5 Mësime të mira nga shefat e këqij
Si në çdo gjë edhe në udhëheqje, shpesh detajet e vogla bëjnë ndryshimin e madh. Ne kemi sjellë shumë artikuj mbi udhëheqjen, drejtimin dhe menaxhimin e suksesshëm të ekipeve, ku kemi trajtuar cilësitë e lidershipit dhe rolin e tyre në ndërtimin e frymës ekipore, frymëzimin dhe motivimin e stafeve, vendosjen e objektivave dhe arritjen e tyre, ndërkohë që mund të kemi anashkaluar disa elementë, që në pamjen e parë mund të duken të parëndësishëm. Në shkrimin e sotëm, me autore Karin Vandraiss, po sjellim disa mësime që ajo i ka nxjerrë gjatë punës me shefa të këqij. Pavarësisht nëse jeni në një pozicion drejtues, apo po kërkoni të promovoheni në një të tillë, përmirësimi i vazhdueshëm i aftësitë drejtuese duhet të jetë në vëmendjen tuaj, si pasuria juaj më të vlefshme. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Të gjithë e kanë pasur një shef të keq. Ndoshta ishte ai djali i kolegjit gjatë verës, që ju dha turnin më të keq si roje plazhi në pishinë, ose ai drejtuesi i ekipit që ju mbajti deri vonë ditën e Krishtlindjes, e më pas mori gjithë meritën për punën tuaj. Nëse keni pasur një 9 me 5, shanset janë që të keni hasur një si Bill Lumberg, Miranda Priestly ose Michael Scott, shefat më të këqij të portretizuar në filma, e që variojnë nga të tmerrshëm e deri në fatkeqësisht të paaftë.
Ka shumë prej tyre rrotull. Studimi i Robert Hogan - psikolog dhe konsulent lidershipi, tregon se 75% e punonjësve e raportojnë menjëherë shefin, si pjesën më të keqe të punës së tyre.
Duke qenë në fazat e hershme të karrierës sime, mendoj se është mjaft e natyrshme që puna të jetë një temë e zakonshme bisede – miqtë e mi janë të gjithë në një fazë të ngjashme pasuniversitare, duke hedhur hapat e para në jetë, ku shumica e kohës dhe energjive tona është e fokusuar tek puna. Deri tani shumica prej nesh e kanë takuar atë shefin. Ngacmuesi, fajësuesi, manipuluesi, etj. Ne ndajmë historitë tona të “luftës” gjatë orëve të lumtura, me skarën në oborrin e shtëpisë dhe ndonjëherë edhe përmes telefonatave, nëse është e nevojshme.
Nëse jeni nga ata të paktët e bekuar, që keni përjetuar vetëm llojin e shefit që inkurajon dreka të gjata dhe që që ju shtyn të jetoni jetën tuaj më të mirë, lutuni që kjo të vazhdojë dhe bëni gjithçka që ju ka përgatitur fati juaj i shkëlqyer.
Unë jam me fat. Historitë e mia janë pritur mirë deri më tani, të treguara me një mendjelehtësi që vjen vetëm me kalimin e kohës, aq sa për të hequr mendjen nga kujtimet më të sikletshme. Ato kryesisht sillen rreth punës sime të parë jashtë kolegjit, në ato situatat "mbytu ose mëso notin", ku stili i menaxhimit të shefit tim ishte i dobët në rastin më të mirë dhe joprofesional në rastin më të keq, që ende pas kaq vitesh më trazojnë si rastësisht me ndjenjën e dyshimit për veten.
Në një përpjekje për të përdorur një gjuhë diplomatike, gjatë një interviste në shkollën e mesme, e gjeta veten duke iu referuar asaj përvoje të veçantë si "momente të mësuari", një frazë paksa e ekzagjeruar që nuk e kisha përdorur kurrë më parë në jetën time, e cila papritmas kishte shumë kuptim. Më pëlqen idea e shprehjes në aspektin pozitiv të kësaj situate dhe ndërkohë që e them me zë të lartë, duke e shoqëruar me një dozë të shëndetshme ironie, më bën të ndihem sikur do ta humbas atë kur një situatë është më pak se ideale.
Në një përpjekje po aq të guximshme për të mos marrë rolin e atij që predikon "momente mësimi", ndërkohë që miqtë supozohet të jenë duke dëgjuar, ndërkohë që banakieri sjell porosinë e radhës, unë e mbaj zhargonin e vetëndihmës kryesisht për veten time. Por edhe nëse nuk është thënë troç, shumica e historive të miqve dhe kolegëve të mi përfundojnë në një pikë: Unë nuk dua të jem kurrë si ai person. Në raste si këto, një shef i keq mund të mësojë po aq, nëse jo më shumë, sesa një i mirë…
1. Fshehja nga përgjegjësia
Mungesa e aftësive të komunikimit ndërpersonal të shefes time dhe shfaqja e agresionit pasiv e bënë atë të papërshtatshme për punën, së paku, për komunikimin. Ajo shmangte rregullisht të gjitha format e ndërveprimit me ekipin, duke u mbyllur në zyrën e saj pa folur me askënd, përveçse gjatë takimeve. Sa herë që ajo i kushtonte vëmendje dikujt, zakonisht ishte për të kritikuar dhe ulur poshtë një koleg të caktuar, të cilin ajo do ta fajësonte për gabimet e saj.
Momenti i mësimit: Ekipi juaj do ta kuptojë nëse nuk dëshironi të jeni aty, ose nëse nuk jeni i interesuar të jeni një udhëheqës i fortë. Kur bëhet fjalë për udhëheqjen dhe maksimizimin e potencialit të ekipit tuaj, një mjedis i shëndetshëm dhe bashkëpunues do të jetë gjithmonë më efektiv sesa izolimi ose mospërfillja.
2. Loja me të preferuarit
Kam punuar shumë mirë me një nga menaxheret e mia të para, por padyshim që isha një nga të preferuarat e saj. Ne shkonim në dreka të gjata, ajo nuk më pyeste kur largohesha herët dhe merrej edhe me thashethemet e zyrës, që e dija se ishin joprofesionale. Favorizimi i dukshëm krijoi tension në ekip mes “të preferuarve” të saj dhe atyre që nuk trajtoheshin në të njëjtën mënyrë.
Momenti i mësimit: Mund të kem preferenca brenda ekipit tim, por jam më e kujdesshme. E kuptoj se do të ketë individë me të cilët preferoj të punoj dhe të angazhohem. Por, bëj çmos që të mos lejoj që kjo të ndërhyjë në gjykimet, vlerësimet apo aktivitetet e përditshme.
3. Zhvendosja e fajit
Kam pasur një menaxher që dërgonte qëllimisht përmbledhje të bisedave të ndryshuara me email, për të shmangur çdo faj për çështjet në zyrë. Bashkëpunëtorët e mi dhe unë filluam të dokumentonim vetë bisedat dhe përfundimisht na duhej të flisnim drejtpërdrejt me mbikëqyrësin e menaxherit, për të sqaruar situatën.
Momenti i mësimit: Dokumentimi i plotë mund të shpëtojë punën tuaj (unë e mbaj të gjithë korrespondencën, përfshirë tekstet, në dosje të organizuara) dhe nëse mendoni se rrethanat e kërkojnë këtë, merrni parasysh t'i drejtoheni menaxhmentit të lartë për ndihmë.
4. Mungesa e Lidershipit
Pakënaqësia e shefit tim për projektet dhe punën time më bëri të kuptoja se duhej të menaxhoja veten. Ai mund të ishte shefi në letër, por unë duhej të merrja kontrollin për organizimin e projekteve të mia, vendosjen e afateve dhe përmbushjen e atyre afateve.
Momenti i mësimit: Disa mbikëqyrës nuk kanë interes për të menaxhuar dhe ju duhet të mësoni të menaxhoni veten. Herë pas here, kjo përfshin menaxhimin e tyre në një farë mase.
5. Injorimi i komenteve
Gjatë vitit të parë, menaxherja ishte si një mike shumë e mirë për mua. Më pëlqente të shkoja në punë derisa u promovova në një pozicion drejtues, gjë që nuk më erdhi natyrshëm dhe për herë të parë në jetën time, u ndjeva e pasuksesshme. Marrëdhënia jonë u thye në momentin kur kërkova trajnim, kur ajo më tha se nuk kisha nevojë për të, pasi çdo menaxher në kompani thjesht mëson duke "bërë". U ndjeva e injoruar dhe e zhvlerësuar dhe nuk i besova më.
Momenti i mësimit: Ky ishte një momentet që ndihesh e vetmuar, e që kurrë nuk kam dashur që ndonjë nga anëtarët e ekipit tim ta përjetojë. Unë punoj shumë për të qenë e përgjegjshme ndaj reagimeve të ekipit tim dhe për të siguruar sa më shumë informacion të jetë e mundur, pasi besoj se ndjenja më e lartë e vlerësimit vjen nga të dëgjuarit me të vërtetë.