9 Pyetje mbi kënaqësinë e punonjësve, që do ju thonë shumë
Në konsulencat mbi zhvillimin organizativ, konsulentët tanë i kushtojnë një rëndësi të veçantë nivelit të motivimit dhe kënaqësisë së punonjësve në vendin e punës. Në kushtet e një konkurrence gjithnjë në rritje, përgatitja dhe ruajtja e punonjësve dhe specialistëve më të mirë është një nga sfidat e organizatave të biznesit, e këtu kënaqësia dhe motivimi marrin rëndësinë kryesore. Jemi të vetëdijshëm se njerëzit kanë aftësi të jashtëzakonshme për t’u përshtatur në rrethana të vështira. Nëse punonjësit tuaj nuk ndihen të kënaqur dhe kjo nuk është në vëmendjen tuaj, në rastin më të mirë ata do të kërkojnë një punë tjetër e do të largohen, ose do të qëndrojnë duke u “zvarritur” e ndoshta duke sabotuar përparimin e organizatës tuaj. Për të kuptuar shkallën e kënaqësisë së punonjësve dhe për të reaguar përpara se gjërat të precipitojnë, po ju sjellim sot një shkrim nga Caroline Forsey. Të dini se ku ndodhet organizata juaj është hapi i parë për të projektuar se ku doni të arrini. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Kënaqësia e punonjësve është kritike më shumë sesa thjesht rishikimet e zbukuruara, pasi kjo mund të ndikojë gjithashtu shumë në rritjen afatgjatë të kompanisë suaj.
Kur punonjësit janë të lumtur, ka shumë të ngjarë që ata të jenë më produktivë dhe më të angazhuar në punë. Për të prodhuar rezultate të jashtëzakonshme, është e rëndësishme që ekipi juaj të ndihet i përmbushur. Por, ndërkohë që mund të mendoni se e keni në vëmendje kënaqësinë e punonjësve tuaj, ekziston mundësia që nuk po e shihni tablonë e plotë.
Për të zbuluar nëse punonjësit tuaj janë vërtet të lumtur dhe të angazhuar në punë, mund të bëni një studim anonim mbi kënaqësinë e punonjësve.
9 Pyetjet mbi Kënaqësinë e Punonjësve do të zbulojnë shumë.
Tregoni kujdes që t'i bëni këto nëntë pyetje, për të mbledhur informacion vërtet të dobishëm në lidhje me lumturinë e punonjësve tuaj.
Pyetja #1. A e shihni të vlefshme punën tuaj?
Një sondazh ka zbuluar se arsyeja numër një, që njerëzit qëndrojnë në kompanitë e tyre, ishte "Puna ime - e shoh punën si shumë të vlefshme". 32% e të anketuarve zgjodhën këtë si opsionin e tyre të parë, duke tejkaluar kompensimin, kulturën e kompanisë dhe bashkëpunëtorët ose mbështetjen menaxheriale.
Njerëzit duhet të ndiejnë se puna e tyre është domethënëse. Për shumë njerëz, nuk ka rritje kompensimi (ose përfitime të tjera) që ju mund të ofroni, për t'i bërë ata të qëndrojnë në kompani, nëse nuk mendojnë se puna e tyre ka rëndësi. Për të siguruar qarkullim të ulët të punonjësve, punësoni njerëz që gjejnë kuptim në kompaninë tuaj dhe në punën specifike që ata do të bëjnë, si dhe punoni për ta motivuar dhe frymëzuar shpesh ekipin tuaj.
Pyetja #2. Në shkallën 1-10, si do ta vlerësonit ekuilibrin tuaj të jetës dhe punës?
Pa ekuilibër të mirë të jetës dhe punës, punonjësit tuaj mund të lodhen ose të mërziten shpejt, nëse kompania për të cilën ata po punojnë nuk u lejon atyre kohë që të ndjekin aktivitete të tjera ose që të kalojnë kohë me familjen. Për të siguruar kënaqësi afatgjatë në punë, është e rëndësishme që të inkurajoni një ekuilibër të mirë midis jetës dhe punës për të gjithë punonjësit.
Të keni një ekuilibër të shëndetshëm midis jetës dhe punës në kompaninë tënde nuk kënaq vetëm punonjësit e tu aktualë – por kjo gjithashtu, ju ndihmon të tërhiqni një grup kandidatësh të talentuar e të vlefshëm. Sipas një raporti, 45% e punonjësve thonë se një ekuilibër i mirë midis jetës dhe punës është një nga treguesit kryesorë në interesin ndaj një kompanie.
Pyetja #3. A jeni frymëzuar nga qëllimi dhe misioni i kompanisë sonë?
Në ngjashmëri me diskutimin në pyetjen #1, nëse punonjësit nuk besojnë në qëllimin ose misionin e kompanisë suaj, nuk ka gjasa që ata të ndihen të përmbushur, të motivuar ose të angazhuar.
Pa një deklaratë të fortë misioni, që tregon objektivin / qëllimin tuaj, do të ishte e vështirë të inkurajoni një udhëheqje të fortë dhe unitet në të gjithë organizatën.
Pyesni punonjësit tuaj nëse ndihen të frymëzuar nga qëllimi apo misioni i kompanisë suaj. Nëse nuk ndihen të frymëzuar, shikoni se si mund ta përmirësoni deklaratën dhe filozofinë tuaj të misionit, për t'u siguruar që punonjësit tuaj të kuptojnë që puna e tyre është e lidhur drejtpërdrejt me një qëllim më të madh.
Pyetja #4. A ju pëlqen kultura e kompanisë sonë?
Krijimi i një kulture organizative të përshtatshme është i domosdoshëm për të ruajtur punonjësit më të mirë. Është shumë e rëndësishme që punonjësit tuaj të shijojnë kulturën tuaj të punës, e cila përfshin mjedisin e vendit të punës, objektivat / qëllimet dhe pritshmërinë e kompanisë, si dhe vlerat e kompanisë.
Ne kemi diskutuar se sa e rëndësishme është për produktivitetin dhe rritjen afatgjatë, që punonjësit tuaj të jenë të kënaqur. Për më tepër, një mjedis i mirë në vendin e punës mund të nxisë marrëdhënie më të mira midis kolegëve, duke mundësuar bashkëpunim dhe efikasitet më të lartë.
Pyetja #5. Në shkallën 1-10, sa do e rekomandoni kompaninë tonë si një vend i mirë për të punuar?
Shumë kompani ofrojnë stimuj, kur një punonjës rekomandon një kandidat të fortë për një pozicion. Për një arsye të mirë, kjo gjithashtu ul koston, kohën dhe përpjekjet e përdorura normalisht, për të gjetur dhe rekrutuar talentet kryesore. Për më tepër, punonjësit tuaj aktualë ka gjasa të jenë këshilltarë të mirë për dikë që do të përshtatet me kulturën e kompanisë suaj.
Teorikisht, punonjësit tuaj do duan ta rekomandojnë kompaninë tuaj si një vend i mirë për të punuar tek të njohurit e tyre. Nëse jo, ka të ngjarë që ju të humbni disa kandidatë shumë të mirë, dhe gjithashtu, ky është një tregues që punonjësit tuaj aktualë nuk janë aq të lumtur sa mund të jenë.
Pyetja #6. Supozim: nëse do të largoheshit nesër, cila do të ishte arsyeja juaj?
Kjo pyetje është një mundësi fantastike për të zbuluar arsyet e paparashikuara që ju rrezikojnë të humbni punonjës gjatë rrugës. Ju mund të zbuloni se punonjësit ndihen të nënvlerësuar, ose se besojnë që nuk ka mundësi të mjaftueshme për rritje. Duke identifikuar këto çështje, ju mund të krijoni strategji të reja që do të zbusin ato probleme dhe do të krijojnë një kulturë më të mirë për të gjithë, në planin afatgjatë.
Pyetja #7. A ndiheni i vlerësuar në punë?
Ndjenja e respektit dhe vlerësimit në punë është një komponent i domosdoshëm për nivelet e ulëta të qarkullimit dhe kënaqësinë e lartë të punonjësve. Në fakt, 79% e punonjësve që lënë punën e tyre, përmendin mungesën e vlerësimit si arsyen kryesore për largimin.
Nëse punonjësit tuaj ndihen të vlerësuar, ata shpesh do të bëjnë përpjekje shtesë (p.sh. qëndrojnë vonë, dalin vullnetarë në ndihmë të të tjerëve dhe japin më shumë në punën e tyre). Përkundrazi, nëse nuk do të ndihen të respektuar nga drejtuesit, ata nuk do të jenë aq të prirur për të dhënë rezultatet më të mira.
Është kritike që të gjithë në kompaninë tuaj të ndihen të respektuar dhe të vlerësuar për kontributet e tyre. Nëse ata nuk ndihen si një pasuri e rëndësishme për ekipin tuaj, herët a vonë do të kërkojnë mundësi alternative.
Pyetja #8. A mendoni se ka hapësirë për rritje personale, siç është rritja e aftësive?
Sa më shumë që kompania juaj mund të zhvillojë rritjen, aq më gjatë do të rrinë punonjësit tuaj. Për të mos përmendur pastaj, që është më lirë për ju të trajnoni dhe zhvilloni punonjësit tuaj aktualë sesa të punësoni dhe trajnoni të rinj.
Trajnimi në karrierë dhe zhvillimi profesional janë motivuesit kryesorë të mbajtjes së punonjësve, kështu që është e rëndësishme të zbuloni nëse punonjësit tuaj ndihen të kënaqur me mundësitë e tyre aktuale të rritjes.
Pyetja #9. A ju frymëzon ekipi për të bërë punën tuaj më të mirë?
Punonjësit kalojnë shumë kohë me anëtarët e ekipit të tyre, kështu që lumturia dhe produktiviteti i tyre mbështeten shumë në faktin nëse ndihen të motivuar nga (shumica) bashkëpunëtorët (mbani parasysh që është e pamundur që të gjithë të jenë gjithmonë miq gjatë punës - por punonjësit duhet të respektohen, mbështeten dhe sfidohen me njëri-tjetrin, për të siguruar suksesin e të gjithë ekipit).
Nëse ekipi juaj është në gjendje të frymëzojë njëri-tjetrin, ai do të promovojë rritjen e krijimtarisë dhe bashkëpunimit. Për më tepër, kjo e bën punën tuaj si udhëheqës, më të lehtë, nëse bashkëpunëtorët janë në gjendje të gjejnë frymëzim dhe motivim të vazhdueshëm nga njëri-tjetri. (Nëse shumica e punonjësve tuaj nuk ndihen të frymëzuar, konsideroni trajnimet mbi ndërtimin e ekipit, për të nxitur një mjedis ekipor më të mirë).
Si të merrni rezultatet më të mira nga sondazhi i kënaqësisë së punonjësve tuaj
Në një sondazh mbi kënaqësinë e punonjësve, më shumë se sa pyetjet që ju bëni - ka të bëjë edhe mënyra sesi i bëni ato. Këtu janë disa gjëra që duhet t’i mbani parasysh gjatë krijimit të sondazhit tuaj:
1. Lejoni anonimatin e punonjësve.
Pjesa më e rëndësishme e krijimit të një studimi të kënaqësisë së punonjësve është të lejoni që punonjësit tuaj të përgjigjen në mënyrë anonime. Nëse i ndruhen reagimit, punonjësit tuaj mund të shmangin përgjigjen me sinqeritet.
2. Shmangni përdorimin e një gjuhe konfuze.
Hiqni dorë nga termat e industrisë dhe gjuha e komplikuar gjatë studimit tuaj të punonjësve. Ju dëshironi që këto pyetje të jenë të arritshme dhe të kuptueshme për pjesëmarrje maksimale.
3. Ruani uniformitetin e sondazhit tuaj.
Mund të jetë bukur të ndryshoni stilin dhe pyetjet e anketës tuaj çdo vit, por duhet të shmangni këtë. Mbajtja e gjërave të qëndrueshme nga viti në vit do t'ju ndihmojë të gjurmoni të dhënat tuaja në mënyrë më efikase.
4. Mos bëni shumë pyetje.
Gjëja më e keqe që mund të bëni është të mbingarkoni punonjësit tuaj me shumë pyetje. Sa më e gjatë dhe sa më shumë kohë të kërkojë anketa juaj, aq më pak gjasa ka që punonjësit tuaj të dëshirojnë ta plotësojnë atë.
5. Teknologjia është miku juaj.
Nëse kompania juaj është e madhe dhe ju do të trajtoni dhjetëra sondazhe të kënaqësisë së punonjësve, mund të konsideroni të investoni në një program kompjuterik, për të lehtësuar ngarkesën e punës dhe për të ndihmuar në riorganizimin e procesit.