24 Nismat më të mira të Burimeve Njerëzore, për vitin 2024
Burimet Njerëzore kanë një rol të rëndësishëm e të padiskutueshëm në përparimin e organizatave të të gjitha llojeve, e padyshim edhe për organizatat e biznesit. Ndërsa po mendonim të trajtonim disa prioritete të nevojshme për zhvillimin e kapitalit njerëzor, në ndihmë të klientëve tanë, shkrimi këtu - nga Dave Anderson (e me pak përshtatje nga ProspecTime), nxjerr në pah pothuajse të njëjtat shqetësime, pavarësisht se ka në fokus tregun e huaj. Drejtuesit dhe specialistët e BNj, mund ta shfrytëzojnë këtë informacion për të rishikuar fokusin e departamentit të tyre për vitin 2024, për të përmirësuar ndjeshëm kulturën e organizatës, kulturën e vendit të punës, përfshirjen e personelit menaxhues në çështjet e BNj, ndërtimin e ekipeve efektive dhe motivimin e punonjësve, për të siguruar kështu një vit të ri më të suksesshëm. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Viti i ri po vjen dhe profesionistët e Burimeve Njerëzore (BNj) janë të zënë me përgatitjen e organizatave dhe punonjësve të tyre për një 2024 të jashtëzakonshëm. Disa muaj më parë, ne kryem një sondazh duke shtruar pyetjen: "Cila është nisma juaj kryesore e punonjësve/BNj?"
Kjo pyetje e hapur krijoi një total prej 359 përgjigjesh. Pjesëmarrësit e sondazhit ishin kryesisht nga organizata me deri 300 punonjës dhe përfaqësonin organizata jofitimprurëse, kompani programimi/IT, shërbime profesionale, shërbime financiare dhe kujdesi shëndetësor.
Ne përpunuam rezultatet dhe identifikuam përgjigjet që tregojnë prirjet brenda profesionit të BNj, nga të cilat kemi veçuar 24 nismat më të mira të BNj për vitin 2024.
1. Angazhimi i punonjësve
Rritja e angazhimit të punonjësve është përparësia kryesore e shumicës dërrmuese të profesionistëve të BNj. Ndërsa shumë njerëz kanë përkufizimin e tyre të angazhimit, ne besojmë se është kombinimi i lumturisë së punonjësve me produktivitetit, i nxitur nga motivimi i brendshëm.
Duhet të theksojmë se në mënyrë specifike, shumë të anketuar përmendën matjen e angazhimit të punonjësve nëpërmjet sondazheve, si nismën e tyre kryesore. Gjetja e motivimit të brendshëm të fuqisë punëtore është sfiduese, por mund të arrihet duke organizuar sondazhe që përmbajnë pyetjet e duhura.
2. Shqyrtimet dhe menaxhimi i performancës
Një numër i madh pjesëmarrësish në sondazh shprehën dëshirën për të përmirësuar shqyrtimet e performancës së punonjësve dhe praktikat e tyre të përditshme të menaxhimit të performancës. Kjo nuk është ndonjë surprizë, duke pasur parasysh se përfundimi i saktë i vlerësimeve të punonjësve është një përpjekje e vazhdueshme për shumë organizata.
Ka pasur disa përgjigje specifike lidhur me shqyrtimet e performancës së punonjësve, duke përfshirë:
- Përfundimi i shqyrtimeve të performancës brenda afateve
- Përmirësimi i procesit të shqyrtimit të performancës
- Fillimi i procesit të shqyrtimit të performancës
- Automatizimi i vlerësimeve të performancës
- Zhvillimi i kompetencave për shqyrtimet e performancës
- Përmirësimi i performancës së përgjithshme të punonjësve
- Organizimi i shqyrtimeve të performancës nga departamentet
- Plotësimi i të gjitha vlerësimeve të performancës
- Integroni vlerat thelbësore në shqyrtimet e performancës
- Thjeshtimi i shqyrtimeve të performancës
- Gjurmimi i punonjësve të mirë dhe të dobët.
Pikat kryesore këtu janë kryerja dhe plotësimi në mënyrë efikase dhe efektive i shqyrtimeve të performancës, si një objektiv kyç për vitin 2024.
3. Trajnimi dhe zhvillimi i punonjësve
Shumë profesionistë të BNj shpresojnë të përmirësojnë trajnimin e punonjësve në organizatën e tyre, si dhe shtimin e përpjekjeve për zhvillim profesional gjatë vitit të ardhshëm, duke përdorur programet e trajnimit të punonjësve. Programet e suksesshme të trajnimit përmirësojnë performancën, duke nxitur gjithashtu angazhimin e punonjësve. Kështu, punonjësit jo vetëm përmirësohen në punën e tyre, por edhe vlerësojnë mundësitë e krijuara për zhvillimin e aftësive, gjë që mund të sjellë mundësi të reja karriere.
Më konkretisht, pesë pjesëmarrës përmendën krijimin e shtigjeve të qarta të zhvillimit të karrierës për punonjësit dhe dy shprehen se shpresojnë të trajnojnë dhe promovojnë menaxherë të rinj nga brenda.
4. Qëllimet dhe objektivat e punonjësve
Përcaktimi i qëllimeve dhe objektivave personalë të punonjësve është një tjetër përparësi kryesore për profesionistët e BNj për vitin 2024. Tre të anketuar qartësuan se shpresojnë të harmonizojnë objektivat e kompanisë dhe punonjësve për të siguruar që çdo anëtar i ekipit të kontribuojë pozitivisht në rezultatin përfundimtar të organizatës.
Objektivat janë themeli i një procesi të suksesshëm të menaxhimit të performancës. Punonjësit janë produktivë kur e dinë se cilat detyra dhe projekte do ta ndihmojnë ekipin e tyre të ketë sukses. Dhe shqyrtimet e performancës janë të sakta kur punonjësit vlerësohen mbi objektiva të qarta dhe të matshme, e jo mbi kompetenca të përgjithshme, e që nuk kanë lidhje me rolin.
5. Mbajtja dhe qarkullimi i punonjësve
Shumë të anketuar thanë se mbajtja e punonjësve dhe ulja e qarkullimit është nisma e tyre kryesore ku janë të fokusuar. Edhe pse tregu i punës aktualisht favorizon kompanitë e punësimit, rekrutimi dhe trajnimi i punonjësve të rinj është një sipërmarrje e kushtueshme dhe që kërkon kohë.
Mbajtja e punonjësve siguron efikasitetin operacional të përditshëm. Sipas studimeve, koha mesatare për të punësuar dikë është 42 ditë, që do të thotë se puna pengohet për gati një muaj e gjysmë, nëse postet kyçe mbeten bosh. Problemet mund të shmangen dhe përparimi do të vazhdojë thjesht duke mbajtur anëtarë të talentuar dhe të ditur të ekipit.
6. COVID-19
Pandemia është ende në mendjen e të gjithëve, duke përfshirë edhe profesionistët e BNj, si përgjegjës për shëndetin dhe sigurinë e punonjësve të tyre. Ishte sigurisht shqetësimi kryesor e më i përhapur i fuqisë punëtore të vitit 2020 dhe punëdhënësit do të vazhdojnë të merren me realitetin e ri.
Nga të anketuarit që thanë se COVID-19 është nisma e tyre kryesore për vitin 2024, disa dhanë kontekstin e mëposhtëm:
- Kthimi në vendin e punës
- Ruajtja e produktivitetit
- Sigurimi i shëndetit mendor të punonjësve
- Shmangia e pushimeve nga puna.
Përveç kësaj, disa pjesëmarrës në sondazh thanë se kalimi në një organizatë me punë në distancë është përparësia e tyre kryesore. Do ta trajtojmë këtë temë edhe më poshtë.
7. Diversiteti dhe përfshirja
Ndërtimi i një fuqie punëtore të larmishme dhe gjithëpërfshirëse është një tjetër fokus kryesor i BNj, për vitin 2024. Jo shumë kohë më parë, përbërja e stafit zor se ishte një shqetësim për shumicën e organizatave, por tani është një përparësi kryesore për të gjithë profesionistët e BNj.
Shumë organizata ia atribuojnë suksesin e tyre shumëllojshmërisë së njerëzve që punësojnë. Një kulturë përfshirëse përmirëson performancën, angazhimin dhe mbajtjen e punonjësve. Dhe idetë e mëdha vijnë nga një mjedis pune bashkëpunues, i përbërë nga njerëz që kanë përvoja dhe këndvështrime të ndryshme jetësore.
8. Futja e programeve për BNj
Ndërsa teknologjia vazhdon të përparojë, shumë profesionistë të BNj duan të përfitojnë më shumë nga sistemet e tyre të menaxhimit të punonjësve. Disa të anketuar shpresojnë të rrisin si pjesëmarrjen e menaxherëve, ashtu edhe të punonjësve në menaxhimin e performancës. Të tjerë shprehën dëshirën për të integruar programe të ndryshëm ose për të zbatuar një sistem informacioni të BNj.
Pasi të jetë krijuar teknologjia e duhur për BNj, shumë nga nismat e tjera të vitit 2024 janë të lehta për t'u realizuar. Angazhimi, qëllimet dhe performanca e punonjësve janë lehtësisht të matshme me zgjidhje të tilla. Po kështu, edhe për programet e trajnimit të punonjësve apo edhe për procesin e punësimit.
9. Rritja dhe punësimi
Shumë të anketuar janë të fokusuar në rritjen e organizatave të tyre dhe zgjerimin e stafit të tyre në vitin 2024. Rritja organizative mund të jetë nisma më sfiduese në këtë listë, në varësi të asaj se sa ambicioze janë objektivat.
Punësimi për pozicione të shumta kërkon një qasje të zgjuar. Organizata duhet të prioritizojë postet e rëndësishme që i duhen për të plotësuar, të krijojë një grup profesionistësh të kualifikuar dhe të vlerësojë në mënyrë efektive kandidatët kryesorë. Vendimet e duhura të punësimit duhet të merren për çdo pozicion në mënyrë që organizata të marrë njerëzit më të mirë në vend për të arritur qëllimet e saj.
10. Puna në distancë
Për shkak të COVID-19, puna në distancë u bë papritur një nga tendencat më të mëdha të fuqisë punëtore të vitit 2020. Ajo jo vetëm që do të vazhdojë në të ardhmen, por shumë organizata tashmë kanë vendosur të lejojnë punonjësit e tyre të punojnë nga shtëpia për një kohë të pacaktuar.
Pjesëmarrësit e shumtë të sondazhit specifikuan se do t'u duhet të zhvillojnë udhëzimet e punës në distancë dhe të zbatojnë programe të reja kompjuterike, që do të lejojnë bashkëpunimin virtual. Të tjerë përmendën se kanë në plan të mbështesin shëndetin mendor të punonjësve të tyre që punojnë nga shtëpia dhe të vendosin masa për t'i ndihmuar ata të jenë produktivë.
Iniciativa të tjera të BNj për vitin 2024
Më lart përmendëm 10 nismat kryesore të BNj për vitin 2024. Ja edhe disa nisma të tjera të zakonshme, bazuar në rezultatet e sondazhit tonë.
11. Planifikimi i kompensimit
- Disa profesionistë të BNj synojnë të sigurojnë një pagë të drejtë dhe të barabartë për punonjësit e tyre.
12. Politikat e punonjësve
-
Disa të anketuar duhet të zhvillojnë politika specifike për fuqinë punëtore të tyre në vitin 2024.
13. Planifikimi i vazhdimësisë
-
Disa drejtues të BNj kanë në plan të identifikojnë punonjësit që mund të hyjnë në role drejtuese.
14. Shëndeti dhe mirëqenia e punonjësve
-
Disa të anketuar aspirojnë të nxisin shëndetin dhe mirëqenien mendore në organizatat e tyre.
15. Dokumentimi i performancës së punonjësve
-
Si diçka më shumë rreth shqyrtimit dhe menaxhimit të performancës, disa të anketuar shpresojnë të përmirësojnë dokumentimin e vazhdueshëm të performancës së punonjësve.
16. Punësime të reja në bord
-
Disa pjesëmarrës të sondazhit duhet të përmirësojnë mënyrën se si i mirëpresin dhe i trajnojnë hyrjet e reja në ekip.
17. Dhënia e reagimeve ndaj punonjësve
-
Një grup profesionistësh të BNj shpresojnë të japin reagime më të mira për punonjësit.
18. Shqyrtime 360 gradë
-
Disa pjesëmarrës kanë në plan të përdorin mbledhjen e informacionit dhe dhënien e reagimeve nga disa nivele, për shqyrtimet e performancës.
19. Struktura organizative
-
Një grup profesionistësh të BNj duhet të rishikojnë skemat organizative ose të përcaktojnë strukturën e fuqisë punëtore.
20. Përmirësimi i komunikimit
-
Disa të anketuar deklaruan se komunikimi duhet të përmirësohet mes punonjësve.
21. Përcaktimi i përshkrimeve të punës
-
Disa drejtues të BNj kanë në plan të specifikojnë detyrat dhe përgjegjësitë e çdo anëtari të ekipit.
22. Kosto më të ulëta organizative
-
Disa pjesëmarrës planifikojnë të ulin shpenzimet në organizatën e tyre.
23. Zhvillimi i kulturës së kompanisë
-
Disa profesionistë të BNj planifikojnë të krijojnë dhe përmirësojnë kulturën e shëndetshme të kompanisë.
24. Shqyrtime të performancës 90-ditore
-
Së fundi, disa të anketuar do të zbatojnë shqyrtimet e performancës pasi të punësuarit e rinj të plotësojnë tre muajt e parë në punë.
Tendencat e burimeve njerëzore në vitin 2024
Ka një shumëllojshmëri iniciativash ku profesionistët e BNj do të përqëndrohen gjatë vitit 2024. Prirja e përgjithshme duket se do të jetë që organizatat të përpiqen të përmirësojnë përvojën e punonjësve, si një mënyrë efikase për të siguruar produktivitet më të lartë krahasuar me vitit 2023.