Blog

A ndihen të respektuar punonjësit tuaj?

A ndihen të respektuar punonjësit tuaj?

Respekti është një nga elementët më të rëndësishëm për ndërtimin e marrëdhënieve pozitive me personat që ju rrethojnë. Aq më shumë është i rëndësishëm në mjediset e punës, midis kolegëve dhe të gjithë atyre me të cilët duhet të punoni. Çdo organizatë do të jetë vërtet e suksesshme kur ndërton kulturën e respektit reciprok në vendin e punës. Nëse prisni që punonjësit të japin më të mirën në punë, pa respekt reciprok për njëri-tjetrin kjo është e pamundur. Kristie Rogers, autorja e shkrimit këtu, na jep një këndvështrim tjetër lidhur me ndërtimin dhe fuqizimin e respektit në vendin e punës. Tregojuni bashkëpunëtorëve që vlerësohen dhe biznesi juaj do të lulëzojë. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Kur i pyet punonjësit se çfarë ka më shumë rëndësi për ta, shpesh - të ndihen të respektuar nga eprorët - është në krye të listës. Në një sondazh me gati 20,000 punonjës në të gjithë botën, të anketuarit renditën RESPEKTIN si sjelljen më të rëndësishme të lidershipit. Megjithatë nga viti në vit, punonjësit raportojnë gjithnjë e më shumë sjellje mosrespektuese dhe jo-civile.

Çfarë e shkakton këtë situatë? Edhe pse punonjësit që nuk tregojnë respekt janë shumë të vetëdijshëm për mungesën e saj, njerëzit që ndihen rregullisht të respektuar – e zakonisht, ata që janë në role drejtuese ose me status të lartë - nuk mendojnë shumë për këtë. Prandaj drejtuesit mund të mos jenë të vetëdijshëm për problemin. Por kërkimet që kam kryer tregojnë se kjo është vetëm një pjesë e shpjegimit. Një çështje më e madhe është se drejtuesit kanë një kuptim jo të plotë të asaj që përbën respekt në vendin e punës - kështu që edhe përpjekjet, megjithë qëllimin e mirë për të siguruar një vend pune të respektueshëm, mund të jenë të pakta.

Hulumtimi tregon se punonjësit vlerësojnë dy lloje të dukshme respekti. Respekti i detyruar që i akordohet në mënyrë të barabartë të gjithë anëtarëve të një grupi pune ose një organizate; i cili plotëson nevojën universale për tu ndjerë të përfshirë. Kjo është e diktuar nga zhvillimi shoqëror dhe atmosfera e përgjithshme që sugjeron që çdo anëtar i grupit është në thelb, i vlefshëm. Në mjedise me shumë pak respekt të detyruar, ne zakonisht shohim mbikëqyrje dhe mikromenaxhim, shpërfillje dhe abuzim të pushtetit, si dhe një ndjenjë që punonjësit janë të zëvendësueshëm. Respekti i fituar shkon zakonisht tek punonjësit individualë, të cilët shfaqin cilësi ose sjellje të vlerësuara. Ai dallon punonjësit që kanë tejkaluar pritshmëritë dhe sidomos në mjediset e punës me njohuri të larta, tregon se secili punonjës ka pikat e forta dhe talente unike. Respekti i fituar plotëson nevojën për t’u vlerësuar për kryerjen e një pune të mirë. Vjedhja e meritës për suksesin e të tjerëve dhe mos njohja e arritjeve të punonjësve janë shenja se ky lloj respekti mungon.

Një nga sfidat më të delikate në krijimin e një atmosfere respekti, është gjetja e ekuilibrit të duhur midis dy llojeve të respektit. Në çekuilibër midis të dyjave, mund të krijojë zhgënjim për punonjësit. Për shembull, në vendet e punës me shumë respekt të detyruar, por me pak respekt të fituar, punonjësit mund të shfaqin interes të ulët për arritjet individuale, sepse ata perceptojnë se të gjithë do të trajtohen njëlloj, pavarësisht nga performanca individuale. Këto vende pune mund të jenë shumë të përshtashme për ekipet në të cilat qëllimet duhet të përmbushen si ekip, por kjo rrezikon të ulë motivimin dhe llogaridhënien. Në të kundërt, vendet e punës me respekt të detyruar të ulët, por me respekt të fituar të lartë mund të inkurajojnë konkurrencën e tepruar midis punonjësve. Kjo mund t’i shërbejë arritjes së qëllimeve dhe/ose objektivave në mjedise – si psh. ekipet e shitjes, ku punonjësit kanë pak ose aspak ndërvarësi ose arsye për të bashkëpunuar. Por kjo mund të pengojë njerëzit të ndajnë me të tjerët njohuritë e nevojshme për sukseset dhe dështimet e tyre, dhe shpesh promovon sjellje të dobëta e të dëmshme. Kur i kuptojnë këto shenja, drejtuesit mund të ndërmarrin ndryshime dhe të krijojnë një mjedis që është i përshtatshëm për situatën e tyre - në shumicën e rasteve, një mjedis me nivele të larta të të dy llojeve të respektit.

Punonjësit që ndihen të respektuar janë më mirënjohës dhe besnikë ndaj organizatës së tyre.

Meqenëse punët e njerëzve shpesh janë të lidhura me atë se kush janë dhe si e perceptojnë veten e tyre, shprehja e respektit në një mjedis profesional është një sinjal i rëndësishëm i vlerës shoqërore. Për më tepër, punonjësit shpesh i bashkohen një organizate me shpresën për të zhvilluar identitetin e tyre me kalimin e kohës, duke u rritur në mënyrë profesionale dhe duke u bërë versione më të mira të vetvetes. Respekti është një mekanizëm dhe katalizator i rëndësishëm i shkëmbimit të informacionit, në funksion të kësaj rritje. Ka studime që përshkruajnë se si punonjësit e rinj eksperimentojnë me sjellje të reja dhe shpesh të pakëndshme, duke i integruar gradualisht në "unin e tyre të vërtetë". Edhe hulumtimet tona e theksojnë këtë eksperiment dhe zbulojnë se të ndjerit i respektuar në punë vlerëson këto sjellje, duke i ndihmuar punonjësit që të shkojnë nga të menduarit "kjo më duket e çuditshme" në besimin se "ndoshta kështu jam në të vërtetë" dhe të çimentojnë rritjen e tyre personale.

Një vend pune i respektueshëm sjell përfitime të mëdha për organizatat. Punonjësit që thonë se ndihen të respektuar janë më të kënaqur me punën e tyre, si dhe më mirënjohës dhe më besnikë ndaj kompanisë së tyre. Ata janë më elastikë, bashkëpunojnë më shumë me të tjerët, performojnë më mirë dhe në mënyrë kreative, si dhe ka më shumë gjasa të pranojnë udhëzime nga drejtuesit e tyre. Në të kundërt, mungesa e respektit mund të shkaktojë dëme reale. Në një citim nga libri më i shitur Bisedat thelbësore, thuhet: - “Respekti është si ajri. Për sa kohë që është i pranishëm, askush nuk mendon për të. Por nëse e heq, ai është gjithçka për të cilën njerëzit mund të mendojnë”. Studimet e mbështesin këtë pohim, duke zbuluar se 80% e punonjësve të trajtuar në mënyrë jo civile kalojnë një pjesë të konsiderueshme të kohës së punës duke shfaqur sjellje të keqe dhe 48% i ulin qëllimisht përpjekjet e tyre. Përveç kësaj, trajtimi pa respekt shpesh përhapet midis kolegëve dhe reflektohet tek klientët.

Gjetja e njerëzve të duhur për punët e duhura dhe koordinimi i operacioneve të përditshme janë detyra thelbësore të një menaxheri. Por përgjegjësitë nuk mbarojnë këtu: Menaxherët duhet gjithashtu të ndërtojnë një vend pune plot respekt, që i lejon punonjësit - dhe, si rezultat, organizatat e tyre - të bëhen versionet më të mira të mundshme të vetvetes.