Blog

Si të maksimizoni shitjet tuaja të fundvitit

Si të maksimizoni shitjet tuaja të fundvitit

Nuk është hera e parë që trajtojmë shfrytëzimin e mundësive që krijojnë festat e fundvitit, për të rritur shitjet e për të arritur e tejkaluar kuotat tuaja, nëpërmjet ofrimit të një shërbimi të shkëlqyer për klientët dhe ofertave sa më të përshtatshme për konsumatorët. Ndoshta ju i keni zbatuar disa udhëzime, që kemi sjellë më 5 nëntor 2021 në blogun tonë (nëse jo, i gjeni në linkun - ProspecTime Consulting | Blog), por këtu mund të gjeni disa ide të reja, nga Brian Tracy, me shumë mundësi edhe më të përshtatshme për shitjet tuaja. Angazhimi i klientëve dhe motivimi i ekipit dhe punonjësve tuaj të shitjes ka vetëm një kufizim – ajo është mendja juaj. SUKSESE në mbylljen e vitit! Lexim të këndshëm!

* * * * *

Me afrimin e fundit të vitit, shumica e profesionistëve të shitjeve si ju, janë të preokupuar për të mbyllur sa më shumë marrëveshje që të jetë e mundur, për të përmbushur objektivat e tyre vjetore të shitjes.

Ndërsa edhe klientët tuaj janë po aq të preokupuar sa ju dhe janë të angazhuar për festat e fundvitit, ju mund të përfitoni nga aktiviteti dhe intensiteti i kësaj periudhe për të marrë më shumë shitje.

Për t'ju dhënë motivimin dhe shtytjen që ju duhet për të arritur kuotat tuaja, po ju sjellim disa aktivitete dhe strategji që besojmë se ja vlejnë dhe mund t'ju ndihmojnë të keni një mbyllje të fortë.

Kushtojini vëmendje klientëve ekzistues

Duke filluar një bisedë me klientët tuaj ekzistues, ju do të merrni njohuri se cilat janë nevojat dhe qëllimet e tyre të biznesit, të cilat natyrisht do të hapin derën dhe mundësitë për shitjet tuaja.

Për të filluar, bëni takime të dedikuara me klientët tuaj. I pyesni ata se cilat janë qëllimet e tyre të fundvitit dhe cili është vizioni i tyre për vitin e ardhshëm. Zbuloni se cilat do të jenë orët e tyre të punës për festat e deri në fundin e vitit, në mënyrë që të ofroni aktivitetet tuaja të nevojshme për t'u shërbyer klientëve të tyre.

Pastaj, shikoni me kujdes listën e klientëve tuaj aktualë dhe evidentoni se kush prej tyre nuk ka treguar interes për aktivitetet tuaja apo edhe ka qëndruar në hije për gjashtë muaj ose më shumë. Telefonojini për t'u informuar se ç’po ndodh me ta dhe për të pyetur se si i kanë përdorur produktet apo shërbimet tuaja në të kaluarën dhe çfarë ndihme mund të duan tani. Zbuloni se çfarë mund të bëni më shumë për ta.

Ndërsa shikoni listën e klientëve tuaj ekzistues, analizoni se cilët kanë bërë blerje më të ulëta nga ju. A kanë nevojë të rimbushin stoqet e vjetra për festat e ardhshme apo vitin e ri?

Shumë klientë mund të përpiqen të përdorin buxhetin e tyre deri më 31 dhjetor. Nëse nuk e bëjnë këtë, ata do të përballen me më pak para në buxhetet e tyre vitin e ardhshëm. Kontakti me klientët tuaj ekzistues në fund të vitit mund të ndihmojë produktet tuaja të shiten me çmimin që dëshironi.

Përditësoni klientët tuaj mbi çdo produkt apo shërbim të ri që duhet të ofroni dhe bëni një diskutim të hapur se si mund t'i shërbeni më mirë. Programoni takime individuale me secilin për t'u treguar atyre produktet tuaja si dhe funksionet dhe përfitimet e tyre.

Bisedat e hapura si këto mund t'ju ndihmojnë të rrisni shitjet në fund të vitit si dhe për vitin që vjen.

Zgjeroni ofertat ekskluzive

I ofroni klientëve tuaj më besnikë oferta ekskluzive për fundin e vitit, për të nxitur më shumë shitje. Ju mund t'ju ofroni fillimisht atyre, një produkt apo shërbim të ri, ose një zbritje ekstra për një porosi të madhe që do të optimizojë inventarin e tyre dhe do t'u japë mundësinë e një fillimi të fuqishëm në vitin e ri.

Ju gjithashtu mund të ofroni promocione me kohë ose edhe sasi të kufizuar, si blej një dhe merr edhe një falas, ose forma të tjera të përshtatshme.

Ofertat ekskluzive mund t'u japin produkteve apo shërbimeve tuaja një vlerë më të lartë të perceptuar dhe t'i joshin klientët të bëjnë një blerje.

Informoni klientët për rritjen e pritshme të çmimeve

Njoftoni klientët tuaj aktualë për çmimet që do të rriten në vitin e ri (nëse ka). Inkurajojini ata të rrisin inventarin e tyre tani në mënyrë që të përfitojnë nga çmimet e tanishme më të ulëta për një kohë të kufizuar.

Përfitoni nga sezoni i festave

Fundi i vitit është plot me pushime, kështu që përfitoni prej tyre për të përmbushur objektivat tuaja të shitjes. Krijoni karta dhuratë ose certifikata dixhitale dhuratë për biznesin tuaj, që klientët tuaj aktualë dhe të rinj mund të blejnë për të tjerët, apo që mund t’i dhurojnë gjatë festave të fundvitit.

Pushimet janë një kohë ideale për të dërguar ide dhuratash në listën tuaj të email-eve ose për të krijuar fletë-palosje për të paraqitur propozimet tuaja.

Kur njerëzit e përfytyrojnë lehtësisht atë që keni për të ofruar dhe kur gjejnë një zgjidhje të gatshme për nevojat e tyre, ata kanë më shumë gjasa të blejnë. Ata mund të kenë nevojë për ide dhuratash për klientët e tyre, bashkëpunëtorët e biznesit, kompanitë partnere ose familjen.

Krijoni shitjet e fundvitit

Ofroni promocione të shpejta ose zbritje në kohë të kufizuar (në fundjavë ose disa ditë para festës). Njoftoni të gjithë klientët tuaj (dhe jo vetëm) duke dërguar përshëndetje dhe urime për festat, e duke ofruar një zbritje ose ofertë falas në këmbim të referimit.

Gjatë ditëve midis Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, shumë kompani vendosin të mbyllen. Nëse jeni nga ato kompani që punoni gjatë këtyre ditëve, ju keni mundësinë të fitoni më shumë klientë duke ofruar produkte apo shërbime që konkurrentët tuaj nuk po e ofrojnë ato ditë.

Përgatitjen për festat e fundvitit e keni filluar që nga korriku, kështu që ju keni mundësinë të siguroheni që aktivitetet të zbatohen sipas planit dhe strategjia juaj e marketingut gjithashtu. Në javët para festave të fundvitit, kontaktoni klientët tuaj për t'u siguruar se inventari i tyre është i duhuri, ndërsa ata bëhen gati për të nisur shitjet e tyre të festave.

Përmirësoni strategjinë tuaj të shitjes

Fundi i vitit është normalisht një kohë e ngarkuar për të gjithë, kështu që mbajeni të thjeshtë strategjinë tuaj të shitjes në tremujorin e katërt, veçanërisht në javët e fundit.

Klientët mund t'i anashkalojnë marrëveshjet e ndërlikuara ose mund të kërkojnë që të prisni deri në fillim të vitit të ardhshëm. Strategjia juaj më e mirë në fund të vitit mund të jetë strategjia juaj më e thjeshtë dhe më e drejtpërdrejtë. Sigurohuni që jeni duke ofruar vlerë dhe duke përmbushur nevojat specifike të klientit tuaj.

Fokusohuni në shërbimin ndaj klientit, për të inkurajuar përsëritjen e shitjeve ose shitjen e produkteve të lidhura me produktet kryesore. Për shembull, nëse një klient blen një produkt të caktuar nga ju, bëjini të ditur për një produkt apo produkt shtesë që mund të plotësojë blerjen e tyre ekzistuese.

Mos harroni pas shitjen

Dërgoni një mesazh falënderimi për kompanitë që kanë bërë blerje nga ju. Ndiqni me një telefonatë për të parë se si po ecin shitjet e produkteve tuaja dhe nëse mund të ofroni shërbime shtesë. Shërbimi i mirë ndaj klientit inkurajon besnikërinë e klientëve dhe mund të rrisë shitjet, si tani edhe gjatë vitit të ardhshëm.

Nëse ende nuk jeni duke përdorur marketingun e mediave sociale, shtojeni atë në strategjinë tuaj të shitjes së fundvitit, për të arritur një audiencë më të madhe dhe për t'u angazhuar me klientët aktualë.

Filloni ose përdorni fushatën tuaj aktuale të email-it për të lajmëruar njerëzit ose kompanitë që ju furnizoni në lidhje me ofertat aktuale, shitjet, zbritjet, promocionet, ose nisjet e produkteve.

Mbështesni ekipin tuaj të shitjes

Punonjësit tuaj të shitjes janë çelësi për të sjellë të ardhura në kompaninë tuaj, kështu që kërkoni të rrisni shitjet në fund të vitit duke rritur moralin. Këtë mund ta bëni nëpërmjet programeve nxitëse, konkurrencës së shëndetshme dhe njohjes së përpjekjeve të punonjësve.

Përcaktoni se çfarë solli çdo person vitin e kaluar dhe ndihmojini të vendosin një objektiv të fundvitit, që tejkalon kuotën e tyre. Së bashku, përcaktoni një shpërblim që do të nxiste punonjësin, duke krijuar një situatë ku të gjithë fitojnë, si kompania ashtu edhe punonjësi i shitjes.

Idetë shpërblyese për përmbushjen e objektivave të fundvitit përfshijnë pushimin shtesë, një bonus monetar të fundvitit, një udhëtim me të gjitha shpenzimet e paguara, ose forma të tjera të përshtatshme motivimi.

Ju gjithashtu mund të krijoni programe të tjera nxitëse për të inkurajuar punonjësit tuaj të shitjes. Për shembull, të shesin sasi të caktuara të inventarit të vjetër, të realizojnë një normë më të lartë konvertimi të takimeve në shitje, të realizojnë shitjet më të larta brenda një periudhe të caktuar kohore (për shembull, java e fundit e vitit), ose të kontaktojnë më shumë klientë etj.

Inkurajoni shitjet më të larta për vitin e ardhshëm duke organizuar një festë përmbyllëse për të gjithë kompaninë dhe duke festuar përpjekjet individuale të secilit prej punonjësve tuaj të shitjes. Bëhuni krijues në njohjen e përpjekjeve të tyre, si punonjësi me taktikat më kreative të mbylljes së shitjes, lojtari më i mirë i ekipit, qëndrimi më pozitiv, më i përmirësuari, e natyrisht, shitjet më të larta.

Regjistroni ofertat e shitjeve të fundit të vitit

Shitjet e fundvitit janë veçanërisht të efektshme për klientët që kanë hezituar të bëjnë një blerje gjatë gjithë vitit dhe mund të presin zbritje më të mëdha ose një marrëveshje më të mirë. Kini kujdes me këta klientë potencialë, pasi shpresat e tyre të ardhshme do të jenë gjithashtu çmime më të ulëta.

Një mënyrë e mirë për të shmangur këtë është të siguroni më shumë vlerë për të njëjtin çmim. Për shembull, ju mund t'u ofroni atyre për një kohë të caktuar, një paketë produktesh apo shërbimesh të nivelit më të lartë, nëse ata blejnë paketën bazë.

Ju gjithashtu mund t'u jepni atyre një produkt falas ose një shërbim mbështetjeje nëse ata blejnë një artikull të caktuar ose një numër produktesh nga tuajat.

Përdorni shitjet e fundvitit për të optimizuar inventarin e klientëve tuaj për vitin e ardhshëm. Krijoni një ndjenjë urgjence duke i bërë të ditur klientëve se mund të ofroni marrëveshje më të mira në fillim të muajit sesa mund të ofroni tani.

Nëse keni nevojë të likuidoni inventarin e vjetër, prisni deri në një ose dy javët e fundit të vitit për të ofruar një promocion të shpejtë. Ofroni zbritje të thella për të hequr qafe produktet tuaja të vjetra dhe për të krijuar hapësirë për ofertat e reja.

Sigurohuni që të mblidhni të dhënat e klientëve dhe informacionet e kontaktit në mënyrë që taktikat tuaja të shitjes së fundvitit të gjenerojnë pista dhe të çojnë në shitjet e ardhshme.

Pastroni kanalet e shitjes

Tremujori i fundit i vitit është një kohë e mirë për të rishikuar listën e klientëve tuaj dhe për të identifikuar ata që do të kontribuojnë në shitje. Një listë e madhe klientësh mund t’ju largojë vëmendjen nga marrëveshjet që mund të bëni.

Menaxhoni mundësitë tuaja duke identifikuar ato kanale dhe ata klientë, nga të cilat nuk keni pasur shumë angazhim gjatë tre muajve të fundit ose më shumë. Kontaktoni dhe bëjuni të ditur se do të dëshironit t'u shërbenit atyre ose biznesit të tyre dhe të pyesnit nëse ata parashikojnë nevojë për produktet apo shërbimin tuaj në të ardhmen.

Edhe kur përgjigjen edhe kur nuk përgjigjen, kjo do të kenë vlerë për ju. Një përgjigje JO do t'ju lejojë ta hiqni këtë klient nga lista juaj dhe kështu do të keni më shumë kohë në dispozicion për ta shpenzuar për kontakte dhe shitje në klientët më të interesuar.

Zakonisht, mund t'i hiqni nga lista ose të bëni një shënim për t'i kontaktuar brenda tre ose katër muajsh, nëse mendoni se mund të arrihet një marrëveshje.

Një përgjigje PO do të hapë bisedën për mënyrën se si mund t'i plotësoni nevojat e tyre dhe në çfarë afati kohor janë të gatshëm të bëjnë blerje ose të takohen me ju.

Mbani në mendje klientët tuaj më të mirë

Ndërsa është tunduese t'i kushtoni të gjithë energjitë tuaja tremujorit të katërt për të realizuar kuotat tuaj vjetore të shitjes, mos neglizhoni aktivitetet tuaja të rregullta të shitjes që vetëm ju mund t’i bëni, për ta pozicionuar veten për një tremujor të parë të mirë në vitin e ri.

Ndërsa përqendroheni të realizoni sa më shumë marrëveshje për të mbyllur vitin tuaj, mos harroni të gjeneroni pista dhe të krijoni takime me klientët apo klientët e mundshëm. Vazhdoni të krijoni listën tuaj të klientëve që do të kontaktoni në vazhdim, si dhe aktivitete të tjera që do të gjenerojnë shitje në të ardhmen.

Kur të vijë tremujori i parë, ju do të jeni të lumtur që nuk u përqendruat vetëm në shitjet e fundvitit, pasi do ta shikoni veten duke realizuar shitje edhe në janar.

I përdorni këto këshilla për të pasur përsëri vitin tuaj më të mirë të shitjes dhe për të përfunduar vitin fort. Dhe mos harroni, sa më mirë të planifikoni përpara fillimin e vitit, aq më e lehtë do të jetë të fitoni shitjet që synoni deri në fund të vitit.