Ndërmerrni këto 6 hapa, për të planifikuar SUKSESIN tuaj
Në këtë periudhë të vështirë dhe të jashtëzakonshme, dëshirojmë të theksojmë se pavarësisht nga çfarë po ndodh, kemi ende kontrollin mbi jetët tona. Izolimi do të përfundojë shpejt, dhe ne nuk duhet të lejojmë, që kjo pasiguri e përkohshme të na diktojë sado pak të ardhmen. Ne kemi në dorë të kontrollojmë qëndrimin, disiplinën, sjelljen e deri tek qëllimet e suksesin tonë, e shumë më tepër. Askush prej nesh nuk mund të kontrollojë plotësisht ngjarjet e jashtme, por ne gjithmonë mund të kontrollojmë dhe përshtasim reagimin tonë. Në mbështetje të kësaj, po ju sjellim sot një mësim të mirë nga Jim Rohn, për të zhvilluar objektivat e dhe ndërtuar një plan të suksesshëm. Rezultatet do të jenë po aq të mira sa edhe vetë plani për arritjen e tyre. Lexim të këndshëm!
* * * * *
Mentori im Earl Shoaff, më mësoi se nuk është ajo që ndodh, që përcakton pjesën më të madhe të së ardhmes sonë – pasi ajo që ndodh, ndodh për të gjithë ne. Në vend të kësaj, ai më mësoi se përcaktuese është ajo se çfarë bëjmë ne, në lidhje me të. Nëse ne e fillojmë procesin e ndryshimit duke zhvilluar një plan, për të bërë diçka ndryshe vitin e ardhshëm nga sa kemi bërë vitin e kaluar, nuk ka rëndësi se sa të vogla do të jenë këto përpjekje. Filloni t’i bëni gjërat ndryshe me të njëjtin grup rrethanash, pasi me ato që kemi bërë gjithmonë nuk mund të ndryshojmë - dhe do të shohim se çfarë mrekullish do të ndodhin. Nëse fillojmë këtë proces të mrekullueshëm dhe ndryshojmë veten, atëherë gjithçka ndryshon. Dhe këtu është ajo gjëja interesante: Dallimi midis dështimit dhe suksesit është një vijë e hollë.
Më lejoni t'ju shpjegoj duke ju dhënë përkufizimet e mia për dështimin dhe suksesin: Dështimi është një gjykim i gabuar që përsëritet çdo ditë. Njeriu thotë: "Epo, unë kam ecur përditë nëpër lagje dhe nuk kam shenja të COVID-19, kështu që jam në rregull". Jo, jo, ky është një lloj gabimi në gjykim, që pas disa ditësh mund ta shikosh që të shfaqet tek ty ose të afërmit tuaj. Nuk mund t’i bëni këto lloj gabimesh. Dikujt do t'i kushtojë. (shënim: paragrafi i përshtatur me momentin – ProspecTime).
Tani, këtu është përkufizimi im i suksesit: disa disiplina të thjeshta që praktikohen çdo ditë. A e shihni dallimin? Disa disiplina ... Ja një frazë e vogël që e kemi dëgjuar të gjithë: "Një mollë në ditë e mban mjekun larg". Dhe pyetja ime për ju është: "Nëse kjo është e vërtetë, sa i thjeshtë dhe e lehtë është ai plan?”
Fakti është se, kur shikoni njerëz të suksesshëm, pothuajse gjithmonë do të zbuloni një plan pas suksesit të tyre. Ata e dinë atë që ata duan, ata zhvillojnë një plan që do t'i çojë ata atje ku duan të shkojnë, dhe ata punojnë sipas planit të tyre. Ky është themeli i suksesit.
Si njerëz, ne kemi aftësinë unike për të ndikuar dhe ndryshuar jetën tonë. Kjo vjen nëpërmjet zgjedhjes sonë të vetëdijshme dhe angazhimit në procesin e mrekullueshëm të zhvillimit personal, pasi ne jemi në gjendje të transformojmë natyrën dhe jetën tonë.
Unë dua që ju të keni sukses - sukses të jashtzakonshëm – por ne e dimë se kjo do të thotë që ju duhet të keni një plan dhe pastaj të punoni në mënyrë metodike sipas atij plani. Kombinimi i materialeve, qëndrimi juaj i hapur ndaj të mësuarit dhe zelli juaj për të ndjekur një plan që është i drejtë për ju, do ta bëjë të mundur suksesin, që ju dëshironi të arrini.
Por, cilat janë disa ide të mira për zhvillimin e një plani që do të funksionojë mirë dhe që do t’ju çojë fuqishëm në finish? Këtu janë gjashtë pikat kryesore, që duhet t’i mbani parasysh:
1. Zhvilloni planin e duhur për JU
Disa njerëz janë shumë të orientuar në detaje dhe janë në gjendje të zbatojnë një plan të ndërlikuar. Disa të tjerë janë më pak të orientuar në detaje, gjë që është në rregull.
Por cili është plani i duhur? Plani që ju përshtatet juve. Secili prej nesh është unik dhe i motivuar nga faktorë të ndryshëm dhe ju duhet të zhvilloni një plan që është i drejtë për ju dhe që ju përshtatet. Disa plane mund të mos jenë aq të ndërlikuara sa të tjerët, por ne të gjithë duhet të kemi një plan, së bashku me qëllimet/objektivat e atij plani, për të ecur përpara. Pavarësisht nga personaliteti juaj, pikat e forta dhe dobësitë tuaja, zhvilloni planin rreth tyre. Ky nuk duhet të jetë një plan që i përshtatet të gjithëve.
2. Vendosni kohën që do të shpenzoni për të
Mund të jenë mbrëmjet, çdo të dielë. Mund të jenë 20 minuta çdo mëngjes ose në mbrëmje, para gjumit. Mund të jetë në makinë, duke dëgjuar CD çdo të hënë, të mërkurë dhe të premte. Çfarëdo qoftë ajo, vendosni oraret dhe zbatojini ato. Në planin tuaj, hap pas hapi, vendosni pikat që mund të përmbushni çdo javë. Ato duhet të jenë specifike dhe të arritshme. Zhvilloni disiplinën dhe i ndërmerni ato hapa çdo ditë, gjë që do t'ju çojë më pranë qëllimeve tuaja.
3. Mbani një ditar
Mbani shënime. Z. Shoaff më mësoi të mos i besoj kujtesës sime, por ta shkruaj atë, duke gjetur një vend për të mbledhur informacionin që ndikon në ndryshim. Dhe kjo këshillë më ka shërbyer shumë mirë gjatë gjithë këtyre viteve. Regjistroni idetë dhe frymëzimin që do t'ju çojë nga ku jeni, atje ku dëshironi të jeni. Mbani shënime mbi idetë që ndikojnë më shumë tek ju. Hidhni në letër mendimet dhe idetë tuaja. Mendoni për veten se ku po shkoni dhe çfarë doni të bëni. Regjistroni ëndrrat dhe ambiciet tuaja. Blloqet e shënimeve janë një vend grumbullimi për të gjithë informacionin e vlefshëm që do të gjeni. Nëse e keni seriozisht për t’u bërë i pasur, i fuqishëm, i sofistikuar, i shëndetshëm, ndikues, i kulturuar dhe unik, e nëse hasni diçka të rëndësishme, shkruajeni. Dy njerëz mund të dëgjojnë ose lexojnë të njëjtat material, por do t’ju vijnë ide të ndryshme për secilën prej tyre.
4. Reflektoni
Dedikoni kohë për reflektim - një periudhë për t'u kthyer prapa, për t’i studiuar përsëri gjërat që keni mësuar dhe gjërat që keni bërë çdo ditë. Unë e quaj këtë "ktheje kasetën nga e para" kështu që mund t’i fiksoni mirë në kujtesën tuaj dhe t’ju shërbejnë si një mjet. Ndërsa e shikoni materialin me këtë sy, ju do të dëshironi të kaloni kohë duke reflektuar mbi rëndësinë e saj për ju. Dedikoni pak minuta në fund të çdo dite dhe kthehuni në atë që keni bërë gjatë ditës: me kë biseduat, kë keni parë, çfarë thanë ata, çfarë ndodhi dhe si ndiheni. Çdo ditë është një pjesë e mozaikut të jetës suaj.
Tjetra, të dedikoni pak orë në fund të javës, për të reflektuar mbi aktivitetet e javës. Gjithashtu gjatë kësaj jave, dedikoni pak minuta për të reflektuar se si duhet të zbatohet ky material, në jetën dhe rrethanat tuaja. Dedikoni një gjysmë dite, në fund të muajit dhe një fundjavë në fund të vitit, në mënyrë që ta fiksoni atë, në mënyrë që ajo të mos zhduket kurrë, për të siguruar që e kaluara është edhe më e vlefshme dhe ato do të shërbejnë mirë për të ardhmen.
5. Vendosni qëllime/objektiva
Mos harroni se plani juaj është një udhërrëfyes, për mënyrën se si do të arrini qëllimet/objektivat tuaja, kështu që ju duhet t’i keni vendosur ato. Nga të gjitha gjërat që ndryshuan jetën time për më mirë (dhe më shpejt), ishte mësimi se si të vendoseshin qëllimet/objektivat. Zotërimi i këtij procesi unik mund të ketë një efekt të fuqishëm edhe në jetën tuaj. Mbaj mend, pak pasi kam takuar z. Shoaff, se ai më pyeti nëse kam pasur një listë të qëllimeve të mia dhe natyrisht që nuk e kisha. Ai më tregoi se, pikërisht sepse më mungonte një grup qëllimesh të përcaktuara qartë, ai mund ta merrte me mend bilancin tim bankar, e që ishte brenda disa qindra dollarëve… dhe kishte të drejtë! E pra, zoti Shoaff filloi menjëherë të më ndihmonte të përkufizoja pikëpamjen time për të ardhmen, ëndrrat e mia. Ai më mësoi të përcaktoja qëllimet/objektivat, sepse ato kanë një ndikim shumë të madh, në të ardhmen e një personi dhe janë forca më e madhe, që do të tërheqë një person në drejtimin që ai do të shkojë. E ardhmja duhet të jetë e përcaktuar dhe e planifikuar mirë, për të nxitur forcën tërheqëse, drejt asaj që keni premtuar se do të arrini.
6. Zbatoni planin tuaj
Ajo që i ndan të suksesshmit nga të pasuksesshmit është se të suksesshmit thjesht e bëjnë atë. Ata marrin masa. Ata nuk janë domosdoshmërisht më të zgjuar se të tjerët, por ata thjesht punojnë me një plan. Koha për të vepruar është atëherë kur emocioni është i fortë. Ja çfarë ndodh nëse nuk e bëni: Ligji i Pakësimit të Qëllimit. Ne synojmë të veprojmë kur ideja na godet, kur emocioni është i lartë, por nëse vonojmë dhe nuk e përkthejmë shpejt atë në veprim, qëllimi fillon të zvogëlohet, zvogëlohet edhe më shumë pas një muaji, dhe venitet përfundimisht pas një viti, aq sa ajo nuk mund të gjendet. Kështu që, vendosni disiplinën kur ideja është e fortë, e qartë dhe e fuqishme - kjo është koha për të vënë në zbatim planin tuaj. Ju duhet ta kapni emocionin, ta shprehni atë në aktivitete të disiplinuara dhe ta përktheni atë në rezultate. Dhe ja çfarë është interesante: Të gjitha disiplinat ndikojnë tek njëra-tjetra; gjithçka prek gjithçka. Kjo është arsyeja se pse, edhe veprimi më i vogël është i rëndësishëm — sepse vlera dhe përfitimet që merrni nga ai veprim i vogël, do t'ju frymëzojnë të bëni një tjetër dhe një tjetër… Prandaj, ngrihuni dhe veproni sipas planit tuaj, sepse nëse plani është i mirë, atëherë rezultatet mund të jenë të mrekullueshme.