Blog

8 Arsye pse duhet të jeni të lumtur kur dështoni

8 Arsye pse duhet të jeni të lumtur kur dështoni

Ndërsa të gjithë përpiqen dhe punojnë fort për suksesin, çdo ditë shumë prej nesh përballen me dështimin. Suksesi është rezultat i përvojave të këqija në jetë. Rruga drejt suksesit është e mbushur me vështirësi dhe pengesa. Nëse këtu ka një problem, ai nuk qëndron tek vetë dështimi, por tek ajo që shumica e njerëzve nuk e kuptojnë se për të pasur sukses, ata duhet t'i kapërcejnë këto dështime dhe pengesa. Pra, me fjalë të tjera, problemi qëndron në mënyrën se si ne e pranojmë dhe e përjetojmë dështimin. Për disa dështimi është fundi i botës, ndërkohë që për shumicën është vetëm një mënyrë se si gjërat nuk funksionojnë e që duhen korrigjuar në tentativën e radhës. Një interpretim më të plotë mbi qëndrimin ndaj dështimit, po e sjellim në shkrimin më poshtë, me autore Rose Costas. Urtësia kineze na mëson se - Dështimi është nëna e Suksesit! Lexim të këndshëm!

* * * * *

Keni dështuar në diçka kohët e fundit? Nëse po, shumë mirë. Në të vërtetë askush në këtë planet nuk mund të thotë që nuk ka dështuar në diçka, në një moment të jetës së tij apo të saj.

Dështimi është pjesë e natyrshme e procesit të rritjes, pjekjes dhe zhvillimit të racës njerëzore. Ne dështojmë sepse po rritemi, po eksplorojmë dhe duam zgjidhje për problemet e jetës. Ne kishim për qëllim të ishim kuriozë, dhe kurioziteti përfundimisht do të na çojë drejt suksesit, por dështimi është pjesë e gjithçkaje.

Fatkeqësisht, ne na mësuan se dështimet tona ishin një shenjë dobësie, fat i keq dhe përpjekje të këqija, në tentativën për të përmirësuar jetën tonë. Të njëjtat gabime, që janë një shenjë e përpjekjes sonë të vazhdueshme për të jetuar, janë përdorur për të dekurajuar dhe penguar përpjekjet tona për t'u bërë njerëz më të mirë.

Sa herë që dështojmë, ne tundohemi të heqim dorë, të mbyllemi në vetvete dhe të ndiejmë sikur jeta jonë ka mbaruar. Ne pyesim inteligjencën dhe arsyen tonë për të bërë atë që bëmë herën e kaluar.

Dështimi është një ngjarje, jo një person. -  Zig Ziglar

Përderisa ne të gjithë bëjmë gabime, duhet të mbajmë gjithmonë parasysh se problemi nuk është gabimi në vetvete, por mënyra që ju zgjidhni të merreni me emocionet tuaja. Do të ndiheni keq kur të dështoni, dhe kjo është normale, por heqja dorë nga ëndrrat tuaja nuk është kurrë gjëja e duhur për të bërë.

1. Nëse nuk po bëni gabime, nuk po përpiqeni

Për t'u përmirësuar dhe për të pasur sukses në çdo detyrë, duhet të jeni të gatshëm të ndërmerrni rreziqe dhe të rrezikosh do të thotë që mund të dështoni. Është e natyrshme që ju të ndiheni keq kur dështoni, por duhet të mbani parasysh se kjo është një shenjë që ju po përpiqeni për të gjetur zgjidhje për problemet e jetës. Mos u fokusoni shumë tek gabimet, por i përdorni ato si mësim. Mësoni dhe vazhdoni përpara. Nëse mësoni nga gabimet tuaja, ju nuk do t'i përsërisni ato dhe do të bëheni më të fortë, më të mençur dhe më me përvojë.

2. Të gjithë bëjnë gabime

Si qenie njerëzore, ne jemi të detyruar të provojmë, dhe kjo nuk përjashton askënd. Nuk ekziston një rrugë e përcaktuar për të jetuar jetën. Ne e jetojmë jetën tonë përmes provës dhe gabimit, kështu që ne do të bëjmë gabime. Edhe nëse dikush tjetër ka bërë diçka më parë, për ta çuar atë në një nivel tjetër do duhet të rrezikoni dhe të bëni gabime. Mos u shqetësoni nga kjo, por shikojeni atë si një tregues se jeni të angazhuar dhe se po bëni diçka speciale. Vlerësojeni atë që keni arritur dhe punoni më shumë, por mos u dorëzoni. Në përfundim do të keni sukses nëse nuk hiqni dorë.

3. Dështimet tuaja janë shenja që po përmirësoheni

Kur ju të kuptoni se jeni duke bërë gabime, ndërkohë që po bëni gjënë e duhur, mos u dëshpëroni pasi kjo mund t’ju thotë se jeni në rrugën e duhur. Inkurajoni dhe motivoni veten, duke e ditur se gabimet tuaja po ju ndihmojnë të bëheni më të mirë në atë që po bëni. Gjithashtu, ju do të bëheni më të fortë dhe më të ditur. Punoni shumë për t'u siguruar që të mënjanoni e minimizoni vazhdimisht gabimet tuaja.

4. Dështimi tregon se jeni shumë guximtar

Duhet guxim për të bërë një përpjekje për diçka që nuk jeni të sigurt nëse do të funksionojë apo jo. Ju po investoni kohën, energjinë dhe paratë tuaja në diçka që nuk e keni idenë se cilat do të jenë rezultatet. Edhe pse mund të keni dështuar, fakti që dhatë gjithçka keni, tregon shumë për atë se kush jeni ju, si person. Të jesh guximtar nuk do të thotë që të mos kesh frikë, por që edhe pse ke frikë deri në vdekje, je aq guximtar sa vendos të bësh një përpjekje.

5. Dështimet tuaja ju bëjnë shumë më të fortë

Pasi të keni dështuar disa herë, do të jeni bërë shumë më të fortë e më të zgjuar. Kur dështimi ndodh, është normale të dekurajoheni, frustroheni dhe madje të zemëroheni, por nëse zgjidhni të kapërceni zhgënjimin dhe zemërimin tuaj, do të kuptoni se sa më të fortë jeni. Ju gjithashtu do të jeni më të vendosur për të pasur sukses dhe për t'i provuar vetes dhe të tjerëve se me të vërtetë mund të keni sukses.

6. Dështimet tuaja ju ndihmojnë të rriteni

Kur keni dështuar dhe keni kapërcyer zhgënjimin tuaj, ka shumë të ngjarë të gjeni brenda jush forcën që as nuk e dinit se e kishit.  Në të vërtetë ju do të kuptoni se çfarë brumi jeni dhe ku mund të arrini. Për t'u bërë më të fortë dhe për t'u rritur do ju duhet të kapërceni pengesat dhe dështimi do t'ju ndihmojë që brenda jush, të gjeni forcën për të vazhduar. Dështimi do ju ndihmojë të hiqni dorë nga rehatia.

Shumë prej nesh e kuptojnë se gjërat ndodhin për një arsye, e kështu ndodh edhe me dështimin, megjithëse arsyet mund të mos jenë domosdoshmërisht të qarta, kur ai ndodh. Njerëzit mendjehapur e kuptojnë se dështimi i tyre ofron mundësi të tjera për ta. Shprehja - kur një derë mbyllet shumë të tjera hapen - është mëse e vërtetë. Ju duhet të jeni të gatshëm të shihni mundësitë dhe të shkoni pas tyre. Dështimi është vetëm një derë e mbyllur, e shumë të tjera hapen për shkak të saj. Dështimi nuk është kurrë fundi i ëndrrës suaj, por fillimi i diçkaje më të madhe dhe më të mirë.

7. Dështimet ju japin mundësinë për të mësuar gjëra të reja

Shikoni disa nga njerëzit më të rëndësishëm në histori dhe se si e shohin ata dështimin. Thomas Edison tha se - nuk dështoi, por vetëm provoi mijëra mënyra për të zgjidhur problemin. Ai tha se po mësonte disa mënyra të tjera për të zgjidhur të njëjtin problem. Ky është mentaliteti që duhet të zhvilloni. Dështimi nuk është fundi, por një mundësi për të mësuar diçka të re dhe për të provuar një mënyrë tjetër për të zgjidhur problemin.

8. Dështimi ju ofron zgjidhje të tjera që nuk i kishit menduar

Nëse nuk e provoni, kurrë nuk do ta dini nëse idetë tuaja do të funksionojnë apo jo. Nëse nuk e provoni, nuk do ta dini kurrë që edhe ju mund të kishit dështuar, por është më mirë të dështoni sesa të ndjeni keqardhje që të paktën ta kishit provuar. Ndonjëherë, ndërsa përpiqeni të arrini diçka, rezultati mund të jetë krejt ndryshe, e ndoshta edhe më i madh. Ndonjëherë dështimet tuaja rezultojnë të jenë historia më e mirë e suksesit tuaj.

Ju do të dështoni dhe do të vazhdoni të dështoni, për sa kohë që jeni gati të provoni diçka të re - por mos hiqni dorë. Përdorini dështimet tuaja si një hap drejt qëllimeve tuaja, si rrjedhë normale e jetës dhe ato kurrë nuk duhet të shihen si fatkeqësi.

Përdorini dështimet tuaja si mundësi për rritje të mëtejshme.