Blog

Një zgjedhje

Një zgjedhje

Sapo keni bërë një zgjedhje! Ju zgjodhët që tani të lexoni këtë artikull. Ju mund të zgjidhnit që ta shtynit për më vonë ose ta injoronit plotësisht atë. Kjo është një zgjedhje e vogël, por jeta është një tërësi zgjedhjesh dhe vendimesh. Ju zgjodhët sot çfarë keni veshur, çfarë rruge keni ndjekur për të mbrritur në punë, çfarë keni ngrënë, kë keni takuar apo do të takoni, çfarë do bëni pas pune, etj. Të gjitha këto e shumë më tepër janë zgjedhjet që bëjmë çdo ditë. A janë këto zgjedhjet më të mira? Cilat janë zgjedhjet më të mira? Nëse zgjedhjet tuaja ju ndihmojnë të shkoni në drejtimin që dëshironi, është e sigurt se janë zgjedhje të mira. Përndryshe do të ndjeni stres, paqartësi dhe dëshpërim. Më poshtë, John Spence na nxit që të bëjmë zgjedhje të mira, për një jetë të pasur dhe të kënaqshme profesionale. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Ju gjithmonë keni një zgjedhje. Një zgjedhje për të dhënë apo për të marrë. Një zgjedhje që të qëndroni, në vend që të largoheni. Një zgjedhje për të bërë një ndryshim. Një zgjedhje për të ndikuar.

Bizneset e mëdha nuk krijohen vetë. Njerëzit, të cilët kujdesen aq shumë për të bërë zgjedhjen e vështirë të të shërbyerit mbi nevojat vetjake dhe të interesave të kompanisë mbi interesat personale, krijojnë kompani të mëdha. Njerëz të gatshëm të investojnë kohë, energji, para dhe që rrezikojnë reputacionin e tyre për të përmirësuar biznesin e tyre, për çdo gjë e këdo, nga e cila varet suksesi i tij.

Udhëheqja e vërtetë

Unë kam dhënë mësim udhëheqje për gati 30 vjet. Këtu është përkufizimi im i udhëheqjes.

"Një udhëheqës është dikush që përpiqet të japë një shembull të gjallë, të asaj që ata shpresojnë se pasuesit e tyre do të bëhen një ditë".

Udhëheqësit e vërtetë janë një shembull i gjallë i pasionit, vlerave dhe veprimeve që ata duan të shohin në organizatën e tyre. Ata bëjnë zgjedhje që tregojnë se janë thellësisht të përkushtuar ndaj njerëzve të tyre. Udhëheqësit kanë një vizion se ku ata duan ta shohin biznesin e tyre, e kombinuar kjo me bindjen, ambicjen dhe këmbënguljen për ta ndjekur dhe të fokusuar në atë vizion, për vite ose dekada. Për më tepër, ata gjithashtu kanë diçka shumë unike, guximin për të besuar se mund ta arrijnë atë vizion.

Është e rëndësishme të mbani mend se ata nuk ndryshojnë shumë nga unë dhe ti, përveçse nga zgjedhjet që ata kanë bërë. Të gjithë e kanë mundësinë të bëjnë një ndryshim, nëse janë të gatshëm të angazhohen. Qoftë ky i madh apo i vogël, të gjithë mund të bëjnë një ndryshim pozitiv në suksesin e organizatës ose dhe në jetën e të tjerëve. Thjesht duhet të bëni një zgjedhje.

“Asnjëherë mos dyshoni se një grup i vogël qytetarësh, plot me ide dhe të përkushtuar mund të ndryshojnë botën; në të vërtetë, kjo është e vetmja gjë që ndodh vazhdimisht”. -Margaret Mead

Kështu që po ju pyes:

  • Cili është pasioni juaj?
  • Konkretisht, çfarë ju pëlqen në kompani, që dëshironi ta mbroni, promovoni dhe mbështesni?
  • Çfarë mendoni se nuk është në rregull dhe ka nevojë për rregullim?
  • Si mund të mbështesni vizionin, misionin, vlerat dhe qëllimin e kompanisë tuaj?
  • Cilat aftësi, ide dhe energji mund të ofroni për zgjidhjen e një problemi apo mundësie në kompaninë tuaj?
  • Çfarë mund të bëni TANI për të bërë një ndryshim pozitiv?

Ju jeni personi që mund të sillni një ide të re ose të bëni diçka, që ndryshon përgjithmonë rrjedhën e biznesit tuaj, i cili mund të prekë jetën e dikujt dhe t'i japë shpresë. Ju jeni personi që mund të filloni një program ose projekt të ri, që ua bën jetën më të mirë punonjësve tuaj. Prandaj, ju jeni personi që mund të ndryshoni gjithçka. Mos harroni se dikur, dikush ka qenë një qytetar i zakonshëm, i cili mori një vendim të jashtëzakonshëm për të bërë diçka kuptimplote, diçka të madhe, diçka për të dalë nga zona e tij e rehatisë, diçka që ai besonte se duhej bërë. Kështu që unë ju sfidoj të bëni një zgjedhje të guximshme, të gjeni diçka ku doni të bëni një ndryshim dhe t'i hidheni asaj me pasion, dashuri dhe vendosmëri. Po, kompania juaj do të jetë më e mirë me atë që do bëni, por po kështu edhe ju.

Nëse jo unë, atëherë kush? Nëse jo tani, atëherë kur?” - Rabbi Hillel.