Si të mos dështoni si menaxher shitje
Ashtu si një inxhinier, që duhet të jetë plotësisht i përgatitur për të zgjidhur detyra komplekse inxhinierike, ashtu edhe një drejtues shitjesh duhet të jetë i aftë të drejtojë dhe të ushtrojë një game të gjerë përgjegjësish. Nëse ju jeni në këtë pozicion, ju duhet të menaxhoni dhe mbikëqyrni ekipin e shitjeve, të caktoni dhe monitoroni territoret e shitjes dhe të zgjidhni ankesat e klientëve. Gjithashtu, zhvillimi i marrëdhënieve me klientët ekzistues e të rinj, është një pjesë e rëndësishme e rolit tuaj si menaxher i shitjeve. Natyrisht, që ju e zhvilloni të gjithë aktivitetin tuaj nëpërmjet anëtarëve të ekipit tuaj. Dhe ju mund të jeni të suksesshëm në ngritjen e ekipit tuaj, duke mbajtur parasysh dhe duke mënjanuar, të paktën këto shkaqe që na shpjegon shkrimi më poshtë, me autor Anthony Iannarino. Jo të gjithë mund ta bëjnë menaxherin e shitjes e jo të gjithë janë të prerë për një rol administrativ. Por gjithkush mund t’ja arrijë të jetë i tillë nëse e kupton vërtet se udhëheqja dhe të mësuarit janë të domosdoshme për njëri-tjetrin. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Në pamje të parë, ekzistojnë një numër i pafund mënyrash se si mund të dështoni si udhëheqës. Të qenit drejtues shitje nuk ka ndonjë ndryshim, pasi mund të bëni gabime të ndryshme që ju bëjnë të dështoni - dhe të merrni ekipin tuaj me vete.
Nuk keni përvojë në shitje: është sfiduese të drejtoni punonjësit e shitjes, kur nuk e keni bërë vetë këtë punë më parë. Shitja është diçka që mund të mësohet, por jo duke lexuar libra ose duke marrë vetëm kurse. Ju nuk mund t’i mësoni atyre ndërveprimin kompleks njerëzor pa e provuar vetë, ashtu si nuk mund t'i mësoni dikujt notin, nëse nuk jeni futur kurrë në ujë.
Nevoja që t’ju pëlqejnë: Ekziston një ndryshim midis të pëlqyerit dhe të respektuarit. Është gabim të doni - ose të keni nevojë të jeni popullor, ose ndryshe të doni të perceptoheni si një person i këndshëm. Ju nuk jeni pjesë e grupit që drejtoni dhe nuk jeni thjesht një koleg. Ju jeni shembulli, modeli dhe ju vendosni standardin - nuk do të lejoni askënd që ta ulë atë standard. Ju zbatoni standardin. Skuadra juaj do të jetë ajo që shikoni tek ata dhe ajo që ju kërkoni prej tyre.
Mungesa e përgjegjësisë: Ju mund t'u tregoni njerëzve atë që është e nevojshme për të bërë. Ju mund t'u jepni atyre misionin, mentalitetin, aftësitë, mjetet dhe sistemin e shpërblimeve për të pasur sukses. Pa përgjegjshmëri, ju do të dështoni si udhëheqës sepse do dështoni ekipin tuaj. Ju nuk mund të jeni udhëheqës pa u siguruar që ekipi juaj po bën atë që është e nevojshme - dhe duke forcuar masat nëse nuk po veprohet kështu. Pa ushtrimin e masave, nuk ka përgjegjëshmëri.
Drejtimi nga pas: Duhet të drejtoni nga përpara. Nëse nuk jeni të gatshëm të bëni detyrat më të vështira, ato më të vështirat që duhet të bëni, ekipi juaj nuk do të besojë se ato janë të mira, të duhura dhe të nevojshme. Ju drejtoni nga përpara, dhe i tregoni ekipit tuaj se si bëhen gjërat mirë.
Shumë pak mësim dhe trainim: Kompania juaj do të kërkojë shumë gjëra nga ju dhe bërja e tyre do të marrë shumë nga koha juaj. Ju mund të përfundoni pas një tryeze, të zhytur në punë administrative, e të gjitha këto mund të jenë të nevojshme, por asnjëra prej tyre nuk do t’i përmirësojë rezultatet e ekipit tuaj. Ekipi juaj do të përmirësohet përmes trajnimit, stërvitjes dhe zhvillimit të vazhdueshëm.
Ju dëshironi të jeni një drejtues i mirë, por pa i shmangur këto gabime, ekipi juaj nuk do të jetë ai që mund të ishte, me një drejtues më të mirë.