7 Shenja që mund të jetë koha për të hequr dorë si menaxher
Ashtu si është e rëndësishme të dimë kur jemi të gatshëm për të marrë përgjegjësi drejtuese dhe të avancojmë në karrierë, po aq e rëndësishme është të dimë se kur pozicioni manaxherial nuk i përmbush më objektivat tona. Është fakt që arritja e një pozicioni manaxherial kërkon shumë mund e djersë, e ndoshta asnjëherë nuk na ka shkuar mendja se mund të ketë edhe hapa pas në karrierë, e aq më shumë që kjo mund të jetë në të mirën tonë. Për këtë arsye, shumë menaxherë nuk e kuptojnë se kur mund të vijë ky moment dhe as nuk e mendojnë dorëheqjen si një mundësi. Por kur gjërat nuk po funksionojnë si duhet, të rishikoni pozicionin tuaj është gjëja më e mirë që mund të bëni, së pari për vetë ju. Si ta kuptoni kur është momenti? Dan McCarthy na jep një dorë, si autor i shkrimit këtu. Vlerësoni me sinqeritet dhe pa komplekse pozicionin tuaj, duke kuptuar se gjëja më e rëndësishme është të shikoni përpara – drejt rolit tuaj të ardhshëm. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Si ta kuptoni kur nuk përshtateni mirë me pozicionin
Jo të gjithë janë të prirur për të qenë menaxherë. Shumë njerëz janë në menaxhim për arsye të gabuara, ose në të vërtetë nuk e kuptojnë se çfarë kërkon detyra.
Gjithashtu, edhe organizatat jo gjithmonë bëjnë më të mirën për të vlerësuar potencialin e lidershipit e për të vendosur se kush duhet të promovohet në pozicione drejtuese. Një nga gabimet më të zakonshme që bëhen, është të vendosni të merrni inxhinierin, shitësin ose kontabilistin më të mirë dhe ta promovoni atë në pozicionin menaxher. Shumë shpesh për fat të keq, rezultati është humbja e një kontribuesi të madh individual dhe krijimi i një menaxheri të dobët.
Njëkohësisht, përpara se të pranoni një pozicion drejtues, është e rëndësishme të siguroheni që keni motivimin, objektivat dhe aftësitë e duhura, për t'u bërë një menaxher i suksesshëm.
Menaxhimi nuk duhet të jetë një rol i përjetshëm
Megjithatë, kam parë shumë menaxherë që u promovuan për të gjitha arsyet e duhura dhe fillimisht ishin shumë të suksesshëm në rolet e tyre drejtuese. Të nxitur nga entuziazmi, ata ndoqën kurse menaxheriale, lexuan të gjithë librat më të njohur të menaxhimit dhe shkëlqyen duke i udhëhequr dhe zhvilluar njerëzit. Më pas, për një arsye apo një tjetër, ata dolën nga shinat. Punonjësit nuk donin më të punonin për ta, reputacioni i tyre si menaxher u dëmtua dhe ata përfunduan të ngërthyer në një punë që nuk e pëlqenin më. Në fakt, ata ishin për të ardhur keq. Ata u dogjën duke qendruar menaxherë.
Këta menaxherë mund të ishin më të kënaqur dhe më produktivë nëse do ta dinin se kur ishte koha për t'u larguar nga menaxhmenti dhe për të kërkuar një rol individual kontribues, që do të përdorte më mirë pikat e forta dhe interesat e tyre. Edhe punonjësit e tyre do të kishin qenë më mirë. Madje, ndoshta ndonjëri prej tyre mund të ishte rritur dhe të kishte bërë një punë më të mirë duke udhëhequr njerëzit.
Si ta kuptoni kur është koha për të hequr dorë nga të qenit menaxher? Janë shtatë shenja treguese.
Ju ndiheni të vetëkënaqur
Ju nuk keni provuar apo nuk bërë ndonjë gjë të re prej një kohe të gjatë dhe nuk jeni të interesuar të dëgjoni apo mësoni ide të reja. Të gjitha idetë e reja ju tingëllojnë si teka "në modë" që do të kërkonin shumë përpjekje dhe rrezik për t'u zbatuar. Kur punonjësit tuaj vijnë tek ju me ide të reja, ju prireni të shfaqni më shumë pengesa sesa janë në të vërtetë. Për ju, gjendja ku ndodheni duket e rehatshme. Ju e mbroni me kokëfortësi "mënyrën se si i kemi bërë gjithmonë gjërat" dhe thoni shpesh se "e kemi provuar edhe më parë dhe nuk funksionoi".
Ju nuk keni bërë takime individuale prej shumë kohësh
Thjesht, sepse këto takime u bënë shumë formale, shumë të mërzitshme, shumë të çrregullta dhe gjithmonë dukej se zbulonin probleme të ndërlikuara me të cilat duhej të përballeshit. Ju keni rënë dakord me moton, "asnjë lajm nuk është lajm i mirë". Marrëdhënia me njerëzit është bërë diçka që ju duket e lodhshme. Ditët tuaja më të mira, janë ato ku mund të qëndroni në zyrë dhe të punoni pandërprerë në projektin tuaj të preferuar.
Ju keni humbur interesin për t'u bërë një udhëheqës më i mirë
Shikoni raftin tuaj të librave. Kur ka qenë hera e fundit që keni lexuar një libër menaxhimi apo lidershipi? Kur ishte hera e fundit që keni marrë një kurs menaxhimi ose lidershipi? Dhe kur e keni bërë, e keni bërë atë me mendje të hapur, apo me cinizëm? Prejs a kohësh jeni më të interesuar të mësoni për teknologjinë më të fundit në fushën tuaj dhe më pak për njerëzit kryesorë? A është zhvendosur pasioni juaj nga drejtimi i njerëzve në të bërit vetë të gjërave?
Askush nuk po kërkon mentorim nga ju
Dikur, shumë nga stafi ju kërkonin udhëzime për jetën e tyre profesionale. Por tani, punonjësit tuaj me potencial të lartë dhe që janë të interesuar për menaxhimin, po mbështeten tek menaxherët e tjerë për këshilla dhe mbështetje.
Nuk keni ftesa për të folur
Në të kaluarën, keni folur shpesh në seminare trajnimi për menaxhim ose në ngjarje të tjera të kompanisë. Mundësia për të qenë folës të ftuar ju jepen vetëm menaxherëve që janë "model për rolin" e që organizatat duan që menaxherët aspirantë të imitojnë. Nëse nuk po ju ftojnë më për të folur, mund të mos konsideroheni si një model i denjë për t'u imituar.
Punonjësit tuaj nuk po promovohen
Nëse keni ngecur në vend, ka të ngjarë që të ngecë gjithashtu edhe ekipi juaj. Kjo mund të vijë për shkak se ju nuk po i zhvilloni më punonjësit tuaj. Vetëkënaqësia juaj po përhapet edhe në ekipin tuaj. Herën e fundit që treguat interes për t'u promovuar, nuk e morët vendin e punës sepse u vlerësuat si "i pazëvendësueshëm" në rolin tuaj aktual.
Shëndeti juaj po vuan
Stresi i menaxhimit ka një ndikim të dëmshëm në shëndetin tuaj. Niveli juaj i energjive është ulur dhe nuk jeni më të lumtur. Depresioni po zapton edhe fushat e tjera të jetës suaj dhe ju nuk mund ta largoni atë as gjatë fundjavës.
Bëni Lëvizjen e Parë
Mund të jetë e vështirë të jepni dorëheqjen nga një rol drejtues. Kjo mund të shoqërohet me një humbje të statusit, të pushtetit dhe madje edhe me një ulje page. Megjithatë, mund të jetë më mirë që të bëni një vetëvlerësim të sinqertë dhe të merrni kontrollin e fatit tuaj. Shanset janë, që nëse për një periudhë kohe, performanca juaj ka qenë poshtë nivelit të kërkuar dhe ky qëndrim i juaji është i dukshëm, atëherë shefi juaj mund të jetë duke kërkuar një mundësi për t'ju ulur në detyrë. Pse të mos e shfrytëzoni rastin dhe të hapni një bisedë për të gjetur një rol më të përshtatshëm për ju?