Blog

7 Mësime të shkëlqyera që merrni si menaxher produkti

7 Mësime të shkëlqyera që merrni si menaxher produkti

Në aktivitetin e përditshëm ne varemi tërësisht nga zotërimi dhe përdorimi i një larmie produktesh, nga më të thjeshtat e deri më të ndërlikuarat apo komplekset. Megjithatë, njerëzit rrallë herë mendojnë se si bëhet e mundur që këto produkte të jenë në jetën tonë dhe të ndryshojnë e të përmirësohen vazhdimisht. Projektimi, prodhimi dhe ofrimi i produkteve tek ne kërkon ekipe të specializuara, ku menaxherët e produktit kanë një rol thelbësor. Në rolin kompleks të zhvillimit të produkteve dhe menaxhimin e ciklit jetësor të tyre, menaxherët e produkteve zhvillohen dhe rriten në profesionistë të suksesshëm. Disa prej aftësive apo mësimeve që ata marrin, përshkruhen në shkrimin këtu, me autor Art Petty. Menaxhimi i produkteve mund të jetë një detyrë e vështirë dhe stresuese, por kapërcimi i sfidave dhe entuziazmi i klientëve ja vlejnë. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Menaxherët e mëdhenj të produkteve duhet të funksionojnë pjesërisht si sipërmarrës, pjesërisht si menaxherë të përgjithshëm, pjesërisht si ekspertë procesi dhe pjesërisht si diplomatë, në rolet e tyre shumë sfiduese. Tek ata bashkohen funksionet e ndryshme për të sjellë në jetë e për të zhvilluar produktet e tyre, për të marrë vendimet kryesore mbi funksionet dhe çmimet gjatë gjithë ciklit jetësor të ofertave të tyre. Në fund të fundit, ata janë përgjegjës për rezultatet e produkteve të tyre, edhe pse nuk menaxhojnë drejtpërdrejt zhvillimin, marketingun ose shitjen e tyre. Kjo është një punë e vështirë dhe e rëndësishme.

Këtu janë disa mësime të jashtëzakonshme menaxhimi, që mund t’i zbatoni në këtë rol.

Ju mësoni ti shihni klientët si njerëz unikë

Të gjithë në organizatë flasin për klientët, por shpesh i referohen atyre në mënyrë të përgjithshme. Në realitet, jo të gjithë klientët janë të njëjtë. Menaxherët e produkteve punojnë për të zhvilluar një profil specifik për çdo grup të veçantë klientësh që ata ju shërbejnë ose dëshirojnë t’i tërheqin. Për sa kohë që karakteristikat dalluese të çdo personi janë domethënëse, menaxheri i produktit mund të drejtojë funksione të ndryshme për të zhvilluar oferta unike dhe për të përshtatur format e marketingut.

Ju zhvilloheni si strateg

Një pjesë entuziaste e këtij roli është përfshirja juaj për të ndihmuar në përcaktimin dhe ekzekutimin e strategjisë së kompanisë tuaj. Nga vlerësimi dhe përzgjedhja e tregjeve të përshtatshme për të hyrë, në identifikimin e klientëve potencialisht fitimprurës për t'u shërbyer, menaxherët e produkteve shpesh përfshihen në shumë nga vendimet kryesore të strategjisë së organizatës. Pas përzgjedhjes së tregjeve dhe klientëve, puna e detajuar e identifikimit të ofertave unike dhe orientimi i vendimeve kritike mbi çmimet dhe pozicionimin, janë pjesë e përgjegjësive të menaxherit të produktit.

Ju mësoni të udhëhiqni përmes funksioneve

Ngjashëm me rolin e menaxherit të projektit, menaxheri i produktit ka detyrën sfiduese për të udhëhequr të tjerët dhe për të qenë përgjegjës për rezultatet, pa luksin e autoritetit të drejtpërdrejtë. Çdo rol, ku ju mësoni të drejtoni rezultate përmes të tjerëve pa autoritet formal, është një rol i mrekullueshëm mësimdhënës.

Ju zhvilloni aftësitë diplomatike dhe politike

Kaloni një ditë duke qëndruar pranë një menaxheri produkti dhe ka të ngjarë të dëgjoni telefonata apo të jeni pjesë në takime me klientët, të dëgjoni pyetje nga shitësit në terren, të asistoni në takime me inxhinierët e prodhimit, të takoheni me personelin mbështes të klientit për të dëgjuar rreth çështjeve të cilësisë dhe të merrni pjesë në takime me miqtë tuaj të marketingut. Në çdo takim, ju përballeni me çështje dhe njerëz që kërkojnë vendime ose angazhime. Aftësitë tuaja diplomatike ju lejojnë të angazhoheni në këto takime sfiduese në interesin më të mirë të kompanisë dhe klientëve tuaj.

Ju mësoni të shikoni të gjithë përvojën

Klientët vlerësojnë ofertat tuaja duke u nisur nga e gjithë përvoja e tyre, jo vetëm prej produktit fizik ose shërbimit aktual. Nëse produkti është i shkëlqyer, por klientët ndjejnë vështirësi të kuptojnë dokumentacionin dhe nuk mund të arrijnë lehtësisht mbështetjen për përgjigje, kjo do të reflektohet keq në produktin tuaj dhe në rezultatet e shitjeve, duke bërë që edhe reputacioni i organizatës të vihet në dyshim. Menaxherët e produktit janë përgjegjës për "të gjithë" ofertën, duke përfshirë jo vetëm produktin fizik ose shërbimin aktual por edhe të gjitha pikat e kontaktit të klientit që lidhen me ofertën tuaj.

Ju kultivoni aftësi të shkëlqyera komunikimi

Që nga dita juaj e parë në punë, ju jeni të angazhuar me klientët dhe kolegët në departamente të tjera dhe pas njëfarë kohe në detyrë, do ta shikoni veten të përfshirë në mënyrë aktive dhe gjithnjë e më shpesh në mbledhjet me drejtuesit e lartë të kompanisë. Kjo ndihmon që ju të mësoni shpejt e të përshtateni me audienca të ndryshme, si dhe të kuptoni se aftësia juaj për të komunikuar në mënyrë efektive është një prej aftësive më të rëndësishme.

Ju mësoni të bëni kompromise fitimprurëse

Në rolin tuaj, ju po zgjidhni se ku të investoni paratë e kompanisë tuaj - në zhvillimin e produkteve të reja dhe përmirësimin e produkteve ekzistuese. Çdo vendim ka kostot dhe ndikimet e tij, e për pasojë menaxherëve të produktit u kërkohet vazhdimisht të bëjnë kompromis me përparësi.

  • Inxhinieria (prodhimi) mund të ketë burime të kufizuara për të punuar për ofertën tuaj dhe në vend të pesë kërkesave tuaja kryesore për veçoritë e produktit, ato mund të jenë në gjendje të realizojnë vetëm tre, në hapësirën kohore që keni specifikuar. Varet nga ju si menaxher produkti të zgjidhni cilat veçori do të duhet të sakrifikohen.

  • Nëse dëshironi më shumë kohë për të trajnuar ekipin tuaj të shitjeve për ofertën tuaj më të fundit, do t'ju duhet të negocioni për kohën dhe orarin me drejtuesin e shitjeve.

  • Keni nevojë për të ulur çmimin e produktit tuaj për shkak të aktiviteteve të një konkurrenti? Do ju duhet të shpenzoni kohë për të bindur departamentin tuaj të financave pse ata duhet të presin më pak fitime për çdo produkt që shitet.

Këto vendime të vështira janë çështje të përditshme për menaxherët e produkteve, të cilët bëhen mjeshtër të menaxhimit e të kompromisit.