Blog

Arsyeja nr.1 pse bizneset dështojnë

Arsyeja nr.1 pse bizneset dështojnë

Ndoshta nuk është e këndshme ta nisim javën duke diskutuar për dështimin, por pikërisht për ta shmangur atë që të ndodhë, po shfrytëzojmë këtë fillim jave, ku të gjithë jemi më të kthjellët e ende nuk na ka marrë përpara rutina e javës. Nëse do të bëni një kërkim të thjeshtë në internet me temën “pse bizneset dështojnë” do të gjeni me mijra shkrime, nga ato amatore e deri tek studimet akademike. Mund të provoni të njejtën gjë edhe me temën “suksesi në biznes” e ju do të gjeni trajtime nga më të ndryshmet, secila sipas këndvështrimit. Një këndvështrim disi ndryshe po ju sjellim sot, me autor Scott Hoover, i cili argumenton idenë e tij mbi atë që ai e cilëson si arsyeja nr.1 pse bizneset dështojnë. Ne urojmë që biznesi juaj të shkëlqejë dhe të jetë shumë i suksesshëm, por nëse keni ndonjë dyshim, apo shikoni ndonjë shenjë si ato të shpjeguara në shkrim, atëherë ju dini si të veproni. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Cila është arsyeja nr.1 që sipërmarrësit dhe kompanitë dështojnë?

A është mungesa e kapitalit?

Nuk mendoj kështu. Një biznes i dështuar përfundimisht nuk ka para, ashtu si një person në fund të jetës nuk ka oksigjen. Por bota është plot me para dhe oksigjen. Zakonisht, problemi kryesor është diçka më e thellë. Mungesa e kapitalit është më shumë një simptomë sesa një arsye për dështimin e biznesit. 

A është cilësia e dobët e produkteve ose shërbimeve?

Një herë e ndihmova një klient të blejë një program për të zëvendësuar atë që kishte. Isha në fillimet e karrierës time si shef finance dhe dështova në implementimin e programit të ri (dështimi im i parë dhe fatmirësisht i vetmi!) Kisha rekomanduar programin e gabuar dhe ai kishte probleme funksionimi të pakapërcyeshme. 

Dhe e dini pse? Unë thjesht kërkova në internet, kompani programesh në biznes. Ata ende operojnë në treg dhe me sa duket, ende gjejnë njerëz për të blerë produktin e tyre.

Dhe e kundërta! Ka histori të kompanive me produkte ose shërbime të famshme, që nuk kanë mbijetuar. Cilësia e produktit (ose mungesa e tij!) është e rëndësishme, por jo si një tregues i sigurt i suksesit ose dështimit.

A është mosmbajtja nën kontroll e arkëtimeve?

Sipas mendimit tim, kjo është një nga çështjet më të anashkaluara me të cilat përballen sipërmarrësit, por zakonisht jo ajo që e mbyll një kompani. Sipërmarrësit janë shumë të dobët për të qenë proaktivë ndaj arkëtimeve, por dukshëm shumë të mirë në mbledhjen (e shumicës) e tyre në fund. Në përvojën time ky nuk është shkaku nr.1 për Dështimin.

A është pamundësia për të shitur?

Më lejoni të guxoj me këtë sugjerim. Nëse ka një gjë që sipërmarrësit janë pothuajse më të mirët në botë, është shitja. Në fakt, e kundërta është e vërtetë - shumica e sipërmarrësve janë aq të mirë në shitje, sa ata përkohësisht fshehin çështje madhore duke mbajtur fort shitjet.

A është mungesa e vizionit?

Disa njerëz mund të argumentojnë për këtë, dhe kjo patjetër që ka meritat e veta. Kodak, Blackberry dhe Nokia na vijnë në mendje si kompani jashtëzakonisht të njohura, por që nuk e kapën ndryshimin dhe humbën pozicionin e tyre në treg. 

Nga ana tjetër, IBM dhe GE gjetën mënyra për t’i mbijetuar ndryshimit, me shumë gjasa nga modifikimi i vizionit të tyre.

Dhe unë jam skeptik ndaj vizionit. Po, ju keni nevojë për të, por për pronarin mesatar të biznesit, vizioni ka të bëjë më shumë me përgjigjen mirë ndaj ndryshimit të kushteve të tregut sesa për parashikimin ose formësimin e së ardhmes. 

Shumë pak njerëz kanë aftësinë e Steve Jobs, i cili bëri deklaratën e famshme: "Shumë herë, njerëzit nuk e dinë se çfarë dëshirojnë deri sa ne t'ua tregojmë". Ky vizion i rrallë e bëri Apple të famshme (dhe shumë fitimprurëse), por kjo nuk mund të trajnohet. Plus, peizazhi është i mbushur me vizione të ngjashme që nuk dolën si Apple.

Por cila është arsyeja nr.1 e dështimit të biznesit?

Sipas mendimit tim, arsyeja nr.1 është:

Mos drejtimi i biznesit si biznes

Ky gabim i rëndë ndodh kur pronari ose pronarët nuk janë të lidhur me realitetin financiar. Përkundrazi, ata janë të dashuruar me diçka tjetër.

Kjo "diçka tjetër" mund të jetë zhvillimi i "vizionit të madh" të tyre dhe promovimi i tij në shfaqje dhe konferenca. Mund të jetë ndërtimi i reputacionit të tyre si një ekzekutiv i suksesshëm në komunitet. Mund të jetë diçka materiale, si të pasurit e hapësirave elegante në salla ekspozitash, ose një rresht makinash të reja, të parkuara bukur para dyqanit. 

Pronarët e biznesit, të nxitur nga këto gjëra, përgjithësisht besojnë se kompania e tyre është e shkëlqyer, pavarësisht se çfarë tregojnë rezultatet financiare.

Në përvojën time, ky këndvështrim ka tendencë të përfundojë keq.

Këtu janë disa shenja klasike që një biznes nuk po drejtohet si biznes:

  1. Përqëndrim i ulët në pasqyrat financiare. Financat mujore nuk përgatiten fare, ose shikohen kalimthi. Bëhen pak përpjekje për t'i bërë raportet financiare të sakta ose të besueshme.
  2. Përgjegjësi e kufizuar. Punonjësit operojnë me udhëzime ose mbikëqyrje të kufizuar të drejtpërdrejtë. Shpesh, një ose më shumë punonjës të nivelit të lartë janë me performancë të ulët, por pronari nuk tregon kujdes, ose qëllimisht i lejon në atë situatë.
  3. Ndjenja e të drejtës. Pronarët në këto situatë, shpesh i shohin përfitimet që marrin prej kompanisë (si rroga, makina, pushimet, udhëtimet, etj.) si "e drejta" e tyre, si pronar i një biznesi. Pak lidhje bëhet midis performancës financiare dhe përfitimeve, e kjo ndoshta sepse nuk matet performanca financiare.
  4. Kuptimi i dobët i kthimit të investimeve dhe rreziqeve. Vendimet priren të bazohen në ndjeshmëri ose mbi përllogaritje paraprake. Pak ju shkon mendja të studjojnë rrezikun dhe kthimin afatgjatë të investimit, në një mënyrë logjike.

Tani ndoshta po mendoni: Nëse një pronar nuk është i mirë në këto gjëra, a është e mundur që t'ia delegojë këtë përgjegjësi dikujt tjetër? A funksionon të punësosh një specialist ose menaxher, për t’u siguruar që biznesi të funksionojë si biznes?

Këtu është përgjigja ironike:

Pronarët e bizneseve, që në të vërtetë e drejtojnë biznesin e tyre si një biznes, janë ata që me shumë gjasa e delegojnë këtë tek një specialist ose menaxher. Pronarët që nuk janë të lidhur me realitetin financiar shpesh përpiqen ta shohin me vlerë punësimin e dikujt për t'i ndihmuar që të drejtojnë biznesin si një biznes.

Ajo që po përpiqem të them është se në fund të ditës, pronari duhet ta drejtojë biznesin si një biznes. Ai ose ajo personalisht duhet të kujdeset për treguesit financiarë dhe të lejojë që rezultatet financiare dhe llogaritjet të merren parasysh në vendimet kryesore. 

Arsye të shkëlqyera mund dhe duhet të jepen për të punësuar ekspertë, por koncepti i përgjithshëm i drejtimit të biznesit si biznes, duhet të jetë i integruar në kulturën e kompanisë nga pronari, sepse kultura e kompanisë ndjek pronarin.

Kjo nuk do të thotë që një pronar, që nuk është "fanatik i numrave", është automatikisht në rrugën e dështimit. Kjo do të thotë që nëse është i vetëdijshëm, ai do të identifikojë dobësinë dhe do të kërkojë ndihmë dhe trajnim, për t'u përmirësuar.

Kohët e fundit kam filluar një projekt për një pronar biznesi vizionar. Në marrëdhëniet e mëparshme, ai shfaqi shumicën e karakteristikave klasike të një pronari të pa fokusuar në biznes. Biznesi i tij kishte probleme për shkak të kësaj. Unë prisja të njëjtën gjë, kur filluam projektin e ri.

Për habinë time, pronari bëri një kthesë të fortë dhe filloi të kujdesej për aspektet financiare të marrëveshjes. Ai kishte ide të mira se si të ishte efikas, por e mbajti fokusin tek cilësia. Në të vërtetë filloi të analizojë rreziqet dhe vlerën.

Unë ngela i impresionuar! Ai po mësonte të drejtonte biznesin e tij si biznes!

Përvoja e tij më dëshmon se dështimi nuk duhet të jetë diçka pa kthim. Ashtu si për shumicën e problemeve, ekziston një zgjidhje për ata që me përulje janë të gatshëm të mësojnë.