Blog

11 Parime rreth Suksesit, nga “Sekreti më i çuditshëm” i Earl Nightingale

11 Parime rreth Suksesit, nga “Sekreti më i çuditshëm” i Earl Nightingale

Pas vetëm katër ditësh, një vit i ri fillon. Objektiva të reja, qëllime të reja, e plot sfida na presin të gjithëve. Ndërkohë që të gjithë e dëshirojnë suksesin, jo të gjithë e kanë të qartë se si mund ta arrijnë atë. Gjithkush dëshiron të ketë një jetë të lumtur e të shëndetshme, të bëjë një punë që t’ja vlejë, të rritet në karrierë dhe të arrijë pavarësinë financiare. Gjithkush dëshiron të sjellë një ndryshim e të ketë një ndikim pozitiv tek ata që e rrethojnë. Shumë njerëz ja kanë arritur, duke u frymëzuar nga “Sekreti më i çuditshëm” i Earl Nightingale, një përmbledhje të të cilit po ju sjellim në shkrimin më poshtë, me autor Bob Buckley. Janë 11 parime, që nëse kuptohen plotësisht dhe mbahen parasysh, do ju ndihmojnë të arrini atje ku dëshironi, duke punuar me zgjuarsi e jo vetëm fort. Lexim të këndshëm!

* * * * *

Mbi 60 vjet më parë, pronari i një agjencie sigurimesh me emrin Earl Nightingale, vendosi të regjistrojë një fjalim motivues për ekipin e tij të shitjeve. Megjithëse nuk e dinte në atë kohë, ky fjalim për suksesin do të bëhej aq shumë popullor, saqë do t'i duhej të kushtonte kohë të konsiderueshme për menaxhimin e kërkesës. "Sekreti më i çuditshëm" nga Earl Nightingale u shit në mbi një milion kopje dhe fitoi Regjistrimi i parë i Artë për Fjalën e folur.

Parimet e tij në lidhje me suksesin, këtu më poshtë, zbatohen ende edhe sot, po aq sa në atë kohë.

1. Ne jetojmë sot në një epokë të artë me mundësi të pafundme

Do të ketë më shumë mundësi këtë vit dhe vitin tjetër, më shumë se kurrë më parë. Një ekonomi në vështirësi është një terren për biznese dhe mundësi të reja për njerëzit, që të ndryshojnë veten nëse është nevoja. Është koha të punoni për atë ide që e keni mbajtur të fshehur në sirtar vitet e fundit.

2. Sukses është realizimi progresiv i një ideali të denjë

Suksesi nuk do të thotë të bëni shumë para. Nëse e gjeni pasionin tuaj dhe e doni atë që bëni, atëherë gjetët suksesin. Nëse ndjekja e pasionit tuaj çon në krijimin e diçkaje të vlefshme, të ardhurat e qëndrueshme nuk duhet të jenë kurrë problem.

3. 95% e njerëzve e humbin suksesin për konformitet

Në epokën e mediave sociale, ku të gjithë kanë nevojë të jenë në internet, kjo ndoshta nuk është më e vërtetë. Një pjesë e problemit është se telefonat inteligjentë dhe mediat sociale janë krijuar për të tërhequr njerëz dhe për të shpenzuar të gjithë kohën tonë. Kjo është arsyeja pse duhet të konsideroni të bëni një pastrim dixhital, në mënyrë që të pastroni mendjen dhe të gjeni një rrugë drejt suksesit.

Ajo që ju nevojitet është një plan, një hartë dhe guximi për të vazhduar drejt destinacionit tuaj. - Earl Nightingale

4. Në vend që të garojmë, duhet të krijojmë

Tani kemi më shumë burime për zhvillimin e krijimtarisë sonë. Programet me burime të hapura, mësime falas në YouTube dhe metoda të ndërtimit të prototipave me kosto të ulët, e kanë bërë shumë të lirë të provoni të shpikni një produkt ose shërbim të ri. Nëse nuk ju pëlqen ideja e një gare 15 ose 20 vjeçare për të arritur nivelin C, përqendrohuni në krijimin e një zgjidhjeje për një problem. Përsëri duhen sakrifica dhe orë të zgjatura, por shpërblimi mund të jetë dukshëm më i madh.

5. Njerëzit që vendosin objektiva kanë Sukses, sepse ata e dinë se ku po shkojnë

Nightingale bën një analogji të shkëlqyer për vendosjen e objektivave dhe qëllimeve në “Sekreti më i çuditshëm”. Ai i krahason njerëzit që vendosin ose nuk vendosin objektiva me anijet. Anija që e ka udhëtimin të përcaktuar në një hartë, me një kapiten dhe ekuipazh, shumicën e kohës do të arrijë në destinacionin e saj. Sepse ajo ka një objektiv të caktuar. Anija tjetër që endet në det, pa një ekuipazh dhe pa një hartë, nuk e di se ku po shkon. Ata e kanë nxjerrë atë nga porti, po ku po shkon? Askund.

6. Të dy punojnë shumë fort

Pjesa më e mirë e kësaj analogjie është se ajo na tregon që të punuarit fort nuk është e mjaftueshme. Ne mund të punojmë vërtet shumë, por pa vendosur qëllimet dhe objektivat e duhura, vetëm të punuarit fort mund të mos na çojë kund. Unë patjetër që kam qenë në situata si kjo më parë. Gjatë shkollës së mesme, kolegjit ose jetës time profesionale, gjithmonë jam ndjerë më i kënaqur të punoj drejt një qëllimi specifik sesa të jem thjesht i zënë me punë.

7. Ne bëhemi ashtu si mendojmë

Kjo ka nevojë për disa sqarime. Pavarësisht se sa fort mendoni që të bëheni një kamion me 18 rrota, kjo ndoshta nuk do të ndodhë. Ajo që mund të mendoni dhe të endni thellë në trurin tuaj është objektivi/qëllimi juaj. Nga përvoja personale unë e di që kjo funksionon. Nëse ju mendoni për një objektiv, sapo zgjoheni në mëngjes dhe deri kur shkoni të flini në mbrëmje, ai do të fillojë të ndikojë gjithnjë e më shumë në vendimet tuaja gjatë ditës. Gradualisht do të jeni në një rrugë të qartë, drejt arritjes së këtij objektivi.

8. Besoni dhe keni sukses

Ju mund të besoni se jeni një sukses dhe bëheni i tillë. Ka shumë njerëz që kanë shumë para, e që ende nuk besojnë se janë të suksesshëm ose ndihen të paplotësuar. Kjo ndodh sepse në shumicën e kohës, paraja ndjek suksesin, jo e kundërta. Nightingale nuk ishte personi i parë që e tha këtë dhe nuk është as i fundit. Mendësia jonë dikton lumturinë dhe suksesin tonë, prandaj është thelbësore që të kujdesemi për të.

Çfarëdo që mbjellim në mendjen tonë dhe e ushqejmë me përsëritje dhe emocione, një ditë do të bëhet realitet. - Earl Nightingale

9. Çdo gjë që vlen në jetë, na është dhënë falas

Nëse ju kanë dhënë një telefon falas, këtu nuk është fjala për këtë. Miqtë, familja dhe mendja jonë, të gjitha na janë dhënë falas. Gjërat që kushtojnë ca para janë shumë të lira dhe mund të zëvendësohen shumë shpejt. Paradoksi është që shumë njerëz i marrin të mirëqena gjërat që nuk mund të zëvendësohen. Pavarësisht nëse është pirja e tepërt e alkoolit, droga, neglizhenca, apo çfarëdo tjetër - shumë njerëz i bëjnë gjërat e pavlefshme përparësi, në vend që të përqendrohen në atë që me të vërtetë ka rëndësi, për të gjetur sukses.

10. Ne duhet të jemi të gatshëm të paguajmë çmimin

Suksesi nuk do të vijë kurrë falas. Pavarësisht nëse keni marrëdhënie të mira, shëndet të mirë ose një situatë të mirë financiare. Gjithmonë vjen me një kosto. Përpjekja për të shmangur pagimin e çmimit do të çojë vetëm në më shumë vështirësi. Sapo ta kuptoni këtë, kjo do ta bëjë udhëtimin pafundësisht më të lehtë, sesa nëse do të provonit të shmangni punën e fortë dhe disiplinën.

11. Idetë nuk janë të vlefshme, nëse nuk veprojmë për to

Idetë e mira janë të pafundme. Unë kam pasur shumë dhe jam i sigurt që edhe ju keni. Por vetë idetë nuk vlejnë asgjë. Ne duhet të ndërmarrim veprime, në vend që të ulemi duke biseduar se si kjo apo ajo ide do të ishte një ide milionëshe. Shpesh, njerëzit priren të mendojnë se nëse ata e kanë menduar diçka më parë, ajo u përket atyre. Por historia tregon se edhe nëse shkoni dhe paraqisni një kërkesë për patentë, konkurrenca mund të shpërthejë lehtësisht. Opsioni i vetëm është: të veproni mbi idenë tuaj sa më shpejt që të mundeni, pastaj ngrijeni më lart suksesin rreth saj.

Kur doli “Sekreti i Çuditshëm”, jo vetëm që ndihmoi në rritjen e një industrie të zhvillimit personal, por edhe miliona individë. Nëse e zbatoni me zemër atë që ka thënë Earl Nightingale dhe mbeteni krijues, vendosni objektiva/qëllime, mendoni pozitivisht dhe qëndroni të orientuar drejt veprimit, rruga juaj drejt suksesit do të jetë shumë më e thjeshtë. E thjeshtë nuk do të thotë e lehtë, por asnjë aventurë e bukur nuk është e tillë.