Fuqia e përgjegjshmërisë: 10 hapa për të arritur çdo objektiv
Vendosja e qëllimeve dhe objektivave është elementi thelbësor për t’i dhënë kuptim jetës tonë. Qëllimet dhe objektivat ndihmojnë të drejtojmë dhe të fokusohemi në jetën tonë, e gjithashtu kjo ndihmon të jemi të motivuar. Sa njerëz të dëshpëruar njihni ju? Një nga arsyet kryesore që ata ndihen kështu është se nuk janë të qartë për atë që duan nga jeta dhe nuk i kanë vendosur vetes objektiva. Pothuajse gjithçka në jetë sillet rreth objektivave apo qëllimeve, të cilat përfshijnë planet për të ardhmen, shpresat, ëndrrat dhe vizionet tona për atë që duam të arrijmë në jetë. Ndërsa vendosja e objektivave dhe qëllimeve është e rëndësishme, arritja e tyre kërkon një plan dhe përgatitje për zbatimin e tij. Shkrimi më poshtë, me autor Roger Connors, ndihmon për një përgatitje sa më të mirë personale, drejt arritjes së objektivave. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Zemra. Inteligjenca. Guximi.
Janë të gjitha tipare të vlefshme, por ato zbehen në krahasim me atë që secilit prej nesh i nevojitet më shumë, në kërkimin e suksesit të përgjithshëm të jetës: Përgjegjshmëria personale është nr. 1.
Ne fillimisht i prezantuam botës filozofinë tonë të fuqishme të përgjegjshmërisë, në librin shumë të shitur të New York Times, “Parimi i Ozit”. Që atëherë, miliona njerëz na kanë njohur si "djemtë e Ozit".
Në zemër të mesazhit (jo vetëm i yni) qëndron një parim i thjeshtë: Mos lejoni që rrethanat tuaja të përcaktojnë se kush jeni dhe çfarë bëni.
Me fjalë të tjera, mos e vendosni shpresën për suksesin e ardhshëm në duart dhe shkopin e ndonjë magjistari. Mbështetja në dikë ose diçka për t'ju shpëtuar, sjell vetëm një ndjenjë viktimizimi, që paralizon aftësinë tuaj për të menduar qartë, shpejt dhe në mënyrë krijuese. Në vend të kësaj, merrni përgjegjësinë për të krijuar rrethanat tuaja, pas të cilës gjëra të mira, pozitive, që ndryshojnë lojën, do të fillojnë të ndodhin.
Pavarësisht nëse jeni duke kërkuar të bëni shumë ndryshime ose thjesht dëshironi ta rregulloni pak jetën tuaj, këtu janë 10 udhëzime - pikat kryesore nga libri ynë më i ri, “Urtësia e Ozit” - që do t'ju ndihmojnë të lëshoni fuqinë e përgjegjësisë personale për të marrë pronësinë për veprimet, vendimet, sukseset dhe dështimet tuaja.
1) Ripërcaktoni përgjegjshmërinë.
A ju bën të dridheni thjesht përmendja e fjalës përgjegjshmëri? Pikëpamja negative (dhe jo frymëzuese) e përgjegjshmërisë përforcohet në përkufizimin e përbashkët të fjalorit: “Në varësi të raportimit, shpjegimit ose justifikimit; duke qenë përgjegjës, i përgjegjshëm".
Qëndrimi besnik ndaj vetes dhe objektivave tuaja nuk duhet t’ju lodhë. Ju duhet ta shihni përgjegjësinë tuaj si një dhuratë për veten tuaj, një mendim vullnetar për të siguruar suksesin, jo si diçka që po e ushqeni me forcë edhe pse e urreni.
2) Mendoni sikur jeta juaj të varet nga ajo.
Kur kaloni në një mendim të vendosur, krijues, filloni të zbuloni zgjidhje për sfidat që mund të keni besuar se ishin jashtë kontrollit tuaj. Nëse jeta juaj varej prej saj, a do të dilnit me një ide apo strategji të re, për të shpëtuar veten? Absolutisht po.
Qëllimi që dëshironi të arrini ose problemi që dëshironi të zgjidhni ndoshta nuk është një skenar jetë a vdekje, por shumë zgjidhje krijuese vijnë kur e vendosni gjithçka në vijë. Ndërsa jeta juaj mund të mos jetë në rrezik, lumturia dhe suksesi juaj janë.
3) Kur nuk mund t'i kontrolloni rrethanat tuaja, mos lejoni që rrethanat tuaja t'ju kontrollojnë juve.
Më 22 mars 2012, ushtria shtetërore e Mali sulmoi pallatin presidencial, duke përmbysur demokracinë 20-vjeçare të vendit afrikano-perëndimor. Gjatë trazirave, militantët islamikë morën kontrollin e dy të tretave të vendit dhe shtypën zgjedhjet e ardhshme demokratike.
“Ky ishte një moment tragjik” - thotë Yeah Samake, kryetar i bashkisë të Ouélessébougou, një qytet i vogël rreth 40 kilometra larg kaosit. "Unë hyra në dhomën time të ndënjes dhe u lëshova plotësisht në divan. Gruaja ime erdhi dhe më goditi me shkelma. Nuk mund ta besoja. Unë i thashë – ‘Unë pres mbështetje nga ty. Pse po më shkelmon?' Ajo tha vetëm - 'Dil atje dhe shko të bësh diçka'."
Pavarësisht nëse ngriheni nga divani ose kërkoni një lëvizje të vogël nga diku tjetër, qëllimi është të dilni atje dhe të bëni diçka.
4) Duhet ta doni më shumë sesa mos ta doni.
Çdo gjë do të kërkojë një çmim të caktuar nga ju - energji, përpjekje, durim, burime. Është e natyrshme të duash gjërat e mira në jetë pa paguar çmimin: Ju dëshironi të humbni peshë, por nuk doni të stërviteni ose të hiqni dorë nga ushqimet tuaja të preferuara. Ju doni të promovoheni, por nuk doni të shpenzoni orë shtesë. Suksesi vjen kur arrini një pikë kthese dhe filloni ta dëshironi objektivin tuaj më shumë sesa të keni frikë nga kostoja e arritjes së tij.
5) Mos lejoni që graviteti t'ju tërheqë poshtë.
Ashtu siç planetët prodhojnë gravitet - duke tërhequr gjithçka drejt tyre – ashtu edhe problemet e vështira dhe pengesat sfiduese kanë masë të mjaftueshme për t'ju larguar nga arritja e asaj që dëshironi. Kjo forcë bëhet më e madhe dhe më e fortë ndërsa sfidat bëhen më të mëdha dhe më të ashpra. Mos u dorëzoni.
6) Çdo përparim kërkon një shtytje të guximshme.
Aktori Jim Carrey u rrit aq i varfër, saqë familja e tij jetonte në një furgon, pasi babai i tij humbi punën. Për një periudhë, ai fjeti në tendë në lëndinën e një të afërmi. Por Carrey besonte në të ardhmen e tij dhe në gjërat që donte të arrinte në jetë.
Siç tregon historia, një natë në fillim të karrierës komike të Carrey, ai shkoi me Toyota-n e tij të vjetër në Hollywood Hills dhe ndërsa shikonte Los Anxhelosin, nxori bllokun e tij të çeqeve dhe i shkroi vetes një çek për 10 milion dollarë. Tek shënimet ai shkarraviti "Për shërbime aktrimi " dhe e futi në portofolin e tij. Në atë moment, Carrey forcoi vendosmërinë e tij personale. Gjatë pesë viteve të ardhshme, premtimi i tij ndaj vetes e bëri që të arrijë famë në mbarë botën. Në kulmin e karrierës, paga e tij për film arriti në 20 milion dollarë.
Kur zbuloni fuqinë tuaj të brendshme, mbani parasysh se keni të drejtën, aftësinë, madje edhe detyrimin, për të krijuar realitetin tuaj më të mirë.
7) Kërkoni reagime.
Kërkimi i këshillave dhe kritikave nga të tjerët krijon përgjegjësi.
Që kjo të funksionojë, do t'ju duhet të bindni mentorin, mikun, kolegun ose persona të tjerë të rëndësishëm tek të cilët mbështeteni, se doni të dini se çfarë mendojnë ata në të vërtetë. Po rata duhet të jenë të sigurt se nuk do të kenë ndonjë pasojë nëse tregohen plotësisht të sinqertë. Mbledhja e informacionit është çelësi për të kapërcyer pikat e errëta dhe për të arritur rezultate më të mira.
8) Pyesni veten - Jam qiramarrësi apo pronari?
Ne kujdesemi më shumë për gjërat që zotërojmë sesa për gjërat që marrim me qira, sepse nuk kemi investuar shumë, në gjërat që janë të përkohshme; pra, nuk kemi rrezikuar shumë. A keni larë ndonjëherë një makinë me qira? Sigurisht që jo.
Kur zotëroni diçka - qoftë një makinë, një detyrë pune ose një marrëdhënie - ju bëni një investim, zakonisht duke përfshirë një farë sakrifice. Kur merrni diçka me qira, mund të largoheni pa humbur asgjë. Nëse jeni vërtet të përkushtuar për të arritur qëllimin tuaj, vendosni aty të gjitha përpjekjet dhe burimet tuaja.
9) Përgatituni për të larguar shumë papastërti.
Gjetja e zgjidhjeve është njësoj si të kërkosh ar. A e keni parë në Discovery Channel “Ethet e arit”? Dokumentari tregon jetën e minatorëve të ditëve të sotme, ku ata konkurrojnë me kohën, ndaj njëri-tjetrit dhe natyrës me shpresën për t’u bërë të pasur. Në fillim, minatorët duhet të heqin një shtresë të trashë prej 2-3 metrash dheu, balte dhe shkëmbinjsh, përpara se të fillojnë punën në minierën e vërtetë. Poshtë kësaj shtrese, në dukje të pavlerë dhe të dhimbshme, ata mund të hasin diçka të vlefshme. Sa më shumë dhe e baltë të largojnë minatorët, aq më shumë ar ata mund të gjejnë. Në fund, ata duhet të lëvizin disa ton material, për të gjetur vetëm 1 ons ar. Është një punë e vështirë, por jep shpërblime të mira.
Sekreti i tyre i suksesit: Vazhdoni të gërmoni.
10) Bëjeni të ndodhë!
Si e bën atë? Si e bëni vërtet përgjegjësinë personale të funksionojë për ju? A nuk do të ishte më e lehtë nëse do të rrotullonit vetëm një çelës? Ose një buton i thjeshtë, që mund ta shtyni? Ose ndoshta një aplikacion që mund të përdorni? Epo, në të vërtetë ekziston një buton magjik. Ai quhet: të bësh një zgjedhje dhe të veprosh sipas saj.
Ju keni zgjedhje: të përmbushni aspiratat tuaja ose të zhyteni në lojën e fajit dhe ciklin e viktimave.
Suksesi i vërtetë nuk vjen nga jashtë, por nga brenda. Nuk ka magji. Marrja e përgjegjësisë më të madhe personale është çelësi për të pasur sukses në gjithçka që bëni.