12 Shenja që punonjësi juaj është i pakënaqur - dhe si të reagoni
Gjatë zhvillimit të konsulencës organizative në një organizatë biznesi, nga rreth 70 punonjës të intervistuar nga konsulentët e ProspecTime, me qëllim vlerësimin dhe analizën e situatës aktuale të angazhimit dhe motivimit të punonjësve, vetëm në 9 prej tyre mund të dalloheshin shenja të një angazhimi dhe përkushtimi të sinqertë. Me rreth 13% të punonjësve të angazhuar mund ta kuptoni lehtë nivelin e motivimit të stafit në këtë organizatë. Tani le të vijmë tek ju. A keni një tregues mbi angazhimin dhe motivimin e ekipit apo stafit tuaj? Shumë drejtues kompanish apo ekipesh nuk mendojnë se ja vlen të matin këtë tregues, duke e nënkuptuar këtë nga treguesi i produktivitetit. Fakti është se produktiviteti ndikohet nga niveli i angazhimit, por jo vetëm. Në shkrimin këtu, disa ekspertë të Forbes na ndihmojnë me shenjat që punonjësit shfaqin kur janë të pakënaqur e për rrjedhojë të paangazhuar. Filloni të matni këtë tregues dhe krahasojeni me standardin – 4 punonjës të angazhuar kundrejt 1 punonjësi të paangazhuar. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Nivelet e larta të angazhimit të punonjësve mund të kenë një ndikim jashtëzakonisht pozitiv në një mjedis pune. Rendimenti rritet, komunikimi rrjedh më hapur dhe projektet kalojnë nga ideja në veprim më shpejt. Megjithatë, qoftë nga pakënaqësia me punën, qoftë nga ngjarje shqetësuese në jetën e tyre personale, nganjëherë punonjësit nuk janë të angazhuar. Kjo jo vetëm që mund të ketë efekte negative në punën e tyre, por mund të përhapet edhe tek anëtarët e tjerë të ekipit.
Si menaxher, është e rëndësishme të dalloni sa më shpejt që të jetë e mundur, shenjat e mosangazhimit të punonjësve, në mënyrë që me veprime efektive të mund të përmbysni prirjen. Më poshtë, anëtarët e Këshillit të BNj të Forbes ndajnë me ju shenjat e mosangazhimit, që udhëheqësit e ekipit dhe BNj duhet të shikojnë, si dhe disa këshilla se si të përgjigjen.
1. Mbyllja në vetvete
Punonjësit e pakënaqur do të shfaqen joaktivë në çdo bisedë apo veprimtari që e konsiderojnë të pa nevojshme. Ata gjithashtu priren të bëjnë vetëm përpjekje minimale për arritjet, do të ulin rendimentin e tyre dhe nuk do të japin më përpjekje të mëtejshme. BNj mund të takohet me punonjësit e pakënaqur për të gjetur se pse po ndodh kjo, dhe po të jetë e nevojshme, të ndihmojnë dhe trajnojnë drejtuesit e ekipeve se si të rrisin angazhimin e punonjësve - thotë Keli Graham.
2. Komunikimi i dobët
Shenjat e dukshme të mosngazhimit përfshijnë mungesën e pjesëmarrjes në ekip, në takimet kokë-me-kokë ose në “takimet pas mbledhjeve”, ku punonjësit takohen spontanisht për të folur dhe komunikuar se çfarë dhe si duhej të ishte trajtuar në takimet e ekipit. Një shenjë tjetër është ulja e rendimentit. Monitorimi i rregullt i treguesve ofron të dhëna të rëndësishme, që mund të përdoren për të trajtuar në mënyrë proaktive shqetësimet me drejtuesit dhe individët – thotë Xhef Ueber.
3. Ndryshimi i rutinës
Punonjësit e angazhuar janë të besueshëm dhe kanë rutina të njohura. Kur ato ndryshojnë; për shembull - një person aktiv në mbledhje që tani është joaktiv, ose një punonjës i mirë që tejkalon afatet - ia vlen të kujdesesh më nga afër. Edhe pse mund të duket e tepruar, një shefi im besonte se edhe një ndryshim i pazakontë i modelit të flokëve ka lidhje me këtë. Kur dikush shfaq ndryshim, është koha për të treguar vëmendje dhe për të hapur një dialog për shpjegime të mëtejshme - thotë Stacey Brouning.
4. Heshtja
Një shenjë dalluese e mosngazhimit është heshtja— në telefonata, në email ose në mbledhjet e ekipit. Nëse një punonjës duket i largët, ndërmerrni hapa të menjëhershëm për t'u lidhur me të. Mundohuni të bisedoni me të. Zbuloni se çfarë i shtyn dhe si t'i ndihmoni drejt synimeve të tyre. Inkurajoji anëtarët e ekipit të synojnë dhe të japin mbështetje. Bëni takime në grup ose aktivitete zbavitje për të ndërtuar marrëdhënie - thotë Vivian Maza.
5. Plogështia
Pothuajse çdo herë që kam ndjerë plogështi ose mungesë angazhimi nga një punonjës, kjo ka qenë një shenjë e qartë se ata janë të pakënaqur dhe ka të ngjarë të kërkojnë të largohen. Shenjat e dukshme të apatisë mund të jenë mungesa e dëshirës për t'u përfshirë në debat të shëndetshëm, mungesa e dëshirës për të paraqitur apo mbrojtur idetë e tyre, mos përmbushja e angazhimeve të marra (duke mos bërë atë që thanë se do të bënin), dhe duke mos qenë të gatshëm të japin llogari - thotë Zak Montroy.
6. Mungesat në punë
Për shkak se ka shumë arsye pse punonjësit mund të mos paraqiten ndonjë ditë në punë, shpesh nuk i shohim mungesat si një shenjë e mosngazhimit. E vërteta është se punonjësit me të vërtetë të angazhuar, do të gjejnë një mënyrë për tu paraqitur në punë. Organizatat duhet t’i shohin mungesat si një mundësi për të patur një dialog të kujdesshëm dhe të pyesin, "Çfarë po ndodh?" Ndoshta është vërtet një gjendje gripale, ose ndoshta ka diçka më shumë - thotë Lusi Rivas-Enriquez.
7. Vetëkënaqësia
Një shenjë e qartë e mosngazhimit të punonjësve është vetëkënaqësia. Drejtuesit dhe punonjësit duhet të kenë një dialog dypalësh, të hapur e të ndershëm, rreth performancës, pritshmërive dhe qëndrimit të përgjithshëm, përpara se mosngazhimi i plotë të kthehet në problem. Ka një numër faktorësh për t'u ndier të vetëkënaqur, por nëpërmjet diskutimeve të sinqerta, udhëheqësit e mëdhenj mund të ndihmojnë në zbulimin e shkakut rrënjësor dhe të dalin me një zgjidhje realiste – thotë Bet An Steinberg.
8. Rënia e cilësisë së punës, tejkalimi i afateve
Dy nga shenjat më të dukshme të mosngazhimit janë rënia e cilësisë apo sasisë së punës, paraqitja me vonesë apo mos përmbushja në kohë e punës. Kur këto bëhen të dukshme, BNj duhet t'i afrohen punonjësit sa më shpejt që të jetë e mundur, për të zbuluar shkaqet. Nëse është rezultat i mosangazhimit, menaxhmenti duhet të punojë me të për të përcaktuar se çfarë është e nevojshme për riangazhimin – thotë Xhon Feldmann.
9. Rraskapitja, cinizmi, paefektshmëria
Mungesa e angazhimit mund të vijë nga lodhja e tejzgjatur, e që manifestohen si rraskapitje, cinizëm dhe joefikasitet. Këta punonjës mund të kenë qenë shumë të angazhuar, por në një moment nuk kishin mbështetjen e duhur për të ruajtur mirëqenien e tyre. Si menaxherë, ju duhet të shpjegoni se kjo është e rëndësishme dhe të ndihmoni për të shmangur rraskapitjen. Inkurajoni drejtuesit e ekipeve që të rregullojnë ngarkesën e punës, kur dikush ka shumë kohë që po e mban atë - thotë Laura Hamill.
10. Mungesa e pjesëmarrjes
Mosngazhimi mund të shfaqet si një mosinteresim për të marrë pjesë. Udhëheqësit mund të reagojnë për të siguruar arsye që punonjësit të kenë pse të angazhohen dhe të dinë se si të angazhohen. Udhëheqësit mund të bashkë-krijojnë qëllime/objektiva që janë domethënëse, të matshme dhe të arritshme, por me një shkallë vështirësie, dhe mund të sqarojnë lidhjet e qëllimeve/objektivave me suksesin e kompanisë. Drejtuesit mund të vendosin standardet e sjelljes së pritshme dhe të festojnë suksesin – thotë Filis Rajt.
11. Kundërshtimi
Një shenjë e qartë se një punonjës është i pakënaqur me organizatën, është shprehja e zhgënjimit dhe kundërshtimit, shpesh nëpërmjet dyshimit mbi idetë dhe mundësitë e reja që lidhen me çuarjen përpara të biznesit. Sapo të vërehet kjo, drejtuesi duhet të përfshijnë BNj për të ndihmuar zbulimin e shkakut kryesor dhe për të punuar për të korrigjuar rrjedhën e marrëdhënieve – thotë Skot Faurot.
12. Vrazhdësia
Të gjithë kanë ditë të vështira, por vrazhdësia në marrëdhënie me kolegët ose klientët e tjerë mund të jetë një shenjë e qartë. Kjo mund të vijë nga një mërzitje ose që një punonjës nuk ndihet i dëgjuar, por kjo gjë mund të shkaktojë përplasje e fërkime në vendin e punës. Përpiquni të organizoni takime dhe i inkurajoni të flasin hapur. Nga këto takime, përfundimet mund të jenë mundësitë e mentorimit, trajnimi i vazhdueshëm apo një detyrë e veçantë në projektin për të cilën janë të interesuar – sugjeron Elizabeth Coakley.