Blog

Efektet negative të një qëndrimi të keq në vendin e punës

Efektet negative të një qëndrimi të keq në vendin e punës

Kultura e një organizate përcaktohet nga qëndrimet e anëtarëve të saj. Dhe të siguroni gjithmonë qëndrim pozitiv është një mision i pamundur, pasi pothuajse të gjithë kanë momente të këqija në jetë, e që është e vështirë të injorohen. Kultura e shëndetshme e organizatës nuk nënkupton mos shfaqjen e qëndrimit negativ, por kuptimin e rëndësisë së trajtimit dhe mënyrën e trajtimit të tij, kur ai fillon të shfaqet. Këtë temë trajton edhe shkrimi këtu, me autor Stan Mack. Ai sjell ndërmend situata, të cilat mund t’i keni hasur në punën tuaj dhe që shpesh anashkalohen dhe bëhen bashkëudhëtare të bezdisshme e deri të dëmshme për biznesin tuaj. Tregoni vëmendjen e duhur dhe do të keni një ekip të suksesshëm që ka dëshirë të punojë me ju e të arrijë rezultate të larta. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Qëndrimet e këqija në vendin e punës – qofshin ato tuajat, të punonjësve, të kolegëve apo të shefit juaj – mund të përfshijnë dembelizmin, vonesën, vrazhdësinë në komunikim dhe sjellje, thashetheme dhe/ose çdo qëndrim apo gjë tjetër që ul moralin e përgjithshëm. Qëndrimi negativ i dikujt mund të jetë pasojë e problemeve personale. Një punonjës mund të ketë probleme në familje, vështirësi financiare ose edhe një situatë mjekësore që ndikon në sjelljen në punë.

Ndonjëherë, mjaftojnë vetëm lajmet e ditës për t'ju përkeqësuar qëndrimin. Qëndrimet e këqija mund të rezultojnë gjithashtu nga ngjarje në punë, si largimi i dikujt, ulja e pagave ose probleme të tjera të vogla të biznesit. Cilido qoftë shkaku, qëndrimet e këqija në vendin e punës, tuaja ose të dikujt tjetër, mund të kenë pasoja serioze negative, si:

Rënie e produktivitetit dhe performancës

Qëndrimet e këqija përhapen, prandaj duhet t’i trajtoni shpejt këto çështje. Qëndrimi i keq i një personi të vetëm mund të ketë një efekt të madh në shumë njerëz, e për pasojë edhe në funksionimin e biznesit tuaj. Për shembull, nëse një punonjës fillon të ankohet, pakënaqësia e tij mund të zerë vend edhe tek punonjësit e tjerë. Gjithashtu qëndrimet e këqija mund të ndikojnë edhe në nivelet më poshtë.

Një menaxher nervoz mund të prishë atmosferën e punës për këdo që ai mbikqyr. Përhapja e qëndrimit negativ mund të kenë një efekt të dëmshëm në performancën e punonjësve, pasi kjo mund t’i bëjë ata apatikë dhe të dëshpëruar. Për pasojë mund të ndodhin gabime më shpesh dhe prodhimi ka të ngjarë të ngadalësohet.

Qëndrimet e këqija bëjnë klientë të pakënaqur

Nëse klientët tuaj hasin qëndrime të këqija prej punonjësve tuaj, ata nuk do të duan të kthehen. Klientët nuk duan të kenë të bëjnë me punonjës të ashpër ose të pasjellshëm, si dhe apatia e punonjësve çon në mosrealizimin në afat të projekteve dhe përmbushje jo të plotë të porosive. Monitorimi i performancës së punonjësve që merren drejtpërdrejt me klientët mund të mënjanojë disa prej këtyre problemeve, por një qasje më efektive është trajtimi i shkaqeve themelore të pakënaqësisë, për të ngritur moralin e të gjithë punonjësve në vendin e punës.

Identifikimi i situatave problematike

Ndonjëherë, një person është shkaku i qartë i problemit të një organizate. Por, mund të ketë situata jo shumë të qarta dhe duhet të identifikoni shkaqet kryesore për pakënaqësinë e përgjithshme. Për shembull, nëse kërkoni që projektet të realizohen në afate të paarsyeshme, kjo do të thotë se punonjësit duhet të punojnë jashtë orarit për të përmbushur pritshmëritë tuaja, dhe kjo mund të shkaktojë rritje të pakënaqësisë.

Megjithëse është normale që të prisni më të mirën nga punonjësit tuaj, të kërkoni që ata të punojnë shumë fort dhe të japin përtej mundësive të tyre, do të vendosë në provë besnikërinë e tyre dhe mund të ndikojë keq për moralin dhe mbajtjen e punonjësve. Shkaqe të tjera të mundshme të qëndrimit të keq përfshijnë perceptimin e punonjësve në lidhje me shëndetin financiar të biznesit tuaj, mbështetjen e pamjaftueshme nga menaxhmenti ose ndjenjën se puna shumë e mirë apo e vështirë nuk vlerësohet.

Shikoni për zgjidhje

Kërkoni reagime të rregullta nga punonjësit, në mënyrë që të informoheni dhe t’i paraprini situatave. Veproni shpejt dhe me vendosmëri për të kapërcyer qëndrimet negative që në fillim. Për shembull, nëse një punonjës shpreh vazhdimisht ankesa të pabaza, ftojeni atë person mënjanë për një diskutim kokë më kokë. Mundohuni të kuptoni arsyen e ankesës dhe gjeni një zgjidhje të ndershme, si dhe paralajmërojeni punonjësin se nuk do të toleroni qëndrime dhe ndikime negative në punën tuaj.

Ballafaqimi i vazhdueshëm me problemet është më i vështirë, por ia vlen në planin afatgjatë, nëse përmirëson moralin e punonjësve. Është e provuar se morali i lartë çon në performancë më të mirë dhe klientë më të lumtur. Në rast se doni të përcaktoni një afat të ngushtë për një projekt, ju mund ta siguroni fillimisht këtë, duke diskutuar e duke marrë mendimin e punonjësve lidhur me ngarkesën e punës.