Blog

Mos i shtyni punonjësit besnikë deri në pikën ku nuk duan t'ja dijnë më!

Mos i shtyni punonjësit besnikë deri në pikën ku nuk duan t'ja dijnë më!

Në diskutimet e këshillimit që ofrojmë pranë kompanive, një nga temat kryesore që e trajtojmë shpesh është qëndrimi i punonjësve ndaj punës dhe qarkullimi i tyre. Shumë kompani janë fokusuar në rritjen e niveleve të angazhimit të punonjësve, por ka ndërmjet tyre që nuk e vlerësojnë aq sa duhet këtë element. Kjo është tema e artikullit të sotëm, ku autorja Brigette Hyacinth tenton të zgjojë interesin rreth kësaj, si dhe ofron disa këshilla të vlefshme. Kompanitë varen nga punonjësit për të zhvilluar aktivitetin me efektivitet, ku përkushtimi dhe angazhimi i tyre zë një vend të rëndësishëm. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Njerëzit nuk largohen nga kompanitë e këqija. Ata largohen nga shefat e këqij. Pozicioni më i keq për një punonjës, është kur ai ngec në një organizatë me një mikro-menaxher që nuk kujdeset dhe nuk i jep mundësi për rritje dhe avancim.

Punonjësit duan një punë domethënëse, dhe ata duan autonomi në mënyrën se si punojnë. Pavarësisht se sa të mira mund të jenë produktet ose shërbimet e një kompanie, nëse menaxhimi është jofunksional, ajo kompani do të ketë probleme serioze në të ardhmen. Shefi tipik "i keq" shpenzon kohën e tij duke i drejtuar punonjësit në vend që të zhvillojë fuqizimin e tyre. Mikro-menaxhimi është asfiksues, nxit ankthin dhe krijon një mjedis pune me nivel të lartë stresi. Përfundimisht, punonjësit do të zhgënjehen dhe do të largohen, për të punuar për një kompani tjetër.

Në karrierën time të mëparshme, punova për një kompani që përdorte menaxhimin shkencor për të rritur produktivitetin. Ata vendosën fitimin mbi njerëzit dhe u përpoqën të fitonin çdo thërrime të produktivitetit të tyre. Ata nuk menduan asnjëherë të festonin sukseset e ekipeve. Ata mendonin gjithmonë për të lëvizur shpejt drejt objektivit të ardhshëm. Kjo nuk ishte një udhëheqje e vërtetë (vizion dhe frymëzim) por vetëm menaxhim (komandë dhe kontroll). Në thelb kultura ishte "bëji gjërat ashtu siç ju themi ne". Sugjerimet dhe rekomandimet nga punonjësit, madje edhe rezultatet e sondazheve mbi këndvështrimet, shpesh janë injoruar. Menaxhmenti nuk pranonte rezultate negative. Analiza e këtyre rezultateve përqendrohej deri aty, - "nëse të punësuarit i kuptonin çështjet", gjë që ishte një fyerje për inteligjencën tonë.

Punonjësit u bënë të paangazhuar dhe u përqendruan vetëm në pagën e tyre. Ky ishte qëllimi kryesor. Shumica e individëve nuk bënin asgjë shtesë jashtë specifikave të tyre të punës. Ngarkesa e punës ishte e shumë e lartë (deri e parealizueshme), megjithatë fiks në orën 16:00, punonjësit mund të shiheshin duke u larguar nga zyra, sikur të demonstronin një alarm kundër zjarrit. Shpirti dhe morali i ekipit ishin në nivele jashtëzakonisht të ulëta. Ndjehesha e asfiksuar, e mbytur. Për shumë individë kërkues dhe ambiciozë, ishte si të krahasoje vendosjen e një shqiponje në një kafaz pule dhe t'i kishe prerë krahët. Kështu, nuk qëndrova shumë gjatë. Qarkullimi i të punësuarve ishte i lartë. Shumë individë donin të largoheshin, por nuk u larguan vetëm për shkak të borxheve ose të ardhurave të akumuluara për pensionin.

Liderat duhet t'i njohin punonjësit e tyre dhe çfarë i motivon ata. Nëse po drejtoni një organizatë të vogël dhe hapjet e vendeve të punës janë të pakta dhe shumë larg në kohë nga njëra tjetra, bëni trajnime të kryqëzuara, shkëmbime të pozicioneve të punës dhe mentorim, si dhe u jepni punonjësve më shumë përgjegjësi. Caktoni projekte sfiduese që motivojnë punonjësit dhe u japin atyre objektiva në afate kohore, të cilat do t'i bëjnë ata të rriten. Nëse ata nuk kanë sfida dhe asgjë tjetër për të shikuar përpara, ata do të bëhen të paangazhuar.

Angazhimi i punonjësve rritet kur vendoset si prioritet dhe shikohet si një objektiv i qartë. Nëse doni të merrni më të mirën nga punonjësit tuaj - vendosni njerëzit në fokus. I tregoni punonjësve që ju interesoheni për ta. Trajtojini mirë. Shpërblejini dhe njihni përpjekjet e tyre. Kur i tregoni se i doni dhe i vlerësoni kontributet e punonjësve, ata bëhen shumë më të angazhuar drejt rezultateve. Për më tepër, interesohuni për zhvillimin e tyre duke u dhënë atyre përgjegjësi dhe sfida që do t'i ndihmojnë ata të rriten. Kur njerëzit mendojnë se po ecin përpara, duke shtuar bazën e tyre të aftësive, duke mësuar koncepte të reja dhe duke shtrirë aftësitë e tyre, motivimi tenton të mbetet i lartë.