Blog

10 Udhëzime, për të menaxhuar biznesin me sukses, në kohë krize

10 Udhëzime, për të menaxhuar biznesin me sukses, në kohë krize

Ndoshta nuk është ky momenti i përshtatshëm për këtë artikull. Më mirë do të ishte para kësaj krize, ose ndoshta para se të ndodhte tërmeti i 26 Nëntorit. Në kaq pak muaj ne po përjetojmë dy kriza shumë të rënda. Dhe të dyja me ndikim shumë të fortë në bizneset e vendit. Për përballimin e situatave të paparashikueshme, bizneset kanë nevojë për një plan të thelluar të menaxhimit të krizës, që do të ndihmojë në kapërcimin me sukses të saj. Të gjitha bizneset janë të ndjeshme ndaj krizave, prandaj po sjellim këtë artikull, me autor Tor Constantino, i cili na jep disa udhëzime, se si të menaxhojmë biznesin në periudhën e krizës dhe të përgatitemi për të ardhmen. Lexim të këndshëm & Qëndroni në shtëpi!

* * * * *

Pasiguria dhe sipërmarrja shkojnë paralel me njëra-tjetrën. Është e sigurt se çdo pronar biznesi, gjatë aktivitetit do të hasë në ndonjë krizë, në një mënyrë ose një tjetër, që do ndikojë në biznesin e tyre.

Një përkufizim i përgjithshëm i krizës është: një ngjarje e brendshme ose e jashtme, ose një seri ngjarjesh, të cilat kanë potencialin të ndikojnë negativisht në organizatë ose tek aktorët kryesorë.

Llojet e krizave, që mund të ndikojnë negativisht në vazhdimësinë e biznesit, janë disa dhe mund të përfshijnë ngjarje të papritura, siç janë fatkeqësitë natyrore, ndërrimet socio-ekonomike, veprat penale nga kompania ose kundër saj, angazhime rregullatore ose qeveritare, sfidat e punës ose të personelit, çështje të sigurisë së produktit, sulmet në internet si dhe çdo problem tjetër i mundshëm, që mund të shfaqet.

Për shkak se çdo krizë dhe biznes ka veçoritë e veta, nuk ka një qasje të vetme për të trajtuar çdo situatë. Por, këtu janë 10 udhëzime krizash, që do të rrisin shumë mundësinë e biznesit tuaj, duke i trajtuar ato në mënyrë metaforike ose fjalë për fjalë.

1. Koha më e mirë për të parandalar një krizë është përpara se të ndodhë

Kjo në thelb do të thotë se “Noe nuk e ndërtoi barkën kur erdhi stuhia”. Pronarët e bizneseve duhet të marrin në konsideratë disa gjëra që mund të shkojnë keq në organizatën e tyre, përpara se gjërat të shkojnë keq.

2. Zhvilloni planin më të mirë të mundshëm, për krizat me të cilat ende nuk jeni përballur

Duket si diçka e lehtë, por është e vështirë të planifikoni një skenar, përtej zonës tuaj të rehatisë organizative. Udhëheqësit që ndërmarrin këtë hap, janë më mirë të përgatitur, kur ndodhin gjëra të këqija.

3. Është e pashmangshme

Kuptoni që çështja nuk është nëse biznesi juaj do të përballet me një krizë, por përkundrazi, KUR, SI dhe PSE – prandaj përgatitja për të është praktika më e mirë në biznes.

4. Çdo nivel planifikimi është më i dobishëm se të mos kesh asnjë plan

Ju nuk mund të ndërtoni një plan për çdo lloj krizë apo çështje, megjithatë, unë jam dëshmi e dorës së parë, se vetë akti i diskutimit të skenarëve të ndryshëm me kolegët, ndihmon në përmirësimin e reagimit dhe përgjigjes, për një ngjarje të paparashikuar.

5. Një gjë e keqe të çon tek një tjetër

Duhet të jeni të vetëdijshëm që një krizë shkakton një krizë tjetër ose mund të krijojë një varg krizash. Shumë drejtues dhe komunikues nuk e konsiderojnë këtë efekt të mundshëm domino të krizës - mos u bëj njëri prej tyre.

6. Të gjithë duhet të përfshihen

Nga pikëpamja e komunikimit, është thelbësore që të bëhen takime të rregullta në të gjithë organizatën (vertikalisht dhe horizontalisht) për të ndihmuar në identifikimin e sinjaleve dhe ngjarjeve të hershme e paralajmëruese të shkaktimit të një krize të plotë.

7. Shqyrtoni dobësitë tuaja përpara se ndonjë gjë, të shkojë keq

Shqyrtoni organizatën tuaj me një sy kritik, për të identifikuar zonat e mundshme të dobëta ose pikat e errëta institucionale, që ju pengojnë të vlerësoni me saktësi rreziqet e situatës. Mbani parasysh se sado vështirësi të keni në vlerësimin dhe gjykimin e organizatës suaj, përpara goditjes nga kriza, të tjerët dhe audienca e prekur, do të jenë edhe më të ashpër gjatë trazirave. 

8. Nuk është momenti për të qenë optimist

Sigurohuni që plani juaj i menaxhimit të krizave, të jetë parashikuar për "skenarin e rastit më të keq" - me fjalë të tjera, parashikoni që kriza të ndodhë në një ditë feste ose fundjavë; dhe ju të parashikoni sistemin më të besueshëm, më të jashtzakonshëm, me performancën më të mirë që mund të keni.

9. Bëni një plan komunikimi, për t'i treguar të gjithëve se çfarë po ndodh

Pavarësisht nga kriza apo problemi, paraprakisht konsideroni të gjithë aktorët e mundshëm dhe merrni informacionin e kontaktit për ta. Sipas nevojës, komunikoni me ta gjatë krizës dhe pasi të zgjidhet kriza, për të kryer një vlerësim të situatës, me ata dhe palët e interesuara, e për të nxjerrë mësimet kryesore dhe praktikat më të mira, për të ardhmen.

10. Jepni informacionin e duhur, pa shkaktuar panik

Tregoni për situatën tuaj sa më shumë dhe sa më shpejt që të keni mundësi, por pa premtuar më shumë ose më pak, sesa mundeni. Ju gjithashtu duhet të mbani një ekuilibër që shmang komunikimin e tepërt dhe shumë herët, në mënyrë që të mos krijoni panik.

Për t'u përgjigjur shpejt e në mënyrë efektive, është mirë të përgatisni paraprakisht disa pika të shkurtra e të përgjithshme komunikimi, të cilat mund të përshtaten në një situatë ose rrethanë specifike krize, sipas nevojës. Duke përdorur këtë model, informacioni i përgjithshëm realizon disa objektiva, duke përfshirë:

  • Fitimin e kohës, për të zhvilluar një përgjigje më të plotë dhe lista më specifike të pyetje-përgjigjeve
  • Krijimin e mundësisë që ekipi drejtues të mbledhë më shumë informacion nga ata që janë më afër me ngjarjen, për të vlerësuar shtrirjen dhe efektet e ngjarjes
  • Reduktimin e rrezikut të përhapjes së informacionit dhe deklaratave të paqarta, që shpesh vijnë nga ata që shpërndajnë thashetheme, spekulime ose e hiperbolizojnë shumë shpejt, një krizë
  • Nxitjen e perceptimit se organizata juaj është e përgjegjshme, e angazhuar dhe po punon drejt zgjidhjes.

Si pronar biznesi, nuk mendoj se do të donit të drejtonit një kompani pa sigurimin e nevojshëm që mbulon pronën, inventarin dhe detyrimet. Ndërkohë që të gjitha këto janë pasuri të vlefshme, mbani parasysh që edhe planifikimi i komunikimit në raste krizash është lloji më me vlerë i sigurimit të pasurisë së organizatës suaj - reputacioni i saj.