Blog

A jeni Drejtuesi apo thjesht Shefi?

A jeni Drejtuesi apo thjesht Shefi?

Shefi apo drejtuesi? Bosi apo lideri? Një nga temat e trajtuara shpesh dhe gjatë, në fushën e drejtimit dhe menaxhimit, dhe që gjithmonë ka çfarë të diskutohet. Nga një këndvështrim origjinal prej Jeffrey Gitomer, po ju sjellim sot një shkrim të tij.  

 Drejtuesi i një orkestre simfonike e di se si duhet të luajë çdo instrument. Ai gjithashtu e di se si bashkohen tingujt e këtyre instrumenteve, për të krijuar një tingull simfonik. Drejtuesi i një kori, di çdo notë që çdonjëri ka për të kënduar, dhe e di se si do të bashkohen zërat dhe notat për të bërë harmoninë.

Ata në të vërtetë quhet "dirigjentë" - por ju e dini se çfarë dua të them.

Kur të arrinit të mund të merrnit të dy këto elemente të drejtimit dhe t’i vendosni së bashku, ju do të keni harmoni simfonike. Ju keni një ekip ku çdonjeri e njeh talentin e vet individual, i njeh notat e veta individuale, e di tekstin e tij, e di se si të luajë, e di se si të këndojë, dhe e di kohën e vet kur duhet t’i bëjë të dyja - për të krijuar harmoninë e ekipit. Dhe NËSE drejtuesi është i përgatitur, në kontroll dhe i respektuar, rezultatet mund të jenë spektakolare.

 Nëse ju jeni drejtuesi i këtyre njerëzve dhe këtyre elementëve, është e domosdoshme që ju të dini se si çdo lojtar duhet të ekzekutojë, ose përndryshe do të dështoni. E njëjta gjë edhe në shitje.

Të gjithë drejtuesit dhe shefat e shitjes duan që njerëzit e tyre të jenë një ekip. Të gjithë njerëzit e shitjes i bëjnë ballë kësaj, sepse ata duan vetëm të shesin - por ata, shpesh kanë nevojë për anëtarët e tjerë të ekipit (kontabiliteti, prodhimi, transporti, shërbimi) për ta bërë atë që të ndodhë.

 SEKRETI I EKIPIT është: Gjithkush duhet të dijë aftësitë e tij ose të saj dhe duhet t’i dijë në mënyrë të përkryer. Deri sa të njohin veten, ata nuk mund të luajnë mirë, ose të këndojnë me të tjerët.

SEKRETI I DREJTIMIT është: Të jesh në gjendje për të nxjerrë përsosmërinë e performancës së njerëzve të tu, e kombinuar me përsosmërinë e performancës tënde.

Shpesh, punonjësit e shitjes nuk e nxjerrin gjithë potencialin dhe nuk bëjnë më të mirën e tyre, ose bëjnë gabime gjatë rrugës. Ky është momenti kur drejtuesi mund të bëjë që të ndodhë më e mira, ose ta lerë atë në rrjedhën e vet dhe të vazhdojë me performancë të ulët.

REALITETI I DREJTIMIT është: Nëse jeni një drejtues i vërtetë, ju nuk mund të fajësoni lojtarët për performancën e dobët. Ju duhet të jeni mësuesi, dirigjenti, trajneri dhe inkurajuesi.

 Në prag të një performance simfonike, mijëra njerëz paguajnë për të parë ekzekutimin e orkestrës dhe dirigjentit. Dhe në fund, zakonisht është një duartrokitje e fuqishme, brohoritje dhe BRAVOOO!, lule që vijnë nga të gjitha anët, dhe, me kërkesë të dirigjentit, pjesëtarët e orkestrës ngrihen në këmbë, një nga një, për të marrë duartrokitjet individuale dhe përkulen.

Ju, si spektator (konsumator), paguat dhe shijuat një shfaqje një-orëshe.

Por rezultati i tyre nuk ishte i përcaktuar nga puna këtë mbrëmje. Rezultati ishte i vendosur shumë kohë më parë, kur ata u praktikuan. Nëse ata nuk do të praktikoheshin, performanca e tyre nuk do të ishte e pranueshme.

E njëjta gjë edhe me ju. Dhe çelësi, është mesazhi që jam duke u përpjekur t’ju përcjell. Drejtuesit dhe anëtarët e orkestrës PRAKTIKOHEN BASHKË. Është e njëjta gjë edhe në shitje. Ju nuk mund të jeni vetëm shefi apo menaxheri. Ju duhet të jeni drejtues me shembuj, dhe trajner që e di mirë lojën.

Nëse keni parë ndonjë video të trajnerit të pavdekshëm të basketbollit, John Wooden, gjatë stërvitjes - ju keni parë atë, duke i pasuar topin lojtarëve të tij, në krye të rrethit, e duke udhëhequr vargun. Ai i stërvit lojtarët e tij nëpërmjet shembullit, duke u praktikuar me ta. Sa më shumë që praktikoheni së bashku, aq më shumë ka të ngjarë që të fitoni kampionatin, ose të merrni përgëzime të merituara.

Në shitje kjo do të thotë të shkosh me njerëzit e tu. Të bëni takime shitje së bashku me ta. T’i ndihmoni që të bëjnë më shumë shitje. Të jeni trajneri i tyre, jo shefi i tyre.

Koha juaj është po aq e vlefshme sa koha e tyre. Investoni kohën tuaj në përgatitjen për të udhëhequr dhe trajnuar njerëzit tuaj. Investoni kohën tuaj në përgatitjen e informacioneve të reja për njerëzit tuaj, dhe që ata i konsiderojnë të vlefshme. Investoni kohën në zhvillimin tuaj personal, duke studiuar qëndrimin dhe inkurajimin, si dy faktorë përcaktues të suksesit tuaj.

Këtu janë edhe dy tregues, që ju thonë se jeni në rrugën e duhur:

  1. Ju jeni tërheqës. Nuk është fjala për i pashëm. Unë jam duke folur për atë, që njerëzit t’ju marrin në telefon, sepse ata duan të punojnë për ju. A keni pasur ndonjë profesor në shkollë që të gjithë do të donin të bënin mësim me të e të ishin në klasën e tij? Pyetjet, që ju duhet t’i shtronit vetes, janë: Kush është i gatshëm të vijë të punojë për mua, dhe bile edhe të presë në rradhë deri sa të hapet një vend? Kush dëshiron të luajë në ekipin tim? Kush dëshiron të shesë për mua?
  2. Ish lojtarët tuaj qëndrojnë në kontakt me ju. Njerëzit lëvizin në karrierën e tyre. Unë dua që të gjithë ata që largohen, të thonë se ju keni qenë trajneri më i mirë, drejtuesi më i mirë që ata kanë pasur ndonjëherë. Ju nuk do të fitoni si trajneri më i mirë - ju do të fitoni ndeshjen e jetës.

 Shef apo drejtues? Shef apo trajner? Shef apo mësues? Shef apo inkurajues? Zgjedhja është e qartë pasi ato janë shkruar. Sfida juaj është që t'i bëni ato realitet. Shpresoj që ju t’i bëni.