Si të njohim dhe parandalojmë mjediset toksike të punës
Ju e dini tashmë se një nga drejtimet e punës së ProspecTime Consulting janë konsulencat organizative pranë bizneseve. Jo rrallë herë, gjatë zhvillimit të tyre ne vërejmë detyra të paqarta për punonjësit, linja të paqarta drejtimi dhe mungesë të sistemeve të raportimit, dualizim dhe dublim të roleve, mungesë ose dobësi komunikimi, ndjesi të mbingarkesës në punë dhe trajtimi të pabarabartë, politika dhe rregulla të paqarta, mungesë motivimi dhe angazhimi etj. Natyrisht, jo të gjitha bashkë në një organizatë dhe jo të gjitha me të njëjtin intensitet. Të gjitha këto, e plot të tjera të papërmendura këtu, përmblidhen në termin ambient pune toksik ose i papërshtatshëm, gjë që ndikon në shëndetin e organizatës. Fakti është, që në të gjitha këto ju mund të shikoni gjurmët e gishtave të menaxherëve. Dhe menaxherët e suksesshëm i dallojnë dhe i mënjanojnë ambientet toksike. Nga Gloria St. Martin-Lowry, autore e shkrimit, ju mund të nxiteni të bëni më shumë për ekipin tuaj. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Kultura e kompanisë ka shumë rëndësi. Në fakt, është një nga faktorët më domethënës që të rinjtë e marrin në konsideratë, kur vendosin të qëndrojnë ose të aplikojnë për një vend pune.
Fatkeqësisht, është edhe një nga gjërat që menaxherët mund ta neglizhojnë, derisa kjo të fillojë të shkaktojë probleme. Nëse qasja e tyre është që ta shikojnë problemin kur fillon "dhimbja", ka të ngjarë që çështjet të adresohen kur ato lindin, ndërsa shkaqet e tyre injorohen. Nëse silleni kështu, kjo mund të krijojë një cikël krizash të përsëritura që trembin aplikantët dhe lodhin punonjësit ekzistues, duke dëmtuar përfundimisht mbajtjen e punonjësve dhe produktivitetin.
Këto kushte favorizojnë zhvillimin e një mjedisi toksik pune, i cili mund të dëmtojë seriozisht suksesin e kompanisë suaj. Shumë punonjës nuk do t'i tolerojnë këto mjedise për një kohë të gjatë. Të dhënat nga studimet e fundit, tregojnë se "një kulturë toksike krahasuar me kompensimin e papërshtatshëm, ka 10.4 herë më shumë gjasa, që të kontribuojë në ndërprerjen e marrëdhënieve të punës".
Pse janë të këqija mjediset toksike të punës
Nuk është çudi që toksiciteti shpesh çon në performancë më të keqe financiare, angazhim më të ulët dhe humbje të punonjësve. Për më tepër, kreativiteti dhe inovacioni mund të vuajnë sepse punonjësit ndihen të detyruar "të luajnë në zonën e sigurt", që do të thotë se ata preferojnë të qëndrojnë të pa angazhuar.
Dhe për më keq, një mjedis pune toksik mund të dëmtojë shëndetin tuaj mendor dhe fizik, duke rritur potencialisht gjasat për depresion, ankth, presion të lartë të gjakut dhe një sërë sëmundjesh të tjera.
Një mjedis pune toksik është i dëmshëm edhe për çdo aspekt të operacioneve të kompanisë suaj. Kur qëllimisht, kultivoni një kulturë pozitive në vendin e punës, ju e pengoni atë të formohet. Megjithatë, problemi është nëse ne po përpiqemi ta njohim kulturën në vendin tonë të punës dhe gjithashtu të kuptojmë se si ndikon ajo tek të tjerët.
Shenjat e një mjedisi toksik pune
Për shkak se një kulturë toksike shfaqet në format nga më të ndryshmet, prania e saj nuk është gjithmonë e dukshme. Veprimet e dëmshme bëhen zakone dhe rolet trashëgojnë rutinën. Kur sjellja e papërshtatshme dhe skandaloze tërheq vëmendjen e të gjithëve dhe cilësohen si e metë në kulturën e kompanisë, përpjekjet që pasojnë për ta korrigjuar atë mund të jenë të pamjaftueshme e nganjëherë edhe shumë vonë, sidomos nëse elementët njerëzorë të kulturës së keqe vazhdojnë të injorohen.
Pra, si mund ta dalloni një kulturë të dobët në vendin e punës? Ndërgjegjësimi është çelësi. Kur keni marrëdhënie të rregullta me ekipin tuaj, ju keni më shumë gjasa të identifikoni ndryshimet kulturore. A janë të gjithë të angazhuar? Apo janë të angazhuar vetëm disa punonjës? A po flasin për projektet dhe a po japin dhe rrahin ide, apo po qëndrojnë jashtë diskutimeve dhe po bëjnë minimumin?
Kulturat e shëndetshme të vendit të punës janë të gjalla, bashkëpunuese dhe të guximshme. Në të kundërt, mjediset toksike të punës janë mbytëse, të fragmentizuara dhe të mefshta. Në këto kultura pune, punonjësit priren të jenë më pak të angazhuar dhe të kenë ndikime më të vogla.
Si mund ta parandalojnë menaxherët këtë fenomen, në mjediset e punës
Për shumicën e njerëzve është e lehtë të dallojnë manifestimet e dukshme të toksicitetit. Por si mund të identifikoni elementët më pak të dukshëm - por ende jashtëzakonisht të dëmshëm - të mjediseve toksike të punës?
Ndërkohë që të gjithë në organizatë kontribuojnë në kulturën e vendit të punës, menaxherët luajnë një rol të rëndësishëm në mbajtjen pozitive të saj. Për shkak se vendimet tuaja mund të kenë efekte të thella në operacionet e përditshme dhe angazhimin e ekipit tuaj, ju mund të përmirësoni në mënyrën më efektive, kulturën në vendin tuaj të punës, me veprime të qëllimshme.
Këtu janë disa hapa, që ju mund t‘i ndërmerrni, për ta bërë kulturën e kompanisë suaj më pozitive:
1. Njihuni më mirë me ekipin tuaj.
Kur keni interesim të vërtetë për njerëzit, ju mund të fitoni aftësi dhe njohuri të dobishme për ndërtimin dhe forcimin e marrëdhënieve. Por për ta bërë këtë, punonjësit tuaj duhet të jenë të gatshëm të flasin për shqetësimet dhe veten e tyre, dhe ju duhet të jeni të gatshëm për të dëgjuar. Njohja e ekipit tuaj në nivel personal, mund t'ju japë gjithashtu njohuri për atë që i motivon ata. Për njerëzit sot, qëllimi është gjithnjë e më i rëndësishëm, pasi ndihmon në arritjen e ndjenjës së përkatësisë dhe kuptimit në punë.
Për të ndihmuar në përcaktimin e normave kulturore, bëni pyetje të tilla si:
- Çfarë ju jep energji në punë? Çfarë ju sjell gëzim në punë?
- Çfarë ju jep energji jashtë punës? Çfarë ju sjell gëzim jashtë punës?
- Si mund ta inkorporojmë më shumë këtë në punë?
2. Kërkoni vazhdimisht ide, për të parandaluar një mjedis toksik pune.
Jini të zellshëm dhe aktiv në kërkimin e të dhënave nga ekipi juaj. Ato ofrojnë një pasuri njohurish, idesh, kreativiteti dhe inovacioni, ndaj përfitoni prej saj. Kur u jepni punonjësve mundësinë për të kritikuar kulturën e tyre në vendin e punës, ata mund të ndihen më të lidhur me të, sepse janë përgjegjës për formimin e saj. Por mbani parasysh - nëse do të përdorni pyetsorë, që mund të kenë edhe të meta, sigurohuni që punonjësit tuaj t'ju besojnë mjaftueshëm për t‘u përgjigjur sinqerisht dhe të shmangni humbjen e atij besimi, duke u siguruar që të diskutoni dhe/ose të ndërmerrni masa në lidhje me ankesat.
3. Prisni më shumë.
Ju mund ta bëni më të shëndetshëm mjedisin tuaj të punës, duke iu drejtuar menaxhmentit që të rrisin pritshmëritë për të gjithë drejtuesit, duke përfshirë edhe veten tuaj. Menaxherët duhet të jenë përgjegjës për më shumë, sesa thjesht, mbikëqyrjen e punës dhe produktivitetit. Në vend të kësaj, ata mund të sjellin përfitime në vendin e punës, duke u angazhuar në aktivitete të rëndësishme të lidhura me kulturën e punës si, frymëzimi, mentorimi dhe zhvillimi i një ekipi koheziv dhe bashkëpunues.
Në vend që të besojmë se i kemi shëruar mjediset e punës nga të gjitha tiparet toksike dhe sjelljet e dëmshme, duhet të pranojmë se kultura do të jetë një problem i vazhdueshëm. Duhet të mbajmë gjithmonë parasysh, se kultura e vendit të punës nuk kufizohet nga vetë vendi i punës: ajo i përgjigjet ndikimeve të jashtme dhe evoluon me kohën.
Bota e biznesit ka ndryshuar me shpejtësi dhe nuk po shfaq asnjë shenjë se do ndalojë së ndryshuari. Tani për tani, kultura është më e rëndësishme se kurrë. Është koha për t'i kushtuar vëmendjen që meriton.