Blog

Unë besoj! Unë besoj! Po ju, a besoni?

Unë besoj! Unë besoj! Po ju, a besoni?

Një pyetje e thjeshtë, nga Jeffrey Gitomer, por që kërkon një përgjigje aspak të thjeshtë. Përgjigja nuk mund të jetë vetëm një "PO" ose "JO". Ajo kërkon një reflektim mbi të gjithë atë që bëni dhe mbi mënyrën se si e bëni. Dhe pjesa më e vështirë: se si e perceptojnë të tjerët atë që thoni apo bëni. Artikulli që po ju sjellim sot, flet pikërisht mbi këtë temë, e veçanërisht për ata që janë të përfshirë në shitje. Kini besim dhe lexim të këndshëm!   

 * * * * *

Vetë-besimi është boshti i suksesit. Ai është ura lidhëse mes qëndrimin tuaj personal dhe entuziazmit, me aftësinë tuaj për të transferuar besim tek blerësit tuaj të ardhshëm dhe klientët ekzistues.

 Pa besim në atë që bëni, në çfarë jeni duke shitur dhe tek ata për të cilët jeni duke shitur, aftësia juaj, për të angazhuar klientin tuaj të ardhshëm dhe për t'i bërë ata që të duan të blejnë, do të jetë e ulët.

 Ndërkohë që punonjësit e shitjes përpiqen të rriten në karrierë, ata fokusohen në njohuri mbi produktin, aftësive mbi shitjen, disa aftësi mbi marrëdhëniet e bashkëpunimit, dhe ndonjë gjë tjetër. Por ata lënë jashtë njërin prej dy elementeve kritik të suksesit për arritjen e vërtetë dhe përmbushjen: vetë-besimin (elementi tjetër është qëndrim pozitiv).

 HISTORIA: Filli i përbashkët ndërmjet gjithë liderave të mendimit, filozofëve dhe ekspertëve të zhvillimit personal, është që në shkrimet e tyre ata trajtojnë vazhdimisht temat e të menduarit pozitiv dhe vetë-besimit.

 Dale Carnegie, autor i librit të përjetshëm "Si të fitojmë miq dhe të ndikojmë tek njerëzit", thotë: "Nëse besoni në atë që po bëni, atëherë asgjë nuk ju ndalon në punën tuaj. Pjesa më e madhe e punëve më të mira në botë janë bërë kur ato janë dukur të pamundura. Fakti është që gjërat janë bërë".

 E shikoni se çfarë dua të them? E pra, a jeni ju i tillë? Sa i thellë është besimi juaj?

 SFIDA: Thëniet e përjetshme janë të vërteta që i kanë qëndruar testit të kohës. Sfida me thëniet është se shumica e njerëzve (jo ju - sigurisht) i hedhin një shikim të shpejtë, nuk e kuptojnë fuqinë e tyre dhe nuk arrijnë të ndërmarrin ndonjë veprim. Apo më keq, ata nuk duan të përballen me realitetin.

 Arsyeja që këtyre thënieve dhe të vërtetave nuk ju kushtohet rëndësi është se ato kërkojnë që të merreni me veten. Ato ju bëjnë të mendoni se ku jeni, dhe se ku synoni të rriteni.

 Midis qindra mendimeve të fuqishme dhe perlave të urtësisë , Napoleon Hill, në librin e tij epik vetë-ndihmues "Mendoni dhe pasurohuni" ka thënë: "Çfarëdo që mendja e njeriut mund të konceptojë dhe besojë, ajo mund të arrihet".

 A e shikoni tendencën?

 Këtë mëngjes, lexova këtë "thënie të ditës" nga Maxwell Maltz, autor i Psiko-Kibernetikës: - "Brenda jush, në këtë moment keni fuqinë për të bërë gjëra që kurrë nuk i keni ëndërruar si të mundura. Kjo fuqi, vihet në dispozicionin tuaj menjëherë, sapo të ndryshoni besimin tuaj".

 AHA! Ndoshta nuk doni të ndryshoni besimet tuaja. Ose ndoshta po mendoni se besimet tuaja janë shumë të forta. Ndoshta edhe janë, por në qoftë se jeni duke humbur shitjet për shkak të çmimit ose ofertave të ulëta, unë dyshoj në këtë. Ata që besojnë, e ruajnë çmimin me vlera dhe pasion.

 Po ju? A besoni mjaftueshëm që do të keni sukses? A besoni mjaftueshëm, sa të shisni me pasion? A besoni mjaftueshëm që të mund të bindni të tjerët të shikojnë në këndvështrimin tuaj, apo për mënyrën tuaj, si mënyra më e mirë?

 Këtu janë 4.5 besimet kryesore:

  1. Besoni tek kompania juaj. Besoni se morali është i lartë dhe njerëzit janë shumë të mirë. Besoni se mbështetja është maksimale dhe përkushtimi për klientët dhe përsosmërinë janë në krye të vlerave dhe parimeve themelore të tyre.
  2. Besoni në produktet tuaja. Besoni që ato janë lider në cilësi dhe vlerë. Besoni se kjo është e dukshme, kur i paraqesni vlerat e propozimit tuaj, klientit të ardhshëm.
  3. Besoni në shërbimin tuaj. Të gjithë klientët kanë nevojë për shërbim, çështja kryesore është se si i përgjigjeni ju. Nëse kompania juaj i mbështet klientët dhe e vlerëson besnikërinë mbi kënaqësinë, atëherë ju jeni në rrugë të drejtë.
  4. Besoni në veten tuaj. Ky është dhe thelbi i besimit. Mendimet tuaja paraprijnë fjalët dhe veprimet e tua. Nëse jeni të pasigurt, kjo do të reflektohet qartë tek ata, të cilët ju kërkoni t'i bindni. Nëse ju keni një histori suksesi dhe paraqiteni me vetë-besim (por, me një besim të thellë, ama), kjo shpesh do ta kthejë mendimin e klientit, nga dyshim në siguri.

    4.5 Besoni se kur një klient blen, kjo është më e mira për të. Kjo është pjesa që teston besimin tuaj të vërtetë. Kur ata blejnë, ju duhet të keni gëzim dhe pritje pozitive, më tepër sesa ndjenjë pendimi dhe faji.

 "Mediokriteti buron më shumë nga mungesa e besimit, sesa nga mungesa e aftësive". Kjo është një thënie e imja. Në përvojën time, besoj se nuk mund të shkruaj fjalë më të vërteta se kaq.

 Nëse doni të rrisni shanset për të rritur shitjet tuaja, thellojeni sistemin e besimit përpara se të bëni bisedën tjetër të shitjes.

 Në mënyrë që ta bëni këtë, duhet të bëni një vetë-vlerësim, në shkallën më të lartë. Kjo nuk është diçka që mund ta mësoni në një seminar apo një trajnim. Kjo është diçka që mund t'i jepni vetes. Për të zbuluar "si", ju duhet të pyesni veten "pse". Pse besoni, ose pse nuk besoni dhe çfarë duhet të bëni, në mënyrë që të thelloni besimin tuaj.

 Këtu është edhe pjesa më e bukur, sa më i thellë besimi juaj, aq më të thellë xhepat tuaj.