Blog

Rëndësia e zhvillimit të punonjësve

Rëndësia e zhvillimit të punonjësve

(01 Shkurt 2016) Në vazhdim të temës së trajtuar, më poshtë disa ide të tjera nga literatura botërore, pse krijimi i trajnimit të rregullt të punonjësve dhe i strategjive të zhvillimit është thelbësor për suksesin e vazhdueshëm të biznesit.

Shumë sipërmarrës duket se e shikojnë trajnimin dhe zhvillimin e punonjësve më shumë si dëshirë se sa si domosdoshmëri... një këndvështrim që mund të jetë i kushtueshëm për dyja, si për fitimet afatshkurtra dhe për përparimin afatgjatë.

Arsyeja kryesore pse trajnimi nuk konsiderohet si domosdoshmëri nga shumë drejtues  biznesesh, është për shkak se trajnimi shihet më shumë si shpenzim se sa si investim. Është plotësisht e kuptueshme kur vëren se në shumë kompani, trajnimi dhe zhvillimi nuk janë të fokusuar në prodhimin e një rezultati të caktuar për biznesin. Si rezultat, drejtuesit e bizneseve shpesh i dërgojnë njerëzit e tyre në kurse trajnimi që atyre ju duken të nevojshme, pa e ditur se çfarë presin në kthim. Nëse nuk ka rezultate të matshme, është plotësisht e drejtë ta shohësh trajnimin si një shpenzim e asgjë më shumë.

Tani  e kundërta e  kësaj qasje është ajo ku një trajnim shihet si një investim kapital që duhet “marrë në konsideratë” se si të arrini  të merrni një normë të pranueshme të kthimit të investimin tuaj. Dhe një mënyrë e mirë për të filluar "të merrni në konsideratë", është me një analizë të nevojave.

Përderisa lidhet me trajnimin dhe zhvillimin, analiza e nevojave është me të vërtetë një analizë rezultati - çfarë doni ju nga ky trajnim? Pyesni veten: "Çfarë do të ndryshojë në biznesin tim apo në sjelljen ose performancën e punonjësve të mi, si rezultat i këtij trajnimi, që do të ndihmojë kompaninë time?" Mbani parasysh: Ky ushtrim kërkon kohë që ju të mendoni dhe të përqëndroheni më shumë në proceset tuaja se sa tek rezultati.

Ndërsa e bëni këtë analizë, mbani parasysh pikat e forta dhe të dobëta të kompanisë tuaj dhe përpiquni të identifikoni mangësitë që, kur të korrigjohen, të paraqesin një mundësi për të fituar dhe rritur biznesin tuaj. Një zonë e përbashkët për përmirësim, në shumë kompani, është të ndihmosh supervizorët të menaxhojnë më mirë performancën. Shumë njerëz janë promovuar në pozita menaxheriale, sepse ata janë teknikisht të mirë në punën e tyre, por ata nuk janë të trajnuar si menaxherë për të ndihmuar vartësit e tyre të arrijnë performancën më të mirë.

Përcaktimi i nevojat tuaja për trajnim dhe zhvillim, bazuar në rezultatet e synuara, është vetëm fillimi. Hapi i ardhshëm është që të krijoni një dinamikë të të mësuarit për kompaninë tuaj.

Në ekonominë e sotme, në qoftë se biznesi juaj nuk është duke mësuar, atëherë ju do të mbeteni prapa. Dhe një biznes mëson kur njerëzit e tij, mësojnë. Punonjësit janë ata që prodhojnë, përsosin, mbrojnë, shpërndajnë dhe menaxhojnë produktet ose shërbimet tuaja çdo ditë, vit pas viti. Me ritmin e shpejtë dhe arritjet ndërkombëtare të tregut, në shekullin e 21-të, të mësuarit e vazhdueshëm është thelbësor për suksesin e vazhdueshëm të biznesit tuaj.

Për të krijuar kulturën e të mësuarit në biznesin tuaj, filloni të komunikoni qartë, cila është pritshmeria juaj në këtë drejtim, dhe se punonjësit duhet të ndëmarrin hapat e nevojshëm që të rrisin aftësitë dhe njohuritë për të qënë gjithmonë në kulmin e profesionit të tyre ose fushës ku punojnë. Sigurohuni që t’i mbështesni përpjekjet e tyre në këtë drejtim duke i furnizuar ata me burimet që u nevojiten për të përmbushur këtë qëllim. Së dyti, komunikojuni punonjësve tuaj nevojat për trajnime specifike dhe rezultatet e synuara që ju keni nxjerrë si rezultat i analizës së nevojave.

Së treti, siguroni një prezantim dhe orientim të mirë të kulturës së kompanisë suaj, duke përfshirë edhe kulturën tuaj të të mësuarit, tek çdo i punësuar i ri që do të punësoni. Ky orientim duhet t’i prezantojë të punësuarin në kompani, dhe t’ju sigurojë atyre trajnimin e duhur në procedurat e suksesshme që kompania ka zhvilluar dhe mësuar me kalimin e kohës.

Çdo program i suksesshëm trajnimi dhe zhvillimi, përfshin gjithashtu edhe trajtimin e nevojave aktuale dhe të ardhshme mbi pozicionet drejtuese. Në thelbin e saj, ky komponent duhet të sigurojë për identifikimin sistematik dhe zhvillimin e menaxherëve tuaj në drejtim të stilit të lidershipit/udhëheqjes që drejton biznesin tuaj dhe e bën atë unik dhe fitimprurës. A keni shpenzuar kohë duke menduar dhe shqyrtuar stilin më të suksesshëm të drejtimit që është në mjedisin tuaj dhe që ju doni të nxisni? Çfarë hapash keni ndërmarë për të zhvilluar këto tipare të rëndësishme lidershipi tek njerëzit e tu?

Çështjet financiare që lidhen me trajnimin mund të jenë të paqarta, por në shumicën e rasteve, ndikimi i vërtetë buxhetor varet se sa mirë ju i keni menaxhuar tre komponentët (analizën e nevojave, të mësuarin dhe lidershipin). Nëse trajnimi ka në shënjestër rezultate specifike të biznesit, atëherë ka të ngjarë të jeni të lumtur me atë që keni shpenzuar për trajnimin. Por në qoftë se buxheti i trajnimit nuk është i lidhur me rezultatet specifike, atëherë paraja ka më shumë gjasa që të shpenzohet në kurse që nuk kanë ndikim pozitiv në kompani.

Në shumë organizata, buxhetet e trajnimit shpesh janë të lidhura me atë, nëse kompania është duke shijuar një ngritje ekonomike apo duke i bërë qëndresë rënies. Në kohë të mira, kompanitë kanë tendencë që të shpenzojnë në trajnime që nuk janë të rëndësishme për organizatën, dhe në kohë të këqija, lavjerrësi lëkundet në ekstremin tjetër dhe trajnimet eliminohen krejtësisht. Në çdo mjedis ekonomik, shpenzimet e trajnimit duhet të përcaktohen nga rezultatet e synuara të biznesit që ju dëshironi të përmirësoni dhe jo nga faktorët e tjerë që lidhen me buxhetin.

Për të mënjanuar rënie pre e kësaj tendence, duhet, një deri dy herë në vit, të vlerësoni nevojat e organizatës tuaj për trajnim dhe zhvillim, për të identifikuar drejtimet dhe idetë se si të arrini rezultatet e dëshiruara në mënyrë efektive dhe efikase.

Punonjësit tuaj, në parim, janë pasuria e biznesit. Investoni tek ata me kujdes dhe strategji, dhe ju do të merrni shpërblimin tani dhe në vitet që do të vijnë.