Blog

Themelimi i Universitetit të Stanfordit

Themelimi i Universitetit të Stanfordit

Historia këtu ndoshta përshkruhet si në kufijtë e legjendës, por ka si bazë një ngjarje të vërtetë, ndodhur në vitin 1884. Mesazhi i këtij shkrimi, ilustron më së miri gabimet e paragjykimit të njerëzve, duke u nisur vetëm nga pamja e jashtme apo sjellja e tyre, mesazh të cilin e gjeni edhe në fund të këtij shkrimi të shkurtër. Përveçse në jetë, paragjykimi dëmton rëndë sidomos rezultatet tuaja, nëse jeni duke punuar në shitje. Si punonjës shitje, puna juaj nuk është të paragjykoni apo të supozoni rreth klientit tuaj, por të kuptoni dhe të respektoni atë. Duke vepruar kështu, mund të krijoni marrëdhënie, besim dhe besueshmëri dhe t’i tregoni klientit tuaj se jeni të interesuar për situatën dhe qëllimet e tyre. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Një zonjë e veshur me një fustan pëlhure të venitur dhe i shoqi i saj, i veshur me një kostum të thjeshtë dhe paksa të vjetëruar, zbritën nga treni në Boston dhe ecën me druajtje drejt zyrës së pritjes të Rektorit të Universitetit të Harvardit, pa lënë takim.

Sekretarja, nga momenti në moment, po mendonte se njerëz të tillë, me pamje prej fshatarësh nga ndonjë vend i humbur, nuk kanë punë në Harvard dhe ndoshta ata nuk e meritojnë as të jenë në Kembrixh. Ajo u vrenjt dhe rrudhi vetullat, kur burri – me një zë të butë i tha: - “Duam të takojmë Rektorin e universitetit”. “Ai do të jetë gjithë ditën i zënë” - ia ktheu ajo shkurt. Por zonja menjëherë u përgjigj - “Ne do ta presim”.

Për orë të tëra, sekretarja i injoroi ata, duke shpresuar se çifti do të demoralizohej nga pritja e gjatë dhe do të largohej. Por ata nuk u larguan. Me kalimin e kohës, sekretarja u acarua dhe më në fund vendosi të shqetësojë Rektorin, edhe pse e kishte për detyrë që gjithmonë të refuzonte ta bënte diçka të tillë. “Ndoshta ata do të largohen pasi të të takojnë për pak minuta” - i tha ajo Rektorit. Rektori shfryu i irrituar dhe tundi kokën. Një person me kaq rëndësi sa ai, patjetër që nuk kishte kohë për të harxhuar me të panjohur, por ngaqë nuk donte që njerëz të rëndomtë e të veshur keq të prisnin para derës së zyrës së tij, vendosi të dalë e t’i takojë.

Duke menduar se dikush me rëndësinë e tij nuk kishte kohë për të humbur, Rektori shkoi drejt çiftit.

Zonja, e cila foli e para, i tha: “Kishim një djalë që studioi në Harvard për një vit. Ai e dashuronte këtë shkollë. Ai ishte i lumtur këtu. Por rreth një vit më parë, për fat të keq ai ndërroi jetë. Im shoq dhe unë kemi dëshirë të ngrejmë një kujtim për të diku këtu në kampus”. Rektori nuk u prek fare nga humbja e tyre, por u trondit.

“Zonjë” – foli ai në mënyrë të vrazhdë, “Ne nuk mund të vëmë një statujë për çdo person që studionte në Harvard dhe ka ndërruar jetë. Nëse do të bënim kështu, ky vend do të dukej si një varrezë”.

 “Ah, jo” - shpjegoi zonja me nxitim, “Ne nuk duam të ndërtojmë një statujë. Menduam t’i japim një ndërtesë Harvardit”.

Rektori zgurdulloi sytë. Ai i hodhi një shikim fustanit prej pëlhure dhe kostumit të vjetëruar, dhe ngriti zërin – “Një ndërtesë! A e keni idenë më minimale se sa kushton një ndërtesë? Ne kemi shpenzuar mbi shtatë miliardë e gjysëm dollarë për themelimin e Harvardit”.

Për një çast zonja heshti. Rektori u lumturua. Ai tashmë mund t’i hiqte qafe ata.

Por zonja iu drejtua të shoqit dhe i tha me zë të qetë – “Vetëm kaq kushton për të hapur një universitet? Pse nuk hapim një vetë?” I shoqi pohoi duke tundur kokën.

Fytyra e Rektorit u zbeh nga konfuzioni dhe hutimi.

Zoti dhe zonja Leland Stanford u larguan, e më pas udhëtuan në Palo Alto të Kalifornisë ku ata themeluan universitetin që sot e kësaj dite mban emrin e tyre, në kujtim të djalit të tyre, e që Harvardi nuk tregoi as interesimin më të vogël.

Mësimi: Kjo është historia e themelimit të Universitetit Stanford dhe personazhet qe janë në këtë tregim janë realë. Nuk duhet të gënjehemi nga pamja e jashtme e personave. Gjithashtu nëse dikush vjen t’ju ofrojë diçka, sado e vogël të jetë, apo sado që ju të mos keni nevojë, të paktën tregoni mirësjelljen të dëgjoni çfarë kanë për të thënë. Duhet të jemi më të ndjeshëm për humbjen e dikujt dhe dhimbjen që ata kanë. Sot u ra atyre, nesër mund t’ju bjerë juve.