5 Mënyra për të përmirësuar aftësitë tuaja në shitje
Ne kemi hasur shpesh punonjës shitje, që karrierën e tyre e kanë filluar me një shpjegim të shpejtë e të përgjithshëm mbi produktet apo shërbimet dhe me një periudhë të shkurtër trajnimi gjatë punës, nën shoqërinë e një punonjësi “me eksperiencë”. E ndërsa fillojnë të “notojnë” në shërbim të klientëve e të realizojnë shitje, ata përdorin aftësi që ju vijnë natyrshëm ndërkohë që kanë nevojë edhe për aftësi profesionale të shitjeve, të cilat mund të mësohen e përmirësohen nëpërmjet trajnimit dhe edukimit. Punonjësit e suksesshëm të shitjes nuk presin, por bëjnë përpjekje individuale për përmirësimin e aftësive të tyre. Shkrimi këtu, me autor Mark Hunter, jep 5 mënyra sesi të përmirësoni aftësitë tuaja të shitjes. Dhe shitja, gjithmonë ka nevojë për përmirësim. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Kudo që të jeni në rrugëtimin tuaj në profesionin e shitësit, vë bast se ka ende vend për përmirësim. Dëshironi të arrini në majë?
Nëse jeni duke kërkuar për të ngjitur sadopak shkallët e karrierës tuaj në shitje, këto 5 fusha do t'ju ndihmojnë për të kaluar në nivelin tjetër. Vazhdoni të lexoni, e më pas le t’i zbatojmë në punë.
1. Ndërtoni një rrjet kolegësh
Rrjeti juaj mund të mos jetë vetëm me njerëzit e zyrës tuaj, madje ata mund të jenë njerëz në të gjithë vendin, por duhet të keni një rrjet kolegësh, nga performuesit më të mirë me të cilët të komunikoni rregullisht. Pse? Për një arsye shumë të thjeshtë: kjo ju ndihmon për të kaluar në një nivel tjetër.
Kur lidheni e komunikoni me njerëz me performancë të lartë, ka një shkëmbim të jashtëzakonshëm idesh dhe energjie si rezultat i këtyre bisedave.
E gjeta veten në një situatë të tillë kohë më parë. E kalova ditën me dikë në rrjetin tim duke diskutuar për klientë dhe mundësi të ndryshme. Ne e mbyllëm diskutimin me disa ide dhe zgjidhje shumë të fuqishme që unë fillova t’i ve menjëherë në zbatim - dhe ato kanë funksionuar për mua!
Pra, një rrjet kolegësh ju lejon të ndani ide, të fitoni njohuri, plus lidhjet dhe mundësitë që krijoni, që në shitje, janë të paçmueshme.
2. Të mësuarit e vazhdueshëm
Punonjësit e suksesshëm të shitjeve e dinë se nëse nuk ndryshojnë vazhdimisht, të tjerët do t'i arrijnë. Të mësuarit e vazhdueshëm është mënyra më e sigurt se si ata qëndrojnë gjithmonë përpara.
Ata vazhdimisht lexojnë. Shpesh dëgjoj njerëz që thonë: “Oh, lexova pesë libra vitin e kaluar. Kam lexuar dy libra vitin e kaluar”. Më lejoni t'ju them diçka, lexoj mbi 50 libra në vit. Në fakt, ndoshta lexoj afër 100 libra në vit, sepse jam i interesuar të marr njohuri të reja.
Ju duhet të vazhdoni të ecni përpara. Nga pikëpamja e të mësuarit të vazhdueshëm, dua t'ju inkurajoj të hidheni në nivelin tjetër.
3. Të menduarit “të kap hënën”
Le të kthehemi në vitet '60. Presidenti John F. Kennedy vendosi një sfidë përpara kombit - të dërgonin njerëz në hënë dhe t'i kthenin ata përsëri të sigurt në tokë. Kjo sfidë u quajt “të kapim hënën”. kur ai e tha për herë të parë këtë, e shumë mendonin se ky ishte një mendim i çuditshëm, por kjo u realizua përpara se të mbaronte një dekadë, dhe ky ishte qëllimi.
Njerëzit e suksesshëm vendosin objektiva të mëdha, dhe ju e dini çfarë, ata kanë një mënyrë për t'i arritur ato. Sepse nëse mendoni të realizoni objektiva të vogla, do të arrini gjëra të vogla. Nëse mendoni objektiva e qëllime të mëdha, edhe nëse nuk keni sukses, ju përsëri do të jeni jashtëzakonisht të suksesshëm.
Synimet e mëdha (si “të kapni hënën”) ju detyrojnë të mendoni ndryshe, dhe si rezultat, ju krijoni rezultate të mahnitshme.
4. Vetëkontroll i jashtëzakonshëm
Interpretuesit më të mirë janë të disiplinuar në atë që bëjnë. Ata nuk rrinë të presin dhe nuk kundërpërgjigjen kur dikush i sulmon. Duhet disiplinë kur diçka thuhet në komunitet, në treg, në mediat sociale, çfarëdo qoftë. Punonjësit e suksesshëm të shitjes e me integritetit e frenojnë veten.
Pse? Sepse është energji e humbur nëse do të shkoni e ta ndiqni atë. Ata në fakt bëjnë më shumë, sepse nuk përfshihen emocionalisht dhe fizikisht duke bërë gjëra që nuk janë të rëndësishme.
Sigurisht, vetëkontrolli gjithashtu mundëson menaxhimin e duhur të kohës. A mund të uleni dhe të përfundoni një detyrë pa u anashkaluar? A mund të punoni drejt qëllimeve tuaja ditore/javore/mujore pa ndjekur objekte “me shkëlqim” që ju shfaqen rrugës? Nëse jo, është koha për të ushtruar dhe forcuar muskujt e vetëkontrollit.
5. Qëndroni të fokusuar
Kur fokusojmë të menduarit tonë, ne fokusojmë rezultatet tona.
Është i njëjti koncept si të kesh një kënd vizualizimi. Duke parë rregullisht qëllimet, objektivat dhe ëndrrat tuaja ju i mbani ato në fokus.
Por “përqëndrimi në fokus” nuk ka të bëjë vetëm me qëllimin apo objektivin. Këtu kemi parasysh edhe aktivitetet që do t'ju ndihmojnë të arrini qëllimin. Ky është ndryshimi i madh.
Ju nuk mund të arrini qëllimet dhe objektivat vetëm duke menduar “të kapni hënën”. Është koha për të disiplinuar veten e për të filluar veprimet. Qëllimi arrihet nëpërmjet aktivitetit.