Blog

Si ta investoni me efektivitet kohën për të shitur më mirë

Si ta investoni me efektivitet kohën për të shitur më mirë

Koha është para dhe edhe koha juaj ka vlerë.

Si punonjës shitje, në kushtet e sotme nuk duhet vetëm punë e palodhur por edhe zgjuarsi, sidomos në menaxhimin inteligjent të kohës për të realizuar objektivat e caktuara. Menaxhimi i mirë i kohës nuk është një e dhënë e pandryshueshme dhe nuk vjen natyrshëm, aq më shumë me gjithë këto ndërhyrje prej mjeteve të komunikimit. Megjithatë, përdorimi efektiv i kohës është një aftësi e cila mund të zhvillohet. Në shkrimin këtu, me autor Mark Hunter, trajtohen disa mënyra se si ta përmirësoni këtë aftësi në mënyrë që të rrisni performancën tuaj. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Si mund ta investosh çdo minutë të ditës së punës me një qëllim apo objektiv?

Pasuria e sotme që shumica e punonjësve të shitjes nuk e vënë re është: koha juaj. Ja pesë strategji për ta përdorur kohën me mençuri dhe dobi.

1. Rregulli i orës 10:00

Merrni telefonin tuaj dhe vendosni alarmin në orën 10:00 paradite. Dua që të bjerë çdo ditë në orën 10:00 të mëngjesit, madje edhe të shtunave dhe të dielave.

Tani kërkoni të kryeni diçka të rëndësishme përpara orës 10:00 të mëngjesit, pavarësisht nëse do i përgjigjeni një propozimi, apo do të kujdeseni për një takim shitjeje. Mund të jeni duke bërë diçka me bashkëshortin/en e ndoshta edhe me fëmijët e tu.

Kur bën diçka domethënëse, emocionohesh. Ndihesh shumë më mirë. Për më tepër, të motivon të jesh më produktiv gjatë ditës.

Përqendrohuni tek gjëja më e rëndësishme e ditës me qëllimin për ta bërë para orës 10:00 të mëngjesit. Imagjinoni sikur papritur shefi yt të të thotë diçka që të demotivon e do ta hedhë në plehra ditën tënde. Ashtu është, nuk bën asgjë tjetër për shkak të asaj që shefi yt të ka thënë. Por, mos u ngut! Ke arritur diçka domethënëse para orës 10:00 të mëngjesit, kështu ende ke një ditë produktive.

2. Rezervimi i kohës

Unë bllokoj kohën time çdo ditë dhe kjo kohë nuk është vetëm për takime me njerëz të tjerë. Jo, këto janë takime me veten time. 

Në fakt, rezervimet më të rëndësishme që kam janë ato që mbaj me veten time, sepse e kam lënë mënjanë këtë orë për të bërë këtë detyrë apo një tjetër.

Unë e quaj atë Parimi 2×4. Po, si copa e drurit. Por, nuk mund ta merrni dhe t’i bini kokës tuaj. Në vend të kësaj, ndajeni ditën në katër pjesë me dy orë secila, dhe zgjidhni një detyrë domethënëse që do bëni në secilin prej tyre. (Sigurisht, detyra më e rëndësishme vendoset para orës 10:00, apo jo?)

Pasi të mbaroni një periudhë të caktuar prej dy orësh, do të vlerësoni veten. Çfarë bëtë dhe si e bëtë? Është e mahnitshme se sa shumë jeni në gjendje të bëni, kur rezervoni kohën.

Rezultati do të rritet në varësi të kohës që do t'i dedikoni. Prandaj, do të vendos kufij për kohën që do t'i jap.

3. Fokusi dhe disiplina

Kur bëni një punë, qëndroni të përqendruar në atë punë.

"Mark, dakord por ti nuk e kupton. Më bie telefoni, ose vjen një e-mail, si t’ja bëj?”. E kuptoj.

Ja marrëveshja. A përgjigjeni në telefon kur jeni duke përdorur tualetin? Shpresoj të mos e bëni. Pra hej, telefonata mund të presë.

Sigurisht, mund të të duhet që brenda një blloku dy orësh, të ndani dy dritare prej 15 minutash për t'u kujdesur për këto gjëra që shfaqen. Kjo është në rregull, por pjesa tjetër e bllokut tuaj të kohës varet nga përpjekjet e fokusuara, të disiplinuara.

4. Qëndrueshmëria

Një mënyrë tjetër për të parë vazhdimësinë është rutina.

Alarmi bie në 4:45 çdo mëngjes dhe në 4:50, unë jam i zgjuar dhe jashtë krevatit, kam bërë edhe kafen dhe kam filluar të bëj ushtrimet e mia. Unë kam një rutinë të ngurtësuar tashmë dhe ajo absolutisht funksionon.

Jam shumë i përqendruar në rutinën time, sidomos për një orë e gjysmë çdo mëngjes. Pse? Sepse më bën të përqendruar dhe të disiplinuar. Më ka bërë të praktikoj rezervimin e kohës. Plus, më bën gati për rregullin e orës 10:00.

5. Përqendrohuni te qëllimi

Synimi juaj nuk është t'i ndihmoni të tjerët të arrijnë synimet e tyre. Objektivi juaj është të arrini qëllimin tuaj.

E kuptoj. Ju keni shefin tuaj, dhe ai kërkon që duhet t'i ndihmoni edhe të tjerët. E kuptoj këtë, por si përputhet kjo me pamjen tuaj më të madhe?

Ndërsa vendosni si t’i kushtoni kohë, pyesni veten: Si do të më ndihmojë kjo për të arritur synimet e mia? Njerëzit me performancë më të lartë rishikojnë synimet e tyre çdo mëngjes.

Kjo do të thotë të vlerësoni se si e shpenzoni kohën.

Mendoj se është më mirë ta bëni këtë në bazë javore, qoftë pasdite vonë të premten, apo të shtunën në mëngjes, por vlerësojeni kohën tuaj dhe mateni me rezultatet që arrini.