Blog

Shfrytëzoni zhvillimin profesional për të ndërtuar biznesin dhe punonjësit tuaj

Shfrytëzoni zhvillimin profesional për të ndërtuar biznesin dhe punonjësit tuaj

Tregu i punës ka pësuar zhvillime të rëndësishme, e për rrjedhojë rekrutimi dhe mbajtja e punonjësve të kualifikuar po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Rishikimi dhe përmirësimi i politikave të lidhura me marrëdhëniet e punës dhe kompensimin janë mëse të domosdoshme, e këtu nuk mund të harrojmë zhvillimin e vazhdueshëm personal dhe profesional të punonjësve. Në diskutimet tona me bizneset, në kuadër të konsulencave organizative, kundërshtia kryesore është sa e re aq edhe e vjetër – “ne mund të investojmë në zhvillimin e punonjësve po ata largohen”. Deri diku kjo është e vërtetë, megjithëse zhvillimi ndikon në mbajtjen e tyre. Shkrimi këtu, me autore Manisha Morais, trajton përfitimet e biznesit nga zhvillimi i punonjësve. Dhe ju e dini gjithashtu, se kushton më shumë të shpresoni për produktivitet dhe efektivitet më të lartë nga punonjësit e pa trajnuar. Lexim të këndshëm!      

* * * * *

Zhvillimi profesional është një përbërës kyç për zhvillimin e biznesit, pasi suksesi dhe rritja e një biznesi mbështeten në suksesin e punonjësve të tij në çdo industri.

Çdo profesionist është unik me tërësinë e vet të aftësive, njohurive, sjelljeve dhe përvojës dhe ka përkufizimet e veta të suksesit dhe lumturisë. Kështu që ndonjëherë, vetëm një paketë kompensimi – sado e madhe, nuk do ta kënaqë atë. Ofrimi i mundësive të zhvillimit profesional si pjesë e paketës, mund të tërheqë dhe të mbajë talentet më të mira, që pastaj vazhdojnë të gjenerojnë produktivitet e që bëhen të rëndësishëm në zhvillimin e biznesit.

Zhvillimi profesional shpesh quhet si zhvillim i vazhdueshëm profesional (ZHVP), pasi është një proces i vazhdueshëm. Ai synon t'u japë profesionistëve aftësitë, njohuritë dhe sjelljet që ata kanë nevojë, për të lulëzuar në karrierën e tyre dhe për t'u siguruar se ajo përputhet me vlerat e tyre. Ndërsa teknologjitë po përparojnë dhe zhvillimi i internetit po i përshpejton ato, mbështetja në zhvillimin e aftësive, njohurive dhe sjelljeve të rëndësishme është kyçe për të siguruar që biznesi të jetë përpara konkurrencës dhe i mbështetur nga profesionistë të sigurt dhe kompetentë.

ZHVP vjen në shumë formate, si kurse trajnimi, trajnime online, konferenca, trajnimi gjatë punës, mentorimi, certifikime të jashtme dhe diploma.

Ndërsa organizatat flasin për angazhim aktiv në zhvillimin profesional, shumë prej tyre udhëhiqen nga drejtues që shpesh e nënvlerësojnë rëndësinë e ZHVP. Fokusi i tyre është shpesh në zhvillimet e tjera operacionale dhe aktivitetet e faturueshme. Disa nga bizneset që inkurajojnë dhe ofrojnë zhvillim profesional adoptojnë një qasje të njëjtë, duke ofruar kurse trajnimi, ndërkohë që zhvillimi profesional kërkon një qasje më kuptimplotë dhe më të përshtatshme, e kombinuar me trajnim gjatë punës dhe këshillim të pavarur.

Vlen të theksohet gjithashtu se në shumë raste, në të gjithë botën, trajnimi gjatë punës është rezervuar për profesionistët e lartë, që do të thotë se talenti më i ri që është aty, duhet të presë disa vjet përpara se të ketë mbështetjen e duhur të trajnerëve. Kjo vonon procesin e përmbushjes së potencialit të tyre dhe maksimizimit të kontributeve të tyre në biznes.

Zhvillimi i profesionistëve është një përbërës kyç për zhvillimin dhe suksesin e një biznesi. Ja vetëm disa nga arsyet pse duhet ta bëni ZHVP një përparësi:

Përfitimet e ZHVP për profesionistët

  • Plotëson boshllëqet e aftësive dhe njohurive për t'u përshtatur pozitivisht me ndryshimet në kërkesat e punës/industrisë.

  • Ndihmon profesionistin të qëndrojë i përditësuar me përparimin teknologjik.

  • Ndihmon në përmirësimin e motivimit, gjë që si rezultat, mund të përmirësojë dinamikën e biznesit.

  • Ndërton besimin dhe besueshmërinë për t'u dalluar nga turma.

  • Ndihmon në kapërcimin e bindjeve dhe sjelljeve vetë-kufizuese.

  • Mbështet profesionistin në arritjen e objektivave dhe të kënaqësisë në karrierë.

  • Ndihmon profesionistin të përqendrohet rregullisht në mënyrën se si mund të bëhet një profesionist më kompetent dhe më efektiv, gjë që mund të jetë e dobishme për shqyrtimet e performancës, vlerësimet dhe njohjen e përgjithshme.

  • Ndihmon në ndërtimin e markës personale dhe zhvillimin e lidershipit.

Përfitimet e ZHVP për bizneset

  • Rrit besueshmërinë dhe për këtë arsye besimin dhe besnikërinë e klientëve.

  • Rrit kompetencat e punonjësve, duke rezultuar në procese më të mençura dhe efikasitet më të madh në vendin e punës. Kështu, duke kursyer kohë dhe në fund të fundit para.

  • Nxit një kulturë të shëndetshme të të mësuarit, duke ndërtuar një fuqi punëtore më të përmbushur dhe që luan rol në mbajtjen e stafit.

  • Krijon lidhje me bashkëpunëtorët dhe klientët e mundshëm, për të rritur shikueshmërinë e biznesit dhe ndërgjegjësimin e markës.

  • Rrit moralin dhe motivimin në vendin e punës, gjë që mund të përmirësojë dinamikën e biznesit tuaj.

  • Lehtëson planifikimin dhe përgatitjen e kandidatëve të rinj, në rast se dikush largohet ose del në pension. Kjo mund të jetë një alternativë me kosto më të ulët sesa rekrutimi nga jashtë biznesit.

  • Tregon gatishmërinë për të investuar tek punonjësit dhe tërheq talentet më të mira.

Ndonjëherë ndodh që mund të hasni ndonjë profesionist, që ngurron të angazhohet në ZHVP dhe nuk është i prirur për ta kërkuar ndryshimin. Por, duke u përqendruar në përfitimet dhe shpërblimet në të ardhmen, do të keni shumë profesionistë entuziastë që duan të përfshihen në nismat e ZHVP dhe do të ndihmojnë në ruajtjen e avantazhit tuaj konkurrues në industritë që përparojnë me shpejtësi.

Gjithashtu, megjithëse mund të duket sikur kjo merr kohë nga prioritetet dhe aktivitetet e tjera operacionale, zhvillimi strategjik dhe i qëllimshëm i punonjësve tuaj i përgatit ata që të tërheqin biznes të ri në afat të gjatë. Kjo, nga ana e saj, do të thotë se aktivitetet e zhvillimit të biznesit shpërndahen më gjerësisht mes ekipit tuaj, duke liruar kohën tuaj për përparësi të tjera.