3. Ndërton Besimin

Mbështetja tek njerëzit e tjerë ndërton besimin, dhe puna në ekip krijon marrëdhënie të forta me bashkëpunëtorët. Pavarësisht mosmarrëveshjeve të rastit, një ekip efektiv e pëlqen të punuarit së bashku dhe ndajnë ndërmjet tyre një lidhje të fortë. Kur ju i jepni besimin tuaj një bashkëpunëtori, ju keni vendosur themelin e një marrëdhënie që mund të durojë e tolerojë konfliktet e vogla.

Besimi tek anëtarët e ekipit gjithashtu, ofron një ndjenjë sigurie që i lejon idetë të shfaqen. Kjo i ndihmon punonjësit të hapen dhe të inkurajojnë njëri-tjetrin. Komunikimi i hapur është i rëndësishëm kur punohet në ekip dhe prodhon zgjidhje efektive në projekte të vështira në grup.

Pa besim, një ekip shembet dhe nuk mund të ketë sukses në projekte të caktuara. Ekipet e shkëlqyera mbështesin njeri-tjetrin dhe i forcojnë anëtarët për të krijuar një grup të bashkuar. Nga puna së bashku, punonjësit mësojnë se fitimi dhe humbja ndikojnë në të gjithë ekipin. Puna në ekip kërkon besim në aftësitë e ve~anta të njëri-tjetrit.

4. Mëson aftësitë për zgjidhjen e konflikteve

Konfliktet ndodhin në mënyrë të pashmangshme kur ju bëni bashkë një grup njerëzish të ndryshëm. Punonjësit vijnë nga prejardhje të ndryshme, kanë stile të ndryshme pune dhe sjellje. Ndërkohë që këto këndvështrime të ndryshme krijojnë punën më të suksesshme, ato gjithashtu mund të gjenerojnë pakënaqësi që shpejt kthehet në konflikt.

Kur, në situata të punës ekipore, lind konflikt, punonjësit janë të detyruar ta zgjidhin atë vetë, në vend që ta kthejnë tek menaxhimi për zgjidhje. Mësimi i zgjidhjes drejtpërdrejt të konflikteve është një aftësi që punonjësit mund ta përdorin për t'u bërë menaxherë efektiv gjatë rrugës.

5. Promovon kuptimin më të gjerë të pronësisë

Projektet e ekipit inkurajojnë punonjësit që të ndjehen krenarë për kontributin e tyre. Trajtimi i pengesave dhe krijimi i punës së dukshme së bashku i bën anëtarët e ekipit të ndjehen të plotësuar. Puna drejt arritjes së qëllimeve të kompanisë i bën punonjësit të ndjehen të lidhur me kompaninë. Kjo ndërton besnikërinë, duke çuar në një nivel më të lartë, kënaqësinë në punë midis punonjësve.

Puna në ekip nuk është e dobishme vetëm për punonjësit. Ajo është gjithashtu edhe në dobi të punëdhënësit, në terma afatgjatë. Punonjësit që krijojnë lidhje direkte me vendin e punës, kanë më shumë gjasa të qëndrojnë me kompaninë. Puna në ekip i lejon njerëzit të angazhohen me kompaninë dhe të shtohen në tablon e përgjithshme.

6. Inkurajon marrjen përsipër të rrezikut të shëndetshëm

Një punonjës duke punuar vetëm në një projekt, ndoshta nuk dëshiron që të rrijë gjatë gjithë kohës i lidhur pas një ideje. Kur punon vetëm, nëse projekti dështon, punonjësi do të marrë barrën e plotë të fajit. Megjithëse nuk mund të përfitosh plotësisht nderime personale për një projekt të suksesshëm të ekipit, duke punuar me njerëz të tjerë, përgjegjësia shpërndahet, në rastin e dështimit.

Të punuarit si një ekip i lejon anëtarëve të ekipit të ndërmarrin më shumë rreziqe, pasi ata kanë mbështetjen e të gjithë grupit në rast dështimi. Në anën tjetër, ndarja e suksesit si ekip, është një përvojë e lidhjes ndërmjet tyre. Pasi ekipi arrin njëherë suksesin, siguria e përfituar dhe rrahja e mendimeve do të prodhojë pa hezitim, ide revolucionare. Në shumë raste, idetë e rrezikshme dalin të jenë idetë më të mira. Puna në ekip i lejon punonjësit lirinë për të menduar jashtë kuadratit.

Nuk mund të ketë asnjë "Unë" në ekip, por përsëri nga puna ekipore mund të përfitojnë të gjithë punonjësit, në nivel personal. Ajo nuk e lejon natyrën konkurruese të njeriut, të ndikojë në rrugën e rritjes personale në vendin e punës. Në vend të kësaj, ata kuptojnë se si të zgjidhin konfliktet, të fitojnë besimin e kolegëve dhe të kontribuojnë me idetë e tyre më të mira.

Mësoni nga anëtarët e ekipit tuaj për t'u mbështetur në aftësitë e njëri-tjetrit e për të krijuar më shumë rezultate mbresëlënëse në vendin e punës.