3 Mënyra se si t’i shikoni “betejat” dhe t’i ktheni ato në përvoja pozitive
Sapo keni mbyllur një vit të suksesshëm dhe me të drejtë keni festuar fitoret tuaja. Ju e dini shumë mirë se arritjet tuaja kanë plot netë pa gjumë, shqetësime dhe punë të palodhur, por në fund përpjekjet tuaja kanë marrë vlerë. Në momentet e vështira, dikush mund të ketë menduar dështimin ose ka humbur besimin e edhe është dorëzuar. Por të gjithë e dimë se arritjet nuk janë për ata me “zemër të dobët”. Carlos Zazueta, autor i shkrimit këtu, na jep disa ide për të ruajtur optimizmin dhe ecjen përpara edhe në situatat dhe “betejat” më të vështira. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Ne të gjithë mundohemi ta jetojmë jetën ashtu siç na vjen. Kjo do të thotë që të gjithë kemi një ide të asaj që duam, dhe të gjithë krijojmë pritshmëritë tona se si duhen dhe nuk duhen të shkojnë gjërat.
Nëse gjërat na shkojnë mbarë, p.sh le të marrim rastin kur fitojmë vendin e punës për të cilën kemi aplikuar, takimin me partnerin e ëndërrave ose përmbushja e çdo skenari tjetër të dëshiruar, na bën të ndihemi të lumtur, të kënaqur dhe të aftë. Por nëse kjo nuk ndodh, atëherë është e lehtë të biem pre e negativitetit të dështimit për të përmbushur planet tona dhe aftësia jonë për të parë të mirën në çdo situatë bllokohet nga emocionet dhe iluzionet nisin të veniten.
E njëjta gjë ndodh edhe kur papritur vështirësitë hyjnë në jetët tona, ku shumica e njerëzve përqendrohen në idenë se sa mirë do të shkonin gjërat nëse nuk do të ishte pengesa, ose sa fatkeqë do të ishin nëse do të përballonin një betejë të vështirë. Logjika dhe intuita na tregojnë se beteja është diçka negative. Unë them se është krejt e kundërta.
Më poshtë gjeni 3 këndvështrime se si mund ta shikoni betejën tuaj si përvojë pozitive që çdo luftë apo përballje mund t'ju ofrojë:
1. Shikoni betejat tuaja si mësime
Kur nuk merrni rezultatet e shpresuara nga një situatë e caktuar, në vend që të ndiheni të trishtuar dhe pesimistë, duhet të përpiqeni të shfrytëzoni mundësinë për të mësuar diçka. Pyesni veten, "Çfarë mund të kisha bërë ndryshe për të rritur shanset për të marrë rezultatet që doja?"
Identifikoni se ku keni dështuar dhe bëni rregullimin e duhur në mënyrë që e njëjta gjë të mos t’ju ndodhë përsëri në të ardhmen. Duke e bërë këtë, ju sapo e keni kthyer betejën tuaj në një mësim jete, dhe mësimet e jetës janë një pasuri të cilat ne mund t’i përdorim si avantazhe të jashtëzakonshme në shumë situata.
Një herë kisha një intervistë për një punë, të cilën e doja aq shumë, por nuk u përgatita si duhet dhe kur intervistuesi më pyeti, "Çfarë të motivon?", nuk dija saktësisht se si t'i përgjigjesha. Mësimi që nxora nga kjo përvojë, më bëri të kërkoja atë që më motivonte dhe më e rëndësishmja ta gjeja. Më bëri gjithashtu të kuptoja se herën tjetër kur do të kisha një intervistë ose ndonjë ngjarje të rëndësishme në parashikimin tim, duhet të punoja për t'u përgatitur.
2. Shikoni betejat tuaja si zhvillim
Jeta nuk është gjithmonë fushë me lule. Ndonjëherë bëhet e vështirë aq sa shpeshherë biem në depresion. Por në momentin që arrini të prekni fundin, i thoni vetes se jeni zgjedhur në një mision për të gjetur një thesar dhe e vetmja mënyrë për të mbijetuar është duke u përgatitur për të ardhmen, e cila do të jetë ndryshe.
Janë ato momente ku ne, pak nga pak, fillojmë të gjejmë lehtësim në gjërat më të thjeshta: Në natyrë, familje, muzikë, art, lexim dhe jetesë. Shpirti juaj do të fillojë të gjejë kuptime të reja të jetës, për të cilat nuk mund të kishit menduar kurrë në rrethana normale, dhe kuptimet që gjeni do të fillojnë të ndezin një zjarr brenda jush, që do t’ju shtyjë për pjesën tjetër të jetës tuaj.
Në vend që të fajësoni veten për fatkeqësinë tuaj, besoni në një qëllim më të lartë dhe njihni dhe ndjeni rritjen që po përjetoni përmes dhimbjes. Jini më shumë se të durueshëm dhe jini të vetëdijshëm se ato momente të vështira po ju japin forcën për të ndikuar te miliona njerëz në të ardhmen. E gjithë kjo eksperiencë do të jetë më se e vlefshme kur të ketë mbaruar beteja juaj, e cila do t'ju shndërrojë në një person shumë më shpirtëror, më të vendosur dhe më të lumtur.
3. Shikoni betejat tuaja si fat
A keni menduar ndonjëherë se disa beteja mund të bëhen shkak për të arritur në destinacione të bukura? Për mua, ajo që ndryshoi plotësisht këndvështrimin tim ishte historia e mikeshës time se si takoi dashurinë e saj të jetës. Vite më parë mikesha ime u sulmua nga dy burra, teksa po ngiste makinën në mesnatë.
Ata i morën makinën dhe e lanë në mes të rrugës, pasi e dhunuan verbalisht dhe fizikisht. Ajo mbeti aq e traumatizuar sa që pas incidentit nuk donte të dilte nga shtëpia për muaj me radhë. Beteja e saj më e madhe ishte sfida për të dalë jashtë shtëpisë. Prindërit e saj ishin aq të shqetësuar saqë vendosën ta detyrojnë të regjistrohej në një shkollë jashtë vendit, në mënyrë që ajo të hiqte mendjen. Gjeni se kë takoi atje?
Ky është një shembull i qartë se si një fatkeqësi mund të shndërrohet në një bekim. Kombinoni çdo luftë, me të cilën po përballeni ose mund të përballeni në të ardhmen, me një shpresë të vogël dhe prisni që e pabesueshmja të ndodhë.
Çdo luftë mbart në vetvete mundësinë për të mësuar, për t'u rritur dhe për të besuar. Sigurohuni që të përdorni këto tre këndvështrime të ndryshme çdo herë që jeni duke luftuar me diçka, dhe nuk do t’ju duhet shumë, para se të filloni të shihni të mirën nga çdo situatë.