Pse kultura e lartë korporative krijon një ndjesi më të mirë biznesi?
Të ndërtosh një kulturë të shkëlqyer kompanie dhe ta përmirësosh vazhdimisht atë, tashmë është provuar se kjo nuk është një prej zgjedhjeve, por një domosdoshmëri. Kultura e kompanisë shpreh personalitetin e një kompanie. Ajo përcakton mjedisin tërësor në të cilin punojnë punonjësit. Edhe në shitje, kultura e kompanisë luan një rol të rëndësishëm për arritjen e rezultateve sa më të larta. Këtu më poshtë, autori Gary Fly ka analizuar disa arsye, edhe financiare, pse kultura e kompanisë do t’ju ndihmojë, jo vetëm të arrini objektivat, por ta ktheni kompaninë tuaj në një vend pune të lakmuar, edhe nga punonjësit më të mirë. Suksese dhe Lexim të këndshëm!
* * * * *
Këtu janë 5 arsye, që shpjegojnë pse organizata juaj e shitjeve ka nevojë për një kulturë të shkëlqyer.
Ashtu si shumica e gjërave që s’mund të preken, kultura e kompanisë është e vështirë të matet dhe nganjëherë edhe më e vështirë për të justifikuar investimin për të. Për këto arsye, shumë kompani e vendosin kulturën në listën e gjërave që “do ishte bukur ta kishin", dhe kurrë nuk kushtojnë më shumë vëmendje, përtej kësaj.
Kjo mungesë vëmendje, paraqet një dobësi për shumicën e kompanive dhe gjithashtu një mundësi thelbësore për ato organizata të shitjeve, që përqendrohen në kulturën e kompanisë. Në fund të fundit, aktivet jo-materiale, përfshirë talentin dhe kulturën, mund të përbëjnë deri në 52% të vlerës së tregut të një kompanie (sipas Forbes – shënim i ProspecTime).
Ndikimi i kulturës së kompanisë në vlerësimin e tregut ndaj saj, reflekton një ndikim thelbësor në efektivitetin, përfitimin dhe stabilitetin e kompanisë - dhe sigurisht që do të ketë ndikim edhe në efektivitetin tuaj të shitjeve. Këtu janë 5 arsye:
1. Kultura e shkëlqyer e kompanisë përmirëson rekrutimin dhe mbajtjen e punonjësve
Vit pas viti, punësimi vazhdimisht shfaqet si një nga sfidat më të mëdha, jo vetëm për menaxherët e shitjeve. Kjo është e vërtetë edhe për organizatat me kompensime dhe përfitime konkurruese, sepse ato nuk janë faktorët e vetëm, që profesionistët e mundshëm të shitjes marrin parasysh, kur vlerësojnë një ofertë pune.
Gjithnjë e më shumë, ata duan të dinë gjithashtu, nëse një organizatë është një përshtatje e mirë kulturore për ta, si dhe kur ata do të zhvillohen profesionalisht, a do të ofrohen mundësi për rritje, dhe nëse ata besojnë në misionin dhe vlerat e organizatës. Ndërtimi, mirëmbajtja dhe demonstrimi i një kulture të shkëlqyer të kompanisë e bën më të lehtë tërheqjen e talenteve më të mirë dhe mund të ulë koston për ta bërë këtë.
Përtej rekrutimit, zëvendësimi i një profesionisti të shitjeve mund të kushtojë midis 50% dhe 250% të pagës së tyre vjetore plus përfitimet. Pasja e një kulture të shkëlqyer kompanie, përmirëson mbajtjen e punonjësve, duke rritur lidhjen dhe bashkëpunimin midis punonjësve të shitjes dhe menaxherëve të tyre, duke rritur angazhimin e anëtarëve të ekipit tuaj për misionin e organizatës dhe duke siguruar që ata të ndjehen të rëndësishëm, të vlerësuar dhe të kuptuar.
2. Kultura e shkëlqyer e kompanisë përmirëson angazhimin e punonjësve
Menaxherët dhe punonjësit që largohen nga puna, i kushtojnë ekonomisë së Sh.B.A-së 398 miliardë dollarë në vit, sipas Gallup, siç citohet nga Forbes. Nga ana tjetër, kompanitë që demonstrojnë nivelet më të larta të angazhimit të punonjësve, janë 22% më fitimprurëse dhe 21% më produktive se mesatarja e tyre.
Një kulturë e shkëlqyer korporative përmirëson angazhimin. Kur punonjësit e shitjes dhe menaxherët e kuptojnë dhe përafrohen me misionin dhe vlerat e kompanisë së tyre, ata bëhen më të përkushtuar dhe më të angazhuar me të. Kur kultura është e qëndrueshme dhe mbështetëse, anëtarët e ekipit kujdesen më shumë për bashkëpunëtorët dhe kompaninë e tyre, dhe kjo gjithashtu kontribuon në angazhim.
3. Kultura e shkëlqyer e kompanisë i ndihmon punonjësit të marrin vendimet e duhura
Kur vendimet merren vetëm duke u bazuar tek kuotat e shitjeve dhe objektivat mbi të ardhurat, kompanitë shpesh përfundojnë keq. Shikoni rastin e Uells Fargo, ku kuotat agresive çuan në sjellje të papërgjegjshme dhe mashtruese nga ana e përfaqësuesve. Kjo ndodhi jo për shkak të vetë kuotave, por sepse ato nuk shoqëroheshin me stimuj të fortë kulturorë, për të qëndruar të ndershëm dhe për të vepruar në integritet.
Përkundrazi, kur një përfaqësues i shitjeve është shumë i qartë dhe në përputhje me vizionin dhe vlerat e kompanisë, vizioni dhe vlerat mund të ndikojnë në vendimet që marrin, në mënyrat se si ata e trajtojnë një blerës të mundshëm dhe se si e drejtojnë një klient për të blerë. Ndërkohë që kjo mund të mos japë gjithmonë kthimin më të lartë të mundshëm të menjëhershëm, me kalimin e kohës përmirëson reputacionin, zvogëlon rrezikun dhe rrit stabilitetin. Ajo përfundimisht çon në marrëdhënie më fitimprurëse, afatgjata e të besueshme me klientët.
4. Kultura e shkëlqyer e kompanisë mundëson biseda sfiduese, por respektuese
Kur anëtarët e ekipit të shitjeve janë të pasigurt për vlerat e kompanisë së tyre, vendin e tyre në kompani ose ndjehen të parespektuar, ata nuk mund të zhvillojnë biseda prodhuese dhe konstruktive. Një mjedis i tillë gjeneron një qasje mbrojtëse dhe mos shprehje të informacionit.
Në një kompani me një kulturë të shkëlqyer, punonjësit ndjehen të vlerësuar dhe të sigurt për t'u shprehur. Një kulturë e fortë korporative siguron gjithashtu kornizat dhe strukturat brenda të cilave duhet të ketë biseda konstruktive, të japin reagimet negative dhe të menaxhojnë mosmarrëveshjet. Në këtë mjedis, problemet mund të zgjidhen dhe zgjidhjet të zhvillohen në mënyrë të shëndetshme dhe konstruktive, që çojnë në rezultate pozitive.
5. Kultura e shkëlqyer e kompanisë mundëson përmirësim të vazhdueshëm
Për të lulëzuar dhe rritur, në këtë mjedis me zhvillim të shpejtë të shekullit 21, kompanitë duhet të jenë fleksibël dhe të përmirësojnë vazhdimisht çdo aspekt të organizimit të tyre. Kompanitë me kulturë të fortë mundësojnë diskutimin, përmirësojnë mbajtjen dhe angazhimin e punonjësve, dhe kështu, natyrisht, përmirësojnë vazhdimisht efektivitetin dhe produktivitetin.
Profesionistët e shitjeve, në kompanitë me një kulture të shkëlqyer, janë të motivuar të përmirësojnë vazhdimisht njohuritë dhe aftësitë e tyre, dhe të bëhen më të mirë në atë që bëjnë dhe më të aftë në shërbimin e klientëve.
Në industrinë e shitjeve, është e lehtë të arrini numrat dhe kuotat, dhe të harroni të përqendroheni në gjërat jomateriale, që kontribuojnë në ato numra.