Blog

Ndërtoni një kulturë organizate që përputhet me vlerat e njerëzve

Ndërtoni një kulturë organizate që përputhet me vlerat e njerëzve

Ne kemi sjellë shpesh shkrime që trajtojnë temën e kulturës organizative dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, për faktin se ndërtimi dhe përmirësimi i një kulture organizative në nivelin më të lartë përcakton edhe suksesin e organizatës. Në konsulencat e zhvilluara me kompanitë që kemi bashkëpunuar, qëllimi i konsulentëve tanë të zhvillimit organizativ, ndër të tjera ka qenë përmirësimi i kulturës organizative. Duke besuar se kultura e një kompanie është personaliteti i saj themelor, thelbi i mënyrës se si njerëzit e saj ndërveprojnë dhe punojnë, i mënyrës se si trajtohen nga kompania, por dhe si ata i trajtojnë klientët e saj, po sjellim këtë shkrim, me autore Natalie Baumgartner, e cila jep disa ide nga një këndvështrim ndryshe, se pse dhe si të përmirësoni kulturën në organizatën tuaj. Lexim të këndshëm!  

* * * * *

Kandidatët kërkojnë punë aty ku mund të ndërthurin bindjet e tyre me ato të kompanisë dhe të punojnë së bashku për një vizion të përbashkët të qëllimit dhe suksesit. Ndërsa drejtuesit përplasen për mënyrën e rekrutimit të kandidatëve kryesorë dhe mbajtjen e punonjësve, ata duhet të rimendojnë sesi të formojnë dhe ndërtojnë një kulturë që bashkon njerëzit rreth një kauze të përbashkët. Kultura e mirë duhet të sigurojë përputhje të vazhdueshme të vizionit, objektivave dhe qëllimeve të organizatës.

Punonjësit e sotëm kanë pritshmëri të mëdha nga punëdhënësit e tyre dhe kjo shkon përtej thjesht një page. Në fakt, një studim i kohëve të fundit nga LinkedIn, zbuloi se njerëzit preferojnë të paguhen më pak (65%) dhe të heqin dorë nga një titull i zbukuruar (26%) sesa të punojnë në një mjedis të keq pune.

Sondazhi gjithashtu tregoi se punonjësit kujdesen nëse kompanitë krijojnë mjedise ku punonjësit mund të jenë vetvetja (47%) dhe nëse kanë një ndikim pozitiv në shoqëri (46%). Punonjësit e sotëm dëshirojnë të dinë nëse ata po sjellin një ndryshim brenda kompanive të tyre. Ndërsa kultura e punës është unike për çdo organizatë, themeli i saj, që e mundëson një kulture të lulëzojë është shkalla në të cilën punonjësit fuqizohen të angazhohen, të ndjehen të vlerësuar dhe të dëgjohen. Këtu hyn lidershipi.

A po e drejtojnë udhëheqësit kulturën në mënyrë efektive?

Sipas një studimi të fundit në ShBA, 85% e CEO dhe CFO besojnë se një kulturë jo e shëndetshme çon në sjellje joetike. Për më tepër, i njëjti studim zbuloi se 9 në 10 CFO besojnë se përmirësimi i kulturës së kompanisë do të rriste vlerën dhe performancën e biznesit të kompanisë së tyre.

Edhe pse udhëheqësit pranojnë që një kulturë e dobët e organizatës mund të ndikojë në angazhim, një mospërputhje mbetet. Udhëheqësit mund të besojnë se po bëjnë përpjekje për të ndërtuar dhe përmirësuar, por realiteti është se punonjësit nuk pajtohen me këtë. Pothuajse gjysma e punonjësve (45%) thonë se lidershipi është minimalisht, ose aspak i përkushtuar, në përmirësimin e kulturës. Kjo mospërputhje mund të çojë në pasoja shqetësuese të biznesit, siç është qarkullimi vullnetar, që mund t'u kushtojë organizatave deri në dyfishin e pagës vjetore të një punonjësi.

Një mënyrë që udhëheqësit mund t'u demonstrojnë punonjësve se po ndërmarrin veprime për të ndikuar kulturën, është të vendosin një pjesë të autoritetit në duart e punonjësve. Për shembull, lejimi i punonjësve të flasin kur nuk janë dakord me veprimet e një kompanie ose të marrin përsipër projekte të reja për të cilët janë të apasionuar, mund të ndihmojë në krijimin e një kulture të shëndetshme. Ndërtimi i një kulture njohjeje - ku mirënjohja dhe vlerësimi jepet shpesh dhe në kohë reale - gjithashtu rrit qëndrueshmërinë e një organizate. Ajo që njihet përsëritet, dhe udhëheqësit që kuptojnë fuqinë e njohjes, si një mjet i përditshëm për ndërtimin e një kulture të fortë, do të tejkalojnë organizatat që nuk e vlerësojnë këtë.

Si mundet që udhëheqësit të ndërtojnë kulturën e fuqizimit?

Një raport i fundit, që shqyrton krijimin e vendeve të punës identifikoi tre mënyra në të cilat individët mund të përmirësojnë përvojën e tyre të punonjësve, si dhe mënyrën se si punëdhënësit mund të ndihmojnë në nxitjen e kulturave të forta që mbështesin këto përpjekje:

  1. Përmirësimi i përshtatjes së rolit. Punonjësit duhet të inkurajohen të përqendrohen në punën për të cilën janë më të apasionuar dhe atje ku mendojnë se japin më shumë vlerë. Për shembull, nëse një punonjës kënaqet të flasë me klientët, rritja e detyrave që mundësojnë ndërveprime ballë për ballë mund ta bëjë punën e tyre më tërheqëse. Punëdhënësit duhet të kërkojnë reagime dhe të mbështesin punonjësit që kërkojnë të provojnë veten në këto mënyra.
  2. Vendosja e lidhjeve në vendin e punës. Përvoja e punonjësve ndikohet shumë nga marrëdhëniet e përditshme, dhe kjo është arsyeja pse është e rëndësishme t'u jepni punonjësve mundësi për t’i forcuar ato marrëdhënie, përmes festimeve në vendin e punës, krijimit të vendeve të takimeve sociale afër hapësirave së zyrës, aktiviteteve të ndërtimit të ekipit dhe bashkëveprimit aktiv - vetëm për të përmendur disa. Ndoshta më e rëndësishmja, punëdhënësit munden të inkurajojnë më shpesh njohjen dhe shkëmbimin e informacionit në të gjitha nivelet e kompanisë. Njohja e shpeshtë në çdo nivel, ndërton besimin dhe komunikimin e hapur në një organizatë. Punëdhënësit mund të kërkojnë gjithashtu reagime për përmirësimin e lidhjeve në vendin e punës të punonjësve dhe të japin udhëzime ose këshilla për përmirësimin e marrëdhënieve - duke inkurajuar punonjësit të shkojnë në një "bisedë kafeje" me një koleg që nuk e njohin mirë, duke i caktuar në grupe që mblidhen rreth një sporti ose aktiviteti shoqëror, ose thjesht duke rekomanduar që çdo punonjës të punojë në një hapësirë të përbashkët pune brenda zyrës, herë pas here.
  3. Lidhja e roleve me objektivat. A e dinë punonjësit nëse kontributet e tyre në biznes janë domethënëse? Punëdhënësit duhet të zhvillojnë një kulturë që përforcon rolin e rëndësishëm që çdo punonjës luan, brenda organizatës së tyre. Inkurajoni punonjësit të shqyrtojnë ose rishikojnë se si roli i tyre lidhet në tërësinë e organizatës, por mos harroni se është përgjegjësia e kompanisë që ta bëjë këtë lidhje të qartë si kristali.

Për ata që kërkojnë të krijojnë një kulturë të fuqizimit dhe angazhimit të punonjësve në vendin e punës, kompanitë duhet së pari, të rishikojnë kulturat e tyre, për t'u siguruar që ata po tërheqin dhe mbajnë llojin e talentit që do të sjellë suksesin e biznesit. Udhëheqësit duhet të reflektojnë sinqerisht, për atë se si ata janë duke dëgjuar punonjësit, duke nxitur vetë vlerat kulturore dhe duke njohur performancën e punonjësve - të gjitha këto janë thelbësore për fuqizimin e një force pune të larmishme.

Në një kohë kur ka kompani që janë duke zënë titujt kryesorë të gazetave, për dështime ose skandale në kulturën organizative, punëdhënësit duhet të vlerësojnë nëse kultura e tyre organizative po i fuqizon punonjësit për të jetuar me vlera të përbashkëta – apo po i kompromenton ata.