Blog

Si mund të motivohemi për të shitur, në kohë të vështira?

Si mund të motivohemi për të shitur, në kohë të vështira?

Prej dy muajsh po jetojmë kohë të vështira. Mbyllja ndaj pandemisë, ka ndikuar dinamikën e jetës dhe biznesit. Kjo krizë është ndoshta periudha më e keqe për çdo biznes, ku shumë janë detyruar të reduktojnë prodhimin, pasi janë ulur në mënyrë drastike shitjet. Kjo ka ndikuar në moralin dhe motivimin e njerëzve të shitjes, megjithëse ata dallohen për një karakter të fortë. Të nxitur nga kjo, po sjellim një nga artikujt më të fundit të Mark Hunter, ku ai na jep disa ide se çfarë mund të bëni tani, dhe gjithashtu, për të nxitur të menduarin pozitiv. Është fakt që, edhe në situatat më të vështira gjithmonë ka mundësi. Është koha të ngrihemi mbi sfidat. Zbatoni këto këshilla, për të rifilluar më me hov punën tuaj, për t’u përshtatur me situatën e për t’u përgatitur për atë që do të vijë. Lexim të këndshëm & Tregoni kujdes!

* * * * *

Gjëja më e keqe që mund të bëni është të mendoni se mungesa e motivimit tuaj është për shkak të dikujt tjetër ose mjedisit tuaj. Çdokush mund të nxjerrë justifikime, por asnjëherë nuk mund t’i lejoni vetes, të jeni viktimë e mjedisit tuaj.    

 Suksesi nuk ju dorëzohet; suksesi është diçka që ju i shkoni pas.
Suksesi nuk paketohet në një kuti dhurate; suksesi e zbulon veten, ndërsa ju gërmoni thellë në “kuti”.
Suksesi nuk fillon me dikë tjetër; suksesi fillon me ju.
Suksesi nuk është një destinacion; suksesi është një udhëtim.

 Motivimi është po aq ndikues ashtu siç është dhe mendësia. Vazhdoj të shoh dhe të dëgjoj se si gërshetohen këto dy fjalë - motivimi dhe mendësia, dhe kjo është e habitshme! Unë sugjeroj vazhdimisht që të motivoni veten dhe të mos ndiheni si viktimë e rrethanave.

Ju zotëroni mendjen tuaj, dhe ju zotëroni veprimet tuaja. Dhe këtu janë 10 gjëra, që mund t’i bëni, duke filluar nga tani:

  1. Mos shikoni se çfarë keni humbur ose nuk e keni, por përkundrazi, shikoni se çfarë keni arritur dhe në çfarë faze të procesit të punës ndodheni. Pengesa kryesore, me të cilën përballemi, për të motivuar veten gjatë kohërave të vështira, është ajo që shpesh përqëndrohemi tek ato gjëra që nuk i kemi. Nëse doni të humbni kontrollin, atëhere përqafojeni këtë mendësi. Merrni kontrollin e mëndjes tuaj duke shikuar gjërat pozitive që keni bërë dhe gjërat pozitive që do të vijnë.
  2. Shkruani 10 gjërat, për të cilat ju jeni mirënjohës - përfshini këtu edhe klientët që ju doni dhe se sa ju vlerësojnë ata, për mënyrat si ju i keni ndihmuar. Ruajeni këtë listë të dobishme, sepse çdo person apo çdo klient është një pasuri, për atë që jeni dhe për atë që keni arritur.
  3. Bëni një listë me 3 persona, që prisni të ndikojnë tek ju sot si dhe klientët tuaj të mundshëm. Ndërsa e bëni këtë, vlerësojeni me kujdes secilin prej klientëve të mundshëm dhe lidhjen me ta si një nder; prisni me padurim bisedat dhe mundësitë që mund të lindin sot.
  4. Rishikoni objektivat tuaja 1, 3 dhe 5-vjeçare dhe sfidoni veten, të bëni një hap përpara sot në secilin prej tyre. Motivimi nuk është një mendësi e përqendruar vetëm këtu dhe tani, por është pasioni që nesër të arrini rezultate edhe më të mëdha nga sa mendonit se ishin të mundshme.
  5. Qëndroni larg njerëzve negativë. Ju nuk keni kohë për ta dhe mos e humbisni kohën tuaj duke menduar se mund t’i ndryshoni ata. Rruga më e mirë është të mos u jepni atyre kohën tuaj. Njerëzit negativë, janë të lumtur vetëm kur i tërheqin zvarrë të tjerët, në nivelin e tyre. Mos ua jepni atyre këtë privilegj… Më besoni, ju keni gjëra më të mira për të bërë.
  6. Gjeni 3 persona që ndikojnë pozitivisht tek ju dhe kaloni më shumë kohë me ta. Këdo që zgjedhim që të kalojmë kohën, ata do të ketë ndikimin më të madh tek ne. Duke kaluar kohën tënde me njerëz pozitivë, ata do të influencohen nga ty dhe ti nga ata.
  7. Kujdes me lajmet ndaj të cilave ekspozoheni. Do doja të thosha që ka lajme pozitive, por nuk është kështu; moria e lajmeve negative i mbysin ato pozitive. E njëjta gjë vlen edhe për mendjen tuaj, lajmet negative do të tërheqin menjëherë vëmendjen tuaj.
  8. Mbylleni ditën duke shprehur falënderime për arritjet tuaja dhe duke kuptuar ndikimin që keni pasur tek të tjerët. Çdo ditë është një dhuratë e bukur, shijojeni atë në maksimum, duke mësuar nga të tjerët dhe duke ndikuar tek të tjerët, përgjatë rrugës.
  9. Mos ndaloni në ato gjëra që s’mund t’i kontrolloni. Përkundrazi, përqendroni mendimet tuaja, në ato që mund t’i kontrolloni. Mbani mend: - motivimi nuk vjen nga të tjerët. Ai vjen nga mënyra se si ju zgjidhni t’i shikoni gjërat, kështu që varet nga ju. Njerëzit e suksesshëm nuk presin nga të tjerët, ata e marrin në dorë situatën, pavarësisht se si e shikojnë dhe e trajtojnë të tjerët. Asgjë nuk e dallon optimistin nga pesimisti, përveçse mënyra se si ata i shikojnë gjërat që nuk janë nën kontrollin e tyre.
  10. Shikoni çdo situatë si një mundësi për ju, që të rriteni personalisht dhe/ose profesionalisht, pavarësisht se çfarë mund të jetë ajo. Klienti që thotë “JO” nuk është një shitje e humbur, por një mundësi për të mësuar. Çdo ditë, jeta në përgjithësi, nuk është një rrugë e drejtë, por plot me kthesa, dhe kurrë nuk dimë se çfarë do të shohim në kthesën tjetër. Mbi të gjitha, nuk mund të harrojmë, se luginat nuk janë asnjëherë aq të ulëta sa duken, dhe as majat nuk janë aq të larta sa duken.

Shikojeni çdo ditë si një dhuratë për të mësuar diçka të re dhe për të ndikuar tek dikush tjetër. Për më tepër, shikojeni çdo ditë si një trampolinë për ta bërë të nesërmen edhe më të mirë se sot.

Suksesi nuk është një destinacion; suksesi është një udhëtim. Çdo ditë bëni më të mirën, pavarësisht sesi është ajo. Shfrytëzoni sa më shumë çdo aktivitet, pavarësisht se si mund të duket.