Ajo që lidershipi juaj nuk do të jetë në gjendje t'ju japë
Të marrësh një rol drejtuesi, pavarësisht nga përvoja e mëparshme, në nivele të larta apo edhe si një mbikëqyrës i nivelit të ulët, është një moment sfidues dhe emocionues. Mënyra se si trajtohet ky moment mund të ketë një ndikim të madh në punën, rezultatet dhe karrierën tuaj. Pritshmëritë e ngritura ndaj vetes por edhe ndaj të tjerëve mund të bëjnë që ju të shkëlqeni ose të dështoni. Nga kjo do të varet edhe mbështetja e drejtpërdrejtë ose jo, që do të merrni dhe që do të ndikojë në efektivitetin e ekipit tuaj. Megjithatë, ka disa gjëra që nuk duhet t’i prisni nga të tjerët, që edhe sikur të duan t’ju ndihmojnë nuk mund t’ua japin. Këtë trajton edhe artikulli këtu, me autore Lolly Daskal - Eksperte e Udhëheqjes dhe Menaxhimit. Në fund të fundit ju duhet ta meritoni pozicionin tuaj dhe të mos bëheni si rreth 37 % e drejtuesve të rinj (në SHBA) që zhgënjejnë ose dështojnë plotësisht në 18 muajt e parë në detyrë. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Ka disa gjëra që nuk mund t’i presësh nga drejtuesit tuaj. Të gjithë - në drejtim ose jo - duhet të jenë në gjendje ta ushqejnë veten e tyre së brendshmi. Ju mund të mbështeteni tek ata përreth jush për shumë lloj ndihmash, por ka disa gjëra që duhet të mbështeteni vetëm tek vetja juaj për t'i siguruar.
Mos prisni që njerëzit t'ju bëjnë të përgjegjshëm, ashtu si do të mund ta bëni ju veten. Një drejtues i suksesshëm do të jetë gjithmonë i përgjegjshëm. Por ata që ju i drejtoni, ose edhe ata sipër, nuk mund t'ju bëjnë të përgjegjshëm, ashtu siç mund ta bëni ju veten tuaj. Ju e dini më mirë se kushdo tjetër ku keni arritur sukses dhe ku jeni rrëzuar.
Mos prisni që dikush tjetër të kuptojë se çfarë po kaloni ju. Edhe nëse dikush ka kaluar diçka të ngjashme, të gjithë i përjetojnë gjërat ndryshe dhe në një kontekst të ndryshëm. Njerëzit mund të ecin në të njëjtën rrugë, por jo në të njëjtën mënyrë. Kaloni kohë duke punuar për të kuptuar se çfarë po ndodh në jetën tuaj dhe çfarë do të thotë kjo për ju, sepse të tjerët kurrë nuk do të jenë në gjendje ta kuptojnë plotësisht atë.
Mos prisni që të tjerët të jenë nxitësit juaj. Udhëheqja dhe drejtimi ka të bëjë me të qenit frymëzim për të tjerët dhe t’i mbash ata të motivuar, por gjithashtu duhet të bësh të njëjtën gjë edhe për veten tënde. Ju mund të merrni pak frymëzim nga ekipi juaj, por në fund të fundit duhet të vendosni objektivat tuaja dhe të motivoni veten për t'i arritur ato. Mësoni të përfshini mendjen dhe zemrën tuaj, si dhe ato të të tjerëve.
Mos prisni lavdërime ose njohje. Drejtuesi më i mirë nuk është domosdoshmërisht ai që bën gjërat më të mëdha, por ai që i bën njerëzit e tij që të bëjnë gjëra të mëdha. Ju edhe mund të mos merrni lëvdata për udhëheqjen tuaj nga të tjerët dhe pritshmëria e një pranimi prej tyre, ndonjëherë mund t’ju zhgënjejë. Mësoni të lavdëroni të tjerët pa pritur të njëjtën gjë në kthim.
Mos prisni që njerëzit të lexojnë mendjen tuaj. Nëse nuk komunikoni hapur dhe rregullisht, nuk duhet të mërziteni me ata që drejtoni, sepse ata “nuk e dinë” se çfarë mendoni ju. Supozimet, në pjesën më të madhe mund të jenë të dëmshme, kështu që mos lejoni që njerëzit tuaj t’i marrin me mend gjërat. Nëse ata nuk i kanë të gjitha informacionet që ju nevojiten, përgjegjësia është tek ju, jo tek ata.
Mos prisni që drejtuesi juaj të vlerësojë vlerën tuaj. Vlera juaj qëndron brenda vetes tuaj. Njerëzit e tjerë janë përkushtuar në jetën e tyre. Nëse nuk ka ndonjë gjë tjetër, ata janë të zënë me projektimin e nevojave të tyre dhe asaj çfarë duan nga ju. Por si drejtues së pari, duhet të mësoni të vlerësoni veten - e pas kësaj gjithçka do të jetë në linjë.
Nëse i hyni rrugës së drejtimit, duke shpresuar që të merrni diçka, ju do të zhgënjeheni, sepse udhëheqja dhe drejtimi ka të bëjë me dhënien ndaj të tjerëve. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të mësoni të kujdeseni për veten, në mënyra që mund t'ju ndihmojnë të nderoni të tjerët.
Drejtoni nga brenda: Ju nuk mund të prisni nga pozicioni juaj si drejtues, që të merrni më shumë sesa kënaqësia nga puna juaj, por si një udhëheqës pritet të jeni më i miri dhe të udhëhiqni me shembull.