21 Mënyra për të krijuar dhe mbajtur një Qëndrim Pozitiv
Të shumtë janë artikujt që kemi sjellë në blog-un tonë me temë rreth qëndrimit pozitiv e do vazhdojmë ta bëjmë edhe në të ardhmen, pasi qëndrimi përcakton se si e jetojmë jetën tonë. Dhe është e qartë se të kemi gjithmonë një qëndrim pozitiv është jashtëzakonisht e dobishme, megjithëse është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. Duke menduar se ju po punoni fort për të fituar dhe mbajtur një qëndrim pozitiv, 21 këshillat në shkrimin këtu, me autore Marelisa Fabrega, do t'ju ndihmojnë të mbani një qëndrim pozitiv në çdo kohë e në çdo rrethanë. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Edhe nëse –në çdo moment– zgjedhjet tuaja të veprimit janë të kufizuara, zgjedhjet tuaja në lidhje me qëndrimin tuaj nuk janë të kufizuara. Gjithmonë zgjidhni një qëndrim pozitiv.
Një qëndrim pozitiv ju bën më të lumtur dhe më elastik, përmirëson marrëdhëniet tuaja, dhe madje rrit shanset tuaja për sukses në çdo përpjekje. Për më tepër, të keni një qëndrim pozitiv ju bën më kreativë dhe mund t‘ju ndihmojë të merrni vendime më të mira. Për ta mbyllur, ka studime që tregojnë se njerëzit me një qëndrim pozitiv jetojnë më gjatë se të tjerët. Më poshtë do të zbuloni 21 mënyra për të krijuar dhe mbajtur një qëndrim pozitiv.
1. Krijoni një rutinë mëngjesi. Mënyra se si e filloni ditën vendos tonin për pjesën tjetër të saj. Sigurohuni që të krijoni një rutinë mëngjesi për të përmirësuar qëndrimin e që ju vendos në një humor të mirë, në mënyrë që ta filloni ditën siç duhet.
2. Mbani me vete një qëndrim lumturie. Në vend që të prisni që gjërat e jashtme t'ju bëjnë të lumtur, ndihuni të lumtur dhe më pas shikoni se si kjo ndikon në gjërat që ndodhin rreth jush. Kjo do të thotë që, në vend t'i thoni vetes se duhet të ndodhë diçka e mirë që ju pastaj të jeni të lumtur, së pari, jini të lumtur. Lumturia është qëndrim, jo situatë.
3. Shijoni kënaqësitë e vogla. Kënaqësitë e mëdha - diplomimi, martesa, promovimi, botimi i librit - vijnë shumë rrallë. Jeta përbëhet nga fitore të vogla dhe kënaqësi të thjeshta. Me qëndrimin e duhur mendor, të shikoni perëndimin e diellit, të hani një akullore dhe të ecni zbathur në bar janë gjithçka që ju nevojitet për t'u mbushur me gëzim.
4. Buzëqeshni. Buzëqeshja do t'ju japë një nxitje të menjëhershme të qëndrimit. Provoni të buzëqeshni për një minutë ndërsa mendoni një kujtim të bukur ose gjënë e fundit që ju bëri të buzëqeshni. Buzëqeshja çliron endorfinë dhe serotonin, të njohura edhe si hormonet e ndjenjës së mirë. Është shumë më e lehtë të përvetësoni një qëndrim pozitiv kur kimikatet që lëshohen nga trupi juaj janë të favorshme për mirëqenien.
5. Mbusheni trurin tuaj me pozitivitet. Lexoni libra me mesazhe pozitive, dëgjoni muzikë me tekste emocionuese dhe shikoni filma në të cilët optimizmi i protagonistit e ndihmon atë të kapërcejë pengesat dhe të fitojë, pavarësisht nga situatat. Ndryshoni qëndrimin tuaj për mirë duke ngarkuar trurin tuaj me sa më shumë pozitivitet që të jetë e mundur.
6. Merrni përgjegjësi. Në çdo moment qëndrimi juaj mund të jetë ai i një viktime ose i një krijuesi. Hapi i parë që duhet të bëni për të kaluar nga pozicioni i viktimës në modaliteti i krijuesit është të merrni përgjegjësi. Këtu është qëndrimi i një krijuesi:
- Unë krijoj jetën time.
- Unë jam përgjegjës për mua.
- Unë jam në krye të fatit tim.
7. Ushtroni qëndrimin meditues. Mendoni për jetën jo si diçka që po ju ndodh, por si diçka që po ndodh për ju. Shikojeni çdo situatë, person ose ngjarje sfiduese si një mësues që vjen në jetën tuaj për t'ju mësuar diçka.
Herën tjetër kur do gjendeni duke menduar: "Pse po më ndodh mua?" mendojeni atë si një moment reflektimi. Pyesni veten: “Çfarë duhet të mësoj apo të fitoj nga kjo”? ose "Si do të më ndihmojë kjo të rritem dhe të bëhem një qenie më e mirë, më e ndriçuar?"
8. Jini Proaktiv. Një person reaktiv lejon të tjerët dhe ngjarjet e jashtme të përcaktojnë se si do të ndihet. Një person proaktiv vendos se si do të ndihet pavarësisht se çfarë mund të ndodhë rreth tij. Jini proaktiv duke zgjedhur qëndrimin tuaj dhe duke e mbajtur atë gjatë gjithë ditës, pavarësisht se çfarë mund të sjellë dita.
9. Ndryshoni mendimet tuaja. Mendimet pozitive çojnë në një qëndrim pozitiv, ndërsa mendimet negative çojnë në një qëndrim negativ. Ndryshimi i qëndrimit tuaj është po aq i lehtë sa të shtypni butonin "pauzë" në atë që po mendoni dhe të zgjidhni të mendoni ndryshe.
10. Vendosni qëllime/objektiva. Të keni një qëllim ose objektiv në jetë ju jep një pikë fokusi në horizont ku të përqendroheni, në mënyrë që të mund të ecni përpara, pa u ndikuar prej peripecive dhe sfidave të jetës. Dhënia e një kuptimi dhe qëllimi jetës tuaj – duke e ditur pse jeni këtu – do të bëjë mrekulli për qëndrimin tuaj.
11. Përqendrohuni tek e mira. Për të pasur një qëndrim pozitiv, përqendrohuni tek e mira. Përqendrohuni në të mirat në veten tuaj, të mirat në jetën tuaj dhe të mirat tek të tjerët.
12. Mos prisni që jeta të jetë e lehtë. E vërteta është se ndonjëherë jeta bëhet e vështirë. Për të gjithë ne. Mund të jetë edhe e dhimbshme. Por ju jeni të guximshëm dhe të shkathët dhe mund ta përballoni atë. Dijeni se ndonjëherë gjërat nuk do të jenë të lehta dhe përvetësoni qëndrimin se keni atë që duhet për të përballuar çdo gjë që jeta sjell.
13. Mbani lart entuziazmin tuaj. Njerëzit entuziastë kanë një qëndrim të shkëlqyer ndaj jetës. Bëni gati një listë mënyrash për të ngritur entuziazmin tuaj, sidomos për ato momente kur ndjeni se po ju zbehet dëshira për jetën. Të qenit entuziast do t'ju ndihmojë të mbani qëndrimin se jeta është e mirë dhe se jeni me fat që jeni në jetë.
14. Hiqni dorë nga të pasurit një qëndrim të të drejtës. Mendoni rreth shkrimit "Kush ma lëvizi djathin?" nga Spencer Johnson. Dy minj të vegjël dhe dy njerëz në miniaturë futen në një labirint. Ja çfarë ndodh:
- Kur minjtë zbulojnë se djathi nuk është aty ku supozohej të ishte, ata menjëherë fillojnë të punojnë për të gjetur një copë tjetër djathi.
- Dy njerëzit në miniaturë, në vend të kësaj, zemërohen që djathi është zhvendosur. Ata humbasin kohë duke shprehur zemërim dhe duke fajësuar njëri-tjetrin.
Ndaloni së kërkuari që gjërat t'ju dhurohen. Në çdo kohë qëndrimi juaj duhet të jetë si më poshtë:
- Më takon mua të arrij atë që dua.
- Gjërat e mira vijnë për ata që punojnë shumë.
- Unë përshtatem me ndryshimet lehtësisht dhe shpejt.
- Unë vazhdoj edhe kur gjërat bëhen të vështira.
15. Vizualizoni. Kur gjërat nuk po shkojnë ashtu siç keni menduar, mbani një qëndrim pozitiv duke vizualizuar veten në arritjen e suksesit dhe të qëllimeve e objektivave tuaja. Kur Nelson Mandela u burgos në një qeli të vogël, që ishte vetëm 6 metra, ai i mbajti shpresat e tij duke e imagjinuar veten të lirë.
Mandela tregon: “Mendoja për ditën kur do të ecja i lirë. Kam fantazuar pa pushim, për atë që do të doja të bëja”. Duke vizualizuar lirimin e tij, ai ishte në gjendje të mbante një qëndrim pozitiv, edhe kur gjendej në rrethana jashtëzakonisht të vështira.
16. Ndaloni ankesat. Të ankoheni për çdo gjë dhe gjithçka nuk është gjëja e duhur për një qëndrim pozitiv. Kur ankoheni, ju thoni gjëra negative për një person, vend ose ngjarje, pa ofruar zgjidhje për të rregulluar situatën. Në vend që të ankoheni, bëni sa më poshtë:
- Largohuni nga situata.
- Ndryshoni këndvështrimin tuaj për situatën.
- Ofroni një zgjidhje të mundshme.
- Pranoni se nuk mund të bëni asgjë për të ndryshuar situatën dhe se duke u ankuar ju thjesht po ushqeni negativitetin.
Ankesat e vazhdueshme çojnë në një qëndrim të keq. Ndaj, ndaloni së ankuari. Në vend të kësaj, filloni të kërkoni zgjidhje ose pranoni atë që nuk mund të ndryshohet.
17. Kujdes me fjalët tuaja. Përdorni fjalë pozitive kur flisni me veten. Studimet kanë zbuluar se vetë-bisedimi pozitiv mund të rrisë vullnetin tuaj dhe t'ju ndihmojë të ndiheni mirë kur keni nevojë të kaloni një situatë të vështirë. Përveç kësaj, mund t'ju qetësojë kur jeni në shqetësuar ose në ankth.
Nëse doni të ndryshoni qëndrimin tuaj nga "Unë nuk mund ta bëj këtë" ose "Unë do të dështoj", në "Unë e kam bërë diçka të tillë më parë" ose "Unë do ta bëj shumë mirë", ju do ndryshoni fjalimin tuaj ndaj vetes.
18. Përdorni fuqinë e humorit. Njerëzit që dinë të qeshin me veten dhe me absurditetet e jetës kanë një qëndrim të shkëlqyer. Ndjenja juaj e humorit është një mjet i fuqishëm dhe ju mund ta përdorni për të ngritur humorin dhe për të përmirësuar gjendjen tuaj emocionale në çdo kohë.
Kur diçka shkon keq, pyesni veten: "Çfarë ka për të qeshur kjo situatë?" Një këndvështrim humoristik do të ketë një efekt pozitiv në qëndrimin tuaj.
19. Përdorni mirënjohjen për të përmirësuar qëndrimin tuaj. Ndonjëherë, kur e gjeni veten të fokusuar në atë që është e gabuar në jetën tuaj, për atë që nuk keni ose atë që po humbisni, ndryshojeni qëndrimin tuaj duke ndjerë mirënjohje.
Studimet tregojnë se qëndrimi i mirënjohjes është i dobishëm në çdo aspekt të jetës suaj: të qenit mirënjohës përmirëson shëndetin tuaj, disponimin tuaj, marrëdhëniet tuaja, kënaqësinë tuaj në karrierë e me radhë. Nëse keni nevojë për një ngritje qëndrimi, thjesht mendoni të gjitha gjërat për të cilat duhet të jeni mirënjohës.
20. Zhvilloni një qëndrim kurioziteti. Mënyra më e mirë për të trajtuar çdo situatë është të jeni i hapur ndaj asaj që mund të mësoni prej saj. Kjo do të thotë të jeni kurioz.
Kurioziteti ju jep një orientim në atë situatë, i cili është i ngjashëm me vetëdijen. Të qenit kurioz rreth diçkaje ju lejon ta përjetoni atë më plotësisht. Përveç kësaj, kurioziteti do t'ju ndihmojë t'i qaseni pasigurisë në jetën tuaj të përditshme me një qëndrim pozitiv.
21. Kërkoni njerëz me qëndrim pozitiv. Qëndrimi pozitiv është ngjitës. Kur mendoni se keni nevojë për një nxitje qëndrimi, gjeni dikë me një qëndrim të shkëlqyer dhe kërkoni një justifikim për t'u shoqëruar me të. Qëndrimi i tyre nuk mund të mos ndikojë tek ju dhe ju do të jeni në gjendje të shfaqeni në botë me optimizëm të përtërirë.