Blog

Efektet e mungesës së respektit në vendin e punës

Efektet e mungesës së respektit në vendin e punës

Bashkëjetesa në shoqëri ka shumë norma dhe rregulla, disa të shkruara dhe disa të nënkuptuara. E njejta gjë vlen edhe në vendin e punës, ku për të shmangur keqkuptimet apo keqinterpretimet, në ngjashmëri me shoqërinë në tërësi, shpesh janë shkruar rregulla dhe rregullore, në mënyrë që ato të zbatohen me korrektësi. Natyrisht, jo të gjitha mund të shkruhen, por një pjesë e mirë e tyre i kushtohen respektit reciprok ndërmjet punonjësve të ndryshëm, të çdo niveli. Dhe kjo ka disa arsye shumë të forta, pasi kryesisht mungesa e respektit në vendin e punës është përgjegjëse dhe shkakton një sërë efektesh negative në funksionimin e oganizatës si një e tërë duke vënë në dyshim arritjen e qëllimeve dhe objektivave që ajo i ka vënë vetes. Një këndvështrim më të plotë nga Michael Wroblewski e gjeni në shkrimin këtu. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Ju e kuptoni kur e shikoni atë. Ose, me shumë gjasa, ju e kuptoni kur e ndjeni atë. Të shohësh ose të dëgjosh dikë, që sillet pa respekt ndaj një bashkëpunëtori mund të të shkaktojë një si përzierje. Ndoshta ky është dhe reagimi që synonte protagonisti, por jo për ju, shefin. Dhe sapo të jeni në dijeni të mungesës së respektit në vendin e punës  atij vendi pune që ju keni punuar kaq shumë, për ta zhvilluar në mënyrë konstruktive - është koha të ndërhyni, përpara se të tjerët të krijojnë idenë se ju do ta toleroni një sjellje të tillë. Mungesa e respektit mund të jetë shkatërruese për harmoninë në ambientin e punës dhe mund të sjellë një dëm të madh për biznesin tuaj të vogël.

Mungesa e respektit në vendin e punës shfaqet me shumë “fytyra”

Mungesa e respektit merr forma të ndryshme, edhe me veprime të dukshme, duke përfshirë:

  • Ndërprerjen e dikujt përpara se të mbarojë së foluri.
  • Bërjen e komenteve denigruese, përbuzëse ose nënçmuese.
  • Marrjen nën kontroll të një situate ose projekti me anë të frikësimit.
  • Psherëtimat ose gjestet në fytyrë, ndërsa dikush është duke folur.

Ndonjëherë, mungesa e respektit nuk shfaqet aq hapur dhe mund t'i shpëtojë zbulimit. Por menaxherët duhet të kenë kujdes që të vlerësojnë qarkullimin e thashethemeve ose ideve, injorimi i një personi apo të një direktive, bërjen e "shakave" në kurriz të dikujt tjetër, apo refuzimin për të përfshirë dikë në një aktivitet ose komunikim.

Në rastet më të këqija, mungesa e respektit në vendin e punës mund të përkeqësohet duke përdorur etikete fyese e madje deri në përplasje verbale ose fizike. Dhe në këtë pikë, vendi juaj i punës mund të jetë në kulmin e kaosit. Ajo do ta kalojë kufirin mbi shqetësimet ose ngacmimet kur negativiteti të bëhet i zakonshëm.

Sjellja mosrespektuese bën dëm të madh

Mungesa e respektit në vendin e punës është bërë më flagrant dhe më i zakonshëm gjatë 20 viteve të fundit - kjo sipas një studimi që përfshin 800 menaxherë dhe punonjës, në 17 industri të ndryshme. Si pronar i një biznesi të vogël, ju keni të drejtë kur supozoni se sjellja e papërshtatshme zakonisht pasohet nga rënia e produktivitetit. Por studimi zbulon pasoja më të rënda. Aty ku shfaqet sjellja mosrespektuese, hulumtimi na tregoi se:

  • Në 78% të punonjësve ka rënë angazhimi i tyre ndaj organizatës.
  • Në 66% të tyre kjo ka ulur performancën e punës.
  • 47% e tyre kishin ulur me qëllim kohën e punës.
  • 38% thanë se e ulën qëllimisht cilësinë e punës së tyre.

Dhe shumë punonjës të përfshirë në studim u larguan papritmas nga puna. Megjithatë, ata nuk u treguan shefave të tyre pse kërkuan punë diku tjetër. Ndërkohë, edhe dëshmitarët, megjithëse të papërfshirë drejtpërdrejt në incidente të mungesës së respektit, e vuajtën atë. Ata nuk kishin më dëshirë të ndihmonin dhe të bashkëpunonin me kolegët e tyre. Ashtu si kompjuterët e tyre, në fund të ditës edhe ata u mbyllën dhe puna në ekip u bë inekzistente.

Si të shuhet mungesa e respektit në vendin e punës

Meqenëse, si pronarë biznesesh të vogla ju vendosni tonin në vendin e punës, ju gjithashtu mbani përgjegjësi për të vepruar shpejt e për të shuar çdo shfaqje të mungesës së respektit, nëpërmjet:

  • Qartësimit ndaj tyre, se ju nuk do ta toleroni mungesën e respektit në vendin e punës. Udhëzojini punonjësit që të vijnë direkt tek ju, nëse ndjejnë sjellje mosrespektuese në vendin e punës.
  • Vendosjes dhe bërjes të ditur të standardeve tuaja, si dhe të qënit i përgatitur për të ndërmarrë masa disiplinore, kundrejt atyre që i shkelin.

Shfaqja e respektit ndaj të tjerëve duhet të minimizojë stresin dhe konfliktin në vendin e punës, për të mos përmendur rritjen e produktivitetit, bashkëpunimit dhe ndjenjën e mirëfilltë të vullnetit të mirë. Në fund të fundit, punonjësit tuaj mund të mos shihen gjithmonë sy më sy dhe madje mund të përplasen ndonjëherë për ide dhe procedura. Të rriturit e arsyeshëm e presin këtë. Por ata duhet ta dinë që duhet të sillen në mënyrë profesionale dhe të respektueshme në vendin e punës.

Si drejtues, ju mund të vendosni nivelin e sjelljes së mirë, duke:

  • Mbajtur nën kontroll shqetësimet e duke mos u marrë me ngacmimet e vogla, por pa i lejuar që të acarohen.
  • Komunikuar në një mënyrë të sjellshme dhe pozitive. Ju duhet të jeni i vëmendshëm jo vetëm për atë që thoni, por edhe për mënyrën se si e thoni.
  • Mbyllur çdo mosmarrëveshje në mënyrë sa më miqësore e ndoshta me një shtrëngim duarsh, për t’u siguruar që fjalët e ashpra të mos kenë më vend.
  • Inkurajuar punonjësit që t’i vijnë në ndihmë njëri-tjetrit, me fjalë të tjera, të veprojnë si një ekip, dhe jo vetëm të thonë se janë ekip.

Studiuesit thonë se një kulturë pozitive në vendin e punës, në të cilën njerëzit ndihen të respektuar, shpesh është e dukshme dhe ju mund ta ndjeni atë. Shanset janë që edhe klientët tuaj do ta ndjejnë, gjithashtu.