Blog

VIZIONI: përbërësi thelbësor i lidershipit

VIZIONI: përbërësi thelbësor i lidershipit

Ekziston një shprehje që thotë - "Nëse nuk ka vizion, nuk ka mbijetesë", dhe kjo është e vërtetë si në biznes ashtu edhe në jetë. Dhe kur flasim për biznesin, drejtuesit e vërtetë e kanë patjetër një vizion. Ata përkushtohen ta shohin të tashmen, ashtu siç është, dhe të parashikojnë të ardhmen, të vendosin objektiva dhe të drejtojnë energjitë për të arritur atje. Ata e ndajnë ëndrrën e vet me punonjësit dhe bashkëpunëtorët, dhe i frymëzojnë ata për këtë qëllim të përbashkët. Për ata që nuk e vlerësojnë domosdoshmërinë e vizionit, Michael Hyatt ndan me ne eksperiencën e tij, në artikullin më poshtë. Në kushtet e pandemisë që po kalojmë, ndoshta duhet të rishikoni vizionin tuaj. Lexim të këndshëm & Tregoni kujdes!

* * * * *

Vizioni, siç e shoh unë, është një pamje e qartë, frymëzuese, praktike dhe tërheqëse e së ardhmes së organizatës suaj. Nuk ka pse të jetë një vision për 10 ose 20 vjet, megjithëse kjo mund të jetë diçka e mirë. Unë po flas për një të ardhme, le të themi tre deri në pesë vjeçare, por superiore nga e tashmja, e cila ju motivon, e cila udhëzon strategji dhe vendimmarrje të përditshme, dhe rreth të cilave ekipi juaj mund të tërhiqet.

Pa këtë, ju jeni duke punuar në mënyrë efektive, për gjendje ekzistuese. Organizata juaj nuk ka nevojë për një udhëheqës nëse nuk do të ndryshojë. Nuk duhet një udhëheqës për të ruajtur qëndrimin në vend-numëro. Një menaxher kompetent do ta bëjë shumë mirë këtë gjë. Megjithatë, nëse e shihni si të papranueshme gjendjen ekzistuese dhe dëshironi të përqendroni përpjekjet tuaja, të aktivizoni ekipin tuaj dhe të ngrini lart biznesit tuaj, ju duhet të jeni një udhëheqës i drejtuar nga vizioni.

Duke formuluar një vizion bindës për të ardhmen, udhëheqësit mund të arrijnë atë që më parë konsiderohej e pamundur. Ata mund të zhvillojnë strategji kuptimplote, të tërheqin talentin më të mirë dhe ta ngrejnë organizatën e tyre në pozicione të reja dhe emocionuese. Por për shumë drejtues, kjo gjë nuk është aq e thjeshtë apo e drejtpërdrejtë sa duket. Ju mund të jeni një prej tyre, dhe unë në të vërtetë nuk mund t'ju fajësoj.

Në librin e tij “Çfarë nuk e dini rreth lidershipit, por me siguri duhet ta dini”, Jeffrey Kottler e përkufizon vizionin si "detyrën primare" të udhëheqësve. Është gjëja e parë, përparësia kryesore.

Por në përvojën time unë gjej më shumë udhëheqës që nuk kanë vizion, sesa ata që e kanë atë.

Jo për faj të tyre, ata shpesh janë kundërshtues, të hutuar dhe të paaftë për të krijuar vizione bindëse për organizatat e tyre. Pse? Këtu janë tre probleme, që udhëheqësit zakonisht përballen, kur vjen puna tek vizioni.

1. Udhëheqësit e minimizojnë nevojën për vizionin

Unë kam vënë re tendencën e të qenit të paduruar në zhvillimin e vizionit, me disa prej pronarëve dhe drejtuesve të biznesit, që kam trajnuar ndër vite. Kam punuar edhe për një CEO të tillë. Ai nuk donte të shpenzonte kohë për vizionin. Ai nuk mendonte nëse kjo ishte fuqia e tij apo edhe përgjegjësia e tij.

Në vend të kësaj, ai caktoi një komitet, me mua si përgjegjës, dhe tha: "Tani ju do të bëni vizionin. Zbuloni një vizion se për ku po shkojmë, dhe pastaj më njoftoni se çfarë keni vendosur". Në vend që të na lëshonte kështu, ai mund dhe duhet, të ishte bashkuar me ne në tryezë. Nëse ai do ta bënte këtë, drejtuesit e tij mund të kishin bërë disa pyetje zbuluese të nevojshme, për të arritur në një vizion që ai mund ta miratonte.

Por shefi im i vjetër nuk është i vetmi. Udhëheqësit bashkëkohorë vuajnë nga mungesa e vizionit. Sipas një studimi në 466 kompani (në ShBA), është identifikuar si mangësia më kryesore, që: - "Drejtuesit nuk mund të krijojnë një vizion bindës dhe të angazhojnë të tjerët, rreth tij". Për më tepër: - "të pasurit e vizionit ishte njëkohësisht një përparësi kryesore dhe gjithashtu perceptohej si aftësia më e dobët e udhëheqësve të gjeneratës së ardhshme”.

Një nga gjërat që duhet të bëjmë si udhëheqës, është të krijojmë ose tregojmë një qëllim / objektiv më të madh. Ekipet tona duan diçka që kërkon përpjekjen e tyre më të mirë, që kërkon risi në të menduarit e tyre dhe që frymëzon imagjinatën e tyre. Dhe varet nga ne të pyesim veten - A krijon kjo atë lloj frymëzimi që ne po përpiqemi të kemi në organizatë? A është kjo diçka sfiduese, apo thjesht biznes, si zakonisht?

2. Drejtuesit janë konfuzë për vizionin

Një tjetër arsye, që mungojnë udhëheqës të drejtuar nga vizioni, vjen nga një keqkuptim për vizionin. Vizioni nuk është i njëjtë me misionin, dhe as si strategjia.

Vizioni është një akt për të parë se si mund të jetë e ardhmja, dhe pastaj artikulimi i këtij potenciali në një mënyrë frymëzuese, të qartë, praktike dhe tërheqëse - atë që unë e quaj një Skenar Vizioni - të cilin ekipet e udhëheqësit mund ta ndjekin pastaj, në të ardhmen. Kjo është ajo që bëjnë drejtuesit me vizion, si George Eastman me fotografinë, Henry Ford me automobilat dhe Steve Jobs me kompjuterin. Ata instinktivisht e dinin që njerëzit kërkojnë diçka ku të besojnë, një rezultat për ta përqafuar, një aspiratë fituese.

Udhëheqësit gjithashtu bëjnë gabimin që e mendojnë vizionin si një gjë statike ose si të lidhur me personalitetin; ju ose keni një vizion të fuqishëm ose nuk e keni. Por një vizion bindës për të ardhmen është vërtet diçka që dikush mund ta zhvillojë, nëse e di se si ta bëjë atë. Dhe është diçka thelbësore për t’u zhvilluar, sepse suksesi dhe dështimi ynë përfundimtar janë në një linjë.

Kur kemi një pamje bindëse e të qartë për të ardhmen, dhe kur ia komunikojmë atë ekipit, me pasion dhe qëllim, kjo mund t'i motivojë njerëzit të bëjnë gjëra mahnitëse. Ata që kanë mungesë vizioni, ose për më tepër, që nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur - nuk janë më në sfidën e udhëheqjes.

Unë jam dëshmitar i fuqisë transformuese të vizionit ndërsa kam trajnuar mijëra drejtues biznesi, për të fituar në punë dhe që të kenë sukses në jetë. Por një vizion do të funksionojë, vetëm nëse jeni i gatshëm të bëni gjënë e duhur, për ta zhvilluar atë.

3. Drejtuesit nuk ndjehen të pajisur me aftësi

Një nga arsyet që udhëheqësit e minimizojnë vizionin, ose nuk e shohin nevojën për të, është vetë-mbrojtja. Ata ndjehen të paaftë për të krijuar dhe realizuar një vizion bindës të së ardhmes. Ashtu si shefi im i vjetër, parashikimi i së ardhmes i bën ata të ndjehen në siklet ose edhe më keq.

Askush nuk ndjen kënaqësi kur bën diçka, nëse mendon se i mungojnë aftësitë e duhura, por kjo sfidë është veçanërisht e vështirë për udhëheqësit. Pse? Sepse supozohet se ata i kanë të gjitha përgjigjet. Ata supozohet të jenë më kompetentët, më komanduesit. Kur udhëheqësit paraqesin një vizion të dobët, është njësoj si të pranosh një dobësi ose një mangësi. Duket më e lehtë për ta, që të minimizojnë "vizionin" dhe të hidhen tek detyrat ku ata shkëlqejnë, si: strategjia, ekzekutimi, ndërtimi i ekipit e çfarëdo tjetër.

Unë shpesh dëgjoj nga burra dhe gra që filluan një biznes, ose u promovuan në pozicione me përgjegjësi, dhe tani ndjejnë presionin për t’u ngjitur më lart. Ata e dinë që kjo përfshin vizionin, por ndjehen të papërgatitur. Disa ndjehen keq - sikur janë në pozicionin që nuk duhet të jenë, pasi mendojnë se do të jetë vetëm çështje kohe, që do zbulohen si të paaftë, dhe të humbasin të gjitha. Por nëse nuk punoni, ose të merrni trajnime, për hartimin e një vizioni, si mund të prisni që të prodhoni një të tillë dhe ta impononi atë?

Kam qenë në këtë pozicion. E kam filluar nga zero, për të mësuar artin e krijimit të një vizioni bindës, dhe tani jam aq i apasionuar pas saj, saqë ndihmoj të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Por, ndërsa filloni të bëni punën e vështirë, por të nevojshme, të hartimit të një vizioni bindës, mbani parasysh — një vizion bindës është përbërësi thelbësor për një udhëheqje të suksesshme. Ky gur themeli, mund dhe do ta udhëheqë kompaninë tuaj përpara, me qëllim dhe energji. Ju mund të jeni një udhëheqës me VIZION.