4 Arsye pse po e humbni motivimin në punë
Prej kohësh dëshironim ta sillnim këtë shkrim të Anna Johansson, por rasti e solli që në diskutimet e zhvilluara në trajnimin e javës së kaluar, të flisnim gjatë rreth kësaj teme, duke shkëmbyer mendime dhe ide interesante me pjesëmarrësit. Duke dashur ta mbajm gjallë diskutimin, por edhe në plotësim të diskutimeve gjatë trajnimit e jo vetëm, mendojmë se idetë këtu mund të vijnë në ndihmë. Qëndrimi i motivuar në punë mund të jetë i vështirë, pasi ka shumë arsye që ndikojnë këtu. E rëndësishme është që të zbulohet shkaku apo shkaqet dhe vullneti i mirë e nxit përsëri motivimin. Shumica e këtyre problemeve mund të rregullohen dhe zakonisht, zgjidhja është nga më të thjeshtat. Mbani gjithmonë parasysh se luhatja është normale. Askush nuk mund të jetë aktiv dhe i motivuar 100% të kohës, as mos e prisni këtë nga punonjësit tuaj. Çfarë do bëni në këtë situatë përcakton karakterin tuaj. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Numri i punonjësve që e duan punën e tyre po zvogëlohet. Një prej studimeve në SHBA, tregon se vetëm 30% e punonjësve ndihen vërtet të angazhuar dhe të frymëzuar nga karriera e tyre.
48% thonë se as nuk e pëlqejnë punën e tyre, dhe 18% konfirmojnë se janë në mënyrë aktive të pa angazhuar në punë, sepse e urrejnë atë që bëjnë. Bazuar në këto statistika, ju mund të mendoni se punonjësit e pakënaqur nuk duhet të bëjnë gjë tjetër, veçse të dalin dhe të gjejnë një punë tjetër.
Sidoqoftë, kjo zgjidhje do të jetë e përshtatshme dhe mund të bëhet vetëm nga një pjesë e vogël e punonjësve të pakënaqur, në gjithë fuqinë punëtore. Në fakt, shumica duhet të zbulojë se çfarë e pengon angazhimin e plotë në punën e tyre dhe të bëjnë ndryshime të përshtatshme.
Kjo fillon me identifikimin e shkakut të humbjes së motivimit tuaj. Kjo, pasi punonjësit e pamotivuar kanë 10 herë më shumë gjasa të jenë të pakënaqur dhe të frustruar me punën e tyre.
Nëse kjo vlen për ju, këtu janë 4 arsye thelbësore pse po humbni motivimin dhe si mund ta rregulloni atë:
1. Ndiheni të pasigurt në punën tuaj
Pavarësisht nëse kompania për të cilën punoni po shkon drejt tatëpjetës, ose po ndiheni sikur shefi juaj po ju ngushton hapësirën dhe “lakun rreth qafës”, pasiguria në punë mund të shuajë të gjithë kënaqësinë që jep puna. Energjia juaj shpenzohet në qarkullimin e thashethemeve me kolegët, sikletin gjatë takimeve në zyrën e shefit tuaj dhe dështimin për t'u përqëndruar plotësisht në detyrat tuaja.
Zgjidhja: Komunikoni drejtpërdrejt dhe shpesh me eprorët tuaj për të përcaktuar gjendjen e punës tuaj dhe kompanisë. Nëse e dini se si janë gjërat dhe çfarë po vjen, ka më shumë të ngjarë të punoni në mënyrë të sigurt, edhe nëse do t’ju duhet të kërkoni një punë tjetër, krahas kësaj.
2. Nuk ka asnjë vizion që drejton zgjedhjen tuaj të karrierës
Me gjithë vëmendjen që i kushtojmë, paraja është në të vërtetë vetëm një pjesë e vogël e motivimit të shumicës së punonjësve. Shpesh, njerëzit frymëzohen të punojnë më shumë, sepse kanë një qëllim apo objektiv dhe ata e ndjekin atë vizion, që i çon më pranë suksesit.
Njerëzve u pëlqen të ndiejnë se po përparojnë drejt diçkaje më të madhe dhe më të mirë në jetën e tyre, ose do të fillojnë të ndihen të mërzitur për atë që po bëjnë.
Zgjidhja: Vendosni objektiva të arritshme për veten tuaj dhe kontrolloni rregullisht progresin në arritjen e tyre. Objektivat tuaj personalë mund të përfshijnë përmirësimin e performancës në punë ose një ndryshim në jetën tuaj personale, që ju afron me një situate më të lumtur dhe më të shëndetshme.
3. Duket se njerëzit përgjegjës nuk e dinë se çfarë po bëjnë
Kur besoni se pronarët e kompanisë ose menaxherët tuaj janë të paaftë, ju humbni besimin tek ata. Është e vështirë të kryeni punën tuaj me plot energji dhe është e lehtë të ndiheni sikur puna është një shaka, kur e gjeni veten në atë situatë.
Zgjidhja: Nëse shefi juaj nuk ju lejon ta ndihmoni dhe këshilloni se si të përmirësojë aftësitë e tij drejtuese, ndoshta nuk duhet të ofroni rekomandime, se si ai ose ajo të mund të përmirësohet. Në këtë moment, duket se është koha (dhe do të jetë më mirë) të kërkoni një punë tjetër, me një shef që mund të bashkëpunoni më mirë.
4. Bashkëpunëtorët tuaj janë të pakëndshëm
Ndonjëherë paga dhe lloji i punës nuk kanë rëndësi, për sa kohë që keni një grup të shkëlqyer bashkëpunëtorësh. Njerëzit që punojnë në një kompani të caktuar shpesh janë faktori i suksesit apo dështimit, në atë nëse puna juaj është e tolerueshme, apo edhe shpërblyese. Kur jeni të bllokuar midis kolegëve të pakëndshëm, është e vështirë të motivoheni sa duhet për të bërë ndonjë gjë produktive.
Zgjidhja: Nëse nuk ju pëlqen puna ose pagesa, mund të jetë koha për të kërkuar një pozicion tjetër. Nëse e doni punën dhe nuk doni të largoheni, për shkak të disa njerëzve që ju ndikojnë negativisht, ndryshoni qëndrimin tuaj ose punoni në zgjidhjen e konflikteve brenda zyrës.
Natyrisht, pas gjithë kësaj, rezultati i përpjekjeve tuaja nuk do të jetë i sigurt, por ia vlen të përpiqeni të mbani punën që doni.