Niveli i dytë i Aftësive të Menaxhimit: Ndërtimi i ekipit
Mënyra më e mirë për të mësuar është nga përvoja juaj, por mund të mësohet më shumë dhe më shpejt nga përvoja e shumë të tjerëve. Kjo mënyrë shkurton kohën e të mësuarit dhe të ekspozon edhe ndaj eksperiencave që ndoshta nuk mund t’i përjetoni. Piramida e Aftësive të Menaxhimit është një përmbledhje e asaj që sidomos menaxherët e rinj duhet të qartësojnë me veten. Shkrimi këtu, me autore Susan M. Heathfield, plotëson dy shkrimet e mëparshme, që paraqesin një inventar të aftësive të nevojshme për SUKSES. Urojmë që ju t’i keni këto aftësi e që punoni vazhdimisht për t’i përmirësuar. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Aftësitë e Menaxhimit të Nivelit të dytë përbëhen nga aftësitë për ndërtimin dhe menaxhimin e ekipit, që çdo menaxher në zhvillim duhet të zotërojë. Ato janë niveli tjetër i aftësive që gjenden në Piramidën e Aftësive të Menaxhimit, aftësi që e ndihmojnë një menaxher për një karrierë të suksesshme. Piramida e Aftësive të Menaxhimit tregon se si këto aftësi ndërtohen mbi njëra-tjetrën për të krijuar sukses.
Ekzistojnë tri kategori të aftësive të menaxhimit të ekipit, që menaxherët duhet t'i zotërojnë për të përjetuar ndonjë sukses në një punë drejtuese. Aftësitë e menaxhimit të ekipit janë Motivimi, Trajnimi dhe Trajnimi gjatë punës (Coaching), si dhe Përfshirja dhe Angazhimi i punonjësve. Ato diskutohen veçmas në detaje më poshtë.
Aftësitë menaxhuese për Motivim
Aftësia më themelore në menaxhimin e ekipit, që menaxherët duhet të zotërojnë është motivimi i ekipit tuaj dhe i anëtarëve individualë të ekipit. Ju nuk mund t'i përmbushni qëllimet tuaja si menaxher nëse ekipi juaj nuk është i motivuar për të performuar, për të prodhuar, për të dhënë rezultatet që ju nevojiten.
Motivimi i secilit prej individëve në ekipin tuaj kërkon ndërgjegjësimin tuaj se nevojat motivuese të secilit anëtar të ekipit janë të ndryshme dhe se burimi kryesor i motivimit të tyre vjen nga brenda individit. Tjetra, motivimi i ekipit kërkon një qasje ndryshe nga motivimi i anëtarëve të ekipit.
Niveli i aftësive që menaxherët kanë nevojë për motivimin dhe frymëzimin e punonjësve nuk mund të mbitheksohet. Pa një mjedis pune, që nxit motivimin e punonjësve dhe ekipit, nuk do të përjetoni kurrë suksesin që ju nevojitet për një mjedis pune produktiv e të këndshëm.
Aftësitë motivuese të nevojshme për motivimin efektiv të punonjësve dhe ekipit
- Ndërgjegjësimi se të gjithë punonjësit janë të motivuar dhe se është detyra e menaxherit që të nxjerrë në pah atë motivim të brendshëm që çdo punonjës përjeton.
- Ndërtimi i një vizioni, me strategji dhe objektiva, në mënyrë që punonjësit të kenë qartësi për atë që pritet të arrijnë.
- Largimi i barrierave dhe pengesave që i pengojnë punonjësit të përjetojnë motivim.
- Dhënia e reagimeve të shpeshta pozitive dhe konstruktive, në mënyrë që punonjësit të dinë se si po ecin në realizimin e objektivave.
- Shpërblimi, falenderimi dhe njohja e përpjekjeve të punonjësve, për të përforcuar motivimin e tyre.
- Organizimi i takimeve të rregullta individuale me punonjësit në mënyrë që ata të ndihen të mbështetur dhe të informuar.
- Praktikimi i shërbëtorit udhëheqës për të nxitur përfshirjen dhe angazhimin e punonjësve.
Aftësitë e Menaxhimit për Trajnim dhe Trajnim gjatë punës (Coaching)
Rrallë mund të ndodhë që ju të menaxhoni ndonjëherë një ekip ku të gjithë janë të trajnuar në mënyrë të përshtatshme. Është edhe më e pamundur që ju të keni një ekip që nuk ka nevojë kurrë për trajnim gjatë punës. Ju duhet të keni nivelin e aftësive të nevojshme trajnuese për të identifikuar nevojat për trajnim të anëtarëve të ekipit tuaj. Ju gjithashtu duhet të siguroni trajnimin që ata kanë nevojë, e që të kenë sukses.
Dhe, ju duhet të trajnoni të gjithë anëtarët e ekipit tuaj, madje edhe punonjësit e mirë, për t'i ndihmuar ata të arrijnë nivelet e tyre më të mira të performancës dhe të përmirësohen vazhdimisht.
Aftësitë e nevojshme trajnuese për zhvillim efektiv të punonjësve
Këto janë aftësitë që menaxherët të mund të ofrojnë trajnime dhe zhvillim të rëndësishëm për punonjësit.
- Kuptoni rëndësinë e trajnimit hyrës dhe hartoni një orientim efektiv të punonjësve të rinj që i ndihmon punonjësit të përshtaten dhe të kontribuojnë shpejt.
- Siguroni trajnim efektiv gjatë punë për punonjësit.
- Siguroni trajnime të kryqëzuara për punonjësit për të prodhuar fleksibilitet maksimal për kryerjen e punës, gjë që kursen para në kostot e punës.
- Krijoni mundësi për punonjësit që të mësojnë aftësi të reja që i bëjnë ata më të vlefshëm dhe që luftojnë monotoninë.
- Ofroni trajnime gjatë punës në periudha të rregullta, për t'i lejuar punonjësit të zhvillojnë më tej aftësitë dhe mundësinë për të kontribuar.
- Hartoni një program të suksesshëm mentorimi për të ndihmuar punonjësit të mësojnë nga punonjës të tjerë me eksperiencë dhe njohuri.
Këtu janë edhe disa aftësi të tjera që menaxherët duhet të zotërojnë për zhvillimin e punonjësve të tyre.
- Aftësia për t'i mundësuar njerëzve të bëjnë gabime në mënyrë që ata të mësojnë, duke ditur kur të ndërhyni dhe kur të qëndroni prapa, për të dhënë mundësinë që ata ta provojnë vetë.
- Aftësia për të trajnuar punonjësit në mënyrë që ata të mund të përmirësojnë performancën e tyre, të rrisin aftësitë e tyre dhe të rrisin aftësinë e tyre për të kontribuar në punë.
- Aftësia e organizimit të takimeve individuale për të ofruar udhëzime specifike për nevojat e secilit punonjës.
- Ndihma ndaj punonjësve për të gjetur mentorë të përshtatshëm për njohuri dhe trajnime shtesë.
- Aftësia për të dëgjuar në mënyrë aktive dhe që punonjësit të ndjehen të dëgjuar dhe të vlerësuar.
- Aftësia për të kuptuar dhe përgjigjur komunikimit joverbal.
- Të kuptuarit dhe përdorimit të aftësive bazë të komunikimit kur trajnoni dhe ndërveproni me punonjësit.
Aftësitë menaxheriale për Përfshirjen e punonjësve
Të gjitha përpjekjet e një menaxheri për të trajnuar dhe zhvilluar punonjësit, për të krijuar një mjedis në të cilin punonjësit motivohen dhe për të ofruar reagime pozitive dhe aktivitete për ndërtimin e moralit synojnë një qëllim: rritjen e përfshirjes dhe angazhimit së punonjësve.
Nëse punonjësit tuaj nuk janë të përfshirë dhe ata thjesht vijnë në punë për të “ngrohur karriken”, nuk do të keni performancën e tyre më të mirë. Nëse nuk arrini performancën e tyre më të mirë, gjithçka që ata bëjnë do t'ju kushtojë më shumë edhe në para. Kostot tuaja do të shfaqen si një shkallë e lartë gabimi ose ripërsëritje të punëve. Ose, ato mund të shfaqen si prodhimtari e ulët dhe dështim për të përmbushur objektivat. Më e rëndësishmja, kostot tuaja mund të jenë në humbjen e një ideje të re inovative që ata nuk i ndajnë me ju. Sido që të jetë mos angazhimi i punonjësve, do t'ju kushtojë.
Aftësitë menaxhuese të nevojshme për përfshirjen efektive të punonjësve
Këto janë aftësitë që menaxherët kanë nevojë për të promovuar kënaqësinë dhe përfshirjen e punonjësve në një mjedis pune të lumtur, tërheqës dhe produktiv.
- Frymëzimi i punonjësve dhe kushtimi i po aq vëmendje kënaqësisë dhe lumturisë së tyre, po aq sa i kushtoni detyrave dhe produktivitetit të tyre.
- Krijimi i një mjedisi pune që u jep punonjësve ndjenjën se ata janë pjesë e rëndësishme e një tabloje më të madhe.
- Krijimi i një mjedisi pune që plotëson nevojën e punonjësve për të qenë pjesë e një ekipi të madh.
- Dhënia punonjësve tuaj e lirisë që të mendojnë vetë dhe shmangia e të qenit një shef autokrat apo një mikromenaxher.
- Aftësia që t'u jepni punonjësve hapësirën që u nevojitet për t'u bërë më inovativë dhe më të përkushtuar ndaj objektivave tuaja.
- Aftësia e të bërit të gjërave që reduktojnë qarkullimin dhe rrisin mbajtjen e punonjësve duke rritur përfshirjen e punonjësve.
- Sigurimi i objektivave të qarta dhe dhënia e reagimeve të sinqerta dhe konstruktive.
- Dhënia e reagimeve pozitive, sepse është thelbësore për të mbajtur punonjësit të angazhuar, të cilat duhet të jenë të merituara dhe të sinqerta.
- Aftësia e delegimit në mënyrë aktive të një detyre një punonjësi që ka mundësi të rritet dhe të përballet me sfida të reja.
- Sigurimi se po delegoni punën siç duhet, duke mos i mbingarkuar punonjësit.
- Aftësia e të qenit një menaxher pjesëmarrës është thelbësor në përfshirjen e punonjësve.
E rëndësishme
Aftësitë e kërkuara për menaxhim efektiv janë të pafundme dhe pafundësisht magjepsëse. Ju mund të bëheni një menaxher i shkëlqyer nëse dedikoni kohë për të mësuar këto aftësi dhe shumë të tjera për të udhëhequr dhe ndërvepruar me sukses me punonjësit. Do të jeni më të lumtur dhe më të përmbushur në punë kur të mund të demonstroni nivelin e lartë të aftësive menaxheriale, të nevojshme për të motivuar, mbajtur, përfshirë, trajnuar, për të ndërtuar ekipe dhe për të zhvilluar punonjësit.