Blog

18 mënyra të thjeshta për të mbajtur një qëndrim pozitiv në punë (1-8)

18 mënyra të thjeshta për të mbajtur një qëndrim pozitiv në punë (1-8)

Nëse sapo jeni bashkuar me lexuesit e blog-ut të ProspecTime, ju bëjmë me dije se ky nuk është artikulli i parë që publikojmë mbi Qëndrimin Pozitiv. Ju mund të gjeni plot të tjerë, me autorë të ndryshëm, që e trajtojnë këtë temë në këndvështimet e tyre. Megjithatë, në të gjitha ato shkrime një gjë është fare e qartë: “Nuk ka sukses pa një Qëndrim Pozitiv”. Këtë thekson edhe Rob Wormley, autori i këtij artikulli me dy pjesë, që po sjellim sot dhe javën në vazhdim. Ai gjithashtu na tregon edhe mënyrat se si të fitojmë e mbajmë një Qëndrim Pozitiv në punë e në jetë. Lexim të këndshëm! 

* * * * *

Po sikur të kishte një mënyrë që lehtësisht të zhvillonit mendjen tuaj dhe të shihnit mundësi më të mëdha në jetë? Po në qoftë se ju do të mund të zhvillonit aftësi më të mira, në mënyrë natyrale?

Kur njerëzit mendojnë se kanë një qëndrim pozitiv, ata ndoshta mendojnë se kjo është pak më shumë se sa të vendosin një buzëqeshje në fytyrën e tyre, dhe të përpiqen të mendojnë për mendime të lumtura.

Por është më shumë se kaq.

Qëndrimi pozitiv është diçka që shkon më thellë dhe ka efekt përtej gëzimit sipërfaqësor. Qëndrimet negative nxisin frikën, ngushtimin e fokusit dhe të mendjes, ndërsa qëndrimet pozitive bëjnë të kundërtën. Askush nuk duhet të jetojë gjendjen e vazhdueshme të "luftosh apo largohesh", por qëndrimet negative krijojnë pikërisht këtë skenar.

Një qëndrim pozitiv është një mendësi optimiste që përqendrohet në të mirën, ndërsa një qëndrim negativ nxit frikën dhe një përqendrim të ngushtë tek e keqja. 

Studimet kanë treguar se nëse keni një qëndrim të vërtetë pozitiv, kjo bën që këndvështrimi juaj të jetë më i gjerë e me plot mundësi. Ky këndvështrim, në të vërtetë ju drejton që të jetoni në një mënyrë të tillë, që e bën të natyrshme të ekspozoheni dhe të fitoni aftësi të reja.

Por, si mund të fitoni një qëndrim pozitiv, sidomos nëse ajo nuk vjen natyrshëm për ju?

Këtu janë disa mënyra për të mbajtur një qëndrim pozitiv, në vendin e punës dhe në përgjithësi, pavarësisht nëse ju vjen natyrshëm ose jo:

1. Rrethoni veten me njerëz pozitivë

Thënia e vjetër "zogjtë e njëjtë qëndrojnë së bashku" mund të shihet në dy mënyra. Ose njerëzit që janë të ngjashëm e gjejnë njëri-tjetrin, ose njerëzit në një grup bëhen të njgjashëm, me kalimin e kohës.

Rrethoje veten me njerëz pozitivë.

“Më thuaj me kë rri, të të them se cili je” – thotë një fjalë e urtë. Nëse jeni gjithmonë me njerëz negativë që ankohen për gjithçka, do të bëheni një ankues dhe do ta shihni botën negative, si ata. Ju mund të mendoni se mund të qëndroni pozitivë dhe t'i ndryshoni ata, por nuk do të ndodhë kështu. Mundohuni të lidheni me njerëz që pëlqejnë punën e tyre, kanë ide të reja dhe janë të interesuar për shumë gjëra të tjera, përveç punës. Kjo do ta bëjë të gjithë botkuptimin tuaj më të mirë.

Rrallë mund ta keni mundësinë të zgjidhni bashkëpunëtorët tuaj, por ju mund të tregoheni të kujdesshëm për kohën që kaloni me ta dhe në çfarë ambienti. Nëse keni ngecur me një grup negativ, kini kujdes që të mos merrni pjesë në negativitet. Gjeni mundësinë dhe shkëputuni, qoftë edhe për një shëtitje, në vend që të zhyteni në biseda dhe thashetheme negative.

2. “Ushqeni” mendjen me gjëra pozitive

Në të njëjtën mënyrë, ashtu si njerëzit që ju rrethojnë mund të ndikojnë të bëheni si ata, po kështu ndikojnë edhe ato gjëra, me të cilat ju ushqeni mendjen.

Duke ecur, në këmbë ose me makinë, dëgjoni muzikë pozitive. Lexoni ose dëgjoni libra që janë inkurajues. Shikoni video dhe dëgjoni regjistrime që janë pozitive ose që ju nxisin qëndrimin pozitiv, ose që ju ndihmojnë të përmirësoni aftësitë.

Nëse për trupin tuaj, ka kuptim shprehja “Ne jemi ajo çfarë hamë”, edhe mendja juaj është ashtu si e ushqeni.

3. Kontrolloni gjuhën tuaj

Jo, kjo nuk ka të bëjë me rregullat gjuhësore, ose me atë që të përpiqeni të betoheni më pak (megjithëse kjo e fundit, ndoshta është një ide e mirë). Kjo ka të bëjë me të qenit të vetëdijshëm për fjalët që përdorni kur flisni dhe mendoni.

Hipoteza e relativitetit gjuhësor, tregon se struktura e gjuhës ndikon në pikëpamjen ose njohjen e botës së folësit dhe mënyra se si ata mendojnë. Bazuar këtu, gjuha juaj në të vërtetë kufizon ose përcakton, mënyrën se si jeni në gjendje ta perceptoni botën.

Është një hipotezë, e dhënë falas.

Por, në një nivel më të ulët, gjuha që përdorni çdo ditë, si në mendim ashtu edhe me fjalë të folura, ka një efekt përcaktues në mënyrën sesi mendoni për veten, punën tuaj dhe ata përreth jush.

Kjo mund të duket si një shembull pa kuptim, por mund të jetë si ndryshimi midis të parit të ditës tuaj si, e mbushur me detyra, ose, e mbushur me mundësi. E para është e lodhshme dhe e vështirë, duke ju bërë të ndjeheni të bllokuar si në një torturë të përditshme. Kjo e dyta është emocionuese dhe me plot potencial.

Jini të vetëdijshëm për mënyrën sesi vendosni të mendoni dhe të flisni në punë. Gjeni një mënyrë pozitive, për të parë gjithçka dhe të gjithë.

4. Krijoni një rutinë për ditën

Është e lehtë të mendosh që nëse ke një rutinë në punë, je ngecur në të ose nuk je "fleksibël". Sidoqoftë, e vërteta është që rutinat na japin një strukturë të mirë të parapërgatitur. Për shembull, rutina e mëngjesit është jashtëzakonisht e mirë, pasi për shumë njerëz, mëngjesi është momenti kur jemi më vigjilentë dhe të freskët, por ndonjëherë nuk jemi në gjendje të ulemi dhe të fillojmë.

Krijoni një rutinë që ju ndihmon të bëni punën më të rëndësishme, bëni pushime në kohën e duhur dhe lini orën e fundit ose pjesë të ditës së punës, për punë më pak të vështira dhe përgatitje për ditën tjetër. Shumica prej nesh lodhen deri në fund të ditës, kështu që, mos i lini detyrat e vështira për atë kohë. Është e rëndësishme të përfundoni çdo ditë, duke u përgatitur për ditën tjetër.

5. Jini të këndshëm për njerëzit e tjerë

Të jesh i mirë me njerëzit e tjerë të bën të lumtur.

Një studim mbi psikologjinë sociale ka zbuluar se të bësh diçka të mirë për njerëzit e tjerë, ka të njëjtin efekt sikurse të provosh gjëra të reja dhe emocionuese, kur bëhet fjalë për t’u ndjerë i lumtur.

Edhe më mirë?

Një studim tjetër ka zbuluar se të kujtuarit që ke bërë diçka të tillë për dikë, bën që të dëshirojmë ta bëjmë përsëri.

Nëse ju e bëni rregullisht të qenit i mirë ndaj njerëzve të tjerë, kjo do t’ju bëhet si një cikël bujarie dhe lumturie, që ju bën të ndjeheni mirë, dhe gjithashtu, të ndjehen të lumtur edhe ata rreth jush.

Mendoni për mjedisin më të keq negativ të mundshëm. Negativiteti ushqehet me më shumë negativitet, derisa duket mbizotërues. Jini të këndshëm për njerëzit e tjerë dhe kujdesu që dhe ata të jenë të tillë.

Nëse puna juaj është e vështirë dhe nuk mund të largoheni prej saj, dhe gjetja e një qëndrimi pozitiv në lidhje me punën në vetvete është një sfidë, jini të mirë me njerëzit përreth jush dhe bëni që kjo të jetë një zëvendësues efektiv.

Vlerësimi dhe njohja e bashkëpunëtorëve mund ta bërë ditën tuaj më të mirë.

6. Mos kërkoni një burim të jashtëm pozitiviteti

Mbajeni qëndrimin pozitiv brenda jush.

Mendojeni qëndrimin pozitiv si një mjet mbijetese: mbajeni atë me vete në çdo kohë, për raste urgjente.

Pavarësisht nëse mbështeteni në një frazë, që e përsërisni pa pushim në momente stresuese ose keni ndonjë mënyrë tjetër, që ju ndihmon të rigjallëroheni dhe të mbani një qëndrim pozitiv, sigurohuni që të keni një mënyrë që nuk mbështetet tek dikush tjetër ose tek ndonjë situatë specifike.

7. Krijoni momente të mira në çdo ditë dhe javë

Pjesa më e mirë e një pushimi emocionues është periudha deri në fillimin e tij, janë ato momentet e pritjes me padurim. Të dish se po vjen diçka e mirë mund të bëjë që ditët deri aty të kalojnë më lehtë.

Ju mund të krijoni të njëjtin efekt duke krijuar "momente të mira" të vogla për çdo ditë, për t'ju ndihmuar të kaloni më mirë projektet ose ditët, që ndryshe mund të dukeshin si të vakëta. Kjo është arsyeja pse marrja e pushimeve është e rëndësishme, por jo çdo pushim është aq i vlefshëm sa do të doje të ishte.

Disa sugjerime:

  • Si shpërblim i lodhjes, mos kaloni tek ushqimi jo i shëndetshëm. Pushimi do të përfundojë me efekte negative dhe kjo mund të rezultojë në një zakon keq-ushqyerje ose kafeinë e tepërt.
  • Bëni pushime jashtë ose larg punës, kur është e mundur.
  • Kur punoni, mund të bëni një shëtitje, të qëndroni në vetmi ose në heshtje - çdo gjë që tingëllon mirë dhe është e mundshme.
  • Gjeni një vend për të lexuar një libër, që nuk ka lidhje me punën.

Momentet e mira ditore, duhet të jenë të vogla dhe të thjeshta, duke mos shpenzuar pará, ose duke mos krijuar zakone, që mund të ketë efekte negative në shëndetin ose buxhetin tuaj, nëse i bëni ato çdo ditë (p.sh. të ecni deri tek furra e bukës për një byrek :-) çdo ditë). Momentet e mira javore ose mujore mund të jenë pak më ndryshe. Ndoshta çdo të Enjte hani drekë në një restorant aty pranë, në vend që ta merrni nga shtëpia. Sido që të jetë, krijoni diçka që t’ja vlejë.

8. Merrni përgjegjësi dhe zgjidhni reagimin tuaj

Refuzimi për të marrë përgjegjësi për veprimet dhe situatën tuaj, ose mungesa e kontrollit se si ju përgjigjeni, e vret menjëherë qëndrimin pozitiv.

Në fund të fundit, nëse diçka ndodh dhe është faji juaj, ose në një farë mënyre përgjegjësia juaj, të refuzoni të pranoni do të thotë që nuk mund të korrigjoni sjelljen dhe ajo gjë do të ndodhë përsëri, dhe gjithashtu, ju e ekspozoni veten ndaj një mentaliteti viktimizimi pse këto gjëra ju ndodhin vetëm juve.

Do të jeni më pozitiv, nëse do ta shikoni jetën si diçka mbi të cilën keni kontroll, e jo sikur jeni në mëshirë të fatit. Mendojeni si një ekuacion: N + P = R (Ngjarje + Përgjigje = Rezultat). Mënyra se si përgjigjeni ka një efekt në rezultat, edhe kur ngjarjet janë jashtë kontrollit tuaj.