Blog

Çfarë e bën frymëzues një udhëheqës?

Çfarë e bën frymëzues një udhëheqës?

Kur mendoni rreth rezultateve të ekipit tuaj, si drejtues ju gjithmonë mendoni edhe se si të përmirësoni vazhdimisht mënyrën tuaj të drejtimit si dhe të nxisni anëtarët e ekipit që të japin më të mirën e tyre. Për këtë qëllim, ju vlerësoni edhe stilin tuaj të lidershipit si dhe sesi të adoptoni stilin më të përshtatshëm për ju. Në shikim të parë, mund të duket se ndonjë stil lidershipi është më i mirë se të tjerët. Në fakt, të gjitha janë shumë të mira, nëse ju dini t’i përdorni në përshtatje me situatën dhe kur keni të përfshirë në të edhe frymëzim për njerëzit tuaj. Pavarësisht nga stili i drejtimit, të qenit frymëzues, është shumë herë më efektive se çdo gjë tjetër. Ju mund të mësoni diçka më shumë rreth lidershipit frymëzues në shkrimin këtu, me autore Susan M. Heathfield. Mbi çdo gjë udhëheqja është arti i frymëzimit të të tjerëve, që të bëjnë diçka ashtu si ju do të donit ta bënit, sepse do të kenë dëshirë ta bëjnë atë. Nëse frymëzoni performancë të shkëlqyer, jeni një udhëheqës i vërtetë! Lexim të këndshëm!

* * * * *

Titulli i pozicionit të punës nuk e bën frymëzues një udhëheqës. Përkundrazi, është aftësia për t'i bërë njerëzit që të arrijnë majat e performancës dhe suksesit si dhe shfaqja e cilësive që punonjësit do të donin ta ndiqnin, si pasioni, qëllimi, dëgjimi dhe dhënia e kuptimit për rolin e tyre.

Shumë drejtues të lartë presin që punonjësit t'i ndjekin për shkak të titullit të tyre, pronësisë në kompani ose pozicionit të tyre në hierarkinë e organizatës. Dhe shumë punonjës e ndjekin një drejtues për këto arsye. Por kjo nuk do të thotë se drejtuesi frymëzon punën, mbështetjen dhe kontributin e tyre më të mirë.

Veprimet frymëzojnë

Një udhëheqës frymëzues nuk mjafton tu thotë punonjësve se ata vetë janë shumë të përkushtuar ndaj marrëdhënieve me klientët e tyre. Udhëheqësi duhet ta demonstrojë këtë angazhim dhe pasion në çdo takim dhe prezantim, si dhe në mënyrën se si ata i trajtojnë problemet e klientëve. Sjellja e drejtuesit duhet t'i frymëzojë punonjësit që të veprojnë në të njëjtën mënyrë.

Komunikimi, integriteti, përfshirja dhe ndjeshmëria ndaj nevojave të punonjësve, plotësojnë cilësitë dhe karakteristikat e një udhëheqësi frymëzues. Askush nuk frymëzohet nga një drejtues kur njerëzit mendojnë se ai nuk interesohet për ta.

Pasioni

Udhëheqësit frymëzues ndihen të pasionuar pas vizionit dhe misionit të organizatës. Ata janë gjithashtu në gjendje ta ndajnë këtë pasion me të tjerët, që gjithashtu edhe ata të ndihen të pasionuar. Pasioni i përbashkët i bën organizatat të rriten në lartësinë e misionit dhe vizionit të tyre.

Natyra e vizionit dhe e misionit është e rëndësishme për t'u dhënë mundësi të tjerëve të ndjejnë se puna e tyre ka një qëllim dhe kuptim përtej detyrave që kryejnë çdo ditë. Ndonjëherë drejtuesit duhet t’i ndihmojnë stafet e tyre që të kuptojnë plotësisht rolet e tyre, duke u shpjeguar të gjithëve situatën e përgjithshme. Komunikimi i rregullt i pamjes së përgjithshme do të ndihmojë të kuptohet dhe përforcohet arsyeja pse ekziston organizata juaj.

Dëgjimi

Udhëheqësit frymëzues i dëgjojnë njerëzit në organizatën e tyre. Të flisni me njerëzit për pasionin tuaj nuk mjafton. Për të ndarë idetë - një përkufizim i preferuar dhe domethënës i komunikimit - duhet të lejoni idetë dhe mendimet e personelit tuaj që të ndihmojnë në formimin e vizionit dhe misionit, ose minimalisht, objektivave dhe planit të veprimit. Askush nuk do të jetë mbështetës 100% i një drejtimi, nëse ata nuk janë pjesë e formulimit të tij. Njerëzit duhet t'i shprehin idetë e tyre për arritjen e qëllimit, të shohin që ato janë pjesë e tij ose të kuptojnë pse nuk mund të merren parasysh.

Përfshirja

Për të përjetuar frymëzim, njerëzit duhet të ndihen të përfshirë. Përfshirja shkon përtej sferës së të dëgjuarit dhe të shprehjes së komenteve. Për përfshirjen e vërtetë, njerëzit duhet të ndihen të lidhur ngushtë me veprimet dhe proceset që çojnë në arritjen e synimeve ose në vendimin përfundimtar.

Për shembull, një kompani anulloi një aktivitet vjetor të punonjësve për shkak të porosive të klientëve për produktin e tyre. Disave nuk u pëlqeu kjo ide në fillim, por pikërisht për këtë kompania përfshiu ekipin drejtues, anëtarët e Komitetit të veprimtarisë dhe shumë punonjës të tjerë, në diskutimin për marrjen e këtij vendimi ose ricaktimin e aktivitetit.

Përfshirja çoi në një kompromis, që mundësoi një aktivitet më të vogël dhe një nxitje pozitive morale, megjithëse e lejoi kompaninë të përmbushë nevojat e klientëve. Meqë nevojat e klientëve janë kryesore dhe punonjësit ranë dakord, vendimi i kompanisë, i marrë me mendimin e punonjësve, shmangu çdo kundërshtim dhe keqardhje.

Integriteti dhe besimi

Vizioni dhe pasioni janë të rëndësishëm, por punonjësit tuaj duhet t'ju besojnë, nëse doni që ata të ndihen të frymëzuar. Ata duhet të besojnë në integritetin tuaj dhe ta shohin atë në vendim-marrjen tuaj si dhe në trajtimin e klientëve dhe punonjësve.

Jepuni njerëzve atë që duan

Një udhëheqës frymëzues u jep njerëzve atë që duan brenda aftësive të tyre. Për shembull, ju nuk mund të siguroni një rritje page në qoftë se kompania nuk po arrin objektivat mbi fitimin. Por duhet të jepni shpërblime, nëse organizata po ecën mirë.

Udhëheqësi frymëzues gjithashtu e kupton se, edhe pse paratë janë motivuese, po kështu janë edhe lavdërimi, mirënjohja, shpërblimet e falenderimet, duke qenë të kujdesshëm për kontributin e çdo individi dhe për përpjekjet e suksesshme të tij. Të flisni drejtpërdrejt me një punonjës kontribues, rreth vlerës që puna e tij siguron për organizatën, është një burim i rëndësisëm frymëzimi për të. Veprimet që ndërmerrni çdo ditë në punë janë të fuqishme.

Lista e një stili të suksesshëm udhëheqje

Këtu janë cilësitë dhe veprimet e lidhura me udhëheqësit e suksesshëm:

  • Zgjidhni të drejtoni.
  • Bëhuni personi që të tjerët zgjedhin ta ndjekin.
  • Siguroni vizionin për të ardhmen.
  • Siguroni frymëzim.
  • Bëjini të tjerët të ndihen të rëndësishëm dhe të vlerësuar.
  • Jetoni vlerat tuaja. Silluni me etikë.
  • Vendosni ritmin përmes pritshmërive dhe shembullit tuaj.
  • Krijoni një mjedis në përmirësim të vazhdueshëm.
  • Ofroni mundësi që njerëzit të rriten, si personalisht, ashtu edhe profesionalisht.
  • Kujdesuni dhe veproni me dhembshuri.