Blog

Ndërtimi i kulturës së respektit në vendin e punës

Ndërtimi i kulturës së respektit në vendin e punës

Ndërtimi i kulturës së punës, është një rrugë sa e vështirë aq dhe sfiduese. Etika në biznes bazohet tek disa elementë domethënës, siç janë: respektimi i vendit të punës, sjellja, diversiteti, barazia gjinore etj… Teksa artikulli i numrit të kaluar ishte një përmbledhje se çfarë nënkupton “Etika në biznes”, artikulli i kësaj jave, shkruar nga Calvin Gower, është një panoramë më e gjerë e asaj që një drejtues ose një sipërmarrës biznesi duhet të ketë parasysh në ndërtimin dhe ndërgjegjësimin e stafit dhe për ta udhëhequr organizatën e tij në drejtimin e duhur. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Ngjarjet e kohëve të fundit kanë vendosur një fokus të madh në çështjet që lidhen me diversitetin dhe shumë drejtues biznesi ndihen të detyruar të përgjigjen. Përveç krijimit të një mjedisi pune sa më komod dhe civil, diversiteti ka treguar se ofron një rritje statistikisht të rëndësishme të të ardhurave. Një nga studimet e fundit tregon se organizatat që inkurajojnë kontributin e dhënë nga një ekip gjinor dhe racor, kanë 35% më shumë gjasa të kenë kthime financiare mbi mesataren e industrisë së tyre kombëtare. Kjo, pjesërisht i atribuohet tërheqjes dhe ruajtjes së talenteve dhe avantazhit konkurrues, përmes këndvështrimeve të ndryshme që shkojnë në zhvillimin e produktit, shërbimeve dhe marketingut.

Si drejtues biznesi, mund të pyesni veten se si mund të ndërtoni dhe të mbani një kulturë respekti, diversiteti dhe përfshirje në vendin tuaj të punës. Ndryshimi efektiv nuk ndodh vetvetiu. Kjo kërkon synim dhe nisma të mirëmenduara. Ndërsa ruajtja e një kulture respekti është një proces i vazhdueshëm, ju duhet të keni pritshmëri të qarta, për të ndërtuar ndërgjegjësimin dhe për ta udhëhequr organizatën tuaj në drejtimin e duhur. Gurët e themelit të paraqitur në këtë artikull, ofrojnë një udhëzues për zhvillimin e një kulture që jo thjesht kontrollon këtë mekanizëm, por shkon përtej, drejt asaj që punonjësit të ndihen të sigurt, të respektuar dhe të vlerësuar nga organizata.

1.   Ktheni vlerat tuaj në ato të kompanisë suaj

Gjithçka fillon duke krijuar një filozofi që fokusohet në diversitet, barazi gjinore dhe përfshirje, të cilat janë shtyllat e një kulture pune të respektueshme. Çfarë përfaqëson organizata juaj? Si po e përforcojnë udhëheqësit tuaj vlerën e kësaj kulture? Një politikë ose filozofi e shkruar, e mbështetur tek blerjet dhe modelimi i lidershipit, janë ato që vendosin tonin në organizatën tuaj. Mendojeni atë si krijimin e një deklarate misioni mbi respektin në vendin e punës, duke treguar se organizata juaj është e përkushtuar për të njohur dhe vlerësuar çdo individ në ekipin tuaj. Përfshirja e kësaj politike siguron që çdo anëtar i ekipit të njihet me politikën e biznesit dhe me atë që përfaqëson. Në këtë mënyrë keni vendosur një gur themeli mbi të cilin mund të ndërtohen iniciativa reale që e mbështesin atë.

2.   Përditësoni politikat dhe procedurat mbështetëse

Është shumë e rëndësishme të ndiqen ligjet e punësimit dhe praktikat më të mira në fushën e Burimeve Njerëzore. Po kaq thelbësore është të siguroheni që vlerat e respektit në vendin e punës të shkojnë përtej një filozofie të vendosur dhe të kalojnë në kornizën dhe praktikat e biznesit tuaj. Diversiteti duhet të përfshihet në fokusin e veprimtarive tuaja, duke u bërë kështu një faktor kyç në vendime dhe procese. Fushat që kërkojnë vëmendje janë praktikat e punësimit, menaxhimi i performancës, praktikat e pagave, procedurat promovuese dhe komunikimi.

3.   Krijoni llogaridhënie dhe komunikim

Ruajtja dhe përmirësimi i respektit në vendin e punës kërkon llogaridhënie në çdo nivel të organizatës. Udhëheqja vendos standardin, duke modeluar sjelljen e duhur, e cila duhet të ndiqet nga të gjitha nivelet e menaxhimit. Mundohuni të krijoni një organ mbi bazë diversiteti dhe përfshirje, që është i përkushtuar për vendosjen dhe respektimin e standardeve të respektimit të vendit të punës për organizatën tuaj. Është e rëndësishme të zhvillohen kanale të qarta për raportim dhe përcjellje të informacionit; ky është pa dyshim elementi më i rëndësishëm për sigurimin e jetëgjatësisë së kulturës së respektit.

Kur pretendohet për sjellje të papërshtatshme, situatat duhet të përballen me një hetim të paanshëm. Si një organizatë e përkushtuar ndaj respektit në vendin e punës, është thelbësore që të zhvilloni një proces të besueshëm dhe jo-gjykues. Sigurohuni që personi që vlerëson ose heton një raport është jashtë strukturës së raportimit të drejtpërdrejtë dhe ekipit të individëve të përfshirë. Më pas, vazhdoni me veprime korrigjuese, kur një hetim zbulon një shkelje të politikës suaj.

4.   Organizoni trajnime për respektimin e vendit të punës 

Realiteti është se punonjësit tuaj kanë prejardhje, histori pune dhe përvoja të ndryshme personale. Trajnimi i vazhdueshëm i të gjithë punonjësve ndërton ndërgjegjësimin e tyre dhe ofron mjete ndaj të cilëve ata mund të mos kenë qenë të ekspozuar më parë. Kur vendosni një standard për organizatën, është thelbësore të krijohet ndërgjegjësimi, të sigurohet një gjuhë e përbashkët dhe të komunikohen pritshmëritë për kulturën dhe sjelljen në vendin e punës.

Por çfarë e bën një trajnim të vlefshëm për respektimin e vendit të punës? E thënë thjesht, përmbajtja duhet të ofrojë njohuri dhe mjete praktike që fuqizojnë punonjësit të kontribuojnë në një mjedis pune gjithpërfshirës dhe të respektueshëm. Trajnimi efektiv për diversitetin, barazinë gjinore dhe raciale dhe gjithëpërfshirjen, trajnimi i civilizimit dhe trajnimi për parandalimin e ngacmimit në vendin e punës duhet:

  • Të miksojë mjetet e ndryshme të komunikimit me teknologjinë moderne
  • Të përshtasë kulturën, markën e punëdhënësit dhe demografinë e organizatës
  • Të përdorë elementë ndërveprues që kërkojnë angazhim
  • Të përfshijë testime ose kontrolle njohurish që sigurojnë të kuptuarit e trajnimit
  • Të përqëndrohet në sjelljen proaktive dhe respektuese
  • Të ndihmojë punonjësit të kuptojnë llojet e pranueshme dhe të papranueshme të sjelljes
  • Të fuqizojë punonjësit që të ndërmarrin veprime kur ndodh një sjellje e papërshtatshme
  • Të japë teknika dhe shembuj të ndërhyrjes për zgjidhjen e problemeve

Si përfundim

Kompanitë që tërheqin dhe mbajnë talentet më të mira, janë më të përkushtuara për t'i treguar punonjësve se ata vlerësohen dhe se kontributi i tyre në suksesin e organizatës është shumë i rëndësishëm.

Krijoni një filozofi që ilustron diversitetin dhe përfshirjen, politika dhe procedura për të mbështetur ato vlera, tregoni përkushtim për të mbështetur pritshmëritë dhe u siguroni punonjësve mjete dhe trajnime që mbështesin angazhimin tuaj ndaj kulturës së respektit për vendin e punës. Duke bërë këto përpjekje, ju do të krijoni një mjedis pune që është i pozicionuar për produktivitet dhe sukses më të madh, sepse punonjësit do të ndihen të respektuar, të vlerësuar dhe të përfshirë.