Ndërtimi i besimit dhe besueshmërisë për biznesin tuaj: Këshilla për të shmangur gabimet
Me shtrirjen e gjerë të internetit, bizneset online kanë lulëzuar dhe kanë marrë një zhvillim të suksesshëm. Mjafton të kujtojmë këtu kompanitë ndërkombëtare si Amazon, Ebay apo Alibaba dhe komentet janë të tepërta. Por së fundi, ishte pandemia COVID-19 që i dha një shtytje shumë të madhe zhvillimit të bizneseve online, përshpejtoi zhvendosjen drejt dixhitalizimit dhe nxiti ndryshime në sjelljet e klientëve dhe konsumatorëve, gjë që ka të ngjarë të vazhdojë gjatë edhe pas normalitetit të ri pas pandemisë. Edhe rrotull nesh, shumë biznese e orientuan aktivitetin e tyre në këtë drejtim dhe të tjerë po punojnë për të kapur kohën e humbur. Në këtë mori biznesesh, jo të gjithë janë të suksesshëm, disa ndoshta prej nxitimit e disa të tjerë prej pozicionimit jo të duhur në treg. Eksperienca tregon se gabimet janë të pashmangshme por mund të korrigjohen. Shkrimi sot, me autore Angela Hausman, ndihmon në këtë drejtim. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Në ditët kur klientët vinin në dyqanin tuaj për të blerë, krijimi i besimit dhe besueshmërisë për biznesin tuaj ishte një proces relativisht i lehtë për shkak të ndërveprimit të drejtpërdrejtë. Ju keni punësuar punonjës të këndshëm, miqësorë, të cilët e kalonin kohën duke ndihmuar klientët, madje edhe duke u njohur me ta, dhe besueshmëria lindte natyrshëm. Por në botën dixhitale të sotme, ndërtimi i besimit nuk është aq i lehtë, pa kontakt me njerëz të vërtetë. Dhe duke shtuar edhe të gjithë ata mashtrues, që përpiqen të vjedhin paratë e fituara me vështirësi nga njerëzit e vërtetë e bëjnë shumë më të vështirë ndërtimin e besueshmërisë për biznesin tuaj në internet.
Pa besim dhe besueshmëri, biznesi juaj ka mundësi të dështojë. Klientët nuk do ta vizitojnë faqen tuaj në internet, nuk do të blejnë nga ju dhe nuk do t'ju rekomandojnë, nëse nuk ju besojnë dhe nuk ju shohin si një biznes i besueshëm, që po bën gjithçka për të mbrojtur informacionin e tyre personal dhe financiar. Si mund të krijoni besim dhe besueshmëri te klientët kur nuk keni luksin t’i takoni ballë për ballë? Kjo është një pyetje shumë e mirë dhe ne duam t'ju ndihmojmë sot. Lexoni për të mësuar më shumë se si mund të përdorni taktika relativisht të thjeshta për të krijuar besim dhe besueshmëri për biznesin tuaj.
Ndërtimi i besimit dhe besueshmërisë për biznesin tuaj
Besimi është një përbërës kritik i tregtisë. Klientët pëlqejnë të blejnë nga bizneset që u besojnë dhe komunitetet gjithashtu, kanë më shumë gjasa të mbështesin këto biznese. Megjithatë, një studim i fundit zbuloi se besimi ka tendenca rënie.
Integriteti është linja kryesore që lidh besimin dhe besueshmërinë. Kompanitë me integritet frymëzojnë besim tek komunitetet dhe klientët, që janë të rëndësishëm për ta ndërsa integriteti e bën një kompani më të besueshme. Në një studim të fundit, është zbuluan se kostoja e humbjes së besimit nga klientët për kompanitë globale, arriti në 2.5 trilionë dollarë në vit, 756 miliardë dollarë vetëm në SHBA. Kjo shtron pyetjen - si të krijoni besim dhe besueshmëri për biznesin tuaj? Këtu janë 6 sugjerime.
Ndërtoni një faqe të sigurt dhe profesionale në internet
Uebfaqja juaj është dyqani juaj online, një qilim mirseardhje dhe përshtypja e parë që klientët krijojnë për biznesin tuaj. Është e rëndësishme që të siguroheni që faqja juaj të duket profesionale, të sigurojë se e mbroni privatësinë personale dhe të ngjallë besim dhe besueshmëri përmes transparencës dhe qëndrueshmërisë.
Për këtë qëllim, kur ndërtoni një faqe në internet, vendoseni atë në kompani bartëse (host) të sigurt e të besueshme, si dhe përforcojeni faqen tuaj me certifikatë sigurie, që e mbron nga të huajt, duke siguruar kriptimin e informacionit personal.
Përtej kësaj, krijuesi profesionist i faqes të sigurojë pamjen e përshtatshme që ajo ka nevojë, për t'u dukur sa më mirë për vizitorët. Paraqitja është thelbësore, veçanërisht në botën online, dhe një faqe që duket që është ndërtuar nga një fillestar nuk e siguron atë. Uebfaqja juaj ka nevojë për një dizajn të pastër, pa gabime drejtshkrimore ose gramatikore dhe me imazhe të madhësive të përshtatshme.
Fillojeni biznesin tuaj në mënyrën e duhur
Fillojeni biznesin tuaj në një mënyrë sa më profesionale. Megjithëse jo gjithmonë e vërtetë për të gjitha bizneset, industri të caktuara i kushtojnë shumë rëndësi profesionalizmit dhe besueshmërisë, siç janë bizneset B2B. Për këto lloj biznesesh, por dhe për çdo biznes, ju doni të përcillni idenë e të qënit një biznes afatgjatë dhe i përkushtuar.
Si i tillë, kur krijoni biznesin tuaj, merrni parasysh mundësitë e formimit të biznesit. Për shembull, filloni si “sh.p.k.” në vend të formës “Person fizik”. Përveç mbrojtjes deri në një farë mase, në aspektin financiar dhe ligjor të biznesit tuaj, formimi i një kompanie biznesi tregon gjithashtu përkushtimin tuaj në ndërtimin e një organizate të strukturuar profesionalisht.
Vendosni emrin tuaj në të
Ashtu si ndërtimi i besimit dhe besueshmërisë është më i lehtë në botën fizike, jini të pranishëm edhe në botën tuaj online. Në rubrikat tuaja "Rreth Nesh" ose "Ekipi ynë", vendosni fotografi dhe ofroni një përshkrim të shkurtër të vetes dhe të gjithë anëtarëve të ekipit tuaj. Nëse marka juaj u bën thirrje kryesisht konsumatorëve fundorë, merrni parasysh që ata të argëtohen pak me këtë faqe, duke përfshirë fotografi të kafshëve shtëpiake, duke u dhënë anëtarëve të ekipit tuaj pseudonime miqësore, etj.
Prezantimi i ekipit tuaj, si njerëz me mish dhe gjak, krijon një ndjenjë besimi pasi vizitorët mund të identifikohen me ju dhe ekipin tuaj. Ndërsa ekipi juaj fillon të rritet, është një ide e mirë t'i përfshini edhe të rinjtë në faqen e internetit.
Përforconi besimin dhe besueshmërinë për biznesin tuaj
Gjithmonë të jeni i denjë për besimin e klientëve tuaj. Të qenit i sinqertë dhe transparent në të gjitha ndërveprimet tuaja, i nxit klientët t’i besojnë biznesit tuaj. Një hap i gabuar mund të fundosë tërë operacionin. Dhe në botën e sotme, ku fjala negative gojë-më-gojë lëviz me shpejtësinë e zërit, çdo aluzion i pandershmërisë së shpejti do të arrijë në të gjitha cepat e botës suaj.
Çojeni këtë nocion të besueshmërisë në pikën më të lartë. Ofroni vetëm produktet dhe shërbimet më të mira të disponueshme në treg për një çmim të arsyeshëm dhe mbajini premtimet që keni bërë, qofshin ato të qarta apo të nënkuptuara. Nëse produktet nuk plotësojnë standardet e larta të klientëve tuaj, ofroni politika të buta kthimi dhe shërbim të shkëlqyer për klientët, për të adresuar çdo problem që paraqitet.
Shfaqni komentet dhe dëshmitë
Asgjë nuk krijon më shumë besim dhe besueshmëri në biznesin tuaj, sesa një koment nga një burim i besuar apo edhe nga klientë të vërtetë, që ju i keni shërbyer shumë mirë. Shfaqni në mënyrë të dukshme komentet dhe dëshmitë nga klientët e kënaqur, që përdorin biznesin tuaj. Nëse shisni produkte në faqen tuaj të internetit, sigurojuni mundësi klientëve të vlerësojnë produktet. Këto vlerësime janë aq të rëndësishme, sa kompanitë si Amazon shpenzojnë shuma të konsiderueshme parash dhe kohe, duke filtruar vlerësimet false për të siguruar besim tek blerësit e tyre.
Shfaqni disa logo e shenja dalluese
A ka organizata përgjegjëse për licencimin, rregullimin ose ruajtjen e standardeve të punës në industrinë tuaj? Ashtu si shfaqja e dëshmive dhe komenteve tregon miratim nga klientët tuaj, po ashtu shfaqja e shenjave dalluese dhe logove nga klientët, të cilëve u keni shërbyer tregon se ata ju miratojnë juve. Nëse klientët ose konsumatorët zakonisht presin t’i shohin këto simbole besimi, sepse i shohin ato në faqet e internetit të konkurrencës juaj, atëherë do t’ju duket paksa e dyshimtë nëse nuk i gjejnë në faqen tuaj. Mund të duhet pak kohë për t’i fituar këto shenja dalluese, por koha e kaluar do të paguhet në fund.
Ka edhe më
Pasi ta fitoni, duhet të punoni për të ruajtur besimin dhe besueshmërinë për biznesin tuaj. Nëse standardet tuaja fillojnë të lihen pas dore ose bëni ndonjë gabim, do të shikoni se besimi dhe besueshmëria do veniten. Prandaj, përdorni me kujdes reklamat dhe promovimet tuaja, për t'u siguruar që mund t’i mbani premtimet që bëni, e më pas t'i realizoni ato.