E urreni punën tuaj? Ja çfarë mund të bëni.
Ka gjithmonë njerëz që janë të pakënaqur apo që e urrejnë punën që bëjnë. Madje kjo përbën shumicën. Ne jemi dëshmitarë të shprehjes – “Mirë, hajt mo, shtyje” si përgjigje e pyetjes “Po puna, mirë?”. Disa nuk pëlqejnë pagën, disa orarin, disa të tjerë shefin, disa ankohen për kolegët e disa për detyrat që i ngarkohen. Ndërkohë që nuk jeni të kënaqur me punën që po bëni, ndërkohë që jeni në kërkim të diçkaje tjetër ka mënyra se si ta rivlerësoni punën tuaj dhe të përgatiteni për punën e ëndrrave tuaja. Ju mund të merrni disa ide në shkrimin këtu, me autore Lindsey Pollak – eksperte karriere. Nuk keni mundësi të zgjidhni apo të ndryshoni shefin, kolegët dhe detyrat tuaja, por mund të ndryshoni mënyrën se si i shikoni ato. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Këtu është e vërteta e shëmtuar: Nuk ekziston puna e përsosur.
Ndoshta e keni filluar punën tuaj aktuale sepse keni nevojë për para, edhe pse në të vërtetë nuk është ajo që dëshironi të bëni në jetën tuaj.
Ndoshta ju jeni në një rol që filloi shumë mirë, por që prej atëherë kanë ndryshuar shumë gjëra.
Ndoshta kultura e organizatës suaj ka ndryshuar dhe ju e ndjeni se nuk është ajo e duhura.
Çfarëdo që ju bën të ndiheni "ufff" për situatën tuaj, kam menduar t’ju ofroj disa këshilla, ndoshta kundër intuitës, të frymëzuara nga një burim i mençurisë së karrierës, muzika rock e viteve 1970:
Nëse nuk mund të kesh punën që do, duaje punën në të cilën je.
Pavarësisht se si dhe pse jeni në punën që po bëni, ose edhe sa kohë planifikoni të qëndroni, ju mund ta ktheni çdo pozicion në një ndalesë të vlefshme në rrugëtimin tuaj të karrierës dhe ta përdorni atë si një hap për mundësinë tuaj të radhës (përveç rastit kur puna juaj është thjesht toksike, e në këtë rast, duhet të bëni çdo gjë për t'u larguar).
Çelësi për ta kthyer çdo punë në një punë të shkëlqyer është të zhvendosni fokusin tuaj nga aspektet e rolit që nuk ju pëlqejnë tek mundësitë që mund të ofrojë puna juaj.
Këtu janë tre mënyra për t'ju ndihmuar të përfitoni sa më shumë nga një punë që nuk ju pëlqen.
Ndërtimi i aftësive: Punoni me grupin e aftësive që mund t'ju pozicionojë më mirë në mundësitë tuaja të ardhshme.
Merrni parasysh mënyrat se si mund ta ktheni punën tuaj aktuale në një “program” rritjeje që do të ndihmojë në përmirësimin e mundësive tuaja të karrierës në të ardhmen.
Për shembull, nëse e dini se mënyra juaj e të shkruarit mund të përmirësohet, kushtojini vëmendje çdo email-i të shkruar mirë dhe filloni të praktikoni stilet që ju bëjnë më shumë përshtypje. Nëse dëshironi të promovoheni në një rol drejtuesi në punën tuaj të ardhshme, mbani shënime veprimet dhe karakteristikat që ju pëlqejnë dhe nuk ju pëlqejnë tek shefi tuaj aktual dhe ngrini dorën për çdo mundësi për të shprehur aftësitë udhëheqëse. Dhe, sigurisht, përfitoni plotësisht nga çdo program trajnimi që ofron organizata juaj aktuale.
Një e sapo diplomuar që intervistova, luftoi për të gjetur një punë pasi u diplomua për marketing, në muajt e parë të pandemisë. Dhe përfundoi duke filluar të vetmen punë që mund të gjente në atë kohë: Arkëtare në një dyqan ushqimor në qytetin e saj të lindjes.
Ndërsa kjo ishte larg ëndrrave të saj të karrierës, ajo kishte nevojë për të ardhura dhe me vetëdije vendosi të mbante një qëndrim pozitiv për këtë. Ajo mendoi se kjo do të ishte një mundësi e mirë për t'u bërë më e sigurt në aftësitë e saj komunikuese, duke biseduar me të gjithë klientët e saj.
Plani i saj funksionoi: ajo përmirësoi komunikimin në bisedat e shkurtra - një aftësi e vlerësuar kjo për ndërtimin e njohjeve profesionale - dhe kjo e bëri punën në dyqanin ushqimor shumë më të këndshme, derisa arriti të siguronte një pozicion me kohë të plotë në marketing.
Ndërtimi i marrëdhënieve: Takoni mentorë, thelloni marrëdhëniet profesionale ose ndërveproni me personalitete të ndryshme.
Çdo punë ofron mundësi për të krijuar lidhjet tuaja profesionale dhe për të zgjeruar rrjetin tuaj. Edhe nëse në të ardhmen do të ndryshoni industri, ju nuk e dini kurrë se si mund të lidhen kontaktet tuaja aktuale me njerëz në fusha të tjera.
Merrni pjesë në çdo program trajnimi ose rrjetëzimi të ofruar nga organizata juaj. Tregoni gatishmëri për të marrë pjesë në ngjarje apo aktivitete në internet, si dhe personalisht në ngjarje të organizuara si brenda edhe jashtë kompanisë.
Një nga rregullat e mia të përgjithshme, kur përpiqem të rris biznesin tim ose të ngre profilin tim, është që të them "Po" sa herë që jam i ftuar në një ngjarje profesionale. Kjo është një mënyrë e shkëlqyer për të dalë përtej grupit aktual të miqve dhe kolegëve të punës. Duke thënë po, ju mund të merrni pjesë edhe në aktivitetin e mirëseardhjes për praktikantët, që ndoshta janë shumë më të vegjël se ju. Dhe, mund të duket sikur nuk janë kontakte të rëndësishme tani, por edhe të rinjtë rriten! Nëse dëshironi të takoni njerëz të rinj dhe të arrini gjëra të reja, duhet ta vendosni veten në situata të reja.
Por, çfarë të bëni nëse arsyeja e saktë që nuk ju pëlqen puna, janë njerëzit? Ndoshta ju keni një shef vërtet të ashpër ose një ekip jo bashkëpunues. E di që është e vështirë të besohet, por të mësoni të punoni me njerëz të vështirë, veçanërisht në fillim të karrierës, është vërtet një dhuratë. Sa më shpejt të mësoni se si të trajtoni fërkimet, aq më mirë. (E di këtë nga përvoja.)
Nëse e zhvendosni qëndrimin tuaj ndaj të mësuarit dhe rritjes në vend të acarimit, mund t'i konsideroni sfidat me njerëzit si një përvojë mësimi. Është absolutisht e pamundur të kaloni një karrierë të tërë pa hasur në njerëz problematikë. Është një vlerë e jashtëzakonshme për karrierën tuaj, që të njiheni si një person që mund të trajtoni personalitete të ndryshme, përveçse nëse ata janë vërtet toksikë dhe ju bëjnë të ndiheni keq. (A mund të thoni se kam politikën e tolerancës zero për këtë?)
Rritja personale: Lëreni punën t'ju ndihmojë të ndërtoni vetë-njohjen tuaj dhe të rriteni personalisht.
Ndonjëherë ne mësojmë më shumë për veten nga situatat problematike sesa nga ato, në dukje ideale. Të punuarit në një ambient të vështirë mund të jetë një mënyrë e shkëlqyer për të rritur aftësitë tuaja në përshtatje, elasticitet, shkathtësi dhe më shumë.
Ndoshta po kërkoni mundësi për të eksperimentuar me punën që nuk e keni provuar më parë dhe doni të shihni se si mund të ndikojë në vetëbesimin tuaj. Ndoshta doni të vini në provë ndërgjegjen, gjë që do t'ju vlejë shumë kohë pasi kjo punë t'i përkasë të shkuarës. Ose, ndoshta keni qenë kaq të fokusuar në karrierë në punët e mëparshme, saqë keni lënë pas dore një dëshirë që mund t’i riktheheni.
Por, më e rëndësishmja është që të ndërmerrni hapa konkretë për të kontrolluar lumturinë dhe të ardhmen tuaj. Zgjedhja, për të kthyer çdo punë në një punë të shkëlqyer, është plotësisht në dorën tuaj.