Blog

Rëndësia e respektit në vendin e punës

Rëndësia e respektit në vendin e punës

Ndjenja e respektit është një prej ndjenjave thelbësore në marrëdhëniet njerëzore me anë të të cilës ne ndërtojnë bashkëveprimi dhe bashkëpunimi. Në organizatat e biznesit, ajo luan një rol thelbësor në ndërtimin e kulturës së organizatës dhe të kulturës në vendin e punës, si pjesë e saj. Në këtë artikull, me autore Katie Martinelli, trajtohen disa ide mbi rëndësinë e respektit reciprok në vendin e punës dhe efektet në ecurinë dhe zhvillimin e ekipeve dhe organizatës në tërësi. Kultura e vendit të punës është karakteri i përgjithshëm i biznesit. Me pak ndryshime nga një organizatë tek tjetra, kultura e vendit të punës mund të përfshijë elemente të tilla si vlerat e biznesit, besimet, sjelljet, qëllimet, qëndrimet dhe praktikat e punës. Në të gjitha rastet, bizneset duan të krijojnë një kulturë pozitive, por kjo nuk mund të jetë e plotë pa një vlerësim dhe vëmendje ndaj respektit për anëtarët e ekipit, në të gjitha nivelet. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Tashmë diversiteti nuk është i kufizuar vetëm në atributet fizike, si raca, gjinia dhe feja. Ai gjithashtu përfshin ndryshimet në stilin e punës, ndryshimet ndërmjet gjeneratave si dhe personalitetet. Njohja dhe përkrahja e divesitetit në vendin e punës është i rëndësishëm, pasi rrit talentin dhe sjell ide, perspektiva dhe aftësi të reja për fuqinë tuaj të punës. E thënë thjesht, diversitet më i madh do të thotë gjallëri më e madhe e biznesit dhe ju duhet të siguroheni që të theksoni rëndësinë e respektit në vendin e punës, për ta pasqyruar këtë.

Njerëzit jo gjithmonë do të shihen sy më sy, dhe ka shumë gjëra për të cilat kolegët nuk mund të bien dakord gjatë punës. Rradhitja saktë e detyrave për të kryer një projekt, mënyra më e mirë për të zgjidhur një problem ose një ndryshim në stilin e punës mund të jenë të gjitha, fushat ku punonjësit tuaj shpesh përplasen. Mbi të gjitha, të gjithë kanë një perspektivë dhe këndvështrim ndryshe se si do të përparojë një projekt. Sidoqoftë, është e rëndësishme që punonjësit tuaj të kuptojnë që ndërsa diskutimi është i rëndësishëm, të gjithë duhet të jeni të respektueshëm, profesionalë dhe të këndshëm gjatë punës.

Rëndësia e respektit reciprok në vendin e punës

Askush nuk dëshiron të ndjehet sikur po shpërfillet. Pavarësisht nëse jeni menaxher, pronar apo punonjës, ju dëshironi që të ndiheni sikur idetë, ndjenjat dhe prania juaj respektohen. Lejimi i punonjësve tuaj, që të shfaqin sjellje mosrespektuese ose degraduese ndaj të tjerëve, do të rezultojë në një kulturë të dobët në vendin e punës dhe ka të ngjarë të rrisë qarkullimin e punonjësve.

Inkurajimi i respektit reciprok do t’ju ndihmojë që të:

  • Ulni stresin, konfliktin dhe problemet në vendin e punës. Një rritje e respektit në vendin e punës do të ndihmojë në përmirësimin e komunikimit midis kolegëve, rritjen e punës në ekip dhe zvogëlimin e stresit, ndërkohë që rritet niveli i qetësisë në vendin e punës.
  • Rrisni produktivitetin, njohuritë dhe mirëkuptimin. Nëse rritet mirëkuptimi dhe respekti reciprok edhe shkëmbimi i ideve do të rritet, e kjo gjë do të sjellë rritjen e njohurive dhe të inovacionit në kompani. Reduktimi i vëmendjes ndaj çikërrimave dhe politikave të vendit të punës do të ndihmojë gjithashtu në rritjen e produktivitetit. Energjitë e shpenzuara do të kalojnë nga ngritja e një kolegu në përqendrimin te kompania në tërësi.

Për më tepër, kompania juaj do të përjetojë një kulturë më pozitive dhe do të vini re një rritje të kënaqësisë së punonjësve dhe të xhiros. Respekti në vendin e punës është jetik dhe përgjegjësia nuk është vetëm e punonjësve tuaj.

Ju duhet të udhëhiqni me shembull, duke demonstruar sjellje dhe qëndrime të pranueshme, duke i trajtuar të gjithë punonjësit tuaj me respekt e në mënyrë të drejtë.

Si të demonstrojmë respekt në vendin e punës

Siç e theksuam më lart, respekti është një kontribues shumë i rëndësishëm në formimin dhe përmirësimin e një kulture pozitive në vendin e punës. Ka shumë mënyra, që ju dhe punonjësit tuaj të mund të demonstroni respekt për kolegët.

Ju dhe të gjithë anëtarët e stafit, duhet të:

  • Menaxhoni në mënyrë efektive zemërimin. Mbajtja nën kontroll e zemërimit është i rëndësishëm, kur jeni në një ambient profesional pune (dhe jo vetëm aty). Ju dhe punonjësit tuaj duhet të mësoni të toleroni gjërat e vogla. Nxisni punonjësit të shmangin vëmendjen dhe bezdisjen, për gjërat jashtë kontrollit të tyre. Në vend të kësaj, ata duhet të mësojnë të kuptojnë se çfarë e shkakton atë: mbase është një koleg ose një situatë e veçantë provokuese që i ve në lëvizje dhe i ngacmon ata. Si drejtues, nëse vëreni se një punonjës nxehet shpesh gjatë punës, duhet të përfshiheni në një takim kokë më kokë, ku mund të diskutoni teknikat e menaxhimit të zemërimit, që mund të jenë të dobishme për ta. Ju mund të lexoni ose të merrni pjesë në trajnime (edhe në internet) për të mësuar rreth menaxhimit të zemërimit, të cilat mund t'ju sigurojnë punonjësve tuaj teknika të mëtejshme për kontrollimin e zemërimit në vendin e punës.
  • Komunikoni gjithmonë në një mënyrë të sjellshme. Bisedat me ton të lartë, me fjalor të vrazhdë dhe bezdisës midis kolegëve, ka shumë të ngjarë të dëmtojnë kulturën pozitive në vendin e punës, për të cilën të gjithë po përpiqen kaq shumë. Askush nuk dëshiron të vijë në punë nëse ndonjë prej kolegëve do t'i nëpërkëmbë, nënçmojë dhe fyejë ata. Si rezultat, duhet të përpiqeni të nxisni një atmosferë të këndshme dhe pozitive në vendin e punës.
  • Inkurajoni dhe ndihmoni njëri-tjetrin. Përmirësimi i aftësive komunikuese të anëtarëve të ekipit është hapi i parë. Sapo punonjësit tuaj mësojnë të marrin pjesë në biseda dhe të respektojnë reciprokisht të tjerët, ata me siguri do të ndjehen më të sigurt dhe të inkurajuar të ndajnë ide dhe mendime me ta.
  • Shmangni gjykimin e kolegëve tuaj. Gjykimi i njerëzve është mënyra më e thjeshtë dhe e sigurt për të shkatërruar qëndrimin pozitiv në vendin e punës. Gjykimi i frenon punonjësit të njohin njëri-tjetrin dhe mund të rezultojë në zemërim dhe përkeqësim të marrëdhënieve. Inkurajoni punonjësit tuaj që të njihen me njëri-tjetrin duke zhvilluar dhe përmirësuar vazhdimisht një atmosferë më paqësore.