Blog

Si të shmangni dështimin e bizneseve të vogla të shitjes me pakicë

Si të shmangni dështimin e bizneseve të vogla të shitjes me pakicë

"Likujdim Total", "Dyqani mbyllet! çdo gjë në kosto", "Jepet me qira", "Shitet biznesi! Likujdim total". Këto janë disa prej tabelave të shkruara me nervozizëm e me gërma të mëdha, që shikojmë shpesh në vitrinat e dyqaneve, disa prej të cilave edhe në rrugët kryesore të Tiranës, e madje edhe në ndonjë qëndër tregëtare. Pra dikush ka dështuar në ndërtimin e biznesit të tij dhe mundohet të shpëtojë ato pak pará të fundit. Shumë prej tyre kanë besuar në sukses, por tani janë në finish të ëndrrës së tyre, për fat të keq. Studimi i rasteve të ngjashme edhe në botë, e ka sjellë Bob Phibbs autorin e artikullit më poshtë, në përfundimin se kjo edhe mund të shmanget, duke zbatuar këshillat e tij të vlefshme. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Nuk ka asgjë më të trishtuar se të shkoni tek ndonjë prej dyqaneve tuaj të preferuar dhe të gjeni një dyqan bosh me tabelën “Jepet me qira”, në dritare.

Kjo do të thotë që ëndrra e dikujt ka mbaruar dhe mënyra e jetesës së shumë punonjësve është fshirë.

Shumë herë lexoj intervista nga pronarët e dyqaneve, dhënë në atë ditë të fundit, dhe ata thonë se fajin e ka ekonomia e dobët dhe konkurrenca në internet.

Ajo që ndodh në të vërtetë, në shumicën e rasteve, është se pronari e ka pasur të vështirë ta kuptojë pse-në.

Në një rast, një ditë pasi e pashë një dyqan të mbyllur, dikush më telefonoi dhe ndër të tjera më tha se partneri i tij ka punuar 6 ditë të plota në javë dhe vetëm një ditë punonte me një pushim të shkurtër në mesditë. Pra kishte punuar me përkushtim – sipas tij.

Shitjet shkonin vazhdimisht poshtë, dhe ata me dëshpërim kërkonin atë reklamën apo zgjidhjen magjike, që do të godiste fort dhe që do të kthente fatin e biznesit të tyre. Më duhej t'i informoja dhe t'i sqaroja se ata kishin shumë probleme strukturore me biznesin e tyre. Atyre nuk ju duhej një goditje magjike, por suksesi është një seri “goditjesh magjike" të vogla.

Me pak fjalë, ata nuk dinin se si ta bënin atë.

Unë nuk dua që kjo t'ju ndodhë juve, kështu që këtu janë 7 problemet më të mëdha, me të cilat përballen bizneset e vogla me pakicë, dhe mënyra se si t'i rregulloni ato.

Ta bëni vetëm. Ndërkohë që është shumë bukur që të keni vizionin, duke e zbatuar atë vetëm është vërtet e vështirë. Ju mund të bëni punët e dy ose tre njerëzve, por nuk mund të ndaheni në dy ose tre pjesë. Keni nevojë për dikë që të mund t'ju ndihmojë të bëni punët e shumta, në mënyrë që të mos rraskapiteni e të bëheni i papëlqyeshëm, gjë që ju bën të mos fokusoheni tek klienti dhe kjo t'ju kthejë vizionin tuaj fillestar në cinizëm.

Partneri i gabuar. Partneri i duhur mund t'ju ndihmojë jashtëzakonisht shumë, nëse ai punon me ju krah për krah ose është një partner i heshtur. Por kur ju nuk tregoni kujdesin e duhur për të provuar njëri-tjetrin, pritshmëritë mund të jenë të gabuara. Afatet nuk do të arrihen dhe bashkë me këtë edhe "bashkëpunimi i shkëlqyer" që ju mendonit se do ta kishit. Duhet të siguroheni që secili prej jush të dijë se çfarë do të sjellë tjetri në "tavolinë", se çfarë do të bëni me mosmarrëveshjet (kur të lindin) dhe saktësisht çfarë do të bëjë secili prej jush në biznes. Hapja e një biznesi të ri bëhet gjithnjë me nxitim, por kur kjo zhurmë zbehet pas disa muajsh, të gjitha palët duhet të lidhen me njëri-tjetrin në mënyrë që të arrini suksesin. Partneri juaj nuk është si një punonjës, që mund ta largoni me lehtësi. Veçanërisht nëse je i martuar me të.

Vendndodhja e gabuar. Të gjithë e kanë dëgjuar këtë me mijra herë. Vendndodhja. Vendndodhja. Vendndodhja. Por çfarë do të thotë kjo saktësisht? Pak prej nesh dinë për hyrjen dhe daljen korrekte nga një qendër, sistemin e trafikut dhe demografinë. Për fat të mirë qiratë janë një tregues i mirë. Po, ju mund të kurseni 30%, me një dyqan që nuk është në rrugën kryesore, por me siguri do ta jepni atë 30% mbrapsht - dhe ndoshta edhe më shumë - me Reklama, që të përpiqeni t'i sillni klientët aty. Ju kurrë nuk do donit të ishit 100 metra larg nga suksesi. Po, Starbucks mund të shkojë kudo, por ju nuk jeni Starbucks.

Të dashuroheni me produktet tuaja. Është diçka e bukur të përpunoni një shumëllojshmëri të madhe produktesh nga e gjithë bota, veçanërisht ato që nuk gjenden lehtë në dyqanet e mëdha ose në internet. Por nuk është e bukur të kesh një dyqan të mbushur me mallra, e pastaj të dëgjoni klientin të thotë: "Më pëlqen dyqani juaj, por nuk pranoj të paguaj këtë çmim kaq të lartë për të blerë ndonjë nga produktet tuaja". Muzeumet nuk janë fitimprurëse. Duhet të jeni në gjendje ta shisni mallin.

Mos fokusimi në gjërat themelore. Fitimi dhe humbja, analizat e saj dhe lëvizjet e parave janë bazat e drejtimit të një biznesi të vogël. Nëse nuk doni t'i mësoni këto gjëra themelore - jeni në rregull, por do t'ju duhet të paguani dikë që ta bëjë këtë për ju. Ju duhet t'i njihni kufizimet tuaja, ose përndryshe nuk do të keni para` të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet - apo taksat - të cilat mund ta rrezikojnë pozicionin tuaj ndaj autoriteteve. 

Mos menaxhimi i njerëzve. Puna juaj nuk është që të jeni pronari. Detyra juaj është të menaxhoni dhe të trajnoni njerëzit tuaj, në mënyrë që ata të shesin më mirë se ju, duke i kënaqur dhe surprizuar vazhdimisht klientët tuaj. Bëjeni shumë mirë këtë, dhe do të mund të ndërtoni një biznes mbi konkurrentët. Mos e shfrytëzoni këtë mundësi dhe këta punonjës të pamenaxhuar ose do t'ju vjedhin lirshëm ose do largohen aq shpejt, sa që do të hiqni dorë nga trajnimi i tyre, gjë që ndodh shpesh, e ku e gjejnë veten sot shumë biznese të vogla. Ju duhet të investoni tek njerëzit tuaj, përndryshe ata nuk do ta investojnë kohën ose besnikërinë ndaj jush e biznesit tuaj. Kjo sjell pastaj ata punonjës që fshihen pas banakut dhe nuk investojnë tek klientët tuaj, situatë që shpejt do të sjellë tabelën "Likujdim TOTAL" në vitrinën e dyqanit.

Mos udhëheqja me shembullin e mirë. Po, harmonia punë/jetë është e rëndësishme, por kur jeni në punë, jeni në punë. Të lejosh veten që të jesh i lidhur pas telefonit për jetën tuaj personale, gjatë kohës kur duhet të punoni në biznesin tuaj, është një grackë e vërtetë. Punonjësit do t'ju shohin dhe do të bëjnë të njëjtën gjë - ose edhe më keq kur jeni jashtë dyqanit. Kjo do të thotë, që nuk duhet të keni një pushim të gjatë dreke, të mos sillni fëmijën trevjeçar për të punuar me ju, të mos shkoni në shtëpi herët. Duhet të kontrolloni argëtimet tuaja, përndryshe do të përfundoni me një jetë personale dhe asnjë biznes.

Nëse jeni serioz për të fituar konkurrencën, duhet ta drejtoni dyqanin tuaj si një biznes dhe jo si diçka për qejf.

Si konkluzion

Shumë biznese të vogla dështojnë shpejt sepse në një moment, pa e kuptuar, pronari nuk merr përsipër përgjegjësinë për të ndryshuar, së pari, veten. Mos marrja e përgjegjësive shoqërohet me mosreagimin tuaj ndaj humbjes së makinës, humbjes së martesës ose “damkës” së mbylljes së biznesit tuaj familjar.

Ata që kanë injoruar përgjegjësitë, mendonin se çdo gjë do të funksiononte.

Por nuk funksionon kështu. Nuk ka funksionuar. Dhe kurrë nuk do të funksionojë.

Këtu më poshtë është një nga këshillat e mia për shitjen me pakicë...

Gjërat funksionojnë vetëm kur ndryshoni. Por ndryshimi duhet të fillojë nga ju.

Mbani parasysh: Nuk ka asgjë që dikush ka nevojë e nuk mund ta blejë në internet, por duhet patjetër të vijë në dyqanin tuaj.

Mos lejoni që kjo sfidë t'ju vendosë me shpatulla për muri. Shkoni në punë, tani!