Blog

9 Gjëra më të rëndësishme se paratë

9 Gjëra më të rëndësishme se paratë

Për ju që na ndiqni në rrjetet sociale, nuk është e re tema e parasë, pasi postimet tona të kësaj jave i janë dedikuar kësaj teme. Ndërkohë që përgatisnim postimet, na ra në sy ky artikull nga Jim Rohn, i cili e trajton këtë temë disi ndryshe. Për disa "Rëndësia e parave në jetën e njeriut është e ngjashme me rëndësinë e ushqimit për trupin. Ashtu si ju nuk mund të jetoni pa ushqim, ashtu nuk mund të mbijetoni për kohë të gjatë pa para", e për disa të tjerë, "Paraja nuk është gjithçka në jetë, por paraja mund të blejë shumë gjëra". Dhe kur paraja nuk është gjithçka, a ka gjëra më të vlefshme se paraja, dhe që mund t'ju bëjnë të sukseshëm? Lexoni idenë e Jim Rohn këtu më poshtë. Faleminderit!

* * * * *

Ne të gjithë e dimë vlerën e të pasurit shumë parà, veçanërisht si sipërmarrës. Por gjithashtu e dimë se ka njerëz të cilët i kanë filluar ndërmarrjet pa para, por vazhduan të bëjnë pasuri. Pra, si ja dolën ata?

Jim Rohn beson se ka nëntë gjëra që janë më të vlefshme se kapitali, gjëra të cilat mund t’ju çojnë drejt suksesit:

1. Koha

Koha është thesar - koha që vendosni për të mos e humbur, për të mos e çuar dëm. Koha që vendosni për ta investuar në diçka, e cila sjell vlerë në treg, me shpresën për të nxjerrë fitim, është koha e kapitalit.

Sa e vlefshme është koha? Koha e investuar në mënyrën e duhur vlen sa një pasuri. Koha e çuar dëm mund të jetë shkatërrim. Koha e investuar mund të bëjë mrekulli - kështu që investoni siç duhet kohën tuaj.

2. Dëshpërimi

Miku dhe mentori im Bill Bailey shkoi në Çikago, kur ishte adoleshent pasi e la shkollën e mesme. Dhe puna e parë që pranoi ishte - pastrues nate. Dikush i tha, -"Bill, pse vendose të punos si pastrues nate?" Ai ja ktheu: -"Nga kequshqyerja". Puna e tij e parë mund të ishte pastrimi natën, por ai vazhdoi deri sa mori çmimin Horatio Alger, dhe u bë i pasur e i fuqishëm - një nga shembujt më të mëdhenj të jetës, që unë kam njohur.

Dëshpërimi mund të jetë një nxitje e fuqishme, kur ju thoni -“Duhet ta bëj”. Ju punoni çdo lloj pune që mund të gjeni, kur jeni të uritur. Ju shkoni të punoni kudo – dhe nuk ka rëndësi se ku.

3. Vendosmëria

Kam një mike tjetër, Lidian, investimi i parë, i madh i saj, në ndërmarrjen e re ishte gjithashtu dëshpërimi. Ajo kishte nevojë të ushqente fëmijët e saj - kështu që investoi 1 dollar në diçka tek e cila besonte. Ky 1 dollar u përdor për të paguar disa fletushka, në mënyrë që ajo të mund të realizonte pak shitje, të grumbullonte paradhënie paratë, dhe pastaj, të blinte produktin me shumicë për t'ia dorëzuar klientit.

Lidia në fillim tha: -"Më duhet të gjej një klient" – dhe ky ishte Dëshpërimi. Së dyti, ajo tha: -"Do të gjej dikë, përpara se kjo ditë e parë të mbarojë" – dhe kjo ishte Vendosmëria. Dhe sigurisht që ja doli të gjente dikë. Vendosmëria thotë do t’ja dalësh.

4. Kurajo

Nëse keni vetëm 1 dollar dhe shumë guxim, keni një të ardhme të mirë përpara. Sepse njerëzit mund të bëjnë gjërat më të pabesueshme, pa marrë parasysh se çfarë ndodh – guxojnë pavarësisht rrethanave, jo për shkak të rrethanave.

5. Ambicia

Me guxim, Lidia bëri tre ose katër shitje të tjera. Dhe ndërsa ajo vazhdonte, ambicia hyri në lojë dhe nxiti të menduarin e saj. Ajo tha: -“Nëse munda të shes tre, unë mund të shes 33. Nëse mund të shes 33, mund të shes edhe 103”. Lidia u josh nga ëndrrat e saj për të ardhmen.

6. Besimi

Në këtë moment, Lidia filloi të besonte se kishte një produkt të mirë, një kompani të mirë. Dhe pastaj filloi të besonte në veten e saj – tek Lidia, një nënë e vetme, me dy fëmijë, pa punë. O Zot i madh, unë do ja dal! Vetëbesimi i saj filloi të rritej.

Besimi është një investim që nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër. Paraja nuk mund ta prekë besimin. Po sikur të kishit një milion dollarë dhe të ishit pa besim? Do të ishit i varfër. Nuk do të ishit i pasur.

7. Zgjuarsia

 Arsyeja që Lidia sot është milionere është për shkak të zgjuarsisë së saj – ajo e vuri trurin e saj në punë.

Ndoshta deri tani, ju keni vënë rreth një të dhjetën e fuqisë së trurit tuaj në punë. Po sikur të vinit në punë edhe nëntë të dhjetat e fuqisë së trurit? Nuk do t'a besoni se çfarë mund të ndodhë. Njerëzit mund të shpikin gjërat më intriguese që mund të bëhen.

Çfarë vlere ka zgjuarsia? Ka vlerën e një pasurie të tërë. Gjithçka që ju duhet është: 1 dollar dhe shumë zgjuarsi. Zbulimi i një mënyre për t'i bërë gjërat të funksionojnë, të funksionojnë, të funksionojnë.

8. Zemra dhe shpirti

Zemra dhe shpirti janë si magjia e fshehtë që i shtyn njerëzit – i shtyn njerëzit të marrin vendime, i shtyn njerëzit të veprojnë, i shtyn njerëzit të reagojnë.

Me çfarë mund të zëvendësoni zemrën dhe shpirtin? Nuk janë paratë, sepse zemra dhe shpirti janë më të vlefshme, edhe se një milion dollarë. Një milion dollarë pa zemër dhe shpirt? Nuk keni jetë. Ju jeni të padobishëm.

9. Personaliteti

Mentor im Bill Bailey më mësoi: -"Duhet të mësoni zoti Rohn, të jeni po aq rehat, si në rastin kur jeni në një kasolle të vogël në Kentaki, duke pirë një birrë dhe duke parë ndeshjen me shokun tuaj Winfred, ashtu edhe në rastin kur të jeni në një rezidencë gjeorgjiane në Uashington DC, si mysafir i senatorit".

Ju keni shumë personalitet. Ju duhet vetëm ta ndreqni dhe përforconi atë, ta zhvilloni çdo ditë, atje ku ai është efektiv, në shtëpi e kudo, pa marrë parasysh se me kë flisni - nëse është një fëmijë apo një biznesmen, një person i pasur apo një person i varfër. Ka të bëjë me mundësinë për të pasur marrëdhënie të njëjtë me këdo. Zhvilloni atë lloj personaliteti që është i rehatshëm, llojin e personalitetit që nuk zemërohet kurrë. Lëvizni me lehtësi, me karizëm, sofistikim dhe përulësi.

Me 1 dollar dhe me këtë listë, bota është e juaja. Ju përket juve, cilado pjesë që dëshironi, çfarëdolloj zhvillimi që dëshironi, për jetën tuaj. Ky është ai lloj i kapitalit që është më i vlefshëm se paratë dhe që mund të sigurojë të ardhmen dhe pasurinë tuaj. Mos harroni se nuk ju mungojnë burimet.