Blog

Angazhoni punonjësit duke fuqizuar më parë menaxherët tuaj

Angazhoni punonjësit duke fuqizuar më parë menaxherët tuaj

Si theksohej edhe në shkrimin e javës së shkuar në blog-un e ProspecTime, një nga zbulimet e raportit të fundit të Gallup, ku analizohet Gjendja Globale e Vendeve të Punës është niveli relativisht i ulët i angazhimit të forcës së punës. Në lidhje të drejtpërdrejtë me këtë është edhe niveli i angazhimit të drejtuesve të ekipeve, gjë që thekson se mund të rritet angazhimi i punonjësve duke treguar vëmendjen e duhur në rritjen e angazhimit të menaxherëve. Shkrimi këtu, me autor Jim Harter, tregon këtë lidhje dhe drejtimet e përmirësimit të angazhimit të punonjësve duke fuqizuar menaxherët tuaj. Lexim të këndshëm!   

* * * * *

Puna e vështirë e administrimit të njerëzve është bërë edhe më e vështirë në vitet e fundit.

Kërkesat e reja të punonjësve, për fleksibilitet në vendin e punës, për punë nga shtëpia apo edhe atë hibrid, si dhe rritja e rrezikut të problemeve të shëndetit mendor të punonjësve shtojnë punën tashmë të vështirë të menaxhimit. Në vitin 2023, raporti i Gallup zbulon se një në pesë punonjës raportuan se ndjenin vetmi, zemërim ose trishtim gjatë ditëve të mëparshme dhe dy në pesë ndjenin shumë stres.

Menaxherët tashmë kanë shumë përgjegjësi, siç mund të jenë kryerja e nismave të lidershipit, të qenit në dijeni të nevojave të klientëve dhe produkteve, monitorimi i kohës dhe shpenzimeve, menaxhimi i performancës dhe trajnimi. Por roli i tyre për të frymëzuar njerëzit nuk ka qenë kurrë më urgjent. Ata duhet të jenë të fokusuar, në mënyrë të veçantë, për të njohur nevojat specifike të çdo punonjësi, qëllimet e karrierës dhe situatën punë-jetë.

Ja problemi: Shumë menaxherë nuk janë shumë të angazhuar në punën e tyre. Pra, shanset që ata të angazhohen dhe të përmirësojnë mirëqenien e atyre që ata udhëheqin janë të ulëta.

Tre në dhjetë menaxherë në mbarë botën janë të angazhuar, ndihen të përfshirë dhe entuziastë, në punën e tyre. Analiza statistikore e Gallup, për më shumë se 200,000 ekipe të udhëhequra nga menaxherët, zbuloi se menaxherët më të angazhuar kanë ekipe më të angazhuara. Kjo është e rëndësishme sepse ekipet shumë të angazhuara prodhojnë cilësi dhe sasi më të lartë të prodhimit, kanë emocione të përditshme më pozitive, më pak përvoja negative të përditshme dhe kanë norma shumë më të larta të lulëzimit në jetën e tyre të përgjithshme.

Raporti i fundit i Gallup, për Gjendjen Globale të Vendeve të Punës zbuloi se kjo lidhje midis angazhimit të menaxherit dhe punonjësve shtrihet në nivel vendi. Vendet me një përqindje më të lartë të menaxherëve të angazhuar kanë një përqindje më të lartë të punonjësve të angazhuar në përgjithësi.

Ndërsa angazhimi i menaxherëve është i ulët në nivel global, ai është ende më i lartë se angazhimi i jo-menaxherëve. Menaxherët gjithashtu raportojnë norma më të larta të lulëzimit në jetën e tyre të përgjithshme se sa jo-menaxherët. Ata priren të kenë pagë më të lartë dhe status social. Megjithatë, shumë prej tyre raportojnë se ndjejnë zemërim, trishtim dhe shqetësim çdo ditë dhe përjetojnë po aq stres dhe vetmi sa jo-menaxherët. Një shqetësim i madh është se menaxherët kanë më shumë gjasa se jo-menaxherët që të kërkojnë mundësi të reja pune.

Është e qartë se përmirësimi i shëndetit mendor në vendin e punës fillon me shëndetin mendor të menaxherëve.

Nëse një kompani dëshiron të rrisë angazhimin e fuqisë punëtore, ajo duhet të ketë prioritet bërjen e punëve të menaxherëve sa më të rregulluara, të angazhuara dhe të kënaqshme që të jetë e mundur. Një mënyrë është identifikimi dhe promovimi i metodave më të mira për përzgjedhjen dhe zhvillimin e menaxherëve me talentet dhe aftësitë për t'u stërvitur e trajnuar në mënyrë efektive, në vendin e ri dhe në ndryshim të punës. Një tjetër është riformulimi i përgjegjësive kryesore të administrimit, kalimi nga puna administrative në trajnimin gjatë punës (coaching) nëpërmjet bisedave të vazhdueshme me punonjësit dhe shkëmbimin e informacioneve.

Gallup ka studiuar shumë organizata në mbarë botën që tashmë kanë zbatuar praktika për të trajtuar problemet që lidhen me angazhimin dhe mirëqenien e menaxherëve. Këto organizata të mirë-drejtuara ekzistojnë në të gjitha vendet dhe industritë, me një mesatare mbresëlënëse prej tre të katërtat e menaxherëve dhe shtatë në dhjetë jo-menaxherë të angazhuar. Udhëheqësit në këto organizata të spikatura, qëllimisht kanë prioritet kulturën e organizatës, duke filluar nga cilësia e menaxherëve. Ata vënë theksin e lartë në:

  • Përmirësimi i procesit të punësimit dhe zhvillimit të menaxherëve për të qenë trajnerë të efektshëm që përqendrohen kryesisht në vendosjen e objektivave, shkëmbimin e vazhdueshëm të informacionit dhe përgjegjshmërinë
  • Marrja e një qasjeje strategjike duke integruar angazhimin dhe mirëqenien në të gjitha fazat e ciklit të jetës së punonjësve: tërheqja, punësimi, vendosja në vendin e punës, menaxhimi i performancës dhe zhvillimi
  • Duke e bërë mbështetjen e tyre për mirëqenien e punonjësve të dukshme dhe konsekuente, me një qasje gjithëpërfshirëse që integron përfitimet dhe burimet në të gjitha fushat e shumta të mirëqenies

Organizatat e drejtuara mirë kanë treguar se udhëheqësit dhe menaxherët mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në shëndetin mendor të fuqisë punëtore nëpërmjet kulturave që ata ndërtojnë.